EULEX-i e interesuar vetem te beje Llugë

0
116

E plotësuar) As gjatë ditës së sotme Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarët e tjerë të kësaj komune ndaj të cilëve EULEX-i ka ngritur aktakuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare nuk kanë marrë ndonjë konfirmim zyrtarë.

Këshilltari politik i Ramadan Mujës thotë se kryetari është në vendin e punës dhe po e vazhdon agjendën e tij, ndërsa Drejtori i Urbanizmit, Sadik Paçarizi i cili akuzohet në një pikë të aktakuzës, thotë se lajmin e ka marrë nga mediat dhe nuk din asgjë më shumë.

Edhe Kryetari i Gjykatës Themelore, vendi prej nga është ngrit aktakuza, Ymer Hoxha, thotë për Radio Kosovën se as sot nuk kanë marrë ndonjë njoftim të këtillë nga EULEX-i.

Eh, Profesori

EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj Ramadan Mujës dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Profesori i vjetër i historisë, që tash e sa vjet udhëheq komunën e Prizrenit, akuzohet nga europianët për tjetërsim të pronës publike. Nën akuzë është edhe drejtori i Administratës, tre ish-drejtorë të Kadastrës dhe drejtori i Urbanizmit.

Ramadan Muja mund të jetë kënaqur me bukuritë e Prevallës paraditen e së mërkurës. Por, në orët e pasdites kryetari i Prizrenit mori një lajm të keq posa mbërriti në qytet. Ndaj tij është ngritur një aktakuzë nga EULEX’i. E bashkë me kryetarin akuzohen edhe pesë zyrtarë të Komunës, që udhëheq ai. Muja akuzohet në katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit.

EULEX ka bërë të ditur të mërkurën pasdite se një prokuror i këtij misioni ka ngritur aktakuzë për korrupsion në Gjykatën Themelore të Prizrenit kundër kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë të Komunës së Prizrenit.

“Prokurori i ka ngritur akuzat kundër të pandehurve Ramadan Muja, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi”, thuhet në komunikatë.

Sipas EULEX’it, Ramadan Muja akuzohet në katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit. Minir Krasniqi akuzohet në dy pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit. Kadri Ukimeri, Avni Ademaj, Sadik Paçarizi dhe Abdullah Tejeci akuzohen secili në një pikë të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit.

“Rasti përfshin pretendime për shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takon Komunës së Prizrenit dhe vepra të tjera që kanë rezultuar me shkeljen e rëndë të të drejtave të një numri të paditësve në konteste civile”, thuhet në komunikatën e EULEX’it.

Mirëpo, kryetari me aktakuzë nuk ka dashur të flasë për Express, por për këtë e ka angazhuar zëdhënësin e Komunës, Ymer Berishën. Berisha tha se edhe ata janë të informuar nga mediat për ngritje të aktakuzës dhe se nuk mund të flasin asgjë, përderisa nuk e kanë parë atë. Megjithatë, Berisha mbron vendimet e kryetarit që ka marrë në komunë e për të cilat dyshohet sipas aktakuzës.

“Vendimmarrja në Komunën e Prizrenit është e ligjshme dhe është në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Berisha.

Ai tha se kryetari dhe zyrtarët e tjerë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë në çdo moment.

Dyshohet se vepra për të cilat po akuzohet Muja është dhënia në pronësi e një prone komunale fabrikës së çokollatës e quajtur “Gulistan”.

“Pronën publike e ka ndarë për ndërtimin e kësaj fabrike pa e pyetur Asamblenë Komunale”, ka thënë një burim nga Prizreni.

Të njëjtin veprim, Muja e ka bërë edhe ndarjen e pronës për kolegjin “Mehmet Akif”.

Po sipas burimit të gazetës, shkelje e madhe është bërë edhe me një pronë komunale në të cilën e ka lokalin Minir Krasniqi, drejtor i Administratës, ndaj të cilit është ngrit aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit.

“Gjykata Supreme ka vendosë me ia kthy Komunës pronën, ndërsa Krasniqi e përdor atë ende. Ai ka bërë presion që të mos ekzekutohet vendimi i gjykatës”, tha burimi me kushte anonimiteti.

Se krejt aktakuza ka të bëjë me prona bazohet edhe në atë se dy nga të gjashtë të akuzuarit kanë qenë drejtorë të Kadastrës, ndërsa një i akuzuar tjetër para tri jave është emëruar në këtë pozitë. Kadri Ukimeri ka qenë për një kohë drejtor i kadastrës, njëjtë sikurse Avni Ademaj. Ky i fundit tash është punëtor në Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Këta të dy kanë nga një pikë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Njëjtë akuzohet edhe Abdullah Tejeci i cili qe tri javë është emëruar drejtor i Kadastrit. Ndërsa me të njëjtën aktakuzë do të përballet edhe Sadik Pacarizi drejtor i Urbanizmit.

Sido që të jetë të pandehurit nuk kanë aktakuzë zyrtare por këtë nuk e kanë marrë as avokatët.

Avokati i Mujës Engjëll Çetta tha për Express se ai nuk ka marrë asgjë zyrtare.

“Unë kam dëgjuar nga mediat për këtë lajm. Derisa nuk kam asgjë zyrtare nuk mund të flas”, tha avokati i Ramadan Mujës.

Zafiri, i lumtur

Por, më i disponuari në Prizren është paraqitur një njeri të mërkurën. Ai është Zafir Berisha, dikur bashkëpartiak i Mujës. Kryetari i Prizrenit më herët ishte akuzuar nga Berisha se ka harxhuar 750 dollarë duke shikuar filma pornografikë. Në një deklaratë për Express, Berisha pat thënë se posedon edhe faturën e hotelit ku kryetari gjatë një vizite në Amerikë, në dhomën e hotelit ka shpenzuar 750 dollarë duke shikuar filma pornografikë.

“Ai ka harruar krejt se në dhomën e hotelit regjistrohen edhe ato programe në faturë. Unë posedoj edhe faturën”, pati thënë Berisha. Ish kryetari i PDK për Prizren ka thënë se faturën e ka siguruar nga Minir Krasniqi, drejtori i Administratës në Prizren. Berisha tha për Express se e përshëndet vendimin e prokurorit të EULEX-it për ngritjen e aktakuzës kundër kryetarit dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune. Sipas tij, kryetari Muja e ka dëmtuar rëndë imazhin e Komunës. “ Kryetari Muja dhe kompania e partisë në pushtet kanë dëmtuar rëndë imazhin e institucioneve demokratike në Kosovë, prandaj nxjerrjen para organeve të drejtësisë të këtyre keqpërdoruesve e konsiderojmë si simptomë pozitiv në bërjen e shtetit ligjor në Kosovë, e cila është e dëmtuar rënd nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Berisha.

Për historianin nga Prizreni janë adresuar shumë akuza si nga partitë politike dhe OJQ-të. Një nga to “Ec ma ndryshe” ka publikuar një raport në të cilin kryetari i Prizrenit ka keqpërdorur paranë publike. Po ashtu edhe GAP gjatë monitorimit që u bën komunave ka gjetur shumë parregullsi në komunën e Mujës e sidomos ka gjetur harxhime në telefona.

Pjesë nga aktakuza

Të pandehurit akuzohen se me qëllim që t’i shkaktojnë dëm Komunës së Prizrenit dhe të përfitimit kundërligjshëm të dobisë materiale në vlerë prej 5000 euro për qendrën edukuese “Gulistan”, kanë shpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre, më 11.02. 2011 Ramadan Muja ka lidhur kontratën në bazë të së cilës ka vendosur mbi ndarjen për përdorimin e parcelës së tokës komunale, qendrës edukues “Gulistan”, ndërsa të dyshuarit e tjerë akuzohen se kanë marrë pjesë në procesin përgatitor, që çojnë në nënshkrimin e kësaj kontrate, që përbën shkelje të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës.

Muja akuzohet po ashtu se më 2 gusht 2011 në Prizren, duke vepruar si kryetar i Komunës së Prizrenit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për persona të tjerë, ka shpërdorur detyrën zyrtare dhe tejkaluar kompetencat e tij, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dokumentin nr 01/06-8121 të emërtuar “Konkluzioni” në bazë të të cilit ndaloi ekspertë kadastralë që të punojnë në zyrën e Komunës së Prizrenit, që të marrin pjesë në seancat gjyqësore dhe për t’i dhënë mendimet e tyre të ekspertëve në rastet e lartpërmendura, duke penguar realizimin e të drejtës së paditësve për gjykim të shpejtë, që çon në kthim të pronave të tyre.

 

Nga Nexhmije Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu