Gangsteri: Të fshehtat e mia do t’i marr me vete në varr

0
323

(vijon nga numri i djeshëm) 

Me sa duket, filluan përplasjet mes dy grupeve me të rinj shqiptarë. Lidheshin me fërkime mes atyre nga Veriu dhe atyre nga Jugu i Shqipërisë, apo me atë se dikujt i dukej që të tjerët nuk i tregonin respekt, zënka për një femër, ose përleshje fizike, e ndoshta të gjitha së bashku. Kur kërkoj më shumë detaje, Manoku përgjigjet me shumë “e lëmë me kaq”. Tregon se si, pas një zënke kërkoi takim për të bërë paqe: u shtrënguan duart dhe sherret, të paktën kështu u mendua, u lanë pas si diçka e së kaluarës. Një javë pas këtij takimi, dy djem veriorë u zunë pritë dy prej të tijve. Manoku bëri disa telefonata, por nuk mori përgjigje; u mor vesh që kështu do të shkonin këtej e tutje gjërat. Dy net më vonë, më 17 korrik 2004, rreth orës 23:30, ai po sillej te parkingu i një kompleksi apartamentesh bashkë me disa shokë. Miku i Manokut, Merko, martohej të nesërmen. Atë natë Manoku po provonte për herë të parë pije alkoolike, një gjysmë gote birrë për të festuar. Në atë çast nuk e dinte që shumë shpejt do të futej në burg për të gjithë pjesën e mbetur të jetës.
Krimi
Manoku tregon se një furgon me pesë veta u fut në parking. Ai u thirri: “Ç’kemi?” Tregon se nga dritarja e furgonit del një kallashnikov. Manoku u hodh poshtë një shkurreje ku kishte fshehur një pistoletë 9 milimetërshe, të cilën e nxjerr dhe u thotë: “Ulni armët në tokë!” Makina bën me shpejtësi në drejtim të tij dhe ai qëllon. Plumbat kapin katër nga pesë djemtë që ndodheshin në furgon. Një nga ata, Markiol Jaku, 20 vjeç, vdes, të tjerët plagosen. (Një nga të plagosurit e asaj nate, Ilirjan Dibra, katër vjet më vonë do të pranonte fajësinë për sulmin, me qëllim lëndimin serioz të personit, para gjykatës së kontesë Makomb).
Prokurorët thonë se më vonë Merko u mundua të rimerrte 2.000 dollarë, dy armë dhe dy kuti me municione që i kishte dhënë një shoku të tij. Ai i donte armët për të vrarë dëshmitarët e thirrur nga prokurorët. Por shoku ia kishte dorëzuar armët policisë ditën e sulmit me armë, e kështu e Merko sulmoi atë. Nusja e Merkos dhe familja e saj shesin shtëpinë dhe biznesin dhe largohen nga shteti; prokurorët thonë se ai i kërcënoi se, në se hapnin gojë apo shkonin në polici, do t’ua hidhte shtëpinë në erë. (Manoku e mohon këtë.) Merko largohet për në Uster të Masaçusetsit dhe më pas për në Paterson, Nju Xhersi, ku Imigracioni dhe FBI e zbuluan dhe e arrestuan rreth shtatë muaj më pas.
Prokurori gjithashtu i akuzoi për vrasje të paramenduar në bashkëpunim, duke theksuar se ata, për një kohë të gjatë, kishin planifikuar disa skenarë të ndryshëm për vrasjen e djemve veriorë: t’i qëllonin në kafene, t’u gjuanin me kallashnikov nga motori në ecje nga afër, ndërsa prisnin në trafik.
Precedenti
Gjithashtu, ekzistonte edhe një incident tjetër i mëparshëm, një akuzë federale, që prokuroria e përdori kundër tyre. Kishte ndodhur një zënkë mes një shqiptari që unë po e quaj Q (shok i djemve veriorë që u qëlluan në makinë nga Manoku) dhe Drini Brahimllarit, shok i Manokut dhe djemve të tij. Manoku, Zoica dhe dy të tjerë nga grupi i tyre gjetën Q-në me një shok disa ditë pas zënkës në një shesh parkimi. Manoku u thotë Q-së dhe shokut të tij të hipin në makinë. Brenda në makinë, Manoku i drejton armën Q-së, ndërsa Zoica nxjerr thikën. Zoica po rrëmbehej paksa duke e kërcënuar Q-në se do ta vriste. Manoku i kap dorën dhe i thotë Zoicës të mos e lëndojë. Ndërkohë, arma e Manokut shkrepet. Q-ja dhe shoku i tij hidhen nga makina dhe vrapojnë. Dy javë më vonë Q thirret përsëri nga Manoku, kësaj here tek parkingu i “Tirana Café”-së. E marrin dhe e çojnë te apartamenti i Brahimllarit, ku ai ndjek Manokun dhe Merkon. Brahimllari dhe Çarçani janë brenda. Sheshi është mbuluar me plastmasë, me shumë gjasa për të parandaluar spërkatjen e dhomës me gjak. Q-ja kalon anash një tavoline, ku janë vendosur në radhë 10-20 thika kuzhine. Ketjoli i thotë Q-së të ulet në gjunjë. Merko sjell një pistoletë dhe një jastëk, i vendos jastëkun në kokë Q-së dhe i afron pistoletën. Merko i thotë Brahimllarit të ngrejë volumin e televizorit. Merko e shan Q-në, e kërcënon dhe i thotë se ai ka treguar mungesë respekti. Q lutet t’ia falin jetën (Merko më vonë i thotë Çarçanit se e la të jetonte vetëm se ai iu lut). Merko i thotë Q-së se ka dy ditë afat për të mbledhur 1 mijë dollarë për sherrin me Brahimllarin dhe faturat për ndihmën mjekësore që iu desh të merrte. Një ditë vonesë dhe ai ishte i mbaruar. Ata e çuan me makinë te kafeneja. Q i tregoi gjithçka të atit. Ditën tjetër, Q dhe babai i tij shkuan te një park publik, ku takuan Brahimllarin dhe Çarçanin. I ati pagoi dhe kërkoi që i biri të lihej i qetë. Q aktualisht është larguar nga Miçigani dhe nuk do në asnjë mënyrë t’i përmendet emri në shtyp. “E kam lënë pas atë histori dhe tani gjërat po më shkojnë mirë”.
Shokët
Çarçani ndodhet në një burg federal në Arizona dhe do të lirohet në vitin 2014. Brahimllari u largua për në Shqipëri, por u ekstradua për në Shtetet e Bashkuara, ku po vuan dënimin me burg dhe e pret një tjetër riatdhesim. Agjenti i FBI-së që u mor me ngjarjen në Miçigan e konsideron Merkon pothuajse si “një lider”. Sipas tij, nëse kishte ndonjë, të cilit ja kishin frikën në komunitetin shqiptar, ky ishte Merko, që një herë kishte shpëtuar pa u lagur nga një akuzë për tentativë vrasjeje. Agjenti thotë se djemtë nga Veriu nuk kishin armë me vete: kallashnikovi nuk u gjet kurrë.
Pendesa
Manoku thotë se i vjen keq që vrau Jakun. Doja vetëm t’i plagosja, tregon. Duke më këshilluar se, si gazetar, më mirë të mos marr kontakt me familjen e Jakut. “Mjaft kanë vuajtur!”. Ai thotë se në atë kohë do të kishte pranuar vrasje nga pakujdesia apo vrasje e shkallës së dytë. Nëse e ke bërë një krim, duhet të paguash koston. Këmbëngul se nuk ka ekzistuar një plan për të kryer vrasje.
Karakteri
Ketjoli luan me letra dhe shah në burg. Stërvitet me dy të tjerë, me të cilët shoqërohet, por nuk pranon të ketë miq këtu. Njeri prej tyre është meksikan dhe tjetri zezak. I pëlqejnë komeditë e Adam Sandlerit dhe Ben Stillerit. Vë në dukje se nuk ka folur kurrë me policët, dedektivët, FBI-në, apo, përpara se të fliste me mua, me gazetarët.. Ngul këmbë se nuk do asgjë nga unë dhe, në një dhomë ku ka plot makineta me ëmbëlsira, nuk pranon asgjë për qerasje. Nuk i preku fare Coca-Cola-n dhe “Skittles” që ia bleva. Beson në një Zot, megjithëse thotë se nuk është fetar tamam-tamam. Lexon Kuranin dhe Biblën.
E pyes se çfarë do të ndryshonte, në rast se do t’i jepej një shans që ta jetonte sërish jetën e tij. Mendohet. Thotë se, nëse do t’i duhej ta niste sërish nga fillimi, do të parapëlqente një shtëpi të thjeshtë, një biznes të vogël dhe një familje të tijën, por pa plane të mëdha. Ka kryer krime të tjera, për të cilat i vjen keq dhe për të cilat nuk është dënuar, por nuk do të tregojë, as e mua e as prokurorëve, më shumë sesa dimë tani për tani. Shokë të tij janë të lirë dhe bëjnë një jetë normale, në Amerikë apo gjetkë. Nuk kam për t’i tradhtuar, thotë. Do t’i marr gjërat që di me vete, në varr. E pyeta, po sikur të ishe 70 vjeç dhe të ishe në prag të vdekjes, a do të më tregoje? Jo, më thotë.
Emocionet nuk janë karakteristikë e tij, me përjashtim të rasteve kur flet për spiunët, vetëm ideja e të cilëve i ngre nervat. Për shembull, për Sejdarin tha: Ai do të jetë edhe i fortë, edhe polic. E pyeta nëse e mundonte ideja se shokë apo kundërshtarë të tij kishin vdekur apo ndihej i dërrmuar nga humbja e lirisë? Jo, m’u përgjigj. A qante ndonjëherë? Nuk mundej dhe as e mbante mend nëse kishte derdhur lot ndonjëherë. Thotë se dëshiron të qajë; në çdo varrim ku ka marrë pjesë e ku të gjithë qanin, edhe ai përpiqej, sepse donte të ndjente atë çka ndienin edhe ata. Por nuk mundej.
Me të ëmën u takua në vitin 2008, për herë të parë qëkur la Shqipërinë, në vitin 2001. Ajo erdhi dhe qëndroi te një dajë në Miçigan për pak kohë dhe e vizitoi në burg. Ishte diçka vërtet prekëse kur e pa të derdhte lot. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Pse? Si? I kërkova detaje. Nuk është spiunim, i thashë. Është e vërteta dhe rrjedhimisht ia vlen të tregohet. Më tha se ishte i pajtuar te revista ‘Rolling Stone’ për një vit. Kam shkruar për atë revistë. Ishte një artikull ku dikush u thye dhe rrëfeu gjithçka para gjyqit dhe një tjetër ku subjekti më futi në botën e tij, duke kryer krime në praninë time. Manoku më tha se i pëlqente të lexonte histori të tilla, por vetë nuk do ta bënte. “Nuk dua të rrëfehem”, ngulmoi.
Apeli
Thirrja që i kam bërë dhe i bëj sërish Ketjol Manokut është ky: Unë nuk përpiqem të të çliroj nga paditë apo të të fundos, të të paragjykoj apo të bëhem i famshëm duke të shfrytëzuar ty dhe jetën tënde, sekretet e tua, mjerimin tënd apo lavdinë tënde prej gangsteri. Mos m’u rrëfe mua; rrëfeju komunitetit shqiptar, që u trondit aq shumë nga incidenti në vitin 2004! Rrëfeju një tjetër “Keti” më të vogël, një 16-vjeçari shqiptar, që i ka parë të gjitha filmat dhe sheh Shqipërinë e tij të ’97-ës në një geto amerikane! Tregoji atij të vërtetën, çfarë duhet të bëjë e të mos bëjë dhe çfarë mund t’i ndodhë e çfarë jo! I propozova të ulej e të shkruante një letër e pastaj këtë letër të ma niste mua, ku të tregonte historinë me fjalët e veta, që të mos kishte merakun e shtrembërimit të asaj ç’kishte thënë. (Kjo e shqetësonte: Ai më paralajmëroi se do të kisha “pasoja” nëse ia ndryshoja fjalët). Më tha se ndoshta do ta bënte një herë. Ra dakord në parim me idenë e “hedhjes dritë” mbi ngjarjet e jetës së tij dhe në veprimtarinë e krimit të organizuar shqiptar në Nju Jork dhe Amerikë. Gjatë bisedës duket se po përparonim drejt kësaj ideje. Në fillim, rreth orës 9 të mëngjesit, më pat thënë se nuk ekzistonte “mafia shqiptare”. Pak para orës 2 të pasdites, kur po e mbyllnim takimin, isha sfilitur nga përpjekjet për ta bindur se ajo që po bëja ia vlente: I dhashë makinës me orë të tëra në autostradë, u zura me gardianët, më zhveshën, më bërtitën dhe më keqtrajtuan. I thashë se, nëse shkruaja ç’pretendonte ai, se nuk ka mafia shqiptare, megjithëse lexuesit e informuar e dinë se ekziston, nuk do të doja që ndokush të mendonte se ai ishte injorant në këtë çështje. Apo ndoshta e mohonte ekzistencën e mafias shqiptare sepse kështu duhej, apo se nuk donte të thyente ndonjëfarë kodi?
“E kuptove”, më tha. I shtrëngova dorën, ika dhe u bëra gati për të ngarë makinën gjashtë orë të mira nëpër autostradën I-75 drejt komunitetit prej nga vinte.

Genc Kondi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu