Gati burgu pë dëshmitarët e mbrojtur

0
299

Prishtinë 3 maj- Kosova po ndërmerr hapat e nevojshëm për krijimin e kushteve për dëshmitarët e mbrojtur. Derisa Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet fillestare për krijimin e një njësiti të veçantë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe po punohet për krijimin e infrastrukturës ligjore, në qendrën korrektuese të Dubravës ka përfunduar ndërtimi i një pavijoni për këtë kategori.

Komisari i burgjeve, Resmi Hoxha, thotë se pavijoni ka përfunduar së ndërtuari dhe tani pritet inventarizimi i tij dhe punësimi i stafit mbikëqyrës.

“Në qendrën korrektuese në Dubravë, tanimë ka përfunduar së ndërtuari një pavijon i dedikuar për të dënuarit që janë edhe dëshmitarë të mbrojtur, por për ta vënë në funksion duhet pak punë”, thotë Hoxha.

Sa i përket stafit, ai ka thënë se është diskutuar mundësia e angazhimit të njerëzve që punojnë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, por ka dalë që numri i tyre është shumë i vogël, pamundësia për të udhëtuar dhe pagat e vogla. “Besoj që për të dyja do të gjendet zgjidhje”, ka thënë Hoxha.

Pavijoni i ndërtuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë i plotëson të gjitha standardet dhe ka kushtuar, hiç më pak se 3 milionë euro, mjete këto të Ministrisë së Drejtësisë, raporton Zëri.

“Pavijoni është duke u bërë gati për personat e dënuar dhe dëshmitarë njëkohësisht dhe ajo është e dizajnuar ashtu që asnjëri të mos ketë qasje te tjetri. Ndërtesa do të jetë në shërbim vetëm për këtë kategori dhe jo për persona të tjerë që burgosen për korrupsion apo personalitete të larta, siç mund të quhen”, ka thënë Hoxha.

Është thënë se tani për tani vetëm një person që qëndron në burg do të vendoset në këtë pavijon. Ai është Blerim Kiçina, dëshmitari kryesor i rastit “Hajra”.

Në këtë pavijon mund të vendosen 60 të dënuar, por që janë dëshmitarë të mbrojtur.

Ndërkaq se sa dëshmitarë të mbrojtur janë në Kosovë, nuk e di askush ose së paku nuk e deklarojnë këtë, për faktin se të “mbrojturit” kanë të drejtën të mos e zbulojnë identitetin.

Megjithëse ekziston një numër relativisht i madh i dëshmitarëve të mbrojtur, disa prej tyre madje po dëshmojnë në procesin gjyqësor kundër Sabit Gecit dhe Riza Aliajt, dëshmitarë që janë të dënuar apo do të dënohen, thuhet se janë shumë më pak.

“Nuk kemi informacione se sa dëshmitarë që e kanë statusin e dëshmitarit bashkëpunues janë dënuar. Për këtë është pak problematike ngase dëshmitarët bashkëpunues e kanë të drejtën që mos t’ju zbulohet identiteti”, thotë Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Numrin e dëshmitarëve të dënuar nuk e dinë as në Prokurorinë e Shtetit e as në EULEX.

Jo zyrtarisht është thënë se personi i dytë që do ta ketë fatin të “akomodohet”, në pavijonin e standardeve të larta të qendrës korrektuese të Dubravës, do të jetë dëshmitari bashkëpunëtor, i vetëshpalluri kriminel Nazim Bllaca.

Deri tani, me rekomandim të UNMIK-ut, dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë larguar nga Kosova mbi 20 persona së bashku me familjet e tyre, pasi ata janë konsideruar si persona nën rrezikshmëri të lartë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu