Gani Malushi “rikthehet” dhe një herë në Tropojë

0
472

Dëshmori i Atdheut, Kolonel Gani Malushi është kthyer serish në Tropojë, këtë radhë jo për të ngjallur shpresën e humbur të banorëve të kësaj treve, por për tu nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Bajram Currit”. Qindra banorë të Tropojës, përfaqësues të pushtetit vendor, të prefekturës së Kukësit, të Policisë së Shtetit, kolegë, bashkëkohës, familjarë, miq e të afërm të Kolonelit nga Kolonja, kanë marrë pjesë në një ceremoni madhështore të organizuar paraditen e të premtes në pallatin e kulturës në qëndër të Bajram Currit. Kryetari i bashkisë së qytetit verior Nuredin Ahmetaj u kishte propozuar përfaqësuesve të forcave politike në këshillin bashkiak, që Komisar Gani Malushit ti akordohej titulli “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin që kishte dhënë në rivendosjen e rendit dhe goditjen e krimit gjatë vitit 1999. Pavarsisht bindjeve apo forcave politike që përfaqësonin, të gjithë këshilltarët e Bajram Currit e miratuan unanimisht këtë propozim. Fakti që “Dëshmori i Atdheut” Gani Malushi ishte nga një rreth në jug të vendit, nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit vendor në Bajram Curri ta respektojnë dhe nderojnë punën e tij sikur të ishte nga Tropoja. Vepra dhe kujtimi që Komisar Malushi ka lënë gjatë punës së tij në veri të vendit, u nderuan me një aktivitet të organizuar mjaft mirë nga bashkia e Bajram Currit. Bashkëshortes së Komisarit, Esma Malushit, iu dorëzua çertifikata me titullin “Mirënjohja qytetit të Bajram Currit” nga kryetari i këshillit bashkiak. Gjatë ceremonisë, kolegu dhe bashkëkohësi i Kolonelit nga Kolonja, Sefer Pasha, promovoi librin kushtuar Gani Malushit, me kujtime nga jeta e puna tij.
Tropoja
Disa ditë pas minave të 4 gushtit 1999, në krye të policisë së Tropojës u vendos Kolonel i hekurt, Gani Malushi, Dëshmor i Atdheut. Në krye të një batalioni forcash speciale, Malushi mori përsipër të riorganizonte komisariatin e Bajram Currit dhe të rivendoste rendin në Tropojë. Ai nisi operacionin e koduar “Ndëshkimi”, që synonte goditjen e të gjithë personave të implikuar në vrasjet e Tropojës. Deklarata e guximshme e Malushit, pak ditë pasi mori detyrën, se në Tropojë kishte vetëm një bandë dhe kjo ishte komisariati i policisë, dha një mesash të qartë se shteti kishte vendosur të mos toleronte më askënd. Gjatë kohës që Malushi dhe stafi i tij qëndroi në Tropojë skeduan dhe plotësuan me prova pjesën dërmuese të ngjarjeve të rënda që kishin ndodhur gjatë dy viteve 1998-1999. Ai u përplas disa herë me drejtuesit e lartë të policisë dhe të SHIK-ut për shkak se zbuloi që në vrasjet e njëpasnjëshme në Tropojë ishin përfshirë dhe pjestarë të strukturave shtetërore. Gani Malushi kërkoi disa herë ndalimin dhe hetimin e personave të implikuar në vendosjen e minave ndaj Fatmir Haklajt dhe në vrasjen e tij. Koloneli nga Kolonja këmbëngulte se në këto ngjarje ishin përfshirë dhe pjestarë të forcave speciale, por askush në ministri nuk e vuri ujin në zjarr për provat që ai zbulonte. Dosja më e plotë që është përpiluar dhe dorëzuar strukturave më të larta të shtetit për ngjarjet në Tropojë është ajo e Gani Malushit.
Komisari
Komisar Gani Malushi, i dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i Republikës, është bërë i njohur në radhët e oficerëve të karrierës së Ministrisë së Rendit Publik, menjëherë pas trazirave të vitit 1997. Qysh nga viti 1983 e deri në vitin 1994, kur u lirua nga detyra për shkak të “reformës” se bërë në atë kohë, Malushi vazhdimisht ka patur detyra në rritje graduale. Pas trazirave të vitit 1997 kur komisariati i Beratit ishte rrafshuar dhe bandat e kishin kthyer qytetin muze, në një qytet varrezë, komisar Malushi nuk i dredhoi detyrës së shefit të komisariatit numër 2 të këtij rrethi. Më pas ai mori detyrën e zv.drejtorit të Policisë së Beratit, duke organizuar operacione të suksesshme, gjatë së cilave është arrestuar “i tmerrshmi” i Beratit, Lul Caka, është shpartalluar banda e Urës Vajgurore apo e Altin Dardhës si dhe është rrethuar dhe më pas është vrarë vëllai i Kastriot Jaupit, Ilir Jaupi. Operacionet e mësipërme, janë cilësuar si tepër të suksesshme në goditjen e elementëve kriminalë, të cilët ngritën “krye” pas trazirave të vitit 1997. I diplomuar në Shkollën e Lartë të Policisë në vitin 1983, Gani Malushi i shërbeu mbi 25 vjet Policisë së Shtetit. Ai kreu me sukses disa detyra të tjera si shef i komisariatit të Rinasit, shef rendi i policisë së Peqinit, Shef komisariati i Librazhdit dhe së fundmi i njërit nga komisariatet më problematike në vend, atij të Krujës. Malushi u cilësua si një ndër drejtuesit e policisë më të rrezikuar, pasi emri i tij ndodhej në listat e hakmarrjes së Lul Cakës dhe Kastriot Jaupit.

 

E fundit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu