Enveri, si ia mori pushtetin Ahmet Zogut

0
108

Dr. Apostol Kotani, rrëfen se si u rrëzua monarkia në 11 janar të vitit 1946 dhe në Shqipëri u vendos Republika: Ngjarja u parapri nga zgjedhjet e lira ku për herë të parë morrin pjesë dhe gratë

Ai është njohës i afërt i ngjarjes, si dëshmitar okular i ardhur nga lufta, e si historian që ka gërmuar në mijëra dokumente të kohës. Dr. Apostol Kotani rrëfen se si u zhvilluan punimet e Asamblesë Kushtetuese që vendosi formën e regjimit në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore

A duhet përkujtuar 11 janari i vitit 1946 si një ditë historike?

Askush nuk mund të fshijë nga historia dhe kujtesa e popullit 11 Janarin, ditën e shpalljes së Republikës, që ishte dhe një faqe e re në historinë e Shqipërisë. Këtë herë ishte 67-vjetorin e shpalljes së saj. Por pinjollët e kriminelëve të Luftës janë përpjekur e përpiqen të hedhin baltë mbi këtë fitore të madhe të popullit, që mbylli një herë e përgjithmonë rrugën e rendit monarkik. Puna ka arritur deri atje sa të mohohet dita e 11 Janarit dhe të hiqen edhe emrat që lidhen me këtë ngjarje nga shkolla, institucione e rrugë, madje edhe nga ndërtesa ku zhvilloi punimet Asambleja është hequr pllaka memoriale, ashtu siç u hoqën 10 korriku, dita e formimit të Ushtrisë NAÇL, 24 Maji i Kongresit të Përmetit etj. Në Kushtetutën e vitit 1998, që në faqen e parë të saj thuhet: “Këtu fillon e Ardhmja”… Ky është një mohim i madh historik i rrugës kushtetuese dhe parashikimit të së ardhmes nga populli në të kaluarën dhe në vitet e pasçlirimit. Por asnjë vendim e veprim nuk mund të fshijë nga kujtesa 11 Janari e vitit 1946.

Cilat ishin përgatitjet për të arritur deri në këtë datë?

Nga fundi i muajit shtator 1945 Këshilli Antifashist NAÇL aprovoi Ligjin mbi Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Ky ligj u miratua me konsensus të plotë. Ai shpallte, se të gjithë shtetasit shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, kishin të drejtën të zgjidheshin dhe të zgjidhnin. Ligji u jepte të drejtën e votimit edhe të rinjve e të rejave pjesëmarrës në Ushtrinë Antifashiste Nacionalçlirimtare, pavarësisht se nuk kishin mbushur 18 vjeç. Më 2 dhjetor 1945, për herë të parë në historinë e vendit, u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme me karakter thellësisht demokratik, ku për herë të parë në histori morën pjesë edhe gratë. Në këto zgjedhje kandiduan për deputetë jo vetëm përfaqësuesit e Frontit Demokratik, por edhe një numër kandidatësh të pavarur, të cilët pa asnjë pengesë e kufizim zhvilluan fushatë elektorale në zonat e kandiduara. Duke marrë parasysh se Shqipëria, megjithëse ishte vend i një kulture dhe arti të lashtë, që kishte nxjerrë figura të shquara, nën regjimin antipopullor të Ahmet Zogut, kishte mbetur vendi më i prapambetur me rreth 90% analfabetë, votimi u bë me kokrra të prodhuara apostafat. Në të gjitha qendrat e votimit u vunë dy kuti, njëra që përfaqësonte kandidatin dhe tjetra bosh. Për të ruajtur fshehtësinë e votës, çdo votues ishte i detyruar të fuste dorën në të dy kutitë. Në këtë mënyrë ruhej plotësisht fshehtësia e votës. Në këto votime morën pjesë mbi 90% e votuesve dhe votuan për kandidatët e Frontit Demokratik mbi 93%. Në përbërjen e deputetëve që fituan, shumica ishin pa parti, përfaqësues të shtresa ve të ndryshme shoqërore, kishte edhe komunistë, klerikë, intelektualë të pavarur, shprehje kjo e një pluralizmi të gjerë.

Si do të zhvilloheshin ngjarjet në Asamblenë Kushtetuese?

Më 10 janar 1946, në sallën e ndërtesës ku sot është Akademia e Arteve, u çel seanca e parë e Asamblesë Kushtetuese nga Doktor Omer Nishani, kryetar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm. Pastaj e mori fjalën deputeti më i moshuar Doktor Petraq Popa, deputet i Elbasanit, e mandej u kaluan në zgjedhjen e Komisionit të Mandateve dhe në betimin e deputetëve. Në seancën e dytë që u çel më 11 janar, deputeti Hysni Kapo, në emër të deputetëve të Vlorës i paraqiti Asamblesë propozimin që Shqipëria të shpallej Republikë Popullore. Ky propozim u prit me duartrokitje të fuqishme nga deputetët. Pas mbështetjes që i dhanë edhe përfaqësuesit e Korçës, Beratit, Durrësit, Pogradecit etj. propozimi u vu në votë dhe u miratua njëzëri. Ndërsa brenda në sallë vendosej fati i regjimit të ardhshëm politik të Shqipërisë, sheshi përpara godinës ishte mbushur plot e përplot me njerëz të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet.

Në fakt so do të pritje nga populli kjo ngjarje?

Kur deputetët dolën jashtë e komunikuan shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore, shpërtheu një entuziazëm i paparë. Turmat i futën në mes deputetët, i përqafonin dhe i ngrinin në krahë. Me këtë vendim historik u zgjidh përfundimisht çështja e formës së regjimit politik dukë i dhënë kështu një goditje përfundimtare formës monarkike të Ahmet Zogut, që humbi kështu të drejtën e kthimit në Shqipëri me atributet mbretërore. Asambleja miratoi veprimtarinë ligjvënëse të zhvilluar nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist duke u dhënë kështu një karakter përfundimtar ligjeve dhe akteve të tjera ligjore të aprovuara nga Kongresi i Përmetit e deri në mbledhjen e vetë Asamblesë, u procedua në zgjedhjen e qeverisë e miratimin e programit të saj. U miratua gjithashtu edhe projektstatuti i RPSH, i cili, gjatë muajve janar-shkurt u diskutua në popull, deri në skajet më të largëta të vendit. Nga masat u bënë vërejtje e propozime te cilat u pasqyruan ne projekt dhe me 25 shkurt u diskutua përsëri ne Asamble ku u miratua me unanimitet.

Statusi i Republikës

Më 14 mars 1946 Asambleja miratoi dhe shpalli Statutin e Republikës. Kjo përbënte një fitore të madhe historike për popullin shqiptar dhe një goditje dërrmuese për rendin monarkik. Në statut u sanksionua sovraniteti i popullit, parimi i unitetit të pushtetit nga baza në qendër, të drejtat dhe liritë demokratike të shtetasve, barazia e gruas me burrin, në të gjitha fushat. Statuti njihte dhe mbronte pronën private, krahas pronës shtetërore dhe asaj kolektive etj. Në këtë mënyrë Asambleja Kushtetuese kreu misionin e saj historik dhe u shndërrua ne Kuvend Popullor.

Pushtimi likuidoi monarkinë

Mbreti nuk mbrojti interesat e vendit

Dr. Apostol Kotani thotë: “Qysh me fillimet e luftës së armatosur u programua dhe u hodh parulla: “Të luftojmë për një Shqipëri të lirë demokratike e popullore të çliruar nga pushtuesit fashistë”.  Dhe pas pesë vjet e gjysmë lufte legjendare të formacioneve luftarake partizane kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, populli fitoi lirinë e vërtetë. Tani ai priste vendosjen e formës së regjimit të tij. Vetëm një vit pas çlirimit të plotë të vendit u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, që do të zgjidhte përfundimisht formën e regjimit politik dhe do t’i jepte popullit e vendit Ligjin Themeltar të Shtetit, Kushtetutën. Kështu, pasi u përgatit trualli i nevojshëm dhe u përfitua përvoja e duhur, u kalua në fazën përfundimtare të vendosjes së pushtetit shtetëror në Shqipëri. Kjo asamble, plotësisht e ligjshme, e mbledhur më 10 janar 1946, vendosi në mënyrë unanime, duke votuar dhe demokratët jo komunistë që kishin marrë pjesë në luftë, që Shqipëria të shpallej Republikë. Kështu i jepej fund ligjërisht monarkisë, e cila në fakt, ishte likuiduar që më 7 prill 1939, në pushtimin italian, kur kjo monarki nuk ishte në gjendje të mbronte interesat e vendit, nuk qe në gjendje t’i bënte ballë agresionit ajo u vetë shkatërrua”.

2 dhjetor 1945

Misionet angleze dhe amerikane vëzhguan zgjedhjet e para

Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi që zgjedhjet të bëheshin më 2 dhjetor 1945. Për herë të parë në Shqipëri, zgjedhjet do të ishin të lira, të përgjithshme, të barabarta, direkte dhe të fshehta. Në bazë të ligjit kishin të drejtë të votonin të gjithë shtetasit që kishin mbushur moshën 18 vjeç. Përjashtoheshin nga kjo e drejtë vetëm ministrat e qeverisë kuislinge, kriminelët e luftës, si edhe ata që me vendim gjyqësor kishin humbur të drejtën elektorale. Në zgjedhje morën pjesë mbi 90 për qind e zgjedhësve dhe mbi 93 për qind e tyre i dhanë votat për kandidatët e Frontit. Nga këto zgjedhje dolën 82 përfaqësues të popullit. Shumica e tyre ishin komunistë, por u zgjodhën edhe elementë pa parti; madje 7-8 prej tyre dolën si kundërshtarë të hapur të vijës së Frontit dhe të PKSH-së.  Misionet angleze dhe amerikane, përmes vëzhguesve të tyre, panë nga afër zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe ndonëse ato qenë njëpartiake, u konsideruan si zgjedhjet më demokratike që ishin zhvilluar deri atëherë në vend. Në zgjedhje nuk pati konkurrentë të tjerë politikë, megjithëse ligji, siç e thamë, e lejonte atë. Edhe një kandidat i vetëm i pavarur që konkurroi në Vlorë nuk fitoi. Autoriteti i PKSH-së, besimi i popullit në të në atë kohë ishte i madh.

 

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu