Enveri në vizitën e fundit mjekësore ishte i kthjellët

0
11

Ai është i kujdesshëm gjatë vizitës mjekësore deri në detaj, të sqaron më imtësi, të jep një diagnozë reale e të trajton me më të fundit metoda shkencore. Koha nuk e ka lënë prapa kurrsesi, ndërsa thotë se diplomën si mjek specialist e ka mbrojtur 56 vite më parë në një nga klinikat më të mira të Moskës, për t’u thelluar në një praktikë intensive 18 vite më pas edhe në një klinikat më të famshme të Parisit…

 

…Padyshim, sot është e lehtë të kërkosh një sistem më të sofistikuar mjekësor, por në Shqipërinë e viteve ’50 mjekët specialistë numëroheshin me gishtat e dorës. Prof. Dr. Anesti Boçka një nga më të shquarit otorino-laringolog, rrëfen për “Shekullin” se si u hodhën bazat e mjekësisë moderne në Shqipërinë e pasluftës, nga mjekët pasionant e kurajozë, falë të cilëve u ngrit i gjithë sistemi spitalor e ambulator në vend.

Si do të ishin studimet tuaja?

Në viti 1950 isha me grupin e parë prej 10 vetësh që u dërguan në Moskë për studime në mjekësi. Të gjithë u caktuam në specialitete të ndryshme. Veç mjekësisë së përgjithshme unë do të specializohesha në si otorino-laringolog ose ORL siç jemi mësuar ta njohim. Studiuam 6 vjet në BS dhe viti i fundit ishte specializimi në klinikë. Ndërkohë përveç gjuhës ruse katedra na kërkoi të mësonim edhe gjuhën frënge.

Kur do të ktheheshit në Atdhe?

Erdha në Shqipëri, në vitin 1956 si një mjek i specializuar tashmë, i gatshëm jo vetëm për të përcaktuar diagnoza e për të ndjekur terapitë por dhe për të ndërhyrë në mënyrë kirurgjikale në ORL.

Cila ishte fryma mes mjekëve të asaj kohe?

Në ato vite mjekët bashkëpunonin shumë me njëri-tjetrin. Ishte një angazhim i madh por kishte dhe një kujdes e një kontroll më të madh, pavarësisht mangësive që kishte në kuadrin e mjekëve. Një bashkëpunim cilësor ishte me pediatrit pasi në ato vite sëmundjet infektive vazhdonin të bënin kërdinë. Këto kushte na bënin ne mjekëve të rinj të zgjeronim gamën e njohurive dhe të punës.

Ndërkohë ju keni pasur dhe pozicione në administratë?

Ç’është e vërteta them se mua si mjek më ka ndjekur shumë dhe çështja administrative, megjithëse kjo nuk ka qenë në preferencën time. Në vitin 1960 emërohem zv/drejtori i spitalit të përgjithshëm në Tiranë. Më pas kam qenë dhe në ministrinë e Shëndetësisë në vitet 1967-1970.

Cila është përvoja juaj si mjek?

Problemi ORL është padyshim shumë i rëndësishëm dhe kirurgjia për rikthimin e dëgjimit shumë delikate. Isha nga ata mjekë që e dashuroja veshin e iu përkushtova punës me të. Në vitin 1964 më thanë se të thellohesha në kirurgjinë e veshit. Në vitin ‘66 kërkova të largohem nga posti i zv/drejtorit, pasi më pengonte si mjek specialist, kur më duhej që punët e zyrës t’i bëja në sallën e operacionit. Në atë kohë drejtor i spitalit ishte Sherif Klosi.

U mirëkuptua kjo kërkesë?

Kërkesa u mirëkuptua fillimisht dhe mendova se shpëtova. Mirëpo ndodhi që kur mendova se duhej vetëm t’i përkushtohesha profesionit, një vit më pas më emëruan drejtor i Mjekimit në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën kur ministër ishte Ciril Postoli. E pranova detyrën me një kusht të qëndroja në Ministri për 3 vjet.

Sa iu përshtatët punëve të zyrës?

Në fakt, kjo punë që dukej si burokratike pati të mirën e saj. Kam shkelur në të gjithë Shqipërinë sepse ishte koha kur u ngritën e konsoliduan rrjetet e spitaleve dhe ambulancave në të gjithë vendin. Gjithashtu u punua fort që rrethet kryesore të kishin të gjitha specialitetet. Ishte një punë voluminoze në të mirë të shëndetit të njerëzve.

Po në anën profesionale si do të vepronit?

Edhe gjatë kësaj kohe vazhdimisht bëja eksperimente me kirurgjinë e veshit e të dëgjimit në kohën time të lirë. Në vitin 1971 shkëputem nga ministria e Shëndetësisë për të shkuar sërish mjek në specialitetin tim dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë periudhë erdhi dhe një mikroskop i cili përdorej për operacioni, pra filloi epoka e mikrokirurgjisë të dëgjimit në vendin tonë.

Ndërkohë përveçse në spital ju keni qenë një nga mjekët e klinikës së udhëheqjes?

Duke qenë se isha mjaft i specializuar tashmë u përzgjodha edhe si mjek i kësaj klinike. Në fakt, klinika kishte stafin e vet, por kishte dhe të tjerë si puna ime që ishim staf konsulent dhe jo permanent. Sa herë ishte e nevojshme ne bënim vizita. Vizitat i kryenim ose në klinikë, ose në shtëpitë e tyre kur ishte e nevojshme. Natyrisht kur kishte situata më të rënda i dërgonim për t’u diagnostikuar në spital.

Cilët nga të mëdhenjtë e Bllokut keni vizituar?

Të gjithë, nga Enver Hoxha deri tek fëmija më i vogël.

Kishte probleme gjatë vizitave të tyre?

Fillimisht dua të sqaroj se kjo punë e ka këtë sekret. Midis mjekut dhe pacientit duhet të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, ky është kushti për të vendosur një diagnozë e për të vazhduar terapinë.  Natyrisht ka plot që nuk u vjen mirë t’i thuash ta hapin gojën fort e nëse nuk e bëjnë je ti i detyruar të ndërhysh për të parë në thellësinë e duhur, apo ta ngacmosh në vesh. Edhe në Bllok kishte nga ata që e kishin hundën përpjetë e nxirrnin probleme kur i vizitoja. Por pacienti më i mirë që kam pasur ka qenë Enver Hoxha. Ishte shumë bashkëpunues me mjekun.

Cilat ishin cilësitë e tij para një mjeku?

Ai ishte shumë i bindur në gjithçka që i kërkoja. Kishte shumë kulturë mjekësore, por nuk ndërhynte në asnjë rast për të dhënë ndonjë mendim apo ide. Të vetmen gjë që ai këshillonte ishte kur vërente se ishe në një dyzim në duhej ta ripërsëritje kontrollin. Atëherë ai e vinte re dhe thoshte se ishte i gatshëm që vizita të kryhej përsëri. Ky ishte bashkëpunimi i shkëlqyer me të.

Po Mehmet Shehu çfarë natyre kishte?

Ndërsa Enveri kishte një komunikim mjaft ç’tensionues, Mehmeti kishte natyrë më të rëndë. Por edhe Mehmeti ishte shumë i bindur ndaj mjekëve. Nuk mbaj mend të më ketë nxjerrë ndonjë problem. Megjithatë me të kam pasur më pak punë se sa më Enverin. Për sa më kujtohet ishte mirë me shëndet.

Kur e keni vizituar për herë të fundit Enver Hoxhën?

Besoj nja tre muaj para se të ndërronte jetë.

Si ishte gjendja e tij?

Enveri kishte probleme me zemrën dhe me diabetin. Por në ORL nuk konstatova asgjë. Ishte i pastër. Për më tepër ishte i kthjellët nga ana mendore. Kështu e mbaj mend për herë të fundit.

 

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu