Frashëri: Komunizmi la trashëgimi të pasur pavarësisht dhunës dhe terrorit

0
109

(Vijon nga numri i djeshëm)

Enver Hoxha vdiq më 11 prill të vitit 1985. Para se të vdiste ai kishte lënë porosi, që vendin e tij si udhëheqës i Partisë së Punës të Shqipërisë ta zinte një nga dishepujt e tij më besnikë – Ramiz Alia, një ndër komunistët e pakët të kohës së luftës që kishte mbijetuar. Ai kishte bindjen se nën udhëheqjen e Ramiz Alisë partia do të vazhdonte ta udhëhiqte pushtetin drejt përforcimit të mëtejshëm të diktaturës së prolektariatit. Nga ana e tij, edhe Ramiz Alia kur u vu në krye të Partisë së Punës u betua para Pleniumit të Komitetit Qendror se do të vazhdonte me këmbëngulje ta udhëhiqte vendin në rrugën që kishte ndjekur paraardhësi i tij. Madje, edhe raporti që ai mbajti në Kongresin IX të PPSh-së, i cili u mblodh pas vdekjes së E. Hoxhës, u quajt prej tij “Kongresi i vazhdimësisë”. Por, historia sjell të papritura, sidomos kur atë nuk e njohin pushtetarët.
Dihet se Kristofor Kolombi aventurën e tij të madhe në vitin 1492 e ndërmori drejt perëndimit për të zbuluar Indinë. Ai nuk e parashikoi se në vend të Indisë do zbulonte Amerikën. Kështu ndodhi edhe me orientimin e “vazhdimësisë” që mori Kongresi IX i PPSh-së. Por shpresat që pati pleniumi i Komitetit Qendror se duke miratuar Ramiz Alinë si pasardhës të Enver Hoxhës do të garantonte vazhdimësinë, nuk u realizuan. Nuk u realizuan, mbasi ato mbështeteshin mbi vullnetin e diktatorit tashmë të vdekur dhe jo mbi ligjet e shoqërisë.
Para së gjithash, vdekja e E. Hoxhës e çliroi vendin nga njeriu i cili kishte përqendruar nëpërmjet partisë në duart e veta të hekurta të gjitha fijet e drejtimit të vendit – si jetën politike, ekonomike, administrative, ushtarake, diplomatike, ashtu edhe veprimtarinë shoqërore, kulturore, arsimore, artistike, sportive. Është e vërtetë se Ramiz Alia i kishte shërbyer me besnikëri E. Hoxhës më tepër se 40 vjet. Por, kur Ramiz Alia mori në dorë drejtimin e Partisë dhe të Shtetit, Shqipëria kishte pësuar ndryshime rrënjësore nga koha kur E. Hoxha erdhi në pushtet. Sikurse u tha, më 1944 kur E. Hoxha erdhi në pushtet, Shqipëria ishte një vend agraro-zejtar i prapambetur. Në atë kohë ai favorizohej nga dy rrethana historike të dorës së parë – nga fitorja e Luftës Nacional Çlirimtare, e cila nën udhëheqjen e tij i siguroi atdheut pavarësinë kombëtare dhe, e dyta, nga Ushtria Nacional Çlirimtare, krijimi i së cilës ishte i lidhur ngushtë me emrin e tij, si Komandant i Përgjithshëm i saj. Përkundrazi, kur Ramiz Alia u vu më 1985 në krye të shtetit dhe të partisë, Shqipëria tani një shtet i konsoliduar prej dekadash, ishte shndërruar në një shtet të zhvilluar industrialo-agrar dhe kulturor-arsimor. Entuziazmi që kishte pushtuar në vitet e para të çlirimit masat e popullsisë për të ndërtuar Shqipërinë e re, ishte konsumuar. Ndërkohë, Shqipëria e krijuar në mundin e brezave dhe me sakrificat e ndërtuesve ishte e ngarkuar me një mori problemesh, të cilat kërkonin zgjidhje të ngutshme.
Nuk duhet harruar se gabimet e kryera gjatë dyzet e ca viteve të shkuara kishin lënë gjurmët e tyre në ndërgjegjen e popullsisë – zhdukja plotësisht e pronës private, përqendrimi i krejt veprimtarisë ekonomike në duart e shtetit, izolimi pothuajse hermetik nga bota e jashtme, lufta absurde kundër institucioneve fetare, mbisundimi i dogmës marksiste në jetën kulturore, politika e shfrenuar e terrorit, mungesa e lirisë së fjalës, së mendimit, së lëvizjes, të cilat kishin prekur qytetarët dhe fshatarët, dikë më shumë e dikë më pak.
Nuk duhet harruar gjithashtu se ndërsa baza ekonomike e vendit ishte ngritur, niveli ekonomik i popullsisë ishte ende i ulët. Nevoja për një mirëqenie ishte rritur me ritme galopante, kurse niveli i pagave ishte rritur shumë ngadalë. Për të përballuar shpenzimet buxhetore të jashtëzakonshme që kërkonte forcimi i diktaturës (shpenzimet për ushtrinë, policinë, për gardhin kufitar, për bunkeret e betonuara etj.) shteti e shpërblente punën e qytetarëve aq sa atij i nevojiteshin për të plotësuar nevojat minimale të jetesës. Veç kësaj, kur ndihmat nga jashtë filluan të pakësoheshin, shpresat për ngritjen e nivelit të jetesës vazhduan të zbeheshin. Më në fund, ndërsa aspirata për liri sa më të gjerë, përfshirë dhe të drejtën për udhëtime jashtë shtetit kishte pushtuar brezin e ri, hapësira për liri vazhdonte të mbetej e kufizuar. Shkurt, kur vdiq E. Hoxha, Shqipëria ishte ngarkuar me një mori problemesh, të cilat kërkonin zgjidhje të ngutshme, përndryshe ato do të shpërthenin me pasoja të paparashikueshme.
Përveç të tjerave, në damarët e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë, kishte ndërhyrë një komponent apo një katalizator që nuk ekzistonte kur u vendos regjimi komunist. Fjala është për ndikimin e shkencës dhe të kulturës. Nuk duhet harruar se ndikimi i shkencës dhe i kulturës në jetën intelektuale dhe shoqërore të vendit depërton në mënyrë të ngadaltë, zakonisht të padukshëm në mentalitetin e popullsisë. Ndryshimet që ndodhën në fushën e forcave prodhuese nuk pajtoheshin as me pronësinë unike shtetërore, as me ideologjizimin dogmatik të kulturës. Partia krenohej se e mbushi Shqipërinë me kombinate dhe me uzina, me trena dhe me traktorë, me shkolla dhe me teatro, me stadiume dhe me palestra, por nuk mundi të parandjente lëkundjet që vinin nga shoqëria, nga shkenca dhe kultura, të cilat plasaritnin dogmatizmin dhe gërryenin si ujët e nëndheshëm themelet e despotizmit të saj. Siç dihet, Partia e Punës bëri çmos për të çimentuar themelet e ndërtesës së saj despotike, e forcoi pa ndërprerje Sigurimin e Shtetit, e fryu tej mase ushtrinë kombëtare, preu mijëra koka nga të gjitha kategoritë e shoqërisë shqiptare, mbushi të gjitha levat e organizmave partiake – që nga baza deri në Byronë Politike – me pseudointelektualë dogmatikë. Por, as terrori i vazhdueshëm që nuk kurseu as bijtë e Partisë, as lufta e klasave që varej si shpata e Damokleut mbi kokat e njerëzve, as zhurma e përditshme e organeve të shtypit që përpiqeshin të mbulonin gabimet e pushtetit nuk e ndalën dot rrjedhën e ngjarjeve, ashtu siç nuk ndalen dot lumenjtë të derdhen në det. Shkenca dhe kultura vazhduan punën e tyre, natyrisht jo në mënyrë abstrakte, por të materializuara në mentalitetet, në aspiratat, në vullnetet e njerëzve, duke filluar nga nxënësit dhe studentët, duke vazhduar te punëtorët dhe fshatarët dhe duke përfunduar te intelektualët e gjinive të ndryshme të shkencës dhe të kulturës. Enver Hoxha arriti të shihte vetëm çfarë ndodhte në Byronë Politike të partisë së tij, por nuk arriti të diktonte vullkanin që ziente nën këmbët e tij, minën që shkenca dhe kultura po u vinin diktaturës.
Si çdo diktaturë, edhe diktatura komuniste, e mbarsur me një mori problemesh, priste vetëm një sinjal që të shembej. Këtë radhë sinjali erdhi nga jashtë – nga shembja e Murit të Berlinit. Vetëm njerëzit naivë mund të mendojnë se diktaturën e shembin sinjalet. Historitë e të gjitha vendeve kanë provuar se diktaturën e shembin problemet e mprehta që ajo krijon dhe që nuk i zgjidh dot. Nëse shembja e diktaturës krahasohet me një tërmet, dihet se tërmetet kanë lëvizjet pararendëse sizmike. Nëse nuk zgjatemi me lëvizjet e hershme sizmike, që ndodhën në gjirin e diktaturës komuniste në Shqipëri, të cilat na çojnë detyrimisht në Konferencën partiake të Tiranës në vitin 1956 – do të kufizohemi me të ashtuquajturin “sulm të ambasadave”, i cili shpërtheu më 2 korrik 1990. Dihet se atë ditë në mënyrë të papritur për zyrtarët partiakë me mijëra qytetarë të Tiranës duke mos përfillur frikën nga organet e diktaturës, kërkuan strehim nëpër ambasadat e shteteve kryesisht perëndimore të akredituara në Tiranë. Nën drejtimin e Ramiz Alisë administrata shtetërore nuk ndërhyri. Qëndroi spektatore. Çfarë kishte ndodhur? Me hyrjen në ambasada “pa lejen” e qeverisë komuniste, qytetarët e Tiranës nën presionin e mllefeve të grumbulluara kishin mposhtur frikën. Kjo ishte një goditje serioze që i jepej diktaturës, pavarësisht se qytetarët hynë në ambasada jo për të përmbysur regjimin komunist, por për të shpëtuar personalisht veten duke kërkuar largimin nga vendi. Qëndrimi prej spektatori që mbajti Partia e Punës tregon, siç u tha, se frika të cilën e kishin braktisur qytetarët ishte larguar nga sheshet dhe kishte hyrë në zyrat e Byrosë Politike të Partisë së Punës.
Vijmë kështu te Lëvizja e Dhjetorit, e cila ndodhi pesë muaj më vonë. Dihet se më 8 dhjetor 1990 kur studentët dhe profesorët e Universitetit të Tiranës, hynë në grevë, ata kërkuan, siç u tha, përmirësimin e ushqimit dhe të administrimit të konvikteve të tyre. Më pas, kaluan në kërkesën për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, pas tre ditësh në kërkesën për pluralizëm partiak. Dihet se Partia e Punës kapitulloi. Kështu, më 12 dhjetor 1990 u themelua në sheshin e konvikteve të studentëve Partia Demokratike Shqiptare, me të cilën filloi koha e pluralizmit partiak në Shqipëri. E parë nga vështrimi social politik, Lëvizja e dhjetoristëve, siç quhet ajo e studentëve dhe e profesorëve të Universitetit të Tiranës, ndryshonte nga lëvizja e “shpërthimit” të ambasadave, ngase në korrik qytetarët kërkuan shpëtimin individual për veten e tyre, kurse në dhjetor lëvizja pati ndërgjegje më të lartë pasi studentët kërkuan rregullimin e gjendjes brenda vendit për mbarë shoqërinë.
Nuk është e rastit që udhëheqësit e Partisë së Punës, të cilët gjatë dhjetëvjeçarëve i kishin mposhtur të gjitha orvatjet e të ashtuquajturve “puçistë” për ta ndryshuar drejtimin e partisë, kishin dështuar – kurse tani më 1990 ata kapitulluan para studentëve dhe profesorëve të kryeqytetit. Ndonëse me Lëvizjen e dhjetoristëve, regjimi komunist në Shqipëri ende nuk mund të thuhet se u përmbys, përsëri krijimi i pluralizmit shënoi hap të rëndësishëm, i cili e shpinte shoqërinë shqiptare drejt përmbysjes së tij. Sidoqoftë, në këtë rast studentët dhe profesorët e Universitetit të Tiranës të pasuar nga qytetarët e kryeqytetit, nuk janë veçse protagonistët e manifestimit që paralajmëroi përmbysjen e afërt të një epoke. Kjo për arsye se regjimi komunist përmbyset kur shkallmohet baza e tij ekonomike shoqërore, e cila mbështetet mbi pronësinë shtetërore dhe mbi diktaturën politike. Në një mënyrë figurative mund të thuhet se studentët u ngjajnë protagonistëve që vënë në skenë një dramë historike, por ata kurrsesi nuk janë autorët e dramës. Atëherë, kush është në këtë rast, autori i vërtetë i dramës? Pra, kush është faktori kryesor që përmbysi regjimin komunist në Shqipëri? Rolin e autorit të dramës, e cila u luajt në dhjetorin e vitit 1990, duhet ta kërkojmë te vetë regjimi komunist, me kontradiktat e tij të brendshme. Kjo për arsye se me problemet që ai regjim akumuloi dhe nuk i zgjidhi, krijoi vetë varrmihësit e saj.
* * *
Sikurse u tha, qëllimi i këtij punimi ishte t’i jepej përgjigje pyetjes se kush e përmbysi regjimin komunist në Shqipëri, por ende nuk kemi prekur çështjen se kur u përmbys regjimi komunist në Shqipëri. Këtë çështje do ta trajtojmë një herë tjetër. Ndërkohë, këto dy çështje nuk e pengojnë historianin të merret me analizën e çështjes kryesore se cili ishte për Shqipërinë bilanci, aktiv dhe pasiv, i regjimit komunist në Shqipëri.
Për të vlerësuar nga pikëpamja historike dhjetëvjeçarët e regjimit komunist, ne duhet t’u përgjigjemi tri pyetjeve: a) A krijoi ky regjim vepra me vlera utilitare artistike dhe historike, të cilat përfaqësojnë anën e tij pozitive? b) Ç’vend zënë teprimet, shtrembërimet dhe dhuna që përdori regjimi komunist gjatë kohës kur sundoi në Shqipëri? c) Si qëndrojnë përballë njëra-tjetrës në peshoren solomoniane dy krahët e bilancit historik të regjimit komunist?
Nuk mund të mohohet se brenda gjysmë shekulli, kur sundoi regjimi komunist, Shqipëria nga një vend bujqësor zejtar i prapambetur, u shndërrua në një vend industrialo-agrar i përparuar. Më 1938 vendin e parë në ekonominë shqiptare e zinte bujqësia me një prodhim prej 13.068 milion lekë (90.4%), ndërsa prodhimi industrialo-zejtar në 1387 milion lekë (9,6%). Përkundrazi, më 1990 vendin e parë e zinte prodhimi industrialo-zejtar me 16.982 milion lekë (67.5%), kurse bujqësia 8171 milion lekë (32.5%). Shqipëria u pajis me industri të lehtë dhe mekanike, me kombinate dhe industri të rëndë, me hidrocentrale dhe me TEC-e, me industri kimike dhe farmaceutike, me rrjet hekurudhor dhe me flotë tregtare. Nga një vend ku bujqësia ishte ende në kohën e parmendës, u shndërrua në një bujqësi mekanike, e pajisur me traktorë, kombanja dhe mjete të tjera agro-teknike.
Si rezultat i këtyre përmirësimeve, u ndryshua raporti në marrëdhëniet tregtare me botën e jashtme. Në vitin 1938 importi përfaqësonte 1004.4 milion lekë (74.8%), kurse eksporti kapte 339.4 milion lekë (25.2%). Përkundrazi, më 1990 importi përfaqësonte 3795 milion lekë (62.5%), kurse eksporti kapte 2273 milion lekë (37, 5%). Shqipëria arriti kështu ta zvogëlonte deri diku bilancin tregtar në botën e jashtme. Shumica e artikujve që importoheshin nga jashtë, tani prodhoheshin në vend. Madje, Shqipëria filloi ta shtonte nga viti në vit jo vetëm eksportimin e mineraleve, por edhe të artikujve ushqimorë dhe industrialë. Në fushën e bujqësisë u kryen bonifikime dhe kanalizime me rëndësi të jashtëzakonshme. Këneta e Maliqit u ngushtua në lumë. Këneta e Tërbufit u tha. Kënetës së Durrësit i mbeti vetëm emri. Shumë lumenj u disiplinuan.
Arsimi mori hov të panjohur më parë. Arsimi 7-vjeçar dhe më vonë 8-vjeçar u bë i detyrueshëm. Pothuajse çdo lokalitet u pajis me shkolla 8-vjeçare, disa edhe me shkolla të mesme. Vendi u mbush me ndërtesa të reja shkollore. Popullsia e vendeve u trefishua. Nga 1.122.000 që kishte në vitin 1945, u rrit në 3.255.900 në vitin 1990. Edhe numri i nxënësve që ndiqnin shkolla të ndryshme u rrit në mënyrë të bollshme. Më 1950 Shqipëria kishte 178.000 nxënës dhe 300 studentë që ndiqnin shkolla të larta, kurse në vitin 1990 kishte 763.000 nxënës dhe 270.000 studentë. Krahas shkollave u rritën edhe institutet e mjekimit dhe të shërbimit mjekësor. U shtuan spitalet, ambulancat dhe maternitetet. Ndërsa më 1945 kishte afërsisht një duzinë spitalesh, më 1960 kishte 629 ambulanca, 72 spitale dhe 73 maternitete, kurse më 1990 numri i tyre u rrit në3302 ambulanca, 160 spitale, 698 maternitete. Krahas shkollave dhe spitaleve, u shtuan dhe shtëpitë e kulturës, kinematë, teatrot, klubet sportive, shtëpitë e pushimit etj. Këto përparime u pasqyruan edhe në rritjen e qyteteve të reja.
Bilanci i teprimeve, shtrembërimeve dhe i dhunës ishte jo i pakët. Vendin më të kapshëm në këtë bilanc pasiv duket se e përfaqëson numri i të persekutuarve dhe i të dënuarve nga regjimi komunist. Për një vend të vogël si Shqipëria, numri i disa qindra vetëve të dënuar me vdekje për motive politike është i madh. Akoma më i madh është numri i të internuarve si individ dhe si familje. Një nga anët më negative të regjimit komunist, e cila nuk përfshihet dot me shifra nga statistikat, është dhembja që shkaktonte në popullsinë e vendit mungesa e lirisë së mendimit, të lëvizjes, të ndërgjegjes dhe të banimit.
Është pikërisht pamundësia për të llogaritur me shifra dhembjet që shkaktonte diktatura në ndërgjegjen e njerëzve, ajo që vështirëson përpjekjet për t’i vënë në peshore dy anët e bilancit të veprimtarisë së regjimit komunist. Në këtë rast, para se të japim vlerësimin, le të bisedojmë pak me historinë botërore. Kur sot turistët e vizitojnë Akropolin, i cili mbisundon Athinën prej 25 shekujsh dhe vëzhgojnë nga afër monumentet e pavdekshme, të cilat ruhen ende në gjirin e tij, ata i pushton admirimi ndaj veprës madhështore të krijuar në kohën e Perikliut dhe ndaj vlerave të papërsëritshme që kanë objektet artistike të krijuara nga Fidiasi dhe nga ekipi i artistëve të pavdekshëm të Antikitetit, Iktonosi, Kalikrati, Mneziklesi e të tjerë. Por, kur Akropolin e sheh së largu nga kodra e Likavitos, vizitorit i duket sikur sheh akoma të lëvizin si milingona, ata mijëra skllevër, të cilët bartin në kurrizin e tyre dhe skalitin në piskun e vapës apo në acarin e dimrit, mermerin e Pentelikut për ta bërë atë të magjepsë shekujt. Edhe sot pas 25 shekujsh Akropoli ndonëse i dëmtuar nga rrebeshet e historisë, i sjell Greqisë së re ende të ardhura të përditshme. Përkundrazi, mundi i skllevërve është harruar. Nuk është pra aspak e habitshme që përballë kësaj magjie vizitori i huaj të harrojë vuajtjet e skllevërve, të harrojë mundin dhe të çmojë vlerën.
Pavarësisht se historia kurdoherë është treguar e ftohtë ndaj dhembjeve që kanë pësuar ndër shekuj skllevërit, bujkrobërit, të burgosurit, të internuarit, të perndjekurit – historiani është detyruar të marrë në konsideratë trashëgiminë materiale dhe intelektuale që një regjim u lë brezave të ardhshëm. Nëse jemi të një mendimi me këtë logjikë, jemi detyruar të përfundojmë me konkluzionin se pavarësisht nga dhuna, pushkatimet, burgimet, internimet, përndjekjet të cilat gjithsesi duhen dënuar – regjimi komunist la në fund të fundit, një trashëgimi të pasur ekonomike, materiale dhe intelektuale për t’u përdorur nga regjimi pasardhës.
Sado që të qëndisura bukur qenë idealet patriotike të BK dhe pavarësisht nga akuzat që BK i drejtonte PKSh-së si parti terroriste, opinionin e tërhiqnin si me magnet aksionet e saj në luftën kundër okupatorit – fitoret ushtarake që korrte në ndeshjet e armatosura, heroizmi që tregonin luftëtarët e saj në fushën e betejës, pajisja e tyre me një moral të pastër shembullor, ngrohtësia që anëtarët e saj tregonin me fshatarët dhe plot faktorë të tjerë.

 

Prof. Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu