“Eposi i Kreshnikëve” Një vështrim ndryshe

0
342
Kërkimet, botimet dhe studimet e eposit të kreshnikëve te shqiptarët janë relativ isht të vona. Për më tepër, ato janë realizuar në një kohë tejet të shtyrë, krahasimisht me praktikimin e tyre të mirëfilltë dhe për fat të keq, jo atëhere kur eposi gëzonte qarkullimin më aktiv.Nisur edhe nga kjo e vërtetë, mendojmë se jo të gjitha përfundimet e arritura janë të plota, të drejta dhe të padiskutueshme. Të gjitha sa janë thënë për eposin e kreshnikëve, duke vënë në dukje ndihmesën dhe vlerësimin e të gjithë atyre që janë marrë me ndriçimin e këtij lloji folklorik, natyrisht që kanë qenë të kushtëzuara nga një njohje reale, por relative, e arealeve shqiptare, të cilat e kanë praktikuar atë.

Thellimi i kërkimeve

Deri përpara Luftës së Dytë Botërore ka pasur përpjekje të vlerësueshme nga individë të përkushtuar1 për të kryer kërkime rreth këngëve të kreshnikëve, por ato kanë qenë të kufizuara, në hapësira të caktuara dhe jo gjithë përfshirëse. Përgjithësisht përmes tyre krijohet një tablo e përgjithshme rreth tematikave që përcjell cikli shqiptar i kreshnikëve, ndonëse jo në mënyrë shterruese, por nuk mund të përftohet një hartë e plotë e shtrirjes dhe e praktikimit të këngëve të tij. Fakti që deri në atë periudhë ishin mbledhur gjithësej vetëm 160 tekste këngësh të kreshnikëve është dëshmia më bindëse e një tabloje të tillë.
Një punë më sistematike dhe e organizuar për këngët e kreshnikëve fillon pas ngritjes dhe funksionimit të institucioneve shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke mundur të realizohen kërkime në mjedise të gjera dhe përfaqësuese. Por, gjithsesi, ndarja e shqiptarëve në hapësira të ndryshme politike, nuk krijonte mundësi për të ndërmarrë kërkime të bashkëzanuara dhe sa më shterruese. Ndaj ka pasur edhe përfundime jo të plota dhe gjithëpërfshirëse. Le të kujtojmë këtu se deri vonë ka qenë e pohuar dhe pranuar se përgjithësisht këngët e kreshnikëve janë praktikuar ndër shqiptarë në një hapësirë që përgjithësisht është shtrirë në Veri të lumit Drin, thënë konkretisht në këtë mënyrë: “Këngët për kreshnikët shtrihen në një truall të caktuar, i cili ndodhet mbi lumin Drin. Në këtë shtrirje tokësore, Malsia e Madhe (Hoti e Gruda, Kelmendi, Shkreli, Kastrati), Kraja, Rranxat e Shkodrës, Dukagjini, Postrriba, Shllaku, Nikaj-Mërturi, Malsia e Gjakovës (Krasniqja, Gashi, Berisha, Bytyçi), Kosova, përbëjnë trevën e mirëfilltë të ciklit të kreshnikëve”2. Në vazhdim është pohuar se “Subjekte të këtij cikli kanë hyrë në repertorin e epikës legjendare edhe të krahinave më në jugë: Kukës, Dibër, Mat, Krujë; ndonjë këngë, si ajo e Brahim Ketës së ri, ka zbritur deri në zonat veriore të Tiranës dhe të Elbasanit”3. Po të njëjtët studiues kanë pranuar, se “Si fenomen i bartur nga malësorët e veriut dhe emigrantët kosovarë, vendosur në krahinat jugëperëndimore të rrethit të Shkodrës, në Malin e Kalajt dhe në Bregun e Matit të rrethit të Lezhës, në rrethin e Krujës, të Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Lushnjes dhe të Fierit kënga për kreshnikët ruhet edhe në këto vise, po deri më tani vetëm midis bartësve, pa u përhapur në banorët vendas”4. Në këtë mënyrë, mbi bazën e arritjeve te deriatëhershme, janë shprehur Z. Sako dhe Q. Haxhihasani, në parathënien e vëllimit të parë të këngëve legjendare.
Duke e respektuar së tepërmi punën dhe realizimet e dy profesorëve të nderuar të folkloristikës shqiptare, duhet pranuar gjithashtu se ata nuk patën mundësi që ta përcillnin realisht jetën e këtij cikli në tërë arealet e praktikimit të tij ndër shqiptarë. Pohimi i tyre se këto këngë praktikoheshin edhe në Kosovë, pa bërë përcaktimet konkrete se në cilat krahina etnografike të Kosovës janë praktikuar këngët e kreshnikëve, apo mospërmendja e hapësirave të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat janë praktikuese të këtyre lloj këngëve, besojmë se përbëjnë dëshminë më të mirë të asaj që shprehëm dhe më lart… Por nuk vonoi, kur studiesit në Kosovë, pas realizimit të ekspeditave të ndryshme, arritën në përfundimin se këngët e kreshnikëve në Kosovë janë praktikuar konkretisht jo në të gjithë Kosovën. Këtë e shohim nga vendburimi i regjistrimeve në tekstet e këngëve të botuara, por dhe përmes ndonjë informacioni të shkruajtur5. Po kështu, studiues të caktuar kanë realizuar kërkime edhe për këngët e kreshnikëve ndër shqiptarët në Maqedoni, duke ndriçuar së tepërmi hapësirat e praktimit, jo në treva të kufizuara, por në një shtrirje të gjerë6, gjë e cila e shton dukshëm dhe bindshëm përmasën e hapësirës praktikuese të eposit legjendar shqiptar.
Në këtë mënyrë, kërkimet e ndryshme, të kryera nga individë të ndryshëm, kohë pas kohe, e kanë zgjeruar së tepërmi bazën aktive të praktikimit të këngëve të kreshnikëve. Por gjithësesi, dëshmitë e ndryshme rreth praktikimit të këngëve të kreshnikëve na kanë ardhur në mënyrë të fragmentarizuar, pasi secili prej mbledhësve e ka përcjellë këtë lloj kënge vetëm në ato hapësira ku ka punuar, duke mos e krijuar dot të plotë atlasin gjeografik të praktikimit të këngëve të kreshnikëve. Tashmë, besojmë se ka ardhur koha që prej tërësisë së punës së tyre të çmuar është krijuar mundësia për shqyrtime më të plota, më gjithëpërfshirëse. Prej këtej pastaj mund të nxjerrësh përfundime më të përgjithshme, të cilat, pa dyshim janë një ndihmesë e rëndësishme për folkloristikën shqiptare dhe më gjerë, pasi dukuria nuk paraqitet më aq e izoluar, siç mendohej dikur.

Jo vetëm lahuta

Zgjerimi i hapësirave etnografike në të cilat është praktikuar kënga e kreshnikëve ndër shqiptarët ka shtruar nevojën e shikimit të tyre në kompleksitetin e jetës së tyre reale. Duke bërë fjalë për këngët e kreshnikëve është pohuar se “Vegla me të cilën shoqërohen këto këngë është lahuta”7. Dhe, ndonëse ky instrument është mjaft I përhapur ngado në botë8, janë bërë përpjekje për të nxjerrë në pah origjinalitetin e tij te shqiptarët, sikur pastaj ky argument do të nxirrte bindshëm përparësitë e eposit të kreshnikëve te shqiptarët. Mosnjohja e hapësirave reale të praktikimit të këtyre këngëve, rrjedhimisht as e mënyrave të të kënduarit, nuk lejonte shikimin në këndvështrime të tjera, jashtë ngulmimeve për origjinalitetin e instrumentit të lahutës ndër shqiptarë. Përveç shoqërimit me lahutë, si më tipiku, është pranimi se vetëm në kohë më të vona kjo lloj kënge është përcjellë edhe me sharki e çifteli. Mirëpo, kërkimet më të vona kanë sjellë informacione më të plota. Midis të tjerash, janë sjellë dëshmi me shumë interes rreth mënyrës së të kënduarit të këtyre këngëve. Por në asnjë rast nuk është dhënë ndonjë njoftim rreth pranisë së shumëzërëshit në të kënduarit e këtyre këngëve, pa asnjë lloj shoqërimi instrumental. Për herë të parë këtë lloj informacioni shumë të rëndësishëm e kemi përcjellë përmes punës së studiuesve nga Kërçova, të cilët kanë pohuar një realitet krejt të veçantë. Ndonëse Kërçova shtrihet në hapësirat gege, dhe prej këtej do të duhej që këngëtimi të ishte në të parametra të njëjtë, si tek të gjitha krahinat e tjera gege, gjë që e kemi përcjellë gjatë dy ekspeditave në fshatra të ndryshme të saj, së bashku me kolegun R. H. Bogdanin, hasim këtu një mënyrë të dallueshme këndimi, dhe kjo jo vetëm për këngët e kreshnikëve.
Jo me më pak interes është dhe njoftimi se në Martanesh ndonjë këngë e qerthullit të kreshnikëve, siç është konkretisht ajo e Brahim Ketës së ri, është kënduar pa shoqërim instrumental, me një zë, gojë më gojë, pra në homofoni9.
Nëse vëzhgimet e mëhershme kanë përcaktuar se përgjithësisht kënga e kreshnikëve është kënduar nga një individ, kryesisht mashkull, i cili njëkohësisht luante dhe në instrumentin e lahutës, siç e thashë më lart, kërkimet më të vona kanë dëshmuar se këto këngë janë praktikuar edhe në grup burrash, në shumëzërësh, por dhe nga gratë.
Sidoqoftë, ndonëse mendojmë se për këngët e kreshnikëve duhen kërkime edhe më të thelluara dhe më të zgjeruara në të gjitha hapësirat shqiptare, përkatësisht lëndës folklorike që kemi tani për tani në duar, mund të pohojmë se kënga e kreshnikëve është praktikuar në një hapësirë shumë më të gjerë se sa ka qenë e njohur deri vonë dhe se kjo lloj kënge është praktikuar jo vetëm me shoqërimin e lahutës, dhe jo vetëm nga burrat. Pikërisht, edhe rastet e përmendura më lart janë dëshmi bindëse, që meritojnë shqyrtime më të thelluara.

Vendas dhe të ardhur

Shkitazi në një kumtim të paradisavitëshëm kam përmendur praninë në këngët e kreshnikëve tek banorët e Kelmendit të një numri këngësh, në të cilat përcillen përplasjet midis vendasve dhe të ardhurve nga deti. Dhe kam theksuar se “Përjashtimi gjithnjë të shtyn të dyshosh. Mos vallë këto krijime paraqiten të kontaminuara”?10 Dhe më tej, duke pasur parasysh pikërisht këtë tip kënge, kam shprehur hipotezën: “Këto këngë e kanë bazën e tyre në një periudhë më të hershme se sa ajo e dyndjeve sllave. Kur këta të fundit u paraqitën krejt të ndryshëm nga ç’ishte menduar e vepruar fillimisht, atëhere përkundër tyre u vu i gjithë arsenali material e shpirtëror. Midis të tjerash, edhe këngët e përmendura më lart, si shprehëse të raporteve të vendasve me ardhësit nga deti, të një periudhe më të hershme, në thelbin e tyre u shfrytëzuan për të shprehur raporte e qëndrime të caktuara. Përveç përshtatjes, natyrisht që nuk mund të mos kishte edhe krijime të reja, gjithnjë mbi bazën e arritjeve më të mira në periudha të mëparshme”11. Gjithnjë e më shumë kohët e fundit, në saje të publikimeve të ndryshme, është shtuar numri i këngëve të kreshnikëve në të cilat i huaji është ardhës nga deti. Kjo e përforcon atë që e kemi thënë më herët se në rastin e krijimeve të tilla ndofta kemi të bëjmë me një bazë krijuese më të hershme. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se krijimet e përmendura kanë shprehur dhe pasqyruar pikërisht përplasjet vendas – ardhës nga deti, të cilat, siç dihet, janë realitete historike të dëshmuara. Dhe në përsëritje faktike të situatave të ngjashme, dihet se folklori shfrytëzon gjedhe, modele, por dhe bazën krijuese, të pasuruar me dukuri të reja. Vetëm në këtë mënyrë besojmë se mund të shpjegohet prania e atyre krijimeve që shprehin apo pasqyrojnë pikërisht përplasjen vendas – ardhës nga deti.

Lloji i vargut

Një problem shumë i mprehtë dhe shumë i diskutueshëm ka qenë përcaktimi i llojit të vargut me të cilin janë ndërtuar këngët e kreshnikëve, jo vetëm tek shqiptarët. Besojmë se në të gjitha debatet, ngulmimet, pozicionimet e ndryshme nuk është mbajtur parasysh natyra e vërtetë e krijimeve folklorike. Edhe në ndonjë rast të veçantë kur teorikisht është pranuar se vargu i krijimeve folklorike duhet parë në bashkëjetesën e vet me melodinë, në rrafshin praktik është ndjekur po rruga tradicionale, e kjo jo vetëm në folkloristikën shqiptare. Thjesht është pohuar, duke bërë gjithfarë përpjekjesh affirmative të të quajturit varg 10-rrokësh, se këtë lloj vargu te shqiptarët e gjejmë jo vetëm te këngët e kreshnikëve, por dhe në lloje e në zhanre të tjera. Siç kuptohet, edhe në rastin e shqyrtimeve metrike të teksteve në krijimet folklorike janë ndjekur kriteret e metodikës së letërsisë. Dhe përfundimet nuk kanë qenë ato të duhurat dhe të pritshmet.
Natyra dhe karakteri sinkretik i folklorit nënkupton se jeta e mirëfilltë e të gjitha krijimeve folklorike realizohet në harmonizimin, shkrirjen e të gjithë atyre elementeve që përbëjnë një krijim folklorik. Kjo do të thotë se dhe tekstet e këngëve të kreshnikëve jetën e tyre reale e kanë të shprehur në të kënduarit e tyre. Ndaj mendojmë se nuk do të ishte e drejtë që metri i këtyre këngëve të realizohet si për një poezi të mirëfilltë letrare, jashtë natyrës sinkretike të tyre, si një shkrirje me një melodi të caktuar. Por deri më sot kështu është ecur. Edhe për këngët e kreshnikëve, ashtu si për të gjitha këngët e tjera folklorike, janë përdorur të njëjtat kritere si për një poezi të artit të kultivuar. Por duhet thënë se kjo mënyrë përcaktuese e metrit të këngëve të kreshnikëve realisht e denatyron vetë këngën e kreshnikëve dhe nuk sjell përfundime të drejta e të sakta. Vetë gjuha me të cilën këndohen këto këngë ka karakteristika të ndryshme nga njëri popull te tjetri, ndaj theksat bien në pozicione të ndryshme dhe ndikojnë në zgjatimin apo shkurtimin e tingujve të ndryshëm. Me një fjalë, metri i vargut të kënduar duhet të përcaktohet mbi një bazë reale dhe jo hipotetike, duke shtuar apo hequr tinguj, rrokje apo fjalë onomatopeike për të arritur në ruajtjen e një metri të paracaktuar. Ndaj mendojmë se do të ishte e domosdoshme që të ndryshohet baza konceptuale e realizimit të metrit të këngëve folklorike. Besojmë se pas kësaj edhe përfundimet do të jenë më të sakta dhe më specifikuese.

Hipotezë
Së fundmi, duke parashtruar këto vështrime ndryshe lidhur me eposin e kreshnikëve, mund të shtrojmë edhe ndonjë hipotezë. Përgjithësisht deri tani është pranuar se këngët e kreshnikëve kanë pasur një bërthamë praktikimi të përcaktuar rreptësisht, me tendencë shtrirjen drejt zonave më periferike. Argumentet kanë qenë të lidhura me praktikimin e tyre vetëm në zonat më malore, të lidhura ngushtësisht me përdorimin e lahutës. Mirëpo, logjika e këtyre sjelljeve të reja nga terreni real, shtron nevojën e një rishikimi të konceptimit të deritanishëm, bërthamë rrezatuese, me tendencë shtrirjen periferike. Mund të ketë ndodhur edhe ndryshe. Mundet që praktikimi i këngëve të kreshnikëve, në një periudhë historike të mëkahershme, të ketë pasur një shtrirje më të gjerë dhe më përfshirëse. Me kalimin e kohëve, për shkaqe të ndryshme, në vise të caktuara kjo lloj kënge doli nga praktikimi dhe u ruajt më mirë në disa treva të caktuara, të shënuara si më të mirëfilltat. Njëkohësisht, ajo funksionoi edhe në disa “ishuj”, ku për arsye të caktuara, u ruajt dhe mbijetoi.
Mbështetës për këtë hipotezë është dhe fakti se në këta “ishuj” janë gjetur edhe trajtesa temash të veçanta dhe origjinale. Por, gjithashtu, kemi dhe një pikëmbështetje tjetër nga etnokultura shqiptare në favor të mendimit që shprehëm më lart. Dihet tashmë, përmes studimeve të etnologëve, se veshja me fustanellë ka pasur një shtrirje mbarë shqiptare, por me kalimin e kohës ajo në vise të caktuara doli nga praktikimi12. Rrjedhimisht, supozojmë se e njëjta dukuri mund të ketë ndodhur edhe me këngët e kreshnikëve.

Prof. dr. Agron XHAGOLLI

Gazeta shqiptare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu