Freski dhe zjarrmi malli me vargjet e Sejdi BERISHËS

0
77

Nga: Tahir Bezhani

PESHA E MESAZHIT KRIJUES OSE, POEZIA NUK DEL PA U FËRKUAR MUREVE TË SHPIRTIT DHE DAMARËVE TË GJAKUT TË POETIT

(Sejdi BERISHA: “Peizazh i jetës sime”, poezi, botoi Club Kultura-Pejë, 2018)

“Ndoshta, do t’u pëlqejë, ndoshta do t’u provokojë për shumëçka brenda këtij libri. Sido që të jetë, në këtë mënyrë m’u duk se e lajë edhe një borxh që kam ndaj procesit të lezetshëm, të përgjegjshëm dhe të ngrohtë, por ndoshta edhe të çuditshëm, që quhet jetë! Megjithatë, unë prapë, njerëzve u kam shumë borxh, sepse, etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë, ta bëj ashtu si duhet bile asnjë sy gjumë…!
Këtu e mbështes edhe madhështinë dhe qëndresën e jetës sime, të krijimtarisë sime…”.
(Sejdi BERISHA)

Kur ke para vetës veprën e një krijuesi të dëshmuar dhe afirmuar në fushën e letërsisë, njeriun i cili për mbi pesëdhjetë vite lëvroj të gjitha gjinitë letrare, si në prozë e poezi, dramaturgji, publicistikë etj.. sigurisht se nuk ke se si të mos ndihesh mirë dhe i emocionuar nga kjo krijimtari kaq brilante.
Ka disa muaj që nga shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, më ka rënë në dorë libri voluminoz me poezi, ”Peizazh i jetës sime”. Nga koha kur e kam marrë këtë vepër, tani e lexova edhe për herë të dytë. Duhet të pranoj si lexues, se gjatë leximit përjetova kënaqësinë nga tematika gjithëpërfshirëse, mënyra dhe fuqia e shprehjes dhe thurja e vargut, që i ngjanë freskisë shpirtërore me atë madhështi e zjarrmi të mbërthyer brenda vetës, diçka si e paparë, por e dukshme, pastaj dashuria prindërore, familjare e njerëzore si koncept poetik e filozofik i poetit, janë mbresat e pashlyera gjatë leximit të librit “Peizazh i jetës sime” të autorit Sejdi BERISHA.

Mesazhi shumëdimensional i shkrimtarit: “Nuk di a mbërrimë diku, apo ngelëm në udhëtim…!

Libri “Peizazh i jetës sime” i Sejdi Berishës, fillon me një poezi të gjatë, ”Unë dhe Zef Serembe në Brazil….”, poezi e cila në vete ngërthen një mall plot dhimbje për të kaluarën tonë, për Arbëreshët, për fuqinë magjike të dashurisë, duke u bërë pjesë e një udhëtimi imagjinativ me Zef Seremben në Brazil, bashkudhëtar i vuajtjeve e përplasjeve jetësore, kur dihet e njihet si një emblemë specifike e historisë së letërsisë sonë, me shumë vuajtje. Mendoj se në këtë fluturim, autori i këtij libri, për kohën tonë, shtron si një krahasim edhe vuajtjen e pambarim, ku nuk duket fort afër drita e shpëtimit të një ngërçi shpirtëror. Kjo ngritët në piedestal dhembjeje shpirti, sidomos në strofën e fundit të poezisë në fjalë kur shkruan: ”U nisem të përqafuar/Nuk di a mbërrimë diku/Apo ngelëm në udhëtim/Unë e Zef Serembe….”!
Një peshë tjetër në vete bartë edhe poezia ”E, moj toka ime…”, në të cilën poeti shëtit plot mall e dhimbje nëpër kohë e përjetime të rënda, të cilat nuk u tejkaluan kurrë… Ato dhimbje të djegura e të mbetura si zjarr në thellësi të poetit, mbesin si një vulë, zhig kohe, ku autori shfrynë mallin e dufin thënë : ”e, moj toka ime….”, ku, kjo ofshamë e krijuesit, mjafton për ta kuptuar një gjendje emocionale në një moment të caktuar.
Libri me poezi “Peizazh i jetës sime”, për dallim nga disa veprat e mëparshme të S. Berishës, ka një numër poezish mjaft të shkurtra, por shumë përmbajtjesore. Këto poezi, shkruar (mendoj) në momente afekti, duke “shëtitur” me muzën, në momente flakërimi poetik, ka vjelë thesarin e shpirtit të tij, begatinë dhe zjarrminë e veçantë poetike që ka. Pasqyrimi filozofik i vetës dhe i shpirtit të tij evolutiv, vërehet tek poezia ”Përmallim”, ku pos tjerash vë në spikamë: ”Lehtë e keni/Shtatit të m’ia vëni zjarrin/Se zemrën dhe shpirtin/Flakë i kam….”!
Nuk është e rastësishme që në poezinë e Sejdi Berishës, thuaja në të gjitha vëllimet, hasim pareshtur në “kujtime”, si një thesar i dhimbjes dhe mallit, që ndien shpirti i poetit për çdo gjë sipër toke: si rrallëkush, i këndon mikut, shokut, urës e lumit, malit e fushës, babës, nënës e motrës, dashurisë, gjërave që lënë gjurmë në jetën e njeriut, pra edhe të poetit. Atyre që nuk e ndiejnë (lexojnë) në thellësi një shpirt poeti, u duken tema me pak rëndësi, por në fakt, jeta ka rrethin e saj nga i cili nuk dilet lehtë, kur jetën e dashuron me ashtu siç është, me të gjitha nuancat e saj. Pikërisht për këtë, autori sikur kërkon mendimtarin (çiftin) ku fërkohen kujtimet: ”nëse gjendesh diku /Eja t’i palosim dëshirat tona/ Në kutinë që ende rri hapur/E të mbështjellkemi me kujtime/Që as me fjalët e shenjta/Kurrë nuk shpjegohen….”. Ndjeshmëria shpirtërore e këtij krijuesi është skalitur, thuaja, në çdo varg, sepse, përherë atë që nxjerr nga thellësia, nxjerr me plot dashuri e dhimbje. Pra, poezia nuk del nga poeti pa u fërkuar damarëve të gjakut dhe mureve të shpirtit, e gjakosur. Pastaj, ajo rrugëton dhe jeton nëpër kohë me dinjitetin, sinqeritetin dhe me madhështinë shpirtërore që ka autori.

Poezia apo ligjërimi poetik i Sejdi Berishës si një qiri që nuk fiket kurrë….

Motivet atdhetare, si tek çdo krijues, as te poeti Berisha kurrë nuk kanë qenë periferike. Ato janë të trashëguara, të përjetuara thellë brez pas brezi. Këtë frymëmarrje e kanë shumë poezi të këtij krijuesi në të gjithë librat e tij, si në prozë, poezi dhe në dramë. Ky element fondamental nuk mungon as në librin ”Peizazh i jetës sime”. Por tash, atë e gjejmë edhe më të gdhendur, edhe më të skalitur me shumë cilësi e veçori. Poezia ”Atdheut aromën për t’ia shijuar”, paraqet një portretizim kohor e bashkëkohor, duke e madhështuar dhe fuqizuar me mallin e krijuesve në kurbet me dhimbjen për tokën, për vendlindjen e tyre. Ja disa rreshta nga kjo poezi mjaft emocionuese: ”Në një qytet të lashtë ilir/Duke ecur/Zura n’thue në një asht njeriu/U kënaqa duke qarë/Kështu më fliste sot poeti/ Që nga kurbeti kishte ardhur/Atdheut aromën për t’ia shijuar….”!

Një poezi meditative, forca dhe mesazhi i së cilës është pjesë e ndijimeve universale, hedh rrugëve të jetës mendime të pasosura për faktin e fateve tona përherë të ndrydhura nëpër shekuj. Kjo poezi, pra ”Konflikt mendjeje…”, duke iu drejtuar si në formë monologu babait tek varri, plot hidhërim shpirti, nga dikush “kërkon” përgjegjësi për mezhdat e tokave tona, si konflikt i papërfunduar dhe aktual edhe në ditët e sotme: ”Në tokën time /Gërmova thellë e më thellë/Sikur trungu më kishte humbur/Ndoshta do has/Në gurin e varrit të babait/Dhe do i ndërroja/Dy-tri fjalë me te/Për pezmatimin tim/Edhe për mezhdat e tokës sime…”. Mendoj se është i tepërt komentimi i mëtejmë për këtë poezi antologjike…
Ndërsa, poezia “Portat e zemërimit”, po aq meditative, ka mesazh të fuqishëm filozofik për kohën që jetojmë dhe jo vetëm kaq. Kjo poezi, në fakt, është një protestë shpirtërore e njerëzore e krijuesit Sejdi Berisha, i cili para lexuesve e opinionit, shtron tema e jep mesazhe të guximshme, dhe si e tillë, kjo poezi, meriton interpretimin dhe analizën letrare, por edhe shprishjen e situatës në shoqëri. Në këtë poezi, kemi të bëjmë me një gjykim logjik e shumë të drejtë të anomalive të kohës sonë, ku shoqëria sillet vërdallë rreth boshtit të boshllëkut pa synime për derë dalje. T’i shijomë pak rreshta të kësaj poezie refleksive: ”Pse nuk më lejoni /Me diell të shëtis/Pse ma ndaloni/ Të këndoj si të tjerët”, ose;”Duke i bërë shpresat ushqim/Gjeneratat e reja/Në vetvete mbyllur kanë ngelur/Janë shndërruar në lapidarë pritjeje”!

Poeti i cili i mbetët besnik trashëgimisë sonë kombëtare dhe i traditave fisnike

Sejdi BERISHA, është ndër poetët e njohur i cili me shkrimet e tija gjithëpërfshirëse, mbetët ndër ata krijues tradicional i cili lë si porosi imanente ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare dhe të traditës fisnike. Këto vlera na kanë bërë të veçantë nga popujt tjerë të Evropës. Edhe në librin më të ri, ”Peizazh i jetës sime”, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, nuk ka lënë anash këto tema, si motive për qasje nga e kaluara jonë e lavdishme. Me mjeshtërinë e tij krijuese, fuqishëm tërheq paralelen mes kohëve, ndryshimeve që janë bërë, por, poetikisht skalitë traditën e odës, rendin shtëpiak të jetës sonë patriarkale në kuptimin e organizmit të jetës e punës dhe shumë elemente përcjellëse të ecejakeve tona nëpër kohë.
Këto që u ceken, më së miri lexohen në poezinë “Sa shumë gjëra kishin ndërruar…..!”, ku pos tjerash lexojmë:
“Zgjohem herët/A i keni bërë gati shytnit/A i keni cokatur kosat/Babi i pyet meshkujt e shtëpisë”.
Pos këtij rendi e rregulli, tek vargjet e Berishës, me kërshëri lexojmë portretizimin, apo ma mirë të themi, pikturizimin e odës së burrave në vargje: ”Në dhomë pushka e varur buzë oxhakut/Përskaj një grimë rrjeti merimangash/Në varësen tjetër plisi i bardhë/Në gozhdën plot ndryshk/Çitelia e me tela pa akordim/Edhe mestet me të cilat kapuçash luanim” ose, ”Në odë shëtiste/Edhe një grimë erë e pites me mazë/ Dhe urata për gjumin e ëmbël”.
Për një libër me afër njëqind e pesëdhjetë poezi, është e pamundur të thuash gjithë vlerën e saj, sepse, secila poezi e poetit Berisha, për nga vlera e pesha, meriton shkrim e studim të veçantë. Duke u ndier i lumtur në shoqëri me poezitë e këtij shkrimtari të mirënjohur, shpreh lirshëm mendimin personal, se libri ”Peizazh i jetës sime”, është një vepër që pasuron bibliotekat tona kudo, edhe ato universitare, por, mbi të gjitha, poezia e Sejdi Berishës, meriton një qasje të thellë analitike studimore dhe filozofike për ta gjetur vendin e vet në letrat tona shqipe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu