Frikë nga zhdukja e votave

0
132

Përzgjedhja e kompanisë “G&H” nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për transportin e votave për zgjedhjet e 3 nëntorit ka ngritur shqetësimet e partive opozitare, të cilët thonë se tenderi u është dhënë kompanive të regjistruara si salone ondulimi.

Gazeta “Zëri” ka raportuar të enjten se tenderin në vlerë prej rreth 70 mijë euro për transportin e materialit sensitiv dhe josensitiv në zgjedhjet e ardhshme lokale e ka fituar kjo kompani, ku drejtuesi i saj, Granit Cakiqi, ka pohuar për gazetën se kompania e tij për të tretën herë e fiton një tender të tillë dhe se nuk kanë pasur asnjë vërejtje nga KQZ.
Mirëpo, të mërkurën në media është raportuar se është gjetur një kuti votimi, e cila besohet se i takon procesit zgjedhor të mbajtur më 17 nëntor të vitit 2010.

Për këtë çështje i pari në Kuvendin e Kosovës të enjten ka reaguar deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se sekretariati i KQZ-së ka bërë një skandal me këtë përzgjedhje.
“Besoni ose jo, kompania e cila edhe tash është shpallur fituese për bartjen e votave për 3 nëntor për zgjedhjet lokale, kompania ‘G&H’, është e regjistruar si kompani ondulimi dhe tretmani të bukurisë. Ky është skandal, edhe për më keq është skandal i përsëritur, është skandal i trefishtë.

Procesi zgjedhor nuk ka nevojë për zbukurim të votave, se kjo kompani është kompani e zbukurimit; procesi zgjedhor hiç s’ka nevojë për zbukurim të votave, por për siguri të votave”, ka potencuar Ramadani.

Sipas tij, sekretariati i KQZ-së është dashur ta shpallë një operator të papërgjegjshëm dhe jo të na arsyetohet se ka fituar çmimi më i lirë në këtë tender për bartjen e votave. “Siç thuhet zyrtarisht, bartja sensitive dhe josensitive e materialit është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nuk mund t’i besohet kompanive që janë të regjistruara për tretman bukurie.

Për më keq, ky vendim i Sekretariatit të KQZ-së është marrë pak ditë pasi është gjetur një kuti e humbur diqysh. A ka edhe ndonjë kuti tjetër që ka humbur dhe nuk është gjetur deri tash”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se AAK kërkon që të shikohet dhe të zbardhet rasti i asaj kutie dhe mundësisë së gjetjes së edhe kutive tjera të humbura deri tash.

Ndaj, deklaratave të Ramadanit është kundërpërgjigjur KQZ nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku thuhet se shqetësimet e ngritura lidhur me kompaninë e cila do të bëjë transportimin e materialit sensitiv dhe jo sensitiv – janë të pabazuara dhe të paqëndrueshme, për të mos thënë edhe qëllimkëqija. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se secili person, që në mënyrë specifike “hulumton” këtë çështje, me lehtësi mund të zbulojë se kompania në fjalë ka edhe 5 veprimtari të tjera, të cilat i ushtron në mënyrë të ligjshme dhe të licencuar, krahas veprimtarisë së përmendur në Kuvendin e Kosovës. Në mesin e këtyre veprimtarive që ushtron kompania N. T. SH. “G & H”, është edhe transporti rrugor i mallrave, me numër 6028”, thuhet mes tjerash në reagimin e KQZ-së.

Mirëpo, për Ramadanin KQZ vetëm sa e ka konfirmuar skandalin e madh të vendimit që votat të barten nga një kompani ondulimi. “…kompania në fjalë ka edhe 5 veprimtari të tjera. Skandali vazhdon”. Sipas tij, KQZ-ja tashmë duhet të mbahet përgjegjëse edhe për “humbjen” e asaj kutie me vota nga zgjedhjet e vitit 2010.

Edhe deputeti i partisë tjetër opozitare, Arben Gashi nga LDK, ka thënë për “Zërin” se ky është një problem shumë shqetësues, i cili duhet të adresohet saktë në nivel politik në nivel të organeve të rendit dhe në nivel të KQZ-së, në mënyrë që, siç thotë, ai mos të ketë raste ku kamionët me kuti largohen prej objektivit.” Duhet të bëhet një zgjidhje kjo është shumë shqetësuese. Prandaj të përzgjedhjet një kompani e tillë për bartjen e votave nuk është aspak serioze”, ka potencuar Gashi.

Ai ka shtuar se edhe anëtari i LDK-së në KQZ duhet të bëjë më shumë hulumtime dhe të bëjë presion që këtë lloj tenderi të mos e marrin kompanitë jo serioze. “Patjetër që anëtari i LDK-së duhet të merret me këtë çështje dhe duhet t’i bëjë trajtim serioz”.
Ndërsa Erzen Vraniqi nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se përzgjedhja e një kompanie për transportin e votave, e cila është e regjistruar si sallon ondulimi, tregon joseriozitetin e institucioneve për zgjedhjet dhe votën e qytetarit.

“Duke e marre parasysh vjedhjen industriale te votave ne zgjedhjet e kaluara, me këtë pune ishte dashur të merret një kompani sigurimi, siç janë ato që bartin paratë ne banka”, ka pohuar Vraniqi, duke shtuar se sikur institucionet tjera as KQZ-ja si duket nuk është imune ndaj malverzimeve ne procesin e tenderimit te shërbimeve. Për këtë çështje gazeta “Zëri” ka kontaktuar të enjten edhe zyrtarët e PDK-së, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në telefon.

Në anën tjetër, Avni Zogiani nga Organizata Joqeveritare “Çohu” thotë se është i shqetësuar me faktin se një tender të tillë në vazhdimësi e fiton kjo kompani. Sipas tij, vet fakti që është zbuluar një kuti nga zgjedhjet e vitit 2010, le të kuptohet se kutitë e votimit “kanë shkuar atje ku nuk duhet”.

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu