Enver Hoxha përball sulmit frontal të Titos

0
305

Përballë sulmit frontal të Titos kundër Shqipërisë e Enverit, cilësimi publik i Hoxhës si “armik” dhe botimi i karikaturave tallëse të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut në revistën jugosllave “Jezhik”, më 9 korrik 1956, vjen biseda e ambasadorit rus në Tiranë, Krillovit, me Enver Hoxhën. Kjo bisedë e rregjistruar, përfshirë në librin “Shqipëria dhe Kosova në Arkivat Ruse” të autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku, sjellë të plotë situatën e atyre ditëve…
Bisedë e regjistruar e ambasadorit të BRSS në RPSH, L. I. Krillov, me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH Enver Hoxha, mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave
9 korrik 1956
Sekret
Ekzemplar nr. 1
Sot, Sekretari i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha më ftoi në shtëpi, dhe më tha se do të dëshironte të këshillohej me mua, se si do t’i ndërtonin marrëdhëniet e tyre me Jugosllavinë. Enver Hoxha tha se problemi konsiston në faktin se misioni jugosllav në Tiranë, si më parë, vazhdon të bëjë një punë, që drejtohet kundër vijës së KQ të PPSH dhe kundër qeverisë shqiptare. Punonjësit e misionit jugosllav vazhdojnë të ruajnë lidhje të forta me qytetarë shqiptarë, veçanërisht me lloj-lloj elementësh të paqëndrueshëm. Ata përpiqen në çdo rast të volitshëm, të hedhin dyshime mbi drejtësinë e vijës sonë dhe me çdo mënyrë të shajnë udhëheqjen e KQ dhe qeverinë e Shqipërisë, të cilat, gjoja, nuk dëshirojnë miqësi të vërtetë me Jugosllavinë. Gjithashtu, misioni jugosllav bën biseda të ngjashme me të gjithë qytetarët shqiptarë, që u drejtohen për të marrë viza, për të shkuar në Jugosllavi. Janë vënë re një sërë rastesh, kur punonjësit e misionit, pas dhënies së vizave shkonin në shtëpitë e këtyre qytetarëve duke vazhduar përpunimin e filluar. Këto ditë, misioni jugosllav organizoi një mbrëmje takimi me qytetarët shqiptarë me origjinë jugosllave, ku u ftuan edhe shqiptarë të cilët i kanë gratë nga Jugosllavia. Midis të ftuarve, ishte edhe gjenerali ynë Dino Marko, i cili punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky më pas, më tregoi se në këtë mbrëmje, krahas dollive për miqësi, u bënë biseda mbi fajësinë dhe mosdashjen e palës shqiptare për ta forcuar këtë miqësi. Shumica e shokëve shqiptarë, thotë Enver Hoxha, për bisedat e bëra njoftojnë menjëherë organizatat shqiptare, duke shprehur me këtë rast pandehmat e tyre, se si mund të sillen kështu shokët jugosllavë. Por ka dhe të tillë, të cilët u nënshtrohen këtyre bisedave dhe përpiqen të gjejnë mbështetje tek misioni jugosllav. Ne, jemi të detyruar, thotë Enver Hoxha, që njerëz të tillë t’i vëmë para përgjegjësisë, por këtë, me sa duket, duan ta arrijnë edhe punonjësit e misionit jugosllav, me qëllim që më pas t’i përdorin këto fakte kundër nesh.
Misioni jugosllav shtroi çështjen e hapjes së një agjencie të tyre detare në Durrës, duke e motivuar me pretekstin se një pjesë e madhe e mallrave hungareze, polake e çeke, tani supozohet të dërgohen në Durrës përmes portit jugosllav- Rjeka. Por edhe Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Rumania, të cilët qarkullojnë me ne një vëllim të madh mallrash përmes Durrësit, nuk kanë agjenci të tyre në këtë qytet. Dihet, se kjo drejtohet kundër nesh, thotë Enver Hoxha. Nëse ne do të biem dakord, atëherë jugosllavët do të kenë edhe një pikë për të bërë agjitacionin e tyre kundër nesh. Në qoftë se nuk biem dakord, atëherë jugosllavët do t’u ndalojnë hungarezëve, çekëve dhe polakëve kalimin transit përmes Rjekës, duke na e hedhur neve fajin.
Para pak kohësh, në Kosovë e Metohi (krahinë në Jugosllavi), ku banojnë deri në 800 mijë shqiptarë, filloi një proces i gjerë kundër një grupi shqiptarësh, të cilët në 1948 kishin organizuar lëvizjen për bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë. Ne, nuk kishim asnjë marrëdhënie me këtë grup. Pse duhej filluar tani ky proces, bën pyetje Enver Hoxha. Bile, në Kosovë e Metohi, shkojnë për afate të ndryshme shumë qytetarë shqiptarë, që kanë lidhjen farefisnore atje, të cilët i nënshtrohen një përpunimi përkatës nga ana e organeve jugosllave. Atë që bën rezistencë e fusin në burg. Prandaj tani, thotë Enver Hoxha, ne e kemi ndërprerë dhënien e vizave për qytetarët shqiptarë për të shkuar në Kosovë e Metohi.
Në kohën e vet, misioni jugosllav këmbënguli që të lejoheshin të shkonin në atdheun e tyre, emigrantët jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri. Ne ramë dakord me këtë. Dëshirën për t’u kthyer e shfaqën rreth 50 vetë. Tashmë, pavarësisht nga një sërë kërkesash tona, jugosllavët refuzojnë t’ju japin viza, për t’u kthyer në Jugosllavi këtyre emigrantëve. Të gjitha këto fakte, thotë Enver Hoxha, dëshmojnë për një politikë jo të pastër, të cilat na shqetësojnë neve seriozisht. Ne, nuk mund t’i lëmë ata mënjanë. Duke ruajtur durimin dhe vetëpërmbajtjen ne mendojmë, që në një kohë më të afërt, të ftojmë personalisht të dërguarin jugosllav Milatoviç në MPJ, dhe t’i themi, se qëndrimin e punonjësve të misionit jugosllav e konsiderojmë (të tillë – red.) që nuk ndihmon në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe për këtë të njoftojë qeverinë jugosllave. Nëse, edhe pas bisedës me Milatoviçin e gjithë kjo nuk ndërpritet, ne do të shtrojmë çështjen e largimit nga Shqipëria, të punonjësve më të kompromentuar të misionit, të tillë si Vuçiç e Xhixha. Ne, edhe një herë do të ngremë çështjen për t’u dhënë viza 50 emigrantëve, që dëshirojnë të kthehen në Jugosllavi, por nëse kjo do të refuzohet, ne do t’i hipim në makina dhe do t’i çojmë në kufirin jugosllav.
Enver Hoxha mu lut që për këto çështje të këshillohem me Moskën dhe ta njoftoja, se cila do të ishte pikëpamja jonë për këto çështje. Unë i premtova se do t’ia plotësoja menjëherë lutjen e tij.
L. Krillov – ambasador i BRSS në Shqipëri.
(Burimi: KPSS…., RGANI, F. 5, Op. 28, D. 391, L. 45-47. Nr. 17. Origjinal).
TAKIMI
Bisedë e regjistruar e ambasadorit të BRSS në RPSH, L. I. Krillov me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH, E. Hoxha, mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave
6 gusht 1956
Sekret Ekzemplar nr. 3
Sot, Enver Hoxha më ftoi mua personalisht dhe gjatë bisedës më njoftoi se, dy ditë më parë kishte pritur të dërguarin e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, Arso Milatoviç. Në fillim të bisedës, Enver Hoxha më thotë, se Milatoviçi i kishte thënë, se që nga hera e fundit që ai kishte qenë në Tiranë, në vitin 1948 dhe deri tani, në këtë vizitë të dytë, ai ishte shumë i habitur nga ndryshimet e mëdha që janë bërë në qytet në kuptimin pozitiv. Në Tiranë janë krijuar shumë ndërmarrje që nuk kanë qenë në vitin 1948. Është rritur ndjeshëm niveli i përgjithshëm i kulturës së popullit dhe të kulturës së vetë qytetit. Lidhur me këtë, Enver Hoxha iu përgjigj, se me të vërtetë ndryshimet që janë bërë në jetën e Shqipërisë dhe qytetit të Tiranës janë kaq të ndjeshme, sa që janë të dukshme, për këdo që ka qenë më parë në vendin tonë. Të gjitha këto, i tha Enver Hoxha Milatoviçit, ne i kemi bërë me ndihmën kolosale të Bashkimit Sovjetik, i cili gjatë gjithë këtyre viteve, na ka ndihmuar pa interes në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të ndërtimit ekonomik dhe kulturor dhe për këtë populli shqiptar i është thellësisht mirënjohës atij. Pastaj, Enver Hoxha i tha Milatoviçit se është shumë i gëzuar, që njihet me të dhe shpreson se Milatoviçi do ta pasqyrojë objektivisht gjendjen në Shqipëri dhe do të ndihmojë në prezantimin e marrëdhënieve midis vendeve, sepse në këtë çështje shumë gjëra varen nga i dërguari. Milatoviçi ra plotësisht dakord me këtë. Pastaj, Enver Hoxha e pyeti Milatoviçin se me ç’ton do të bisedojmë: në formë diplomatike të veçantë, apo si shokë dhe plotësisht të hapur. Milatoviçi iu përgjigj, se më mirë do të ishte të bisedonim si shokë.
Duke zhvilluar bisedën më tej, Milatoviçi deklaroi se në periudhën e viteve 1945-1948 marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin shumë miqësore e të sinqerta. Populli jugosllav e ka vlerësuar Enver Hoxhën shumë, si mikun e vet, megjithëse këto marrëdhënie thotë Milatoviçi, na u desh t’i ndërtonim në një rrugë origjinale, pa pasur asnjë përvojë. Megjithatë, Jugosllavia u përpoq ta ndihmonte Shqipërinë me gjithçka që kishte mundësi. Dhe ja tani, kur në Jugosllavi filluan të lexojnë materialet e Kongresit III-të të PPSH , duke përfshirë edhe raportin e Enver Hoxhës, për shumë veta mbeti e pakuptueshme, se për çfarë gabimesh reciproke bëhet fjalë, dhe pse nuk i kanë hequr akuzat për qëndrim agresiv të Jugosllavisë ndaj Shqipërisë.
Në përgjigje të kësaj, Enver Hoxha i tha atij se nëse raporti dhe vendimet e Kongresit III-të të PPSH do të lexohen me vëmendje e qetësi, atëherë është plotësisht e qartë se pala shqiptare, do t’i pranonte plotësisht gabimet e veta lidhur me akuzat e padrejta në adresë të Jugosllavisë, të Lidhjes së Komunistëve dhe të udhëheqjes së Jugosllavisë, të cilat ishin ngritur në atë periudhë. Ne mendojmë, se vendimet e Kongresit III, jo vetëm që i bëjnë një trajtim plotësisht objektiv kësaj çështjeje por tregojnë edhe për një mençuri të madhe shtetërore. Ne, tashmë nuk kemi se çfarë të shtojmë apo të pakësojmë nga çfarë u tha në Kongres. Për sa i përket keqkuptimeve tona reciproke të kaluara, ne më se një herë, u kemi propozuar shokëve jugosllavë t’ju vënë atyre kryq dhe t’i ndërtojmë sërish marrëdhëniet tona mbi bazën e marksizëm-leninizmit. Nëse ju shoku Milatoviç, sërish do të ngrini çështjen e tyre, thotë Enver Hoxha edhe ne sërish do të themi pikëpamjen tonë. Së pari, periudha e trajtuar duhet marre jo nga viti 1945 siç thatë ju, por nga 1944 deri në 1948 ( në këtë rast u përmend jo rastësish viti 1944, sepse në këtë kohë u formua grupimi armiqësor e antiparti i Koçi Xoxes). Nuk është e drejtë të pohosh, sikur ne gjoja i kishim ndërtuar marrëdhëniet tona me tuajat pa eksperiencë e me sy mbyllur, sepse para nesh ishte shembulli i Bashkimit Sovjetik, i cili i ka ndërtuar dhe i ndërton marrëdhëniet e veta me të gjitha vendet, veçanërisht me ato socialiste, mbi bazën e barazisë së plotë. Ne nuk kemi mohuar dhe as nuk mohojmë, se Jugosllavia në kohën e vet na ka ndihmuar, por edhe populli ynë e ka ndihmuar Jugosllavinë dhe ka derdhur gjak në luftën e përbashkët për çlirimin e Malit të Zi dhe të Kosovë – Metohisë. Nëse do të flasësh për sinqeritet në marrëdhëniet tona të mëparshme, atëherë edhe ne kujtojmë shembullin me letrën e Nako Spirut, të shkruar për Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, një pjesë e së cilës u përdor në libërthin e njohur të Dedierit (Nako Spiru në atë kohë hyri në grupimin e Koçi Xoxes, dhe në këtë letër, sipas informatave të miqve, propozoi planin e largimit të udhëheqjes së tanishme). Presupozohet se, në një rast të tillë, në qoftë se jemi me të vërtetë miq, të na njoftonit për këtë, por neve nuk na u tha asgjë dhe ne mësuam mbi praninë e një letre të tillë, vetëm nga libërthi i Dedierit.
Ose të shohim një fakt tjetër. Jugosllavia, përmes një akti të njëanshëm, para daljes së rezolutës së Kominformit tërhoqi oficerët e vet nga Shqipëria dhe pavarësisht nga letra jonë me lutjen për ta diskutuar bashkë këtë çështje, ne nuk morëm asnjë përgjigje.
Ekzistojnë edhe fakte të tjera të njohura për të gjithë, të tilla si, përpjekjet për të futur në territorin tonë një divizion jugosllav, përfshirja e ekonomisë shqiptare në sferën e orbitës ekonomike të Jugosllavisë, ndërhyrja e këshilltarëve jugosllavë në punët tona të brendshme etj., etj. Prandaj edhe nëse do të ngrenë çështjen e gabimeve të palës shqiptare, atëherë shokët jugosllavë, duhet të pranojnë edhe gabimet e tyre, ja pse na propozojnë të mos bëjmë diskutime të tepërta dhe të mos sjellim ashpërsi të reja, por çështjeve të vjetra t’u vëmë kryq dhe të fillojmë gjithçka nga e para.
Për sa i përket gjendjes së marrëdhënieve tona të tanishme, pala shqiptare do të bëjë gjithçka që të ndihmojë. Në Shqipëri nuk lejohen sulme fyese në adresë të Jugosllavisë. Shtypi shqiptar i pasqyron me ton miqësor ngjarjet në Jugosllavi. Në të njëjtën kohë, Radio Beogradi para pak kohësh e quajti Enver Hoxhën armik të Jugosllavisë, ndërsa revista jugosllave “Jezhik”, këto ditë kishte botuar një karikaturë ofenduese kundër Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Punonjësit e misionit jugosllav në Tiranë, sillen jo si do t’i takonte një vendi që ka marrëdhënie miqësore. Pyetjes së Milatoviçit se ç’argumente ka për këto Enver Hoxha, ky i fundit u përgjigj, se ju me sa duket edhe vetë e dini mirë, bile edhe sekretari juaj i pranishëm në këtë bisedë Rexhep Xhixha, e di fare mirë se për ç’farë bëhet fjalë. Na është bërë e njohur, se bashkëpunëtori juaj Svjetozar Vuçiç mban lidhje të gjera me njerëz të përjashtuar nga partia jonë, gjë që nuk mund të jetë në favor të punës, prandaj përmirësimi i marrëdhënieve reciproke varet jo vetëm nga vet Shqipëria. Milatoviçi, lidhur me këtë, sipas fjalëve të Enver Hoxhës, deklaroi se ai historinë e marrëdhënieve të kaluara e njeh pak, për sa i përket fakteve të lidhura me emisionin e radios beogradase dhe revistës “Jezhik” që përmendi Enver Hoxha, ai i konsideroi ato gabim të madh, gjë për të cilën tashmë ka raportuar në Beograd.
Më tej, Enver Hoxha i tha Milatoviçit se pala e tyre ka besim tek shoku Tito dhe shpresojnë gjithashtu, për një përmirësim të marrëdhënieve, çka i kërkoi atij që për gjithçka që u tha në bisedë të njoftonte në Beograd si dhe t’u transmetonte shokëve Tito e Vukanoviç të fala miqësore.
Biseda, siç tha Enver Hoxha, pati një karakter të sinqertë, miqësor dhe vazhdoi 1 orë e 15 minuta. Enver Hoxha më kërkoi që përmbajtjen e bisedës t’ia transmetoja Moskës. I thashë së këtë do ta bëja patjetër.
Pas kësaj, duke pasur autorizimin e qendrës i dhashë Enver Hoxhës letrën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, “Mbi konkluzionet e diskutimit të vendimeve të Kongresit XX të PKBS dhe ecurinë e vendimeve të Kongresit”, pasi i thashë, se do të ishte mirë, nëse me këtë letër do të njiheshin anëtarët e Byrosë Politike të PPSH, sepse problemet që bëhen të njohura në letër, mund të kenë gjithashtu rëndësi praktike për punën e Partisë së Punës të Shqipërisë. Enver Hoxha më falënderoi për këtë dhe tha, se pas njohjes letrën do ma kthente mua.
Më tutje, unë i thashë Enver Hoxhës se shumë emigrantë politikë grekë, që aktualisht jetojnë në Bashkimin Sovjetik, do të dëshironin të vinin në Shqipëri, për të vizituar të afërmit, dhe e pyeta se si e shikon ai këtë çështje. Enver Hoxha tha se kjo është fare e padëshirueshme, përderisa tani nuk janë vendosur marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, dhe ardhja e emigrantëve grekë mund të ndërlikojë çështjen.
Në mbyllje të bisedës Enver Hoxha më tregoi ndërtesën e re, të ndërtuar për Komitetin Qendror të PPSH. Së bashku me të ne kaluam në të gjitha katet, pamë sallën e mbledhjeve të plenumeve të KQ dhe atë të konferencave, disa kabinete pune, dhomën për ruajtjen e dokumenteve sekrete etj. E tërë ndërtesa të le përshtypje mjaft të mirë. Është e pajisur me ndërlidhje të brendshme, ka ashensor dhe seksionet e KQ do të jenë tepër të rehatshme e të gjera. Përveç KQ në këtë ndërtesë do të vendoset edhe KQ i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, Komiteti i Partisë për qytetin e Tiranës, organet drejtuese të organizatës së Bashkimit të Grave Shqiptare dhe Fronti Demokratik.
Pasi falënderova Enver Hoxhën ne u ndamë.
L. Krillov – ambasador i BRSS në Shqipëri). (Burimi: KPSS…., RGANI, F.5, Op. 28, D. 391, L. 150-155. Nr. 42. Origjinal).

 

(Vijon të hënë)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu