Elvis Hoxha: E dimë se Serbia do të japë atë që nuk e ka, Kosovën. Kosovës do t’i Kërkohet të japë atë që e ka, vetveten

0
238

Natyrisht që dhe po të japin toka shqiptarët nuk do të ketë liberalizim vizash. Sepse, ky këmbim i fëlliqur që BE u ofron shqiptarëve e ka në brendësi mosrespektimin ndaj shqiptarëve.
Po këto ditë Vuçiç thotë se Kosova dhe Serbia duhet të japin diçka për t’u marrë vesh mes tyre. Por ne e dimë se Serbia do të japë atë që nuk e ka, Kosovën. Kosovës do t’i kërkohet të japë atë që e ka, vetveten.
Politikanët e Kosovës, në qeveri e parlament – me përjashtim të deputetëve të LV-së – do të japin tokat e shqiptarëve për të fshehur korrupsionin e tyre moral, politik dhe ekonomik. Pra, për të fshehur dëmin integral që i kanë bërë Kosovës, do të japin një pjesë të Kosovës. Që në këtë çast nuk do të mund të kritikohet më Ahmet Zogu për shën Naumin. Kësaj radhe ne jemi të gjithë të pranishëm para krimit kombëtar që po kryejnë politikanët shqiptarë mbi trojet shqiptare.
Presim po ashtu, gjë që na e rekomandoi dhe Juncker (sipas formulës së vjetër evropiane: “Shqiptarë jepni tokat tuaja te fqinjët që të ketë stabilitet në Ballkan”) që qeveria e Tiranës të japë detin në Jug. Pra, me vetëdijen e shqiptarëve mbarë jepen toka shqiptarësh. Shqiptari e fal Shqipërinë për një derë në Evropë. Ndërsa Evropa i sheh shqiptarët vetëm si skllevër e tokat e tyre si taksë lirie.
Me pasë ëndërr në këto troje është thjesht me ëndërru se një ditë shqiptari mund të jetë qenie politike: atëherë ai nuk do e japë më shtëpinë ngaqë i rëndon kur lëviz, por do të jetë i rëndë në vatër të vet.
Që të kalojë Demarkacioni, duhet të bindet lista serbe. Pra që qeveria t’i sigurojë qytetarit “liberalizimin e vizave” duhet të kalojë Demarkacionin. E që të kalojë Demarkacionin duhet t’i japë Listës serbe Zajednicën. Që të fshehë korruptimin e deritanishëm të qeverive shqiptare duhet që Haradinaj të nënshkruaj mbi emrin dhe shpinën e tij dy humbje sovranitetesh: territorial në kufi dhe territorial në gji të Republikës së Kosovës. Nuk e di a ka këshilltar Ramushi që t’ia thotë sekretin e vogël: Hasha, Kadria dhe Isa do i hedhin tërë krimet e tyre ndaj Kosovës në biografinë e Ramushit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu