Gashi: Të ftuarit për intervistim nga Specialja, në cilësinë e të dyshuarve

0
161

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë ish-eprorët e UÇK-së do të shkojnë në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale. Pas dhjetë ditësh te selia e kësaj të fundit do të udhëtojnë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku. Ndërsa pak ditë më vonë do të intervistohen edhe disa ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kurse avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se pavarësisht faktit që tashmë janë bërë publike ftesat vetëm për disa persona nga Gjykata Speciale, ka edhe të tjerë që ende nuk i kanë bërë publike ftesat e Speciales.

“Përpos emrave që janë bërë publikë, deri më tani janë ftuar edhe persona të tjerë që nuk janë bërë publikë, por këta nuk janë të vetmit që do të ftohen nga Gjykata Speciale, për shkak se kjo gjykatë nuk ka afat të punës së saj. Askush nuk duhet të gëzohet duke pretenduar se nuk do të jetë në shënjestër të Gjykatës Speciale, sepse Zyra e Prokurorit Special do të jetë aktive dhe nuk ka një afat të caktuar e asnjë listë të personave me të cilët do të merret”, ka thënë ai.

Gashi ka vlerësuar se viti 2019 do të jetë vit i Gjykatës Speciale. “Viti 2019 do të jetë viti i fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe tani jemi vetëm në prag të fillimit të kësaj gjykate dhe nga mesi i këtij muaji do të merren në pyetje në Hagë e jo në Kosovë personat e parë që janë ftuar atje si të dyshuar”, ka theksuar ai.

Sipas Gashit, të gjithë emrat e ftuar nga Gjykata, që janë bërë publikë deri tani, janë thirrur në cilësinë e të dyshuarve. “Të gjithë që janë ftuar në Hagë, edhe pse ata nuk e thonë, janë në cilësinë e të dyshuarve, jo të dëshmitarëve dhe pas deklarimeve të tyre Prokuroria mund të kërkojë arrestimin e tyre, sepse në bazë të ligjit është e paraparë që dikush mund të mbrohet edhe në liri e në raste të caktuara mund të kërkohet edhe ndalimi i tyre. Ata e dinë në çfarë cilësie janë ftuar dhe i dinë të drejtat e tyre, sepse Prokuroria në ftesat që u ka dërguar ka dërguar edhe shkresa me të cilat atyre u kërkohet dokumentacion i caktuar që kanë për të dëshmuar lidhur me atë që do të merren në pyetje”, ka thënë ai./ZËRI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu