Formularët zgjedhorë në duar të Ekrem Llukës

0
289

(E plotësuar) Kompania e udhëhequr nga biznesmeni Ekrem Lluka, “Dukagjini sh.p.k”, do të bëjë shtypjen dhe printimin e formularëve zgjedhorë që do të përdoren më 3 nëntor, në ditën e zgjedhjeve për kryetar dhe asamble komunale në tërë territorin e Kosovës.

Njoftimi për dhënien e kontratës në vlerë prej 86 mijë e 538 euro është bërë publik të hënën nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik i Republikës së Kosovës.

Ndonëse, sipas këtij njoftimi, kompania fituese “Dukagjini” ka qenë më e lira krahasuar me konkurrentët e tjerë, palët e pakënaqura në këtë procedurë kanë afat ankese para se të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës në fjalë. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, palët e pakënaqura ankesat e tyre mund t’i parashtrojnë tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Po, kompania “Dukagjini” e ka fituar këtë kontratë ngase ka qenë më e lira krahasuar me tenderuesit e tjerë”, ka thënë shkurt Eleonora Hasani pa dhënë shumë detaje se çfarë parashihet të shtypet në kuadër të këtij tenderi.

Pavarësisht se mbrapa kompanisë që është shpallur fituese në parim qëndron një biznesmen që është pjesë e strukturave politike që garojnë në këto zgjedhje, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka siguruar që nuk bëhet fjalë për shtypjen e ndonjë materiali sensitiv që eventualisht mund të manipulohet.

“Me anë të këtij tenderi do të shtypen formularët që do të përdoren në ditën e zgjedhjeve nga komisionarët në vendvotime dhe formularët e tjerë të nevojshëm për atë ditë. Por e tërë kjo konsiderohet si material josensitiv dhe si diçka që nuk manipulohet”, ka sqaruar kryetarja Daka.

Shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurat për zgjedhjet që mbahen më 3 nëntor, sipas kryetares Daka e ka fituar sikurse edhe më herët, edhe këtë vit, kompania sllovene “Cetis”.

“Pas marrjes së tenderit nga kjo kompani, sot në fakt ka filluar shtypja e fletëvotimeve në Slloveni. Zyrtari ynë gjendet atje me qëllim që 76 lloje të fletëvotimeve që do të shtypen, të shtypen pa gabime dhe ashtu siç duhet të shtypen me qëllim që gjithçka të jetë gati për zgjedhjet që mbahen”, ka saktësuar Daka.

Njoftimi për dhënien e kontratës për kompaninë sllovene është publikuar më 19 shtator të këtij viti nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe kontrata në fjalë kap shumën prej 257 mijë e 263 euro.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu