EULEX: Përgjimet i bëmë me urdhër gjykate

0
219

Misioni evropian për sundim ligji në Kosovë, EULEX ka njoftuar sonte në mbrëmje se përgjimet janë bërë për rastin e MTPT-së dhe se ato kanë qenë të ligjshme, raporton KTV-ja.

“Prokurori i EULEX-it nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës ka bërë një aktakuzë në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit më 16 nëntor. Bashkë me aktakuzën, të gjitha provat e mbledhura gjatë hetimit janë dorëzuar, siç kërkon ligji. Gjykata dhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë marrë nga një kopje të materialit të njëjtë. Dëshmitë në këtë rast përfshinin edhe përgjimet telefonike, duke përfshirë ato që tashmë janë bërë publike”, njofton EULEX.

Sipas Zyrës së Prokurorit Special, të gjitha këto përgjime janë bërë me një urdhër gjykate dhe asnjë audio-incizim nuk është lëshuar në publik nga zyra e Prokurorit.

Zyra e Prokurorit Special është duke shqyrtuar nëse është bërë shkelje ligjore nga ata që e bartën informacionin nga ky rast në publik, dhe nëse do të nisë një hetim për këtë.

EULEX shpreh keqardhje për faktin që përgjimet telefonike kanë përfunduar në publik. Misioni nuk mund të bëjë më shumë komente për një rast që vazhdon.

“Prokurorët e EULEX-it janë krejtësisht të pavarur dhe e bëjnë punën e tyre si duhet”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu