Garat dhe krahët prej djalli të Berishës

0
365

Berisha në “start” e Berisha në “finish”, Berisha në det, Berisha në ajër, Berisha në tokë. Dëshirë për një prani të tillë prej kohës së kohës e hapësirës së hapësirës,  e ka pasur dhe e ka vetëm djalli. Në garat që ky shqiptar bën me vetveten mund të përzgjedhim disa syresh.

1.  Startfinishi në Murin e Madh Kinez.

Nuk kish kaluar veçse një muaj nga Gërdeci që përgjaku kujtesën e vendit. Berisha ndodhej në Kinë. Ai u ngjit në shkallët që shkonin në pikën e epërme, për të dalë në një platformë të sheshqëndrimeve para Murit të Madh Kinez, dhe ia mbërriti me sukses. Në Kinë, jo për vizitë miqësore, por për një atletikë djalli. Kjo ishte performanca e parë dhe një  kumt ogurzi, se “u kam hipur shqiptarëve dhe nuk u zbres”.

2.  Startfinishi i Dhërmiut

Nuk kaloi më shumë se një muaj që kur Sali Berisha kishte nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës fqinjin helen e sillte ashtu urtë e butë e me “det të grabitur” në kokëpërkulje, por ama krenare, mu në qendër të ngushticës historike të Otrantos, 900 metër nga bregu i Ksamilit. Nuk kish tradhti më të madhe se kjo. Ndodhi ajo që ndodhi dhe marrëveshja e tradhtisë u rrëzua. Berisha prapë nuk e ndali turrin e garës, por këtë radhë në det, në Dhërmi. Aty u rrëfeu shqiptarëve se kishte qëndruar në mes të valëve si dikur Mao Ce Duni në Jance, kaq orë e kaq minuta. Po ato ditë, kur shqiptarët gajaseshin me kryeministrin dhe garën e tij, një shqiptar në Australi shkruante në një blog: ”Ah, sikur të kisha mundësi të vija në Dhërmi, të merrja një shkëmb të madh në shpinë e ta çoja diku thellë në det, që të kishim edhe ne ca shkëmbinj,  ku të fillonte të matej deti e të përfitonim më shumë hapësirë ujore!”.

3. Startfinishi në malin e Dajtit

Nuk kishte më shumë se një muaj e gjysmë, që kish ndodhur masakra e 21 janarit, kur Berisha si urdhërdhënës qëlloi mbi njerëz të pafajshëm. Ai u duk në ngjitje drejt majës së Dajtit, me një nga mbesat e tij. Sa mbërriti atje, zgjati dorën drejt verilindjes, duke gjurmuar Rrugën e Arbërit, si një simbol të garës që ndërtonte në mendjen e tij diabolike. “A më shikoni ju shqiptarë apo jo?”

4. Startfinishi në Sari Salltik

Pas disa kohësh, kur ai i kish dhënë një goditje opozitës dhe po ato ditë  kur ish fituar një gjyq korruptiv, për një skandal modern regjistrimesh elektronike, me kamera në zyra të mbytura nga ndotja e shpërfytyrimi i shtetit, ku gjendej një atlet tjetër, shpëtimtar i tij, Ilir Meta, ai ndërtoi një garë dhe “shenjtërim” tjetër të vetvetes. U shfaq në Sari Salltik, në fushën e mejdanit të Gjergj Kastriotit, ku shenjti bektashian kish mbërritur dikur. U fut në selinë e ndritur dhe aty sikur të kish ardhur nga qielli, mbiu një tortë për ditëlindjen dhe ditëmbërritjen e tij shenjtore, dhe vetë kryegjyshi preu copat e saj. Berisha u gjend në një ekstazë okulte, iu zgërdhi popullit të tij, për t’i thënë se “unë bëj garë me shenjtët”.

5. Startfinishi i djeshëm , prapë në Dhërmi

Pas “kompromisit” që bëri për imunitetin me Edi Ramën, iu sul përsëri Dhërmiut. Kërkoi të sfidonte sërish vetveten. Në çastin e mbramë, nën ujë takoi djallin që e “xhugulinte” në tabanët e këmbëve duke i shushurirë: ”Sali! Do t’i shtoj edhe tri minuta prej vetes sime, sipas kontratës”. Dhe ia shtoi. “Mirë! Ta paça borxh!”, iu kthye kryeministri okult i shqiptarëve.

Morali i fabulës

Startfinishi ose fillimmbarimi në shqip nuk është zgjedhja jonë gjuhësore, por përngjitje dopingu që ndodh rëndom me Sali Berishën. Për secilën vepër që kryen, atij i buisin krahë të rinj, por jo krahë engjëjsh po djajsh. Kaq të frikshme këto gara që bën, për shqiptarët.

 

Shkruan, Myslim Pashaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu