Gani Thaçi kërkon 6.000 euro pagë

0
213

Bordi Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqatë, Gani Thaçi, pasi që kontributi i tij në shoqatë është konsideruar si i domosdoshëm në këtë proces.

Gani Thaçi ka kërkuar 6.000 euro pagë, si kusht për të vazhduar punën si drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Javën që lamë pas Gani Thaçi, cili është vëlla i kryeministrit të Kosovës, i ka paraqitur bordit të shoqatës dorëheqje nga kjo pozitë, por një kërkesë e tillë nuk është aprovuar edhe nga bordi i Shoqatës.

Gazeta ka provuar që me telefon ta kontaktojë Gani Thaçin, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Ndërkaq, në anën tjetër Rrahim Pacolli, kryetar bordi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve ka konfi rmuar se bordi i shoqatës që drejton ai nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit Thaçi.

“Është e vërtetë që ai javën që lamë pas ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Shoqatës, por bordi nuk e ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje, pasi që kontributi i tij në shoqatë është mëse i domosdoshëm”, tha ai.

Por, burime të besueshme të gazetës brenda Shoqatës thonë se një nga arsyet pse drejtori Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen ka qenë paga.

“Drejtori ka kërkuar që paga e tij të rritet nga 4.000 euro, sa e ka tash, në 6.000 euro. Kjo ka qenë një nga arsyet pse drejtori Thaçi i ka ofruar dorëheqjen bordit të shoqatës”, tha burimi i besueshëm i gazetës brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Por, një gjë të tillë e mohon Pacolli. Ai thotë se dorëheqja është bërë për arsye personale. “Nuk është e vërtetë që drejtori ka kërkuar t’i rritet paga për 2.000 euro”, ka thënë Pacolli nëpërmjet telefonit.

Përndryshe, Gani Thaçi ka më shumë se tre vjet që ka punuar si zëvendësdrejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës. Por, vetëm një javë pasi ishte bërë drejtor ai kishte ofruar dorëheqjen e të cilën nuk ia ka aprovuar bordi i kësaj shoqatë që kryesohet nga Rrahim Pacolli.

 

Nga, Enis Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu