Fatmir Haklaj, vdekja i erdhi me plumba pas shpine

0
348

Mesditën e 25 tetorit 1999 postblloku i forcave speciale në Tropojë, i stacionuar afër varrezave të dëshmorëve, ndalon Sali Mulosmanin. Ai po udhëtonte me autoveturë drejt Bajram Currit për të shkuar në punë si çdo mëngjes. Mulosmani reagoi fillimisht duke kundërshtuar kontrollin, pasi ishte shofer i SHIK-ut të Tropojës, por kur hasi në këmbënglujen e specialëve, i lejoi të kontrollonin mjetin. Gjatë kontrollit, përveç armës që kishte me leje, iu gjetën dy automatikë Kallashnikovë. Menjëherë u bë shoqërimi i tij në komisariat. Mulosmani tha se ishte i detyruar të lëviste i armatosur, pasi kishte probleme hasmërie. Ky justifikim nuk ia mbushi mëndjen Gani Malushit, që kërkoi izolimin e shoferit të SHIK-ut. Vetëm pak minuta më vonë, Malushin e telefonuan në zyrë nga dega e SHIK-ut në Kukës dhe nga Tirana, duke i kërkuar ta lironte punonjësin e tyre. Malushi refuzoi ta lironte. Ai deklaroi se „nëse njerëzit e SHIK-ut lëviznin gjithë andej me armë pa leje, kujt ti ruhem më parë, shik-asve apo atyre që janë në kërkim”. Pavarsisht rezistencës së Malushit, prokuroria e Tropojës ndërhyri shumë shpejt dhe e liroi Mulosmanin nga burgu. Qëllimi i Malushit ishte të binte në gjurmët e Jahos, të cilin e kërkonte qysh pas vrasjes së Kolonel Jonuz Hykës, pasi kishte informacione se ai lëviste nëpër Tropojë. Ngjarjet që ndodhën pak ditë më vonë i dhanë të drejtë komisarit të Tropojës.
Karremi
Më datë 2 nëntor 1999, bashkëshortja e Jaho Mulosmanit, e shtruar në spitalin e Bajram Currit, lind vajzë. Pasditen e 4 nëntorit, Sali Mulosmani, nxjerr nga spitali nusen e Jahos dhe vajzën e saj për ti çuar në Bujan. Sihariqi nuk mbërrin vetëm te Jaho, por dhe te personat që ishin vënë në kërkim të tij. Sapo morën vesh lajmin, pjestarët e komandos që po realizonte goditjet e njëpasnjëshme në Tropojë, u vunë në lëvizje për të shfrytëzuar rastin. Ata e dinin se Jaho ndodhej i strehuar diku në Tropojë, dhe se ai nuk mund të rrinte pa shkuar në banesën e tij, aq më tepër kur i kishte lindur dhe vajza. Autorët e pritës, mes të cilëve kishte dhe efektivë të forcave speciale, vendosën ta presin Jahon pranë kullës së tij, duke u pozicionuar në një shteg nga sipër fshatit, rruga më e mundëshme nga ai mund të hynte në banesë për shkak se në këtë drejtim ai nuk ekspozohej. Të paisur më armatim, ushqime për disa ditë dhe veshje kamoflazhi, autorët e pritës kanë shfrytëzuar informatorët e tyre për të zbuluar se ç’ndodhte në kullën e Mulosmanëve. Për tu kamufluar sa më mirë, ata janë ndihmuar dhe nga një pyll i vogël me pemë të larta, që ndodhet 100 metra mbi rrethimin e kullës së Jahos. Gjatë ditës ata kanë vëzhguar në distancë me dylbi të gjitha lëvizjet, ndërsa sapo errej i afroheshin banesës së braktisur të Haxhi Jakupit, që ndodhet shumë pranë shtegut nga pritej të vinte Jaho.
Prita
Mbrëmjen e 4 nëntorit, Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja kanë lëvizur nga banesa e motrës së madhe të Haklajt në Dojan, drejt kullës së Mulosmanëve. Ata i kanë dalë fshatit nga sipër dhe i janë afruar kullës duke ecur në distancë me njëri-tjetrin, për të mos rënë të tre në pritë në të njëjtën kohë. Sapo i janë afruar vendit ku ndodhet banesa e braktisur, Jaho, Fatmiri dhe Sami Kërnaja, kanë menduar se e kaluan rrezikun dhe u bashkuan me njëri-tjetrin. Por pikërisht kur i janë afruar kullës, rreth orës 19.15, ranë viktimë e një zjarri me armë automatike të hapur nga disa persona që ishin pozicionuar vetëm pak metra nga shtegu. Sami Kërnaja gjeti vdekjen menjëhershme pasi u godit me një plumb në ballë, ndërsa Fatmir Haklaj u qëllua pas shpine dhe në brinjë, pa mundur të reagojë. Jaho Mulosmani i ka shpëtuar breshërisë së parë vetëm me dy plumba në ije dhe në krahun e majtë. Ai u shtri në tokë dhe i pozicionuar pas një guri, hapi zjarr në drejtim të autorëve të pritës. Bataret e armëve janë dëgjuar deri në Bajram Curri. Autorët e pritës janë tërhequr me shpejtësi për të dalë nga zona e ekspozuar e fshatit dhe kanë marrë drejtimin e fshatit Vatoc, për të kaluar më pas urën e Bujanit.
Dëshmitarët
Motra e madhe e Haklajve, Aishja, sapo dëgjoi të shtënat, u shqetësua, pasi e dinte që Fatmiri sapo ishte nisur për te Mulosmanët. E shoqëruar dhe nga dy persona të tjerë, ajo ka marrë shtegun që të nxjerr te kulla e Mulosmanëve. Në afërsi të fshatit Vatoc ka parë pesë persona të veshur me uniforma ushtarake kamoflashi dhe me arme në duar duke kaluar një gardh. Pavarsisht faktit se i kanë patur shumë afër, Aishja e dy shoqëruesit e saj nuk mundën të qëllonin mbi autorët pasi nuk kishin armë me vete. Kur ka mbërritur në vendngjarje ajo ka parë Fatmirin dhe Sami Kërnajën të vrarë, ndërsa Jaho Mulosmani ishte plagosur. Aishja dhe dy personat që ishin me të kanë njohur grupin që kishte organizuar pritën, që rezultoi se ishte gati e njëjta dorë si në rastin e minave, duke patur në përbërje të tij dhe pjestarë të forcave speciale. Komisar Gani Malushi mbërriti shpejt në vendngjarje dhe pas hetimeve të para i kërkoi Ministrisë së Rendit që të verifikonte vendodhjen e dy efektivëve të forcave speciale dhe nëse ata nuk ndodheshin në repart, të bënte arrestimin e tyre. Pavarsisht se informacioni që dha Malushi te shefat e tij ishte i detajuar dhe me emra konkret, askush nuk e vuri ujin në zjarr.
Provat
Nga provat e shumta materiale të gjetura në vendngjarje, deklarimet e dëshmitarëve okularë dhe ekspertiza balistike, rezultoi se njëra nga armët ishte përdorur dhe në pritën e Qafë Luzhës. Kaq mjaftoi që Haklajt të kompletonin skenën e pritës dhe të njoftonin prokurorinë për emrat e personave konkretë që kishin marrë pejsë në këtë pritë. Pavarsisht provave të shumta dhe dyshimeve për autorët e vrasjes, kjo çështje nuk është gjykuar kurrë dhe aktualisht ndodhet e arshivuar në kartotekën e prokurorisë. Më në fund, pas 7 pritash dhe atentatesh Fatmir Haklaj i kishte mbyllur sytë përgjithmonë, por lajmi për vrasjen e tij ende nuk besohej nga bashkëpatriotët. Gjithsesi këtë radhë autorët e kishin kalkuluar mirë pritën që të mos u shpëtonte më Fatmir Haklaj, i cili mori me vete telashet që u kishte hapur politikanëve të majtë dhe atyre të djathtë.
Haklaj
Vrasësit për tu siguruar se objektivi këtë radhë ishte goditur njëqind përqind dërguan njeriun e tyre, banorë i Bujanit, të interesohej pranë kullës së Mulosmanëve. Kur u bindën se Fatmir Haklaj ishte vrarë, autorët e pritës lëvizën drejt një baze më të sigurtë. Pas shumë përpjekjesh ata ia dolën mbanë të realizonin një mision që dukej i pamundur. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës, Fatmir Haklaj, më në fund kishte vdekur, duke i bërë rivalët e tij të merrnin frymë thellë. Qysh nga ky moment ai u kthye gati në një legjendë. Historia e përgjakshme e “Dosjes Tropoja” nuk mori fund këtu, ajo vazhdoi serish me një numër viktimash në rritje. Por tani kishte dalë nga skena një nga protagonistët kryesorë duke prishur ndjeshëm ekuilibrin mes palëve të përfshira në këtë konflikt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu