Frika se në një vend si i yni, mbetjet “humbasin rrugës”

0
445

 

Më 1 dhjetor 2010, mblidhet Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Në rendin e ditës është Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Sigurinë Bërthamore”

dhe ai “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Bashkuar për Sigurinë e Menaxhimit të Lëndës Djegëse të Konsumuar dhe “Për Sigurinë e Menaxhimit të Mbetjeve Radioaktive”.


Të ftuar janë Sokol Frroku, drejtor juridik në Ministrinë e Shëndetësisë; Rustem Paci – përgjegjës i Zyrës së Rrezatimit në ISHP; Ida Pashko – specialiste në ISHP dhe Kostandin Dollani – përfaqësues i Qendrës së Fizikës Bërthamore të Zbatuar.


Miratimi I këtyre dy konventa është për Shqipërinë vetëm një detyrim honorific, por megjithatë, shumica në komision ngutet ta miratojë, edhe pse sipas saj, nuk ka asnjë lidhje me planet e Shqipërisë për importim mbetjesh radioactive, apo për ndërtimin e një centrali bërthamor. Opozita në komision është kundër, kalimit tranzit, madje deputeti Pandeli Majko shpreh frikën se vendi do të kthehet në një magazinë të mbetjeve bërthamore.


Nga ana tjetër, një muaj më pas në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, nënkryetari I komisionit, deputeti I PS-së, Et’hem Ruka është shprehur kundër kalimit të konventës për tranzitimin e lëndëve radioaktive. “Ato lëndë të rrezikshme, duke kaluar nëpër Shqipëri, bie fjala nga Maqedonia për në Itali, ose e kundërta, mund të futen në një ndonjë shpellë dhe të groposen aty”-thotë Ruka.


Frika se këto lëndë të rrezikshme mund të “humbasin rrugës” gjatë kalimit nëpër Shqipëri, ka shtyrë deputetët e opozitës të jenë kundër miratimit të Konventës, e cila, në fakt nuk është detyruese për Shqipërinë, për tu miratuar. Më poshtë janë një pjesë e debateve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, më 1 dhjetor 2010.


Debatet


Rustem Paci – Nga këto dy konventa që shkojnë bashkë në linjë, Shqipëria është e përfshirë vetëm në Konventën për Trajtimin e Mbetjeve Radioaktive për sa kohë që nuk ka përdorim të materialeve bërthamore. Ne do të jemi anëtarë të këtyre konventave në mënyrë onorifike.


Ndërsa, për sa i përket Konventës për Lëndët Radioaktive, ne jemi pjesë e saj, sepse edhe legjislacioni shqiptar i parashikon të gjitha. Të dyja konventat nuk kanë detyrime dhe sanksione, por vetëm në qoftë se nuk plotësohet një element, atëherë kemi sanksione. Kjo nuk vlen për këto dy konventa. Këto konventa do t’i zgjidhin problematikat në mënyrë të njëpasnjëshme, por nuk do të ketë sanksione për Shqipërinë.


Pandeli Majko – Nga specialistët dëgjova që aderimi në këto dy konventa është onorifik për Shqipërinë.


Pyetja ime e parë është: sa shtete të Bashkimit Europian i kanë miratuar këto konventa? A jemi vërtet shteti i fundit që i miraton, apo jo? Pyetja e dytë është: pse duhet të kemi një martesë të këtyre dy konventave?


Pse Konventës për Sigurinë Bërthamore, që për mua është në rregull, i duhet bashkëlidhur Konventa për Sigurinë e Menaxhimit të Lëndës Djegëse të Konsumuar dhe Sigurinë e Mbetjeve Radioaktive? Nga vëzhgimi i shpejtë që u bëra konventave, shoh se bëhet fjalë edhe për depozitim të mbetjeve radioaktive, pavarësisht se ne i kemi ose jo mjetet dhe teknologjitë e kësaj natyre. Besoj se arrini ta kuptoni shqetësimin tim.


Rustem Paci – Lidhur me pyetjen e parë, unë ju shpjegova se të gjitha vendet e Bashkimit Europian i kanë miratuar këto dy konventa.


Për sa i përket pyetjes së dytë, do t’ju them se agjencia ka 5 konventa bazë, nga të cilat Shqipëria ka miratuar tre prej tyre. Konkretisht, këto konventa janë: Konventa për Mbrojtje Fizike të Materiale Radioaktive, e cila është miratuar kur ju keni qenë ministër i Mbrojtjes. Konventa “Për njoftimin e shpejtë të aksidenteve bërthamore” është miratuar në vitin 2003, konventa “Për ndihmë, asistencë teknike në rastin e aksidenteve” përsëri është miratuar.


Nga pesë konventa bazë, tri janë miratuar nga Shqipëria në afatet më optimale, kanë mbetur edhe dy ende pa u miratuar. Konventat nuk është se kanë ndonjë lidhje që njëra duhet të tërheqë tjetrën, por janë bazë për secilin shtet të komunitetit europian dhe më gjerë.


Shqipëria ka miratuar tri, i kanë mbetur edhe dy, të cilat kanë një farë vonese, nuk është se ka penalizime, por i japin frymëmarrje dhe mundësi më tepër Shqipërisë që të jetë pjesëmarrëse aktive e këtyre vendeve. Lidhur me depozitimin, ky problem, sikurse e dini, është një problem botëror dhe atribut i vendeve që tashmë i kanë programet bërthamore.


Të gjitha shtetet europiane praktikisht kanë hyrë në këto programe, por jo të gjitha momentalisht bëjnë depozitimin.
Ne jemi përpjekur që të bëjmë edhe një rregullim në terminologji. Depozitimi nënkupton mbetjet radioaktive. Mbetjet kanë dy lloj depozitimesh: depozitim të përkohshëm dhe depozitim përfundimtar.


Shqipëria bën depozitimin e përkohshëm.
Ne kemi aplikime në mjekësi, industri, kudo. Ju e dini që spitali “Nënë Tereza” ka dy burime të fuqishme kobalti që trajton të sëmurët me kancer. Në industri përdoren gjerësisht ato që quhen sonda radioaktive. Këto burime, pasi punojnë 5 ose 10 vjet, e konsumojnë jetën e punës dhe kërkojnë një trajtim. Këtë trajtim e bën praktikisht Qendra e Fizikës Bërthamore.


Në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ne kemi ngritur në vitin 2000 një laborator modern për trajtimin e përkohshëm të mbetjeve. Në kushte normale ky laborator, sipas parashikimeve tona, mund të jetë deri në vitin 2050, në qoftë se supozojmë se nuk do të ketë aksident apo ndonjë problem.


Natyrisht, ne kemi një favor sepse Shqipëria nuk trajton karburant bërthamor të konsumuar, nuk kemi të tillë dhe as nuk kemi ndërmend të marrim, por trajton mbetje me jetëgjatësi të shkurtër. Kështu që pas 50 vjetësh ato mbetje që janë depozituar në vitin 2000 i bie të largohen prej andej dhe të trajtohen si mbetje të zakonshme, sepse burimet radioaktive janë konsumuar.
Megjithatë deri në vitin 2050 Shqipëria është e siguruar, ka një trajtim korrekt, ashtu sikurse Italia dhe të gjitha vendet e tjera fqinje.


Për sa i takon depozitimit përfundimtar, ky problem do të dalë kur të lindë. Në qoftë se ne do të kemi central pas 10 apo 15 vjetësh, do të dal edhe trajtimi përfundimtar i mbetjeve radioaktive, të cilat janë problem. Aplikimet që bën Shqipëria nuk përbëjnë ndonjë problem aq të rëndësishëm.
Vasilika Hysi -Kam një pyetje lidhur me kalimin kufitar.


A do të kemi depozitim të mbetjeve radioaktive të vendeve të tjera në Shqipëri?


Kostandin Dollani – Natyrisht që jo. Nuk parashikohet as në konventat që janë, as në legjislacionin tonë.


Arben Isaraj – Kur bëhet fjalë për sigurinë, aq më tepër për sigurinë bërthamore, pse është Ministria e Shëndetësisë propozuesi i projektligjit?


Rustem Paci – Në vitin 1995 Parlamenti ka miratuar ligjin që përcakton autoritetin rregullator në Republikën e Shqipërisë për të gjithë përdorimin e sigurt të burimeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe mbetjet.


Ky komision përbëhet nga disa anëtarë të ministrive të ndryshme dhe kryesohet nga ministri i Shëndetësisë. Komisioni ka anëtarë nga Ministria e Mjedisit, nga fakultetet dhe nga Policia e Shtetit. Pra, është komision me bazë të gjerë.


Në bazë të ligji, ky komision ka të gjithë autoritetin për dhënien e licencave, për kontrollin, për inspektimin, për sanksionet dhe gjithçka që lidhet me përdorimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa Qendra e Fizikës Bërthamore të Zbatuar mbulon elemente që kanë të bëjnë me zhvillimin e teknologjisë, dozimetrinë personale dhe me kalibrimin. Pra, është një përdorues i materialeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë.


Pandeli Majko – Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, për një përsëritje deri diku, të asaj që thashë pak më përpara. Siç u tha nga specialisti, te kapitulli i pestë kemi të bëjmë me lëvizjen ndërkufitare. Shqetësimi im është se me miratimin e kësaj konvente për mbetjet bërthamore ne duhet të krijojmë një legjislacion të pranuar nga shteti shqiptar për depozitimin e mbetjeve bërthamore nga një shtet tjetër.


TEC-i për mua nuk është ndonjë problem i madh.
Ai është një infrastrukturë e rregulluar. Është brenda një sistemi të brendshëm. Ajo që më shqetëson dhe këtu e kam sensin e bërjes së pyetjes është se nëpërmjet kësaj konvente në një mënyrë apo në një tjetër, ne ndërtojmë një varg rregullash bazuar mbi këtë konventë për depozitimin në Shqipëri të mbetjeve bërthamore. Deri këtu unë jam dakord me ju, por kapitulli i pestë flet për depozitimin në Shqipëri të mbetjeve bërthamore të prodhuara jo në Shqipëri.


Rustem Paci – Kjo konventë nuk lidhet me faktin që në Shqipëri mund të hapet ndonjë depo për depozitimin e mbetjeve dhe të lëndës djegëse.
Kjo konventë ka disa detyrime, nëse duam që ta bëjmë si shtet dhe si Parlament.


Kjo që po diskutoni është një çështje tjetër dhe depozitimi i mbetjeve në Shqipëri është çështje tjetër. Kjo konventë rregullon të gjithë elementet që kanë të bëjnë me mbetjet radioaktive që kemi për momentin në Shqipëri. Nuk lidhet me mbetjet bërthamore të cilat mund të vijnë nga vende të tjera. Nëse nesër Parlamenti vendos që në Shqipëri do të ndërtohet tre centrale bërthamore, kjo është çështje e Parlamentit shqiptar, jo një çështje personale e imja.


Saimir Tahiri – Pyetja që kam ka të bëjë me materialin në shqyrtim, por shkon edhe pak më tej. Aktualisht, në Shqipëri, deri në ç’masë ka mbetje ose ndotje radioaktive dhe sa shqetësuese është kjo?


Rustem Paci – Rregullimi i mbetjeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë bëhet në bazë të ligjit nr.8025, i ndryshuar, dhe të rregullores që ka kaluar në Këshillin e Ministrave gjatë këtij viti. Ne kemi një sasi mbetjesh radioaktive në Republikën e Shqipërisë, e cila është depozituar në depon e mbetjes. Depoja e mbetjeve është vlerësuar edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe është e licencuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet.


Shqipëria nuk është një vend, që prodhon një sasi të madhe mbetjesh radioaktive. Të gjitha mbetjet janë të kondicionuara në kushte optimale dhe nuk përbëjnë risk për publikun. Ne jemi në gjendje të depozitojmë deri në 300 metra kub mbetje, të cilat duhet të kompresohen.

Aktualisht kemi të mbushur vetëm një pjesë shumë të vogël të depos së mbetjeve radioaktive. Pra, praktikisht jemi në nivele shumë të ulëta, por e rëndësishme është se kemi të gjitha llojet e mbetjeve radioaktive në depo, për sa i takon kategorizimit.


Pra, burimet radioaktive që përdorim në Shqipëri janë nga kategoria e parë deri në të pestën për të gjitha nivelet, por nuk kemi në përdorim materiale bërthamore dhe lëndë djegëse të konsumuar.

Mesila Doda -Së pari, ku gjendet depoja, për të cilën na folët dhe a ka nivel sigurie? Së dyti, a e kërcënon vendndodhja e depos nivelin e sigurisë së Partisë Socialiste?
Rustem Paci – Depoja e mbetjeve radioaktive është e vendosur në një institucion, ku, menaxhohet në mënyrë të sigurt, nga pikëpamja e mbrojtjes së publikut.

Elementet e sigurisë janë upgrade-uar nga qeveria amerikane. Ato lidhen me të gjithë sensorët për sa i takon sigurimit fizik të depos së mbetjeve. Ka tri qendra, të cilat përdorin burime radioaktive të fuqishme. Pjesa e tretë e pyetjes nuk më takon mua.


Vasilika Hysi – A kemi kaluar deri tani mbetje radioaktive tranzit në Shqipëri?
Rustem Paci – Që nga viti 2000 e mbrapa nuk ka pasur në Shqipëri lëvizje transite apo hyrje të mbetjeve radioaktive.
Vasilika Hysi – A ka pasur para vitit 2000?
Rustem Paci – Nuk kemi informacion se ka pasur importe të mbetjeve radioaktive në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu