Fushata e përgjakur e Bershiës në qershor `97

0
365
Mero Baze
Fushata elektorale e zgjedhjeve të 29 qershorit 1997 ishte më e pazakonta në Shqipëri. Sali Berisha e kishte të pamundur ta kalonte Shkumbinin, por pse jo, edhe Drinin në Veri, për të shkuar në vendlindjen e vet.

Fillimi i dhunës në atë fushatë u shënua në Shkallnur. Nuk ka rëndësi nëse aty nuk u vra askush apo që u shmang tragjedia. Tanimë ka pak rëndësi dhe se kush e ka bërë, pasi ata që akuzoi Berisha, tani i ka aleatë në qeveri.

Ai atentat pati një kosto të rëndë mbi fushatën elektorale, pasi zhvirgjëroi hijen e rëndë të Presidentit Sali Berisha duke e kthyer në një qytetar të zakonshëm me emrin “Salë”, siç i thërrasin në Shqipërinë e Mesme, që mund ta qëlloje, ta poshtëroje, ta vrisje, ta digjje, t’i bëje çfarë të doje. Skena e incidentit ishte e pazakontë.

Ndërkohë që Berisha po fliste para një shkolle në fshatin afër Shkëmbit të Kavajës, një djalë i ri hodhi një granatë në drejtim të tij. Pati shumë versione për arsyen pse ai nuk e hoqi dot siguresën. Dikush thoshte se ishte joprofesionist, të tjerë që thoshin se e pengoi dikush duke ia kafshuar dorën.

Shemsi Peposhi, në atë kohë zëvendëskryeredaktor i gazetës RD, që u ndodh në krah të agresorit, më tha se kishte qenë vendimtare ndërhyrja e një burri, që duhej të ishte kosovar nga ata që banojnë aty rrotull, i cili kishte fëmijën në krah dhe megjithatë arriti t’ia kapte dorën dhe ta pengonte agresorin të hiqte siguresën.

Fati ishte se siguresa nuk u hoq dhe granata ra para këmbëve të Berishës, disa metra më tutje. Roja i tij u hodh mbi të dhe e largoi. Gjithçka u mbyll për mrekulli.

Disa minuta më pas, Berisha më mori në telefon dhe më tha ta prisja në zyrë, pasi kishte ndodhur një gjë e rëndë. I kishin hedhur

një granatë, por nuk kishte shpërthyer. U shokova dhe ia tregova Ylli Rakipit. U nisëm drejt Presidencës, ndërkohë që lamë porosi që, sapo të vinte gazetari, ta përshkruante me hollësi.

Berisha dukej i tronditur dhe kishte një hakërrimë të brendshme për “autorin” e vërtetë.
-Ka të dhëna? — e pyeta. – Kush është pas?

-Spartak Braho, – tha menjëherë. – Ia ka thënë vrasësi Agim Shehut, sapo e kanë arrestuar. Nuk dinë nëse do ta thotë prapë.
Në gazetën Albania ndodhi diçka edhe më qesharake.

Reporteri që ndiqte nga pas Berishën, e kishte pasur agresorin një metër larg dhe ishte terrorizuar nga ajo që kishte parë. Pasi erdhi në redaksi, kishte bërë një raport të shkurtër për vizitën e Berishës në Sukth dhe premtimin për një ujësjellës.

-Ku e ke raportin për Shkallnurin? – e pyeta me nxitim.
-Nuk e bëra, – tha, – se ndodhi diçka e rëndë. – Fliste duke ulur zërin, që të mos e dëgjonte njeri veç meje. – Desh e vranë doktorin, – shtoi pastaj.

Ishte për të qeshur dhe për të qarë. Ideja se ngjarja duhej të mbahej fshehur, kishte zënë vend në kokën e reporterit, i cili mendonte se ajo situatë e turpëronte Berishën.
Në fakt, gjesti i të qëlluarit me bombë ishte një goditje e fortë për autoritetin e Berishës. Së pari, pasi mund të kishte pasoja të pallogaritshme mbi paqen në vend dhe, së dyti, mund të rikthente pas gjithçka.

Por Berisha nuk ishte i trembur për këtë. Ishte i trembur për lehtësinë e të kthyerit në objekt sulmi, duke “vrarë frikën” për të vrarë edhe atë. Kjo e trondiste dhe kërkonte doemos një politikan të lartë pas këtij akti.

I duhej me doemos Spartak Brahoja dhe ndoshta ka pasur belbëzime të agresorit për këtë çështje, që e përmendën pikërisht atë. Por më pas, kurrë nuk doli në gjyq si akuzë.
Dhe kishte të drejtë.

Vrasja e frikës kundër tij funksionoi. Mitingu i Elbasanit, që pasoi këtë ngjarje pas një jave, ishte një kaos i vërtetë, që pati dhe viktima. Një grup personash hapën zjarr në afërsi të një lokali në qendër të qytetit, pasi përfundoi mitingu i zotit Berisha. Fillimisht plumbat plagosën njërin nga rojat e Gardës.

Kjo u pasua me një kundërpërgjigje të menjëhershme me breshëri automatiku, pa ndonjë adresë të qartë. Brenda disa minutave, qielli u ndez nga breshëritë e kallashnikovëve dhe gjashtë persona përfunduan në spitalin e Elbasanit, në gjendje të rëndë. Policia tha në fillim se ata që sulmuan mund të ishin pjesëtarë të bandës së Cërrikut, e cila dy javë më parë kishte bërë një masakër mbi Gardën e Republikës.

Sipas versionit zyrtar, agresorët, në tërheqje e sipër, me një automjet që ia kishin identifikuar targën, kanë hapur zjarr mbi postbllokun e policisë në Cërrik, ku janë plagosur katër policë, por pa rrezik për jetën. Pasi u shpërnda mitingu dhe Berisha iku, konfrontimi vazhdoi.

Në spiralen e konfliktit hynë edhe qytetarët që mbështesnin opozitën dhe përfundimi ishte: një makinë e djegur e policisë dhe një makinë e djegur e agjencisë së lajmeve zyrtare ATSH.

Pati polemika publike mes Ministrisë së Brendshme dhe gazetarit të Reuter në Elbasan. Sipas policisë, ai i ishte referuar një gazetari lokal të gazetës Koha Jonë, që qenkësh në spital dhe kishte dhënë version të përmbysur të ngjarjes.

Por, në fakt, debati ishte qesharak. Fakti që ishte qëlluar në mitingun e Berishës, ishte një lajm që e sfumonte shkakun pse kishin qëlluar. Ky lajm po përsëritej përditë dhe kjo ishte gjëja më e rëndë që ka shoqëruar ndonjëherë ndonjë lider në një fushatë elektorale. Ai pritej thuajse me armë në çdo qytet.
Incidente pasuan dhe në takimin e Berishës në Fier.

Pas takimit të tij, ku mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, reaksioni u zhvendos në qytetin bregdetar. Partia Demokratike aty ishte shkrirë thuajse fare dhe një djalë i ri, Argent Grabova, të cilin e njihja prej studimeve në fakultet, kishte marrë drejtimin e saj. Nuk i përkiste burokracisë së Partisë Demokratike në Vlorë dhe ishte i motivuar.

Problemet filluan menjëherë sapo u shfaq në mitingun e parë të PD-së në Fier. Shtëpia e tij u rrethua gjatë natës, kur ai u kthye nga mitingu i Fierit. Ndërkohë, një dyqani të kushëririt të tij iu vu dinamit, që i mori jetën të zonjës së dyqanit, Gerta Grabovës.

Të nesërmen, në përpjekje për të ndalur dhunën, Vili Minarolli, në atë kohë sekretar politik i PD-së, i kërkoi në mesditë zyrtarisht anëtarit të kryesisë së Partisë Socialiste, Ethem Rukës, që të hiqej rrethimi nga shtëpia e kryetarit të PD-së në Vlorë.

Kërkesa kishte simbolikën e saj, pasi donte ta bashkonte sa më shumë Partinë Socialiste me militantët e saj, që kishin rrethuar shtëpinë e kryetarit të PD-së.

Ishte pak a shumë e njëjta metodë që ishte përdorur më parë, kur në Sarandë mbajtën peng Leonard Demin. Vëllai i Argent Grabovës ishte marrë peng, një e afërme tij ishte vrarë dhe familja po mbahej nën terror. Policia njoftoi rreth orës 14.00 se bandat kishin hequr rrethimin ndaj shtëpisë së tij. Fola në telefon me Argentin, në mesditën e së shtunës.

Më tha se njerëzit e armatosur ishin larguar rreth orës 13. 30, por pritej të shkonin përsëri. Më tha se i njihte disa prej tyre, sepse ishin pjesë e Komitetit të Shpëtimit.

-Do të qëndroj këtu, nuk e di nëse do të jetoj apo do të vdes, jam shumë i ri, por nuk do të largohem nga shtëpia.

Deklarata e tij ishte e dhimbshme dhe, për mua, që e njihja qysh nga Universiteti, ishte edhe më emocionale.

-Çfarë kanë tamam? — e pyeta. – Je përplasur gjë me ta?

-Jo, – ma ktheu. – Kanë inat pse kam folur dje në Fier në emër të demokratëve të Vlorës.
Pasi mbylla telefonin dhe po e mendoja të gjithën këtë, më dukej e pabesueshme që po bënin masakër mbi të, vetëm pse kishte folur në Fier.

Por nuk më lanë të zhgënjehesha vetë drejtuesit e Komitetit të Shpëtimit. Një ditë më pas, të dielën, në një deklaratë publike, Komiteti i Shpëtimit tha se “duhej që kryetari i PD-së të mos fliste në Fier, të ishte distancuar”.

Vizita e Berishës në Lushnjë ishte po ashtu një horror i vërtetë. Eskorta u prit me armë në shesh. Njerëzit që shoqëronin Berishën dhe që kryesisht ishin roje vullnetare të rekrutuar rrotull tij nga Sali Lusha dhe Izet Haxhia, filluan po ashtu të hapnin zjarr. Ishte një pamje që të trondiste.

Një grup njerëzish në shesh e prisnin me disa flamuj kombëtarë dhe bërtisnin në ekstazë “Sali Berisha, Sali Berisha!”, “Poshtë komunizmi” etj., ndërsa rojet private të tij rrethuan sheshin dhe tribunën, ku ai do të fliste. Mbështetësit ishin rreth 500 persona. Sapo Berisha zbriti nga makina Benz, ata rrethuan vendin dhe shkallët ku ai do të fliste. I pari u ngjit në tribunë Azem Hajdari.

Berisha u vendos rreth 10 metra pas fillimit të tribunës, përmes një korridori njerëzish, ku gati nuk shquhej fare. Në krye të korridorit qëndronte Sali Lusha, kurse ngjitur me Berishën ishte Dem Dollapi. Këta ishin të vetmit që njihja nga gjithë ai grup vullnetarësh. Sapo filloi të fliste Berisha, dy persona hapën zjarr në ajër me kallashnikovë.

Pastaj i kapi paniku, lanë armët dhe ia mbathën nga sheshi. Rojet e Berishës, po nga paniku, hapën zjarr në ajër. Ishte një tmerr i vërtetë. Unë ndenja në makinën time dhe nuk dola jashtë, sepse kisha frikë nga ndonjë plumb qorr. Policia u vu në ndjekje të atyre që hapën zjarr, por situata në shesh u bë e frikshme.

Në një makinë tjetër ishte djali i tij Shkëlzeni. Ai hapi derën dhe mbushi një pistoletë duke kërcënuar, s’dihet se kë. Një nga rojet e Berishës u sul mbi të dhe e futi në një makinë private.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu