Flet veprimtarja Zarije Bajrami, gruaja e komandant Agim Bajramit

0
153

Zarie Bajrami

“Kur shkonim në burg për ta parë Agimin, atë na e sillnin përpara syve të rrahur dhe të maviosur në fytyrë në mënyrë që të na traumatizojë neve si familje”, thotë kështu në një intervistë për Infodirekt.tv gruaja e dëshmorit Agim Bajrami. 

Në këtë intervistë mund të kuptoni më shumë detaje nga rrëfimi i veprimtares Zarije Bajrami. Ajo tregon për dëshmorin Agim Bajramin, për sfidat nëpër të cilat ka kaluar vetë ajo dhe tre fëmijët e saj, por nuk lë anësh as lëvizjen pjesë e së cilës ishte, LPK-në.

Infodirekt.tv: Znj. Bajrami, prej cilës familje rrjedhni dhe çka mund të thoni në lidhje me atë se kush është Agim Bajrami?

Bajrami: Rrjedh nga një familje e frymëzuar me tradita patriotizmi. Që nga viti 1912, vit ky që identifikon bullgarin e parë, familja ime transformohet në Bullgari, kurse shtëpia ime digjet nga bullgarët. Agim Bajrami është burri im. Ai është dëshmor i kombit. Ka qenë anëtar i LPK-së. Ai ka qenë i përndjekur dhe i burgosur politik, më 1989. Kjo ndodhi për shkak të organizimit të tij në shtetndërtimin shqiptar.

Infodirekt.tv: Sa vjet ka qenë i burgosur bashkëshorti juaj?

Bajrami: Agimi, pasi që shkoi në shërbimin e ushtrisë (1988) gjithnjë qe i përndjekur nga ushtria paramilitare serbe. Shoku i tij Izriu, nga Kaçaniku, tregonte se Agimi ishte trim, largpamës dhe i guximshëm. Nuk frikësohej. Kishte arritur në mes të ushtrisë serbe në Slloveni, ku po kryente ushtrinë. Aty pati organizuar grupin e shqiptarëve, të cilët qenë të rrezikuar në çdo çast. Ai ndihmoi këta shqiptarë, duke u treguar atyre se si duhet të mbroheshin në rast rreziku, në mënyrë që të mos zihen të papërgatitur. Në atë kohë jeta e shqiptarëve qe vërtet në rrezik. Sipas një aktakuze, Agimi mund të dënohej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim. Pas nëntë muajsh, ai dënohet me pesë vjet burgim në gjyqin ushtarak në Lublanë. Ai gjykohet në Slloveni dhe pastaj transferohet në burgun e Prishtinës, Gjyrakocit dhe në atë të Dubravës. Më pas, ai lirohet nga burgu, më 30 korrik 1991.

Infodirekt.tv: Po pas daljes së tij nga burgu?

Bajrami: Pas daljes nga burgu Agimi kyçet dhe angazhohet në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Udhëheqës i këtij këshilli ishte Adem Demaçi. Në atë kohë mbaheshin aktivitete ilegale, me ç’rast bëhej furnizmimi me armatim dhe barna. Aty punonin në grup së bashku me Metush Zenunin, Reshat Saliun, Zelije Zenunin, Agim Dautin dhe Remzi Elezin. Më tej, Agimi merr një ftesë përmes se cilës kërkohej që të shkojë në polici. Fatmirësisht, Agimi nuk ndodhej në shtëpi. Ai qe arratisur për në Zvicër. Aty gjen strehim politik. Bashkë gjashtë 6 vjet jetojmë në këtë shtet, ku vazhdimisht angazhohet në LPK dhe emërohet kryetar i Këshillit Organizativ në Zurich. Aty së bashku me Sabit Veselin, Bilall Sherifin dhe shumë të tjerë angazhoheshin për  mobilizimin e të rinjve, të cilët janë të gatshëm t’i dalin zot atdheut. Ata anazhoheshin në organizim të çeshtjes së madhe kombëtare, në organizim të një force të Kosovës, e që më vonë njihet si UÇK. Agimi merr rrugën për në Kosovë, më 5 mars 1998. Këtë rrugëtim ai e mori bashkë me Xhevë e Fehmi Lladrovcin, Ismet Jasharin, Sejdi Sejdiun, Fatmir Limajn, Shukri Bujën etj. Pas organizimit të celulave të para të UÇK-së në Kaçanik, Agimi ishte aktiv në luftë në tërë Kosovën, në Drenicë e gjetiu. Gjatë periudhës nga 6 marsi gjer më 10 gusht, Agimi ra heroikisht në altarin e lirisë, që vepra e tij ta mbajë të gjallë në breza vendin tonë. Në fillim të korrikut kishte një përplasje me krahun e FARK-ut  në Kaçanik. Atij rreziku po i vinte si nga serbët, ashtu edhe nga farkistët. Në këtë kohë ishte shumë e vështirë që Agimi të vepronte, pasi që bashkëshortit tim po i rrezikohej jeta, duke pasur parasysh që policia serbe ishte informuar se në Kaçanik po ekzistonte UÇK-ja.Kundër Agimit ishin Ibush Vishi dhe Naser Vuka, të dy këta të burgosur politikë.Naser Vuka ishte farkist ndërsa Ibush Vishi  ishte kundër luftës në  përkrahje të Ibrahim Rugovës, por jo farkist.Kjo nuk e dobësoi Agimin aspak. Ai vazhdoi me planet e tij për çlirim. Në mbrëmjen e 9 gushtit kthehet në Kaçanik së bashku me ushtarët e tij, Xheladin Kurtajn dhe Besnik Begucën. Ata kishin shkuar për t’u furnizuar me armatim në kufirin mes Tetovës dhe Glloboqicës. Ky kthim nga fronti i Jezercit Agimit i kushtoi me jetë. Kurtha e përgatitur bëri që të rrethohen nga ushtria serbe të gjithë çlirimtarët tanë, në mesin e të cilëve qe edhe Agimi. Rrethimi nga agresioni serb u bë atëherë kur Agimi shkoi në shtëpinë e Xheladin Kurtajt, në Kaçanik. Pas katër orë luftimesh dhe të një beteje të fuqishme, trimat tanë bien në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Infodirekt.tv: Gjatë kësaj periudhe ku qëndronit ju, në Kosovë apo diku tjetër?

Bajrami: Gjatë kohës sa Agimi ishte në shërbim ushtarak po qëndroja në Kosovë dhe po e vizitoja atë në burgjet famëkeqe serbe. Shpeshherë patëm fatin që me Agimin të takohemi në këto burgje në mes të grilave, në të cilat as gishtërinjtë nuk mundeshim t’i preknim. Kur shkonim në burg për ta parë Agimin, atë na e sillnin përpara syve të rrahur dhe të maviosur në fytyrë në mënyrë që të na traumatizojë neve si familje.Në këtë kohë kam jetuar në Kosovë, me prindërit e Agimit. Njëkohësisht, punoja në një shitore.

Infodirekt.tv: Cilat janë fjalët që Agimi i thoshte më së shpeshti?

Bajrami: Po shumë mirë më kujtohen fjalët e Agimit. Ai pati thënë gjithnjë se qëllimin e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij, nuk do të mund t’i zbrapsë kurrë serbi. Viktimat dhe humbjet e njerëzve do të jenë shumë më të mëdha, por kur të çlirohemi do të jemi më të forte. Ishte  shumë i sigurt në fitore. Një ushtar i tij nga Kaçaniku, që sot është invalid tregonte një rast kur ishte me Agimin në rrugë. Ai tregonte se papritmas kishin rënë para një postblloku serb dhe se në ato momente nuk kishin pasur ndonjë ide se si të veprojnë. Agimi kishte thënë: “Unë fëmijëve të mi u kam thënë që paçi fat dhe u rritshi të shëndoshë. Unë do të rrezikoj jetën sa herë që ka nevojë”, tregonte Muhamet Malsiu.

Infodirekt.tv: Po vëllezërit e tij iu bashkuan atij në frontin e luftës çlirimtare?

Bajrami: Po. Edhe dy vëllezërit e Agimit ishin në luftë. Afrim Bajrami plagoset në Prizren, ndërsa Azemi deri në fund të luftës lufton në Kaçanik. Afrimi plagoset në Pashtrik. Pas operacionit në Londër, ai kthehet prapë në front dhe plagoset sërish për herë të dytë. Azemi teksa po sillte armatim në Kosovë rrëzohet dhe mbetet me pasoja të mëdha në boshtitn kurrizor.

Infodirekt.tv: Fëmijët tuaj e mbajnë mend sadopak periudhën e luftës?

Bajrami: Jo. Ne ishim në Zvicër me fëmijët. Ata për luftën dinë vetëm për atë që kanë dëgjuar në radio dhe parë në televizion. Fëmija më i madh ishte vajza ime, Blerta. Ajo pati katër vjet e gjysmë. Burimi kishte dy vjet dhe Florimi gjashtë muaj.

Infodirekt.tv: A vazhdonit ju aktivitetin tuaj në LPK?

Bajrami: Po. Unë isha krenare se një ditë kur të kemi Kosovën të lirë, Agimi do të gëzohej se fëmijët ia kisha rritur pavarësisht sfidave. Mora pjesë në organizime, tubime e mbledhje të lëvizjes, në të cilën qeshë e vetmja femër.

Infodirekt.tv: Si vazhdoi jeta juaj pas rënies së bashkëshortit tuaj?

Bajrami: Pas rënies së Agimit kërkesa ime ishte që të jem në front të luftës. Kjo kërkesë u refuzua nga Shukri Buja. Paskëtaj, vendosa të merrem me fëmijët, sepse kishin shumë nevojë për mua. Kur u arrit marrëveshja në Rambuje, kisha një vizitë nga Bilall Sherifi dhe Jakup Krasniqi, të cilëve u bëra lutje që lufta të mos ndalej dhe amaneti i dëshmorëve të shkojë në vend. Në korrik të vitit 1999, kthehem në Kosovë dhe shoh gjendjen e shkatërruar pas luftës. Megjithatë, doja të qëndroja në Kosovë që të jem më afër Agimit.Por, as kjo nuk ndodhi, sepse babai i tij më luti të mos kthehem, pasi që do të ishte e vështirë për mua dhe fëmijët. Nuk u pajtova me këtë. Mora në telefon Ministrin e Punëve Sociale në atë kohë, Ramë Bujën. Kërkova nga ai një banesë. Ai më tha se një banesë mund të ma ofrojë por nuk ka asgjë të sigurtë. Një vit pas rënies bëmë rivarrimin e Agmit në varrezat e dëshmorëve. Aty në një fjalë rasti thashë se amaneti i dëshmorëve për bashkim kombëtar duhet të bëhet realitet. Gjithashtu,pas rënjes së Agimit kontaktet për program të lëvizjes i kemi pas me Murat Jasharin ku të gjitha komunikatat e UÇK-së mi ka derguar ai.  Kemi biseduar për qështje të çlirimit të trojeve shqiptare poashtu kemi qenë në lidhje me Fazli Veliun, Agush Bujen,Adnan Asllanin.Këtej e tutje, vazhdoj jetën në Zvicër si nënë e vetme me tre fëmijë. Me gjithë vështirësitë prapë po ia dalim.

Infodirekt.tv: Sa mendoni se është realizuar e po realizohet amaneti i dëshmorëve tanë?

Bajrami: Çdo ditë e më tepër po demoralizohem. Kam frikë se do të shkatërrohet gjithçka që është ngritur mbi gjakun e dëshmorëve. Për fund, dua të theksoj se jam shumë krenare që kisha fatin të jem gruaja e komandant Zefit, të jem gruaja e një prijësi të Brigadës 162 në Kaçanik./www.Infodirekt.tv/

Intervistoi: Blerina Krasniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu