Frustrimi i Hashim Thaçit, tallja e Isa Mustafës dhe komoditeti i Kadri Veselit!

0
258

adrian_collaku

Paralajmërimet për raport negativ sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, si duket më së shumti e frustroi Hashim Thaçin. Jo pse Hashim Thaçi u mërzit aq shumë pse Kosova dhe qytetarët e saj edhe më tutje vazhdojnë të jenë të izoluar dhe atë, pikërisht falë mënyrës se si ai e udhëhoqi vendin, bashkë me njerëzit e tij tash e një dekadë, por për shkak se ky është edhe një sinjal i keq që po i jepet atij nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet mike.

Goditja e dytë më e madhe që iu dha Thaçit nga miqtë ndërkombëtarë, pas dështimit të anëtarësimit të vendit në UNESCO dhe pas rënies nga posti i kryeministrit para një viti, është rekomandimi negativ për liberalizimin e vizave.

Njeriu më i pushtetshëm në Kosovë që nga viti 2007, u mundua që pikërisht këto dy procese: atë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe atë për liberalizimin e vizave, t’i shfrytëzojë si një kartë të madhe për të ardhur në krye të shtetit dhe për t’i “larë” të gjitha ato dëme që ia shkaktoi këtij vendi, duke instaluar në institucione korrupsionin, krimin e organizuar, nepotizimin, klientelizmin, joprofesionalizimin, jomoralizimin…

Mirëpo, Thaçi si duket ka “harruar” që Bashkimi Evropian funksionon sipas rregullave e ligjeve dhe se të gjitha shtetet anëtare të familjes së madhe evropiane janë shtete ligjore, e jo si tek ne, ku vetë Thaçi bashkë me Com., janë mbi ligjin dhe mbi institucionet. Prandaj, frustrimi i tij është për interesa kryekwput personale dhe grupore, si dhe për mashtrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve. Kaq për Thaçin dhe reagimin e tij skandaloz pwr fajësimin e BE-së për vizat dhe për protestat e paralajmëruara.

Kryeministri formal i vendit, Isa Mustafa ndërkaq, pas këtij lajmi të keq për Kosovën, ka zgjedhur të tallet me qytetarët e Kosovës. Deklarata e tij se mund të jetojmë pa viza është për gjynah, ashtu siç edhe ai erdhi në krye të Qeverisë për gjynah, duke i tradhëtuar të gjithë, së pari elektoratin e LDK-së, pastaj bashkëpunëtorët më të ngushtë, e deri tek partnerët politikë. Në vend se të kërkojw falje para qytetarëve të vendit për deklaratat mashtruese që i kishte dhënë saktësisht para një viti (kur erdhi në postin e kryeministrit), se liberalizimi do të ndodhte në pranverën e vonë të vitit 2015, dhe të shkarkohej ministri i Integrimeve në shenjë të përgjegjësisë politike, ai fyen të gjithë qytetarët e Kosovës.

Derisa Hashim Thaçi e përjetoi “rëndë” këtë lajm dhe Isa Mustafa zgjodhi rrugën e talljes me qytetarët e vendit, Kadri Veseli po ndjehet shumë komod. Madje, e dha një deklaratë që i shitet mirë në opinionin publik, kur tha: “BE  le të na i marrë vizat neve- politikanëve, jo t’i ndëshkojë qytetarët”. Veseli me këtë deklaratë e goditi direkt “Shefin” e tij, Hashim Thaçin, i cili e akuzoi Bashkimin Evropian për këtë dështim, dhe mes rreshtave dha sinjal se ai po pretendon ta marrë “primatin” e liderit.

Sidoqoftë, nga ky proces dhe nga ai i UNESCO-s, u nxorën mësime shumë të qarta e të mira, se për liderët tanë politikë, e rëndësishme është përfitimi i tyre individual dhe i një grupi të vogël, e aspak interesi i përgjithshëm i vendit dhe përfitimi i qytetarëve. Prandaj, është koha që qytetarët e këtij vendi, kësaj klase politike në Kosovë, t’ia “liberalizojë vizat” ose në të kundërtën, izolimi ynë (i qytetarëve), sa vjen e bëhet më i thellë dhe më dëshpërues.

Për ditë e më shumë!

Shkruan: Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu