Gjeneral – Major Shaban V Shala – Një Luftëtar i paepur i Lirisë (pjesa e dytë)

0
493

Shaban Shala

Ribotim

Në përkujtim të dymujorit të vdekjes së  veprimtarit të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar, që vdiç, të enjten, më 5 janar 2012.)

Në vazhdim, po e jap vetëm një pjesë për biografinë e heroit tonë që ma ka dërguar Azem Zeka :

SHABAN SHALA

…I kyçur qysh i ri në celulat organizimet atdhetare të kohës, Shaban Shala do të jetë pjesë e shumë zhvillimeve që shënuan vazhdimesinë e luftës sonë për liri dhe nismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shaban Shala, do të jetë pjesë e grupit të atdhetarëve, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti e shumë të tjerve te cilët në fillim të vitit 1983 formuan platformën mbi Partinë e Luftës së Kosovës.

Ai, dhe bashkveprimtaret e tij, pas rënjes së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishes u goditen rëndë, por nuk u zbrapsën kurrë.
Në vitin 1985, Shabani do jetë njëri ndër protagonistët kyç në bashkimin e të gjitha grupeve ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset e tjera Shqiptare në ish Jugollavi.
Nëntori i vitit 1985, ishte poashtu viti tjetër i vështirë i organizimit të këtyre grupeve atdhetare. Shaban Shala do të arrestohet së bashku me 56 bahkveprimtarë të tjerë, nga të gjitha trojet etnike në ish -Jugosllavi.
Shabani dënohet me shumë vite burg im të rendë, megjithate ai do të tregojë shembullin e heroit të vërtetë me qëndrimin e tij, si gjatë hetimeve ashtu dhe gjatë gjykimit e vuajtjës së denimit.
Ndërkaq, 5 muaj pas daljes nga burgu, Shaban Shala do të njihet në rrethana te jashtëzakonshme me Komandantin Legjendar të UCK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftetarët e tij.
Jo rastësisht, njëzet vite më parë, pikërisht më 31 Dhjetor 1990, tek Shaban Shala do të gjenin strehë, mikëpritje, Besë dhe gadishmëri për flijim, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe luftëtarët e tjerë, të cilët pasi kishin çarë rrethimin, kështu kishin nisur Luftën për Kosovën.
Nga ajo kohë Shaban Shala do të jetë i pandarë me angazhimet dhe veprimtarit e Komandant Adem Jashari. Komunikimi i tij me Komandantin Legjendar do të jetë i rregullt në secilin hap të aktivitetit, deri në rënje të tij, në mars të vitit 1998.

Njoftimi i parë origjinal për betejën e Rezallës së Re, me 26 Nëntor 1997, u bë pikërisht nga Shaban Shala.
Letra për ngjarjen e asaj dite, e shkruar nga Hamëz Jashari, e diktuar nga Komandanti Legjendar Adem Jahari dhe nëshkruar nga të gjithë bashëkluftëtarët, njoftonte mbi rrjedhën e betejës dhe humbjet e shkatuara armikut.
Origjinali i saj ruhet dhe sot në arkivat e Shtetit Shqiptar.
Shaban Shala, ishte ai që kishte marrë guximin që ta përcjellë atë jashtë vendit, në adresë të Kryesisë së LPK-së.
Roli i Shaban Shalës do të jetë rol i një kordinatori të vërtetë të luftës për liri, kurse shtëpia dhe familia e tij, do të jenë bazë dhe shtëpi e UCK-së, deri në Çlirim të vendit.
Shaban Shala, punoi dhe veproi edhe me gjeneratën e re e cila, u formua dhe kalit nga veprimet dhe idetë e Shaban Shales, siç ishin Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Ilaz Derguti, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Rasim Kiçina dhe shumë e shumë të rinj që e drejtuan dhe udhëhoqën luftën e UCK-së drejt lirisë së vendit.
Nuk është vetëm një betejë e UÇK-së që mban emrin e Shaban Shalës,  Ato janë të shumta, por veçohen beteja e grykës se Llapushnikut, e Bardhit të Madh, e Likocit, e Rezallës dhe shumë e shumë beteja të tjera ku u shqua guximi dhe sakrifica e tij.

ISHTE TEPËR MODEST DHE I PALODHUR!

Askush se ka ndëgjuar Shaban Shalën të thoshte  se u lodha, se bëra mjaft, askush nuk e ka parë të ndalet në rrugën e tij, edhe kur e kishte dhimbjen e madhe se armiku i vrau vëllain e tij, të paharruar Komandant Brigade, Bedri Shalën i cili ra heroikisht bashkë me Bekim Berishën, Elton Zherkën e Përmet Vulën, në njerën nga betejat ballë për perballë me armikun në Junik.
Ai, ishte prej të parëve që publikoi i pamaskuar uniformën e UÇK-së, duke pasur përvojën paraprake, si nënkrytar i KMDLNJ-së; Shaban Shala dha kontributin e tij të jashtëzakonshem në radhët e UÇK-së, për komunikimin me Mediat e huaja dhe mekanizmave Ndërkombëtare, janë të njohura kontakten e tij në emër të UÇK-së me ekipet e gazetarëve të BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj.
Pas çlirimit të vendit Shabani luajti një rol të veçantë për strukturimin e TMK-së dhe më pas të FSK-së, mbajti përgjegjësi të larta komanduese në keto struktura në kuadër të hierarkisë së TMK-së.

Shabani, krahas kësaj, për asnjë moment si harroi ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën, ishte pjesë e shumë përkujtimeve te dëshmorve të kombit, e kishte në rend dite t´i vizitonte vendet e rënies së tyre dhe Familjet e tyre, bashëkndjeu dhimbje për ´ta dhe kujtimet për ´ta dhe familiet e tyre.

“Shaban Shala, do mbetet shembull se si jetohet dhe se si duhet të punohet për Atdheun. »

A.Z

Gjeneral-major Shaban Shala, pos aktivitetit të vet ilegal në LPK e në UÇK, do të  angazhohet edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Drenas dhe në Prishtinë, kur kryetar ishte simboli i Rezistencës sonë kombëtare- Adem Demaqi, ku bëri një punë të  palodhshme duke marrë shënime rreth ngjarjeve, sidomos për dhunën serbe që ushtrohej ndaj shqiptarëve, përcjelljen e informatave, brenda dhe jashtë Kosovës. Ai, si nënkryetar i KMDLNJ-së, ka dhënë informata shumë të rëndësishme në radhët e UÇK-së. Janë të njohura informatat për ngjarjet  që i ka përhapur në mediat kombëtare e ndërkombëtare, në emër të UÇK-së,  sidomos atyre që ua ka dhënë BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj. Shaban Shala, qysh nga orët e para, ka qenë në lidhje me  komandantin legjendar Adem Jashari. Siç më ka rrëfyer miku e bashkëveprimtari im, Elmi Zeka, për ngjarjet në Prekaz e në Drenicë, Shaban Shala, me shokë, do t’i bashkohet me armë komandantit legjendar Adem Jasharit nga 30 dhjetori i vitit 1991, kur Ademi e Hamza e kishin çarë rrethimin e hekurt, rreth orë 14, që u ishte bërë në Kullën e tyre në Prekaz nga Forcat ushtarako-policore të Jugosllavisë në mëngjesin e asaj dite. Elmi Zeka i lamëron në KMDLNJ  e Drenasit, Shaban Shalën, Ramiz Lladrovcin, Jakup Krasniqin, Azem Sylën, gazetarin e “Bujkut” Zeqë Bekollin. Pas çarjes së rrethimit Ademi, Rifati e Hamza, me grupin e vet – me Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Ilaz Kodrën, Zenun Kodra, shkojnë në odën e Gani Kocit, ku ishin edhe afër 50 luftëtarët tjerë të UÇK-së, të vendosur për të luftuar. Atë natë ndejen e bëjnë konakun në shtëpinë e Elmi Zekës, në Abri, të nesërmën shkojnë te Jakup Krasniqi në Negroc, ku ishin të pranishëm edhe Xheladin Gashi, Idriz Hiseni, Ramiz Lladrovci, Gani Syla etj… Azem Syla ka pas shkuar në ”Prishtinë për të lajmëruar shokët.  Pastaj shkojnë në familjen e Shaban Shalës, ku qëndrojnë disa ditë. Disa ditë qëndrojnë në odën e Kamer Racit, në Siçevë.

-Pra, siç dihet edhe historikisht, Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, bashkë me luftëtarët trima, nga 30 dhjetori i këtij viti, do të bëjë një luftë nacional-çlirimtare duke i dhënë armikut goditje të befasueshme. Shaban Shala, do të jetë përherë një bashkëluftëtar i paepur i Adem Jasharit, herën e fundit që kanë pasur kontakt ka qenë 3 marsi i vitit 1998, tre ditë para se të bien heroikisht Ademi, Hamëza, Shabani, bashkë me dajën Osman Geci, me tërë familjen e tyre 22 anëtarëshe, në luftë të pabarabartë e unikate në Botë, në Kullën e tyre Legjendare. Por, Serbia vrastare u mashtrua keç duke menduar se me vrasjen e Adem Jasharit do shuhej edhe rezistenca shqiptare e Kosovës, sepse pas rënies së kësaj familje në altarin e Lirisë, luftës ia mësuan me mijëra vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare e nga mërgata. Kështu, komandanti legjendar UÇK-së e fitoi përjetësinë duke u bërë simbol i luftës për çlirimin e Kosovës.

Shaban Shala ishte ndihmës-komandant për moral në Shtabin e ZOD, ku komandant ishte Sylejman Selimi, pastaj, me formimin e SHP të UÇK-së, kur komandant i kësj Zone emërohet Sami Lushtaku, Shabani do të emërohet përgjegjës i Drejtorisë së Informimit të SHP të UÇK-së. Sylejman Selimi shkon në detyrën e re për Komandant të Përgjithshëm të ShP të UÇK-së. Në komandën e kësaj zone me detyra të larta ushtarake kanë qenë komandantë të dalluar të UÇK-së si: Fehmi Lladrofci, Mujë Krasniqi, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, Rasim Kiçina etj.

Gjeneral-major Shaban Shala ka kontaktuar, në emër te UÇK-së, me ekipet e gazetarve të BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj. Ai, gjithashtu takohet edhe me përfaqësuesit e Bashkësisë ndërkombëtare. Shabani, bashkë me Jakup Krasniqin, Sokol Bashotën, Ramë Bujën dhe me Albin Kurtin, që ishte përkthyes, në fshatin Likovc të Gllogocit, takohen në janar të vitit 1999  me Christopher Hill, Wolfgang Petritsch dhe William Walker.

Ka qenë edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Në fillim të tetorit të vitit 1998 Shaban Shala, si përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së bisedon me Ahmet Qeriqin edhe për mundësinë e një shtypëshkronje, meqë ishin krijuar kushtet për një informator ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.

Roli i tij në UÇK , me pushkë e penë, ka qenë i shumëfishtë…

Pas luftës ka qenë epror i TMK-së, me gradën gjeneral-major dhe vazhdimisht bëri përpjekje për një  ristrukturim dhe sistemim modern të ushtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së.

I madh është numri i shokëve të tij që flasin me një respekt të jashtëzakonshëm për të. Meqë, në vazhdim të këtij përkujtimi, fjala është për veprimtarinë e tij ushtarake, po i veçoj kujtimet e pak bashkëluftëtarëve e vëllezërve të tij që dhanë një ndihmesë të madhe në mobilizimin, armatimin dhe në luftën e UÇK-së.

Bekim V. Shyti, ish nxënës imi, një luftëtar i paepur, një legjendë e gjallë, i cili ishte bashkëluftëtar i Bekim Berishës- “Abejës” dhe i Bedri Shalës, përveç tjerash thotë: ” …Personalisht, Shaban dhe Bedri Shalen i kam takuar për herë të parë në oborrin e shkollës së Likocit ku përshtypja e parë ka qenë ashtu si i kam paramenduar dhe pata krijuar një figurë për ta, të aftë, të qetë dhe plot vullnet për jetë, gjithmonë të gatshëm për liri.

-Po të njëjten ditë kur u takuam në Likoc bashkë me Bedriun kemi vazhduar rrugën për në Shqipëri ku shkonim për ta furnizuar UÇK-në me armë dhe municione.

Kam qenë në kontakt me Bedriun dhe vëllezërit Shala si dhe kam pasur fatin që të luftoj në të njëjtën betejë me Bedriun dhe Bekimin,  pra, në betejen e Junikut, betejë e ashpër, e cila është zhvilluar në afërsi të madhe me pushtuesit serbë, në këtë betejë ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit Bekim Berisha dhe Bedri Shala

Edhe pas rënies së dëshmorëve Bekimit e Bedriut kam qenë në kontatkt me vëllezërit Shala.”

Ajet M. Uka, gjithashtu një luftëtar i paepur dhe një legjendë e gjallë, edhepse në moshtë të thyer, ishte njëri ndër luftëtarët më të besueshëm të Bekim Berishës – “Abejës” dhe i Bedri Shalës. Edhe ky, përveç tjerash, thotë: “ …Bekim Berisha bashkë me dëshmorin Bedri Shala shkuan në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu, krah i fortë i Komandantit, Ramush Haradinajt dhe luftetarëve të Dukagjinit. Këtu,  Bekim Berisha tregoi shkathtësi në pergatitjen ushtarake të ushtarëve të rinj, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit.

Luftëtari i UÇK-se Bekim Berisha, në Betejen e Junikut, më 29 maj 1998, u angazhua në mbrojtje të kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike,  ishte kjo dita e 10 gushtit 1998 kur nga një predhë topi bie Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.”

Nga A Z kam marrë edhe kujtimet që përmendin vëllezerit Shala që nga fillimet e luftës së armatosur. Perveç faktit se ata ishin të lidhur që nga rinia e hershme prej idealit të bashkimit kombetar, apo faktit se ishin lidhur familjarisht, u bashkuan edhe një herë duke luftuar krah per krah në Drenicë e Dukagjin.

“…Ganiu, Elmiu, Bedriu dhe Nuhiu, vëllezërit e Shaban Shalës.

Gani e Nuhi Shala jetojnë në Danimarkë ende bashkë me familjet e tyre.

Elmi Shala ka jetuar në Danimarkë nga viti 1996 deri me 5 mars 1998 dhe ditën që është sulmuar Adem Jashari, Elmiu është nisur me avion nga Kopenhaga për Tiranë ku e ka pritur Ali Ahmeti, dhe pak dite me vonë bashkë me 36 shokë të tjerë, të armatosur e me uniforma, kemi hyrë në Kosovë duke ndaluar në familjen e Adrian Krasniqit në Tropojë.

Komandant i Grupit ka qenë i caktuar Xhelal Hajda Komandant “Toni” dhe si grup mund ti përmendi ca veta sa më kujtohen.

1. Xhelal Hajda Komandant “Toni” dëshmor nga Rahoveci
2. Bedri Shala dëshmor nga Negroci
3. Mehedin Morina deshmor nga Gllareva, Brigada 113 M. Krasniqi
4. Elmi Shala nga Negroci, vellai i Bedriut dhe Shabanit Brigada 113 M. Krasniqi
5. Xhemail Fetahaj dëshmor, ka qen në shoqerim me neve deri në Smolicë të Gjakoves apo Rekes së Keqe dhe më pas ka shkuar për në Pejë
6. Azem Z nga Mojstiri i Istogut, bashkluftëtar i Fehmi Lladrovcit, Shaban Shales dhe Elmi Shales e Rasim Kiqines në Drenicë Brigada 113 Mujë Krasniqi

7. Mus Dervishi nga Kllodornica e Drenicës

8. Hajzer Çitaku nga fshati Çitak i Drenicës

9. Ajet Pojata nga ZOLL qe vinte nga organizimi i LPK-së D.J.V Gjermani.

10. Maliq Ndreca Komandant Mala

11. Ilir Foniqi Drenicë

12. Pjetër Uka nga rrethina e Prizrenit

Të tjeret si kam njohur, kane  qene nga Llapi, Gjilani, Malisheva e Shala e Bajgores e gjithë regjionet e Kosovës. Pas gjith peripecive që kemi bërë nëpër regjionet e Gjakovës dhe Deçanit, më ne fund kemi arritur në Jabllanice të Gjakovës. Aty kemi takuar Hashim Thaqin, me t cilin njihesha prej qershorit teë 1994 kur e kisha ndihmuar të hynte në Zvicr dhe me Kadri Veselin qeë e njihja dhe e kisha  shok nga aktiviteti i LPK dhe më pas jemi ndarë. Une , Elmi Shala, Hajzer Çitaku, Musë Dervishi  Mehdin Morina, kemi shkuar me Hashimin, Kadriun e Rexhep Selimin për Likovc, kurse Bedriu ka mbetur me shokët me te cilet erdhem nga Shqipëria aty në Jabllanicë dhe më pas në Gllogjan. Pas suksesit dhe vendosmerisë që kishte treguar Bedri Shala në beteja, Ramush Haradinaj kishte fituar një besim të madh dhe e kishte ngritur në hierarkinë e lartë te Komandës të ZOD.

Pas Vrasjes së Mehedin Morines nga Gllareva, nipi i Shabanit, Bedriu vjen nga Dukagjini në Drenicë për varrim të tij.

Pas ca ditëve në bisede me Shaban Shalen dhe Fehmi Lladrovcin, Bedri Shala mori përsiper të udhëheqë grupin prej 2000 vetave deri në Glogjan të Deçanit dhe më pas për në Shqiperi për të sjellë armatim për Zonën e Drenicës.

Tani në Likovc kishin arritur grupet e gjithë fshatrave të Drenicës, nga fshatrat e largeta të Shalës së Bajgorës dhe një grup nga Zona e Karadakut që u printe Avdullah Tahiri. Ashtu të mbushur me automjete të mëdha deri afër Jabllanicës së Gjakovës dhe më pas në këmb deri në Glogjan.

Mbas disa ditëve pritje në Glogjan, rreth 48 orë rrugë ne drejtim të Junikut dhe bjeshkëve të Shkelzenit,  nga Valbona kemi arritur në Tropojë të lodhur dhe rraskapitur.

Bedriu s’e ndinte lodhjen kurr, ai pa pushuar, brenda 24 orëve, mori armatim, ngarkoi kuajt, pergatiti e organizoi  mëse 2000 veta të armatosur dhe u nis për në Kosove. Shumë shpejt arriti të kthehej  në Drenicë  me « ushtrine » e tij dhe mëse 100 kuaj të ngarkuar me armatim të rendë dhe të lehte duke kaluar përmes Junikut e Glogjanit.

Pas këtij aksioni, dhe nga aftësia për udhëheqjen e një nisme aq të vështirë, Bedriu u ngarkua të dërgoj në Tropojë dhe nj grup të madh poashtu rreth 1500 vetave.

Keëtë herë Bedriut iu desh t’i ndante grupet sepse luftimet në Dukagjin e kishin vështiresuar lëvizjen me trupa e armatim të shumtë. Për të menjanuar humbjet dhe rreziqet për ushtaret e tij, Bedriu vendosi që grupet me nga 500 ushtarë ishin në gjendje të udhetonin e të mbroheshin në rast pritash nga ushtria serbe.

Mbaj mend që ka qenë fundi i korrikut 1998, jemi nisur nga Shkolla e Tropojës me mbi 300 veta të armatosur dhe mëse 20 kuaj të ngarkuar. Kemi arritur nga Padeshi në kufirin me Kosovën afër pasditës, papritmas kemi renë në pritë të ushtrisë serbe. Kaosit që ndoqi pritën, ku u vranë gati 20 veta, arritëm ti rezistojmë e të shpetojmë duke luftuar në tërheqje duke marrë me vete të gjithë të plagosurit e të vrarët për të mos i lënë në duart serbe. Në Tropojë morem vesh se një grup kishte arritur të ndahej  duke i shpetuar pritës, e te shkonte drejt Junikut e më pas deri në Gllogjan.

Bedri Shalen e kam takuar në Tropojë ku kishte ardhur me 500 veta për të marrë armatim dhe po kontrollonte rrugët që ndiqnim për të gjetur më të sigurtën që të menjanonte humbjet në ushtarë. Bashkë me Bekim Berishen arriten te kalonin kufirin e ti çonin armatimet në Junik. Në atë kohë Shaban Shala arrin të depërtoj në Zonën e Dukagjnit dhe siç më ka thënë më vonë, është marrë vesh me Komandant Ramush Haradinajn që Junikun ta mbajnë me çdo kusht sepse e dinin që me rënjën e Junikut ushtria do mbetej pa armatim, duke qenë se ajo ishte zona me e përshtashme për ta bartur armatimin për Luftën e Kosovës që po bëhej gjithnjë e më madhe.
Bedri Shala kishte me vete reth 400 luftëtarë trima nga Drenica që luftonin krah për krah me te në Junik e që nuk e lanë kurrë vetëm deri sa vdiç nga plagët e rënda që mori. Bashkë me Bekim Berishen kishin vendosur të mos e lëshonin gjallë Junikun sepse ai ishte pika lidhëse për furnizimin me armatim të Dukagjinit e Drenicës. Bedriu dhe Bekimi u vranë njëri pas tjetrit, Bedriu kur sulmoi një tank e Bekimi nga predhat e topave serbe.

Në atë betejë u vrane dhe Elton Zherka dhe Permet Vula, të dy nga qyteti i Gjakovës. Pas këtyre humbjeve ushtria e UÇK-se u tërhoq nga Juniku në drejtim të Shqipërisë.
Pas rënies së Junikut ajo zonë u bë e pakalueshme për Ushtaret e Zonës së Drenicës dhe Zonave përtej Dukagjinit që u detyruan të kalojnë për në Kukës dhe më pas nga Hasi për në Kosovë.

Pas ofensivave të njëpasnjëshme që ndërmori ushtria serbe, Drenica u detyrua në Dhjetor 1998 ti drejtoheshin prapë Shqipërisë për armatim dhe municion, por kësaj radhe me ne krye Mujë Krasniqin, Komandant “Kapuçin” bashkë me një ndër shokët e bashkëluftëtarët me të afërt të tij Elmi Shalen, vëllain e Bedriut. Ai grup ra në pritë ku u vranë shumë ushtarë të UÇK-se, e në mesin e tyre edhe Mujë Krasniqi. Ata që munden ti bëjnë ballë pritës e arritën të kalojnë kufirin për në Shqipëri, u riorganizuan dhe me në krye Elmi Shalen mundën të hyjnë në Kosovë për të vazhduar luftën deri në Çlirimin e plotë të Kosovës në qershor 1999. »

Unë, autori i këtij shkrimi, pata fatin që të njihem me Gjeneral Shaban V. Shalën nga fundi i vitit 1991, herën e fundit u  ndamë me një përqafim të përmallshëm e vëllazëror në Prekaz, në fund të gushtit të vitit 1999, kur u ktheva për Zvicër, me përshëndetjen e fundit :

Mirupafshim në Shqipërinë e Bashkuar!

Gjeneral  Shaban Shalen – heroin tonë të pavdekshëm do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë për veprën patriotike e heroike të tij!
Emri dhe vepra atdhetare e tij, për liri e ribashkim kombëtar, do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe shpirtin e mbarë popullit shqiptar!

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË GJENERAL-MAJOR SHABAN SHALËS!

Ramadan PLLANA – DËSHMI TË KOHËS

Zvicër, më 3 mars 2012

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu