Elez Isuf Ndreu ( 1861 – 1924 )

0
212

Qe flakadani dhe zëri i kulluar i lirisë, që ndezi me guxim kryengritjen e përgatitur në Kosovë më 1912 dhe doli në mal me qytetarët e Dibrës së Madhe. Shpartalloi disa njësi të garnizoneve turke duke u marrë atyre armatimin dhe dy topa që u përdorën me aq sukses kundra mësymjes sërbe në betejën e famshme të Kolosnjanit, se: Na ka shkelë hasmim te dera! Elez Isufi u bë korifeu i qëndresës popullore në epopenë e luftrave 9-vjeçare kundër një armiku nga më të tërbuarit e më mizorët i shqiptarëve. Shkriu gjithë pasurinë e tij për interesat kombëtare. U dogjën tri herë kullat e tij, u internua dhe u burgos familja e tij, u përgjakën burrat e konakut të tij, por ai nuk u thye, as u gunjëzua, as u përkul. Përkundrazi, historia do ta lartësojë hakmarrjen vigane, të paparë në llojin e vet dhe armiku do ta ruajë në shekuj si një relikë të zezë në kujtesë të brezave duke shkruar mbi një vazo që mban brenda skeletin e një koke viktime: “Mos e harroni kurrë Kodrën e Kaushit”! Tri herë u dogjën dhe u bënë hi fshatra të tërë, u martirizuan e u masakruan burra e gra, vdiqën në rrugët e vështira të gjenocidit sërb qindra burra, gra, e fëmijë.

 

U kosit si bari i njomë djalëria dibrane. Mjerë arkivat që i mbajnë të mbyllura fletët e këtyre ngjarjeve të mëdha! Katër muaj me rradhë në dimrin e egër të vitit 1921 qëndroi në shi e në borë në malet e Lurës me malësorët besnikë të Reç-e-Dardhës dhe të mbarë Dibrës duke treguar një trimëri të jashtëzakonshme në mbrojtje të vatanit dhe nuk i lejuan sërbët të kalojnë kufirin. Elez Isufi u dekorua për merita të vecanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë “Franc Jozef-Orden”. Në mjediset e pallatit perandorak kishte vënë këmbët me baltë mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate këtë rradhë një njeri krejt i veçantë, një malësor me rroba shajaku, kësulë të bardhë, tirq të bardhë e kuparane të zezë, me opinga lëkure, por me një zemër të madhe e një mendje të ndritur që ia kishin zili dhe perandorët me njëqind tituj e grada e të fundosur në kolltuqe të artë. I thotë Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë llafet në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me turqit, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me sërbin se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji. Kështu i kishte thënë dikur dhe dikujt tjetër që kishte provuar t’i thoshte Plakut të Çuditshëm të ndrronte mendje e të ulte armët, por ai e kishte pasur përgjigjen në majë të gjuhës: -Mirë thue ti, or mik, por unë jam një Elez.

 

Ç’tu baj atyne njiqind Elezave të tjerë që ka Dibra?! Elez Isufi ishte i idhët për këdo që shkel në të drejtën e liritë e tjetrit, për të gjithë ata që tradhtojnë idealet e lirisë, për këdo që vihet në shërbim të hasmit, e, sidomos, të hasmit të vjetër. Ai ishte mik për kokë me atë që luftonte për liri e drejtësi, për nder të vatanit e jo me ata që binin në prehër të dushmanit. Këtë qëndrim mbajti tërë jetën. Nuk u pajtua as me Zogun. Në Lëvizjen e Marsit, që ndonjë historian i mefshët e dritëshkurtër, nga ata që kujtojnë se historia është petull me ujë të ftohtë ose një tufë tjetër politikanësh që nuk shikojnë më larg se hija e trupit të tyre, këtë Lëvizje, që ndërmorën forcat më demokratike të kohës, duan ta quajnë një grusht shteti. Elez Isufi hyri në Tiranë vetëm me 500 burra dibranë, as për pushtet e as për lavdi dhe i struku në qylarët e qelbura pushtetarët faqezinj të kombit.

 

Këtë e bëri që t’i siguronte popullit zgjedhje demokratike, atë gjë që i ishte premtuar sa e sa herë se do ta bënte Asambleja e përgjithshshme, “e të caktohet fati i popullit të ngratë”, si shkruan në kujtimet e tij Ismail Strazimiri. Lëvizja e Marsit dhe revolucioni i Qershorit, sidomos, fundi i tij, qe shumë zhgënjyes për Plakun e nderuar., sidomos ndaj një pjese të parisë dibrane e asaj kombëtare që i patën dhënë besën dhe e tradhtuan, bile i mbushën pushkën dorës tinëzare dhe vranë më 16 dhjetor 1924 nipin e tij e bashkëluftëtarin e trim Sufë Xhelilin dhe plagosën për vdekje Elez Isufin që do të ndrronte jetë dy javë më vonë më 30 dhjetor 1924. Vdekja e tij e kobshme u kthye në një mort për mbarë popullin e Dibrës e të Lumës dhe tërë miqve të shumtë që kishte në mbarë vendin. Vdekja e tij qe kaq madhështore sa e shpreh fare qartë dhe kjo antitezë e fuqishme që hyri në mes dy kampeve: njërit që mbante zi e qante e tjetrit që pinte raki e këndonte.

 

Në Sllovë ku Mide Doda vajtonte kreshnikun e maleve: Elez Isufi, vllau jem, o vlla, O yll i karvanit, vllau jem, o vlla, Kreu i mejdanit, vllau jem o vlla! …diku në Dibër të Madhe ushtarët sërbë ia kishin shtruar me raki e meze dhe kërcenin e këndonin duke kujtuar të kaluarën: Kush don ta njohë se ç‘është tmerri Le t’i bjerë në këmbë Kaushit të Elezit! Ah, moj nënë atje, Dhe bari i njomë digjet nën këmbë… (Koj sakat do videt teshki gubitak Nekai zverzhi uder protif Eleza Kaush, Moja majka i suve trava Je goreno pad moje mogi). Vrasjen e Elez Isufit dhe veprën e tij populli do ta përjetësonte në dhjetëra këngë dhe koha do ta qëndiste në kornizën e portretit të tij sintezën e mendimit lapidar: ”Punova për Komb e Atdhe” Populli do ta quante Elez-a, megjithëse nuk ishte aga, teprina e parisë dibrane, Plaku i randë i maleve, shqipja e Korabit, e të tjera epitete.

 

Shtypi i kohës u tregua i pakursyer për të dhënë vlerësimet e tij, si kurrë ndonjëherë për ndonjë figurë tjetër: Plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, e qindra vlerësime të tjera. Figura e Elez Isufit është vlerësuar në çdo kohë, se mali nuk mbulohet me kashtë e dielli nuk zihet me shoshë. Por politika e të gjitha ngjyrave, nuk dimë pse mban dicka të frikshme brenda saj, ndrojtjen për t’i dhënë vendin që meriton, titullin më të lartë “Nderi i Kombit”, ndërkohë që me këtë titull po vlerësohen shumë të tjerë që nuk e kanë as peshën e as rëndësinë e veprës së tij. Në 150 vjetorin e lindjes së tij ne e kujtojmë me respekt jetën dhe veprën e këtij patrioti të madh, e këtij atdhetari të flaktë, e këtij flakadani të lirisë që frymëzoi breza të tërë luftëtarësh për çeshtjen e madhe të Kombit

Peshkopi, Dibër, Albania

 

Nga Naim Plaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu