Ferdi Shishko i vrarë në Prizren: Për çfarë u përmend emri i tij më 2012

0
203

Vrasja e fshehte

Gazeta Jeta në Kosovë (gazetajnk.com), më 28 maj 2012 kishte publikuar artikullin “Të rrëmbyer dhe të njollosur”. Në këtë artikull përmendet Ferdi Shishko, i vrarë sot bashkë me dy të tjerë në Prizren. Artikullin mund ta lexoni më poshtë.

Shumë njerëz ishin prekur e rrëqethur kur djali i njërit prej biznesmenëve më të njohur në Prizren ishte rrëmbyer në tetorin e vitit të kaluar.

Djali, atëherë 17-vjeçar, ishte mbajtur i mbyllur në mënyrë mizore, në një shtëpi të djegur nën kalanë e qytetit, për gjashtë ditë me radhë, duke u detyruar të flinte në dërrasë e në të ftohtë. Rrëmbyesit kërkonin 100 mijë euro për lirimin e tij. Familja qe detyruar t’ua japë këto para rrëmbyesve në “Marash” të Prizrenit.

Edhe pse dhënia e parave ishte bërë në një aksion të koordinuar me Policinë dhe Prokurorinë, rrëmbyesit kishin arritur të arratisen – bashkë me paratë.

Familja shpreson që drejtësia do të shkojë një ditë në vend, por shprehet e gëzuar që djali është liruar. Nën frikën e kërcënimeve, kjo familje nuk ka pranuar të flasë më shumë në lidhje me rastin e rrëmbimit dhe ka kërkuar që të mos i përmendet emri.

Vrasja 2

Prokuroria e Qarkut në Prizren fillimisht kishte arrestuar tetë persona nën dyshimin e kryerjes së kësaj vepre penale të rrëmbimit. Pas katër muajve, tre prej tyre ishin shpallur të pafajshëm dhe u ishin pushuar hetimet. Tre të tjerë, të cilët kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë lëshuar në procedurë të rregullt (ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuza për dhënie të ndihmës gjatë kryerjes së kësaj vepre penale), ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë akoma në paraburgim.

Këtë maj, tetë muaj pas rrëmbimit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nën dyshimin se e kanë kryer këtë vepër penale. Ata janë Leonard Veshalli dhe Shukri Krasniqi, nga lagjia “Tusuz” e Prizrenit.

Nëna dhe bashkëshortja e Leonard Veshallit thonë se familjari i tyre u nxor me dhunë nga shtëpia.

“E kanë futur në veturë, ja kanë lidhë duart me tel dhe ja kanë vënë në kokë një qebe”, thotë nëna e tij. “E kanë keqtrajtuar për ta pranuar fajësinë, kinse ai ka bërë roje derisa gjoja veprën e ka kryer Shukri Krasniqi. Djalin tonë e ka marrë Enes Xhema e jo Policia”.

Enes Xhema kishte qenë njëri nga të dyshuarit e parë të Prokurorisë për kryerjen e kësaj vepre, por ai ishte liruar si i pafajshëm. Xhema nuk ka pranuar të flasë për gazetën në lidhje me këtë rast, mirëpo ka thënë se nuk është i punësuar dhe se kishte pasur disa raste në gjykata në lidhje me armëmbajtje pa leje dhe kalim ilegal të kufirit.

Gratë tregojnë se në momentin kur e kanë marrë Leonardin, ai ka qenë me djalin e tij tetëvjeçar. Sipas tyre, ky banor rom i lagjes ishte futur në një taksi, i ishte thënë se do të duhej të fliste çfarë t’i thoshin, ndërsa fëmijën e kishin zbritur nga taksi dhe e kishin lënë para dyerve të shtëpisë.

“Kur kam shku me e pa djalin (Leonardin) në vizitë, e kam parë se ka pasur shenja të mavijosjeve nga rrahjet në fytyrë dhe në dorë. Më ka thënë se e kanë keqtrajtuar dhe e kanë xhiruar me telefon duke thënë se ky ka bashkëpunuar me Shukri Krasniqin. Tha: ‘mamë nuk kam pasë qare pa thënë se shumë më kanë keqtrajtu, i kam tregu prokurorit po nuk e di pse akoma po më mbajnë të mbyllur’”, tha nëna e Leonardit.

Leonard Veshalli vazhdon të qëndrojë në paraburgim.

vrasja 1

Ndërkohë, ka reaguar edhe familja Krasniqi duke hedhur poshtë përzierjen e mundshme të Shukri Krasniqit më rrëmbimin e djalit të biznesmenit prizrenas.

Anita Krasniqi ka akuzuar Enes Xhemën dhe shokun e tij, Ferdi Shishko, se në bashkëpunim me disa zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë kurdisur përzierjen e burrit të saj.

“Jetojmë në kushte shumë të vështira, me katër fëmijë. Po të kishte kidnapuar njerëz burri im, të paktën do të na kishte përmirësuar jetën me ato 100 mijë euro, që fliten se janë marrë”, tha Anita Krasniqi.

Ajo e ka quajtur arrestimin e burrit të saj një kurth dhe u ka kërkuar institucioneve të drejtësisë t’i hapin sytë në lidhje me këtë rast.

“Kam dashtë që së bashku me familjarët e Leonard Veshallit të dalim me parulla para Prokurorisë për padrejtësitë dhe njollosjet që po i bëhen familjarëve tanë, mirëpo familja Veshalli janë minoritet dhe janë frikësu, sepse i ka kërcënuar Enes Xhema se do t’ i lyejë dhe do t’ i kallë me benzinë”, ka thënë ajo.

Rrahman Krasniqi, i vëllai i Shukriut, ka thënë se vëllezërit e tij nuk kanë gisht në rrëmbim.

“Kur e arrestuan (në valën e parë të arrestimeve) vëllain e madh, Bashkimin, i cili është 50-vjeçar dhe njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare në zonën e Vrrinit, jemi habitur. Mirëpo, ia kemi lënë drejtësisë se e kemi ditur se ai do të dalë i pafajshëm”, thotë Rrahmani. “Mirëpo tani, pas tetë muajsh, kur na u mor edhe vëllai tjetër, e kemi parë që këtu është në pyetje lidhja mafioze dhe po mundohen ta njollosin familjen tonë. Ju garantoj që këtë nuk do ta arrijnë”.

Rrahman Krasniqi u zotua se nëse vëllezërit e tij kanë ndonjë gisht në këtë rast ai do të kërkojë vetë dënimin e mbase edhe varjen e tyre: “Por, po ju garantoj se vëllezërit e mi nuk kanë gisht në këtë krim, se për me bo një gjest të tillë, duhet me qenë o pa familje, o narkoman, o i pafytyrë, e këto familja ime nuk i ka”.

Sipas familjes Krasniqi, përveç kërcënimeve ndaj Leonard Veshallit për të dëshmuar kundër Shukri Krasniqit, Enes Xhema i ka ofruar për këtë edhe të holla Hidajet Gashit, një qytetari tjetër të Prizrenit. Kur Hidajeti nuk ka pranuar të dëshmojë rrejshëm, thonë ata, ai është keqtrajtuar dhe është rrezikuar me jetë.

Hidajet Gashi ka treguar se Enes Xhema i kishte kërkuar ta ngarkojë Shukri Krasniqin dhe me këtë, pas pesë minutash, do t’ia jepte 10 mijë euro si dëmshpërblim.

“Unë nuk kam pranuar. I kam thënë nuk mundem me e marrë njeriun në qafë dhe jam largu prej tavolinës”, tha Hidajeti. “Në mbrëmje kam dalë me dy shokë, kemi marrë një lëng dhe tre tasa të plastikës, afër tyrbes. Në ndërkohë ka ardhur Enes Xhema së bashku me Ferdi Shishkon dhe Sedat Rapin dhe më kanë thënë që të shkoj me ta. Nuk kam pranuar”.

“Pastaj Enesi ma ka vënë revolen në fyt dhe më ka marrë me zor. Duke më rrahur grushte më kanë tërhequr zvarrë poshtë varrezave. Aty e kam shfrytëzuar rastin dhe u kam ikur nga duart”, rrëfen Hidajeti. “Duke vrapuar, kam dëgjuar tri krisma. Nuk e di se a kanë shtënë drejt meje apo kanë shtënë përpjetë, sepse nuk kam guxu as kokën me e kthy mbrapa”.

Sipas tij, më vonë Policia i kishte arrestuar Xhemën dhe Shishkon, por i kishte lëshuar pas 48 orësh me arsyetimin se nuk kanë gjetur prova në vendin e ngjarjes.

“Unë i kam tregu me emra se kush kanë qenë dëshmitarët e drejtpërdrejtë të rastit, mirëpo asnjërin dëshmitar nuk e kanë marrë në pyetje”, tha ai.

Gazeta Jeta në Kosovë ka takuar Enes Xhemën, Ferdi Shishkon dhe Sedat Rapin, mirëpo ata nuk kanë pranuar të intervistohen dhe të deklarohen në lidhje me versionet që kanë dhënë familjet Veshalli e Krasniqi, si dhe Hidajet Gashi. Po ashtu ka kontakuar edhe Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, mirëpo nga ky stacion ka marrë përgjigjen se rastin e ka njësiti i DKKO-së (Departamenti Kundër Krimit të Organizuar).

Sylë Hoxha, kryeprokuror i qarkut në Prizren, ka thënë se në lidhje me rastin e rrëmbimit janë arrestuar fillimisht tetë persona. Pas hetimeve, ka shtuar ai, tre prej tyre kanë rezultuar të pafajshëm, ndërsa për të tjerët hetimet janë duke vazhduar.

Hoxha tha se është duke u punuar në rastin e Leonard Veshallit dhe nëse rezulton se ka qenë i keqtrajtuar do të merren masa përkatëse. Po ashtu, nëse del i pafajshëm për rrëmbim, nuk do të mbahet në burg.

“Mirëpo ne i kemi disa procedura që patjetër duhet t’ i zbatojmë dhe në një mënyrë jemi edhe robër të provave nga ekspertizat laboratoristike. Në momentin që do të jenë të gatshme ato prova, ne do të dalim me konstatimet se ka apo nuk ka vend për ngritje të aktakuzës në këtë rast”, tha Hoxha.

Ndërkohë, rasti i tentimvrasjes së Hidajet Gashit, tha prokurori Hoxha, është dërguar në kompetencë të Prokurorisë komunale pasi që nuk ka pasur fakte që është shkrepur me armë zjarri.

“Policia nuk na ka ofruar asgjë në këtë drejtim. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në terren, andaj kemi qenë të detyruar që ta dërgojmë rastin në kompetencë të komunales, mirëpo kjo nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar me kaq”, tha prokurori. “Nëse në ndërkohë gjejmë ndonjë fakt, ne sërish këtë rast do t’a aktivizojmë në prokurorinë e qarkut. I garantoj qytetarët se do të punojmë drejtë dhe për këtë nuk kanë arsye të brengosen”.

Në redaksinë tonë (Gazeta Jeta në Kosovë) është paraqitur edhe njëri nga personat që ka qenë i dyshuar për këtë rrëmbim dhe që është shpallur i pafajshëm, Adem Delija. Ky banor i Prizrenit ishte i arrestuar për këtë vepër bashkë me vëllain e tij, Azem Delija.

Ai ka thënë se e ka ndjerë nevojën që të flasë publikisht pas dyshimeve të pabaza që i ishin ngritur nga prokuroria.

“Të gjithë po më shohin me sy të keq, sepse më kanë njollosur për një vepër për të cilën nuk kam ditur as se ka ndodhur”, tha Delija. “Më kanë mbajtur katër muaj për një vepër që është kryer gjatë kohës sa unë kam qenë në Turqi. Në fund më kanë liruar dhe më kanë kompensuar me një shumë qesharake prej 1.596 eurosh si dëmshpërblim, mirëpo kjo nuk është hera e parë që Prokuroria e Qarkut më merr pa faj”.

Delija tha se edhe në vitin 2001 ishte arrestuar dhe ishte mbajtur plot tri vjet për një vepër penale të vrasjes: “Në fund e kanë kuptuar që jam i pafajshëm dhe më kanë liruar duke më kompensuar edhe atëherë me të holla, në shumën prej 12 mijë eurove”.

Tash ai kërkon që edhe prokurorët që bëjnë këso gabime të ndëshkohen. Delija tha se më e keqja është se familja e tij është njollosur pa pikë faji. /Gazeta Jeta në Kosovë/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu