Gëzuar me qebapë dhe fara!

0
132

“Gëzuar përvjetorin e pavarësisë me një gotë fara”, kështu kremtonin të premten kosovarët në sheshin kryesor të Prishtinës “Nënë Tereza”, përvjetorin e katërt të shtetësisë. Ata qerasnin veten dhe miqtë me nga një gotë fara, me një çmim prej 25 centëve, duke parë të pranueshëm për xhepin financiar të tyre, larg verërave e që në këtë kremte mbushen gotat e qeveritarëve nëpër holle të hoteleve që ata shtruan për udhëheqës e të ftuar në shenjë kremtimi të përvjetorit të shtetësisë.

“Vendi ynë e ka të sigurt të ardhmen, me demokraci të zhvilluar, ekonomi që shfrytëzon resurset dhe rini të aftë dhe të shëndoshë si dhe të gatshme për punë”, dëgjohej tek fliste presidentja Atifete Jahjaga në fjalimin e saj drejtuar Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Jehona e zërit të pushtetarëve se Kosova po realizon synimet e saj ekonomike e diplomatike, që shënoi edhe hapjen zyrtare të kremtimit në sheshin “Nënë Tereza” arrinte deri te farëshitësit që kishin mbushur dy anët e sheshit. Përvjetorin jo pak qytetarë e panë si ditë fitimprurëse, e jo si ditë të shtetit.

Farshitësve iu eci fati në këtë përvjetor, ku numri i qytetarëve në shesh ishte më i vogël se viteve tjera dhe ata lirshëm janë vendosur me tepsi me fara jo vetëm në trotuarin e sheshit, por dhe në brendi të tij.

Gëzuar me qebapë dhe fara!

Një gotë fara ata e servonin me 25 centë. “Boll ligsht”, ankohej Xhafer Koçeli, farëshitësi që i ishte gëzuar kësaj dite vetëm se do të fitonte më shumë nga shitja e farave, me të cilat mban familjen, e shumë pak ditës së shtetit.

Pak hapa larg tij kishte vendosur një tepsi me fara edhe Kujtim Salla. Dikur punëtor i ndërmarrjes së “Energo Invest” të privatizuar më 2003, ai ka mbetur tash pa punë. E vetmja mundësi për të fituar ndonjë euro është shitja e farave.

“Kemi prit më shumë nga pavarësia, të kishim punë, por asgjë”, thekson ai duke bërë të

ditur se nga shitja e përditshme e farave mban familjen dhe jeton me 2 euro në ditë.

Sheshi është shndërruar të premten në një minitreg. Lodra për fëmijë, stoli të ndryshme me mbishkrimin e pavarësisë, veshje kombëtare, flamuj…ishin disa nga gjësendet të vendosura në tezga të vogla e që mbushnin po ashtu dy anët e sheshit.

Dikush kishte menduar më mirë. Kremtuesit mund të kishin uri dhe kishte vendosur një tezgë tjetër, ku piqte qebapë e pleskavica. “I kam 80 bukë veç me sjellë të tjera”, dëgjohej ai teksa fliste në telefon me dikë tjetër i ngazëllyer se dita po i ecte.

Qytetarët e kremtonin përvjetorin duke ecur poshtë e lart sheshit e duke mbushur xhepin me fara. Institucionet nuk kishin planifi kuar ndonjë organizim për ta që të kremtonin festën, përveç fjalimit të krerëve më të lartë të shtetit në binën e vendosur përballë Teatrit Kombëtar, fjalime këto që përmbanin tone lavdëruese për shtetin dhe punën e bërë këto vite.

Urojnë pushtetarët të vjedhin më shumë!

Por, i ndryshëm ishte mendimi i qytetarëve. Mehdi Musa i ishte bashkangjitur qytetarëve në sheshin “Nëna Tereze” bashkë me familjen e tij. Ai kishte ardhur nga Podujeva. Përvjetori i katërt i pavarësisë e ka ftuar të festojë. Ka dëshirë të festojë për ditën e shtetit, por katër vjet më parë shpresat e tij se me t’u bërë Kosova shtet do të ketë një jetë më të mirë ekonomiko-sociale, janë zbehur.

“Me vjedh më shumë” është porosia e tij ironike tërë mllef drejtuar pushtetarëve nga sheshi. “Jeta është gjithqysh, duhet të ballafaqohemi me këtë”, shprehet Mehdiu i papunë, e që mban familjen me të ardhurat që fi ton gjatë verës me angazhimin e tij herë pas here në treg.

“Punë të rregullt nuk kam se nuk ka punë. Kemi pritur se me bërjen shtet do t’i kemi punët më mirë…por ja si po e sheh”.

Emri “shtet” i shprehur me gojën plot dëshirë dikur nga kosovarët, sot përdoret me përbuzje. “Pihhh çfarë shteti”, ofshante një qytetar tjetër, këmbët e të cilit sharruan në ujë dhe baltë të mbledhur nga bora që ka filluar të shkrihet. Kështu dukeshin shumë rrugë të kryeqendrës. As kremtja e pavarësisë nuk iu kishte dhënë prioritet të pastroheshin.

 

Flamuri kombëtar dhe ai shtetëror të pandashëm

Flamuri shtetëror, ai kombëtar dhe amerikan, kanë qenë të parët që kanë simbolizuar kremten e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Këta tre flamuj kanë mbizotëruar në dritaret dhe ballkonet e komplekseve banesore, shtëpive nëpër të gjitha lagjet, restoranteve, lokaleve të ndryshme biznesore dhe afariste afariste…,që në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që institucionet janë përkujdesur që flamuri shtetëror të jetë i vendosur sidomos në sheshet kryesore të Prishtinës.

Simbolet e shtetit të Kosovës kanë qenë pjesë edhe e veshjeve të qytetarëve, e sidomos fëmijëve, që kanë mbushur rrugët e kryeqendrës së Kosovës të shoqëruar me flamuj në duar e mbuluar trupin më të.

Të ftohtit që përcolli vendin ditët e fundit nuk i ka ndalur qytetarët edhe të komunave tjera që të vijnë në Prishtinë, të mblidhen në sheshin “Nëna Terezë”, ku tradicionalisht në Kosovë fillon tash e sa vite kremtimi i përvjetorit të shtetësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu