Exclusive: Gjurmët e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë, çojnë deri në Gjermani

0
242

Mainz 4 maj- Transplantimi ilegal i organeve njerëzore të kryera në Kosovë në vitin 2008, mbërri deri në Gjermanin.

Një emision hulumtues i kanalit të dytë publik gjerman ZDF, ka ndjekur gjurmët e këtij rasti të cilat e kanë çuar deri në landin gjerman të Nordrhein-Westfalen.

Emisioni televizionit gjerman i quajtur “Frontal 21’, ka transmetuar mbrëmë të dhëna të bazuara edhe në faktet që posedon EULEX’i se gjatë kësaj periudhe, së paku një person ka  blerë një veshkë nga Kosova në shumë prej 81 mijë e 892 Euro .

Sipas këtij emisioni, hetuesit kanë  marrë në pyetje një person i cili në atë kohë kishte bërë transplantimin e një veshke të kontrabanduar.

Ai i ka thënë gjykatës se marrëveshjen e kishte bërë me një mjek nga Izraeli. Gjithashtu ky person e sqaron se ka pasur njohuri se nga kush ishte marrë veshka.

I njëjti u ka thënë gazetarëve se veshka e cila i ishte dhënë atij, i takonte një gruaje 50 vjeçare nga Ballkani, mirëpo nuk kishte pranuar të japë më shumë sqarime.

Sipas emisionit, pasi personi kishte treguar se cili mjek nga Gjermani i kishte dhënë  këtë ofertë, nga hulumtimi rezulton se ky mjek ishte “Investitor dhe Partner” i Klinikës ‘Medicus’ në Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar edhe gjykata gjermane.

Ndërkohë, misioni i EULEX-it ka njoftuar dje se një Panel Apeli i përbërë nga dy gjykatës të tij dhe një gjykatës vendor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën kundër pesë të akuzuarve në rastin e ashtuquajtur “Medicus”.

Sipas EULEX’it, dyshohet se  veprat penale janë kryer në vitin 2008 në Klinikën Medicus në Prishtinë, ku janë përfshirë viktima nga vende të ndryshme.

Katër të pandehurit do të përballen me akuza të trafikimit të personave me qëllim të heqjes së organeve, si dhe të krimit të organizuar. Tre të pandehur do të përballen me akuzë për ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore. Dy të pandehur do të përballen me akuzë për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Rasti tani do të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kurse dy të pandehurit tjerë janë në arrati.

Ndjekja penale është duke u bërë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK-së).

Te gjithë ata që njohin gjuhën gjermane dhe duan të shikojnë kronikën e televizionit gjerman ZDF në lidhje me këtë çështje, Zhurnal sjell linkun përmes të cilit mund ta shikojnë.

http://frontal21.zdf.de/ZDFde/inhalt/9/0,1872,8236905,00.html

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu