Financial Times “zbulon” Shqipërinë

0
265

shqiperia

“Si një turist që udhëton nëpër Shqipëri, ju mund ta merrni  jetën në duart tuaja, por jo për arsyet që shumica prej jush mund të mendojë. Unë nuk kam takuar asnjë vrasës që të më ofrojë para për organet e mia”. Ky është një përshkrim i marrë nga një artikull në Financial Times mbi Shqipërinë.

Artikulli me temë “Udhëtime të mëdha: Duke zbuluar Shqipërinë”, është shkruar nga një gazetar i cili ka kryer vetë udhëtimin në Shqipëri, dhe ka zgjedhur në anashkalojë pjesët e rregulluara dhe të asfaltuara të vendit, për të jetuar më nga afër jetën rurale të Shqipërisë.

Gazetari e përshkruan Shqipërinë si një vend spektakolar me kanionet gëlqerore, malet madhështore, bregdetin apo dhe pemët frutore që i krahason me Francën. Ai ka kryer një udhëtim shtatë-ditor që fillon dhe përfundon në kryeqytetin e Tiranës, dhe që përfshin vizita në qytetet e Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës.

Financial Times shkruan se “periudha e gjatë e izolimit komunist të Shqipërisë i ka dhënë rrugë kapitalizmit, duke prodhuar një pabarazi masive mes fshatit e qytetit. Nën terma praktike, kjo nënkupton se transporti i një shqiptari mund të jetë një gomar por edhe një  “Mercedes”.

Pikërisht nëpërmjet udhëtimit me gomar, gazetari flet për ngjitjen në mal për të parë kishat e vjetra, fshatrat dhe barinjtë. Më tej artikulli përmend edhe një tjetër element që spikat në Shqipëri dhe që është mikpritja:

“Në fshatin e gurtë Benjë, ne u ftuam për fiq dhe raki nga një grua djali i së cilës, u kthye nga një kërkim dyjavor i 100 deleve.  Midis përtypjeve të vaktit të tij të nxehtë, ai na tha me keqardhje, se si i humbi bagëtitë e tij nga ujqërit”.

“Korça ishte një qytet i civilizuar universitar që ka vuajtur nga emigracioni.  Në mbrëmje popullsia e mbetur dilte me rrobat e tyre më të mira për të bërë xhiro lart e poshtë katedrales”, thuhet në artikull.

Më pas flitet për Beratin, qytetin e mbrojtur nga UNESCO, qëndrimin në lagjen  Mangalemi, ku duken “një rrjet banesash të vjetra osmane të grumbulluara në anën e një kodre poshtë kështjellës më të madhe të vendit, një krijim i shekullit të 4-t, dhe që është ende një shtëpi për më shumë se 800 njerëz. Në të gjitha këto vende restorantet ishin të mira, ushqimi me çmime tepër të ulëta (një vakt për 2 paund) dhe ambiente të pastra”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu