Gardisti i 21 janarit, lidhjet me familjen Berisha

0
158

TIRANË – Sadik Çela, efektivi i Gardës së Republikës, i dyshuar si njëri nga autorët e mundshëm të vrasjes së katërfishtë dhe plagosjes së 6 të tjerëve në demonstratën e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është kthyer në qeli për të vuajtur edhe 7 ditët e mbetura të masës së sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor. Kjo masë sigurie ishte vendosur nga gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Shkëlqim Mustafa, me datë 11 shkurt 2011.

Ky vendim, u shfuqizua më datë 11 mars 2011 nga Gjykata e Apelit, konkretisht nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Hysni Demiraj, të cilët vendosen lirimin e tyre nën masën e shtrënguese “detyrim për paraqitjeje”. Por, çuditërisht me datë 14 shtator 2011 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga kryetarja e këtij institucioni Shpresa Beçaj vendosi të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Apelit për të dyshuarin Sadik Çela, duke urdhëruar kthimin e tij në qeli për ditët e mbetura.

Ndërkohë, po ky Kolegj Penal më datë 25 dhe 28 maj 2011 pati vendosur të lërë në fuqi vendimet e Gjykatës së Apelit për dy të dyshuarit e tjerë Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli. Sipas tre vendimeve të Gjykatës së Lartë që “Shekulli” tashmë i disponon, rezulton se Ahmetaj ka qëlluar në drejtim të turmës me 46 plumba luftarakë, Nikolli me 18 plumba luftarakë, ndërsa Çela që mbeti në burg pak ditë më parë kishte qëlluar me 10 plumba luftarakë.

Sipas këtyre vendimeve (që nuk kanë ndryshim me njëra-tjetrën për ngjarjen dhe provat), lirimi dhe masat pak-ditore të sigurisë kanë ardhur, sepse, sipas gjykatësve, deri më tani nga prokuroria nuk është arritur të provohet se nga armët që kishin në përdorim Ahmetaj, Nikolli dhe Çela kanë gjetur vdekjen ndonjëri prej katër viktimave të vrarë apo gjashtë të plagosurve.

Megjithatë, qëndrimi i mbajtur nga Gjykata e Lartë për masën e sigurisë ndaj tre të dyshuarve është i ndryshëm vetëm për Çelën. Me zbardhjen e këtij vendimi, efektivët e policisë kanë shkuar në banesën e Çelës, të cilën pasditen e së hënës e kanë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit duke izoluar në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Lartë. Tashmë pritet që i dyshuari Çela të dal sërish para gjyqtarit Mustafa, për rivlerësimin e masës së sigurisë. Organi i akuzës pritet të depozitojë edhe prova të tjera materiale në ngarkim të tij apo të dyshuarve të tjerë. I vetmi që ndodhet i arrestuar për ngjarjen e 21 janarit është shtetasi Agim Llupo, për të cilin është provuar se arma e tij ka vrarë shtetasin Ziver Veizi në 21 janar.

 

Regjistri GJC: Gardisti Çela, lidhje fisnore të afërta me Berishën

Ka lindur më 25 qershor 1966 në Babinë të Tropojës dhe banues në Tiranë në rrugën “Myslim Keta”. Është i martuar dhe ka katër fëmijë. Pas vitit 1990 ka punuar në punë të ndryshme, ndër ta edhe si shofer pranë hetuesisë së Bajram Currit, më pas në Polici dhe në Gardën e Republikës.

Angazhimi i tij në Gardën e Republikës, ka qenë në ruajtjen dhe sigurinë fizike të familjes së Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha. Gjatë vitit të mbrapshtë 1997 ka qenë pjesë e vullnetarëve të ruajtjes së familjes së Presidentit të atëhershëm, tashmë kryeministër.

Angazhimi i tij është bërë mbi bazën e një shkrese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Shqiptare, Shaban Memia, (faksimilja ngjitur) tashmë me detyrën e drejtorit i ALUIZM-it. Sipas kësaj shkrese të firmosur më 7 mars 1997, në mesin e vullnetarëve të ruajtjes së personaliteteve të asaj kohe ishte edhe Sadik Çela.

Nga të dhënat e siguruara mësohet se Çela ka qenë edhe në grupin e vullnetarëve që kërkonin Arben Imamin e njohur në atë kohë si “Gjenerali i 1997” tashmë me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Përveç këtij fakti, Çela është edhe kushëriri i nënës së kryeministrit Berisha. Sipas regjistrit kombëtar, nëna e kryeministrit Shiqere Berisha është bijë e familjes Çela dhe Sadik Çela është kushëri i dajallarëve të kryeministrit të sotëm. Ish-kolegët e dinë se në mesin e shokëve, Çela thirrej prej kohësh si “dajua i kryeministrit”. Me ardhjen në pushtet të PS-së mësohet se Çela është pushuar nga puna për t’u kthyer në vitin 2005, me ardhjen e PD në pushtet. në Gardën e Republikës, ku edhe vijon të punojë pavarësisht ngjarjes së tmerrshme dhe ende të pazbardhur të 21 janarit.

 

Gardistët u liruan nga gjyqtari, për të cilin Çela kishte punuar shofer

Një kthim pak vite pas në historinë e mbushur me qelb të politikës shqiptare, zbulon të tjera fakte për gardistin e 21 janarit. Jo vetëm është një familjar i kreut të qeverisë, por, sipas të dhënave që “Shekulli” ka siguruar, mësohet se Sadik Çela pas viteve 1990 ka punuar shofer pranë hetuesisë së Bajram Currit. Konkretisht në kohën që kjo hetuesi drejtohej nga Hysni Demiraj. Zoti Demiraj është sot gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe pikërisht ai firmosi lirimin e gardistëve mes tyre edhe Çelën. Mësohet se i dyshuari i 21 janarit Sadik Çela punonte si shofer i institucionit të drejtuar nga Demiraj në ato vite.

Në kushte normale gjyqtari Demiraj duhej të hiqte dorë nga shqyrtimi i ankimit të masave të sigurisë ndaj gardistëve Çela, Ahmetaj e Nikolli. Por me firmën e tij si kryesues gardistët u liruan nën masën shtrënguese “detyrim për paraqitjeje” duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor për të tre gardistët e liruar nga Apeli, mes tyre edhe efektivin e gardës Sadik Çela.

 

 

Prokuroria: Llupo, Ahmetaj, Nikolli, Malaj, pjesë e grupit të zjarrit

Sipas të dhënave që prokuroria e Tiranës tashmë ka administruar gardistët Sadik Çela, Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Agron Malaj, sipas urdhrit me nr. 28/1 të datës 21 janar 2011 të firmosur nga Komandanti i Gardës së Republikës ishin caktuar personat e “grupit të zjarrit” në rast nevoje. Katër nga pesë gardistët e grupit të “zjarrit” rezulton se kanë shkrepur 118 plumba luftarakë, drejt turmës së demonstruesve dhe në ajër. Nga akt-ekspertimi balistik e krahasues me gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë ka rezultuar se Agim Llupo ka qëlluar 44 plumba luftarakë me dy armë të llojit “MP5” të kalibrit 9 mm dhe është autori i vrasjes së Ziver Veizit. I dyshuari Gazmend Ahmetaj ka qëlluar me 46 plumba luftarakë, Mark Nikolli me 18 plumba dhe me 10 plumba luftarakë ka qëlluar Sadik Çela, ndërsa Agron Malaj nuk ka shkrepur asnjëherë armën e tij. Predhat e këtyre plumbave, sipas këqyrjes së ngjarjes së datës 29 janar 2011, janë fiksuar në rrethimin metalik të selisë se Kryeministrisë dhe lartësia e tyre nga toka është e ulët, në lartësinë e një njeriu, çka do të thotë se grupi i “zjarrit” ka qëlluar drejt protestuesve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu