Gjermanët sigurojnë: X u vetëvra

0
357

Agim Zogaj, i koduar si dëshmitari “X”, në rastin kundër Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij të njohur si “Rasti Kleçka” ia ka marrë jetën vetes dhe askush nuk ka ndikuar, qoftë nga Kosova qoftë nga jashtë, në aktin e vetëvrasjes.

Së paku ky është konstatimi i autoriteteve gjermane, që e kanë kryer autopsinë në trupin e viktimës, i cili është gjetur i vdekur në minutat e para të 27 shtatorit të vitit që lamë pas.

Disa muaj pas vdekjes, autoritetet gjermane me kërkesë të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), i cili edhe udhëheq procesin kundër ish-ministrit Fatmir Limaj dhe të tjerëve, raporti i autopsisë tashmë ka arritur në Kosovë. Ky raport do të diskutohet në seancën e 30 janarit kur pritet të rifillojë gjykimi ndaj të akuzuarve për krime luftë në Kleçkë të Lipjanit.

“… ka qenë dëshmitar në një procedurë gjyqësore në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 2011 në kornizën e të ashtuquajturit programi i EULEX-it (program i mbrojtjes së dëshmitarëve), ai së pari është sjellë në Munih dhe pastaj në Duisburg”, thuhet mes tjerash në raportin e autopsisë së autoriteteve gjermane, raport në të cilin ka pasur qasje gazeta “Zëri”.

Më datën 26 nëntor, sipas raportit, ai kishte dalë nga shtëpia rreth orës 18.00 dhe pas një kohe të shkurtër ai kishte telefonuar të vëllanë. Tashmë i ndjeri Zogaj i kishte thënë vëllait se gjendet në një vend të pyllëzuar dhe se me veti kishte një litar që do ta përdorte për të varur veten.

“Më 27.09.2011 në orën 00:05 ai ishte gjetur i varur në një pemë, në një pyll në rajonin 47198 në Duisburg në këndin në mes të Brucher Strasse dhe Ehren Strasse. Gjatë kontrollimit të rrobave të kufomës, ishte gjetur një lloj letre, e fundit e shkruar para vetëvrasjes në gjuhën shqipe”, thuhet më tej në raport.

Autopsia ndaj viktimës ishte kryer dy ditë më pas dhe sipas raportit të përpiluar, nuk ka asnjë indikacion se vdekja është shkaktuar nga ndonjë person tjetër.

“Gjetjet shpijnë pa dyshim tek vetëvrasja”, thuhet më tej në raport, i cili specifikon se nuk është konstatuar asnjë pikë alkool në trupin e viktimës.

Misioni i cili edhe e kishte në program të dëshmitarëve të mbrojtur dëshmitarin X, ishte informuar përmes telefonit nga autoritetet gjermane për rezultatin e hetuesve gjermanë.

EULEX, sipas raportit, është informuar se një hetuese ka kontaktuar vëllanë e viktimës i cili po jetonte në Duisburg, se është takuar me të dhe se e ka marrë telefonin e viktimës për inspektim. Inspektimi i bërë ka treguar se viktima kishte pasur kontakt vetëm më vëllain e tij Myftar Zogajn në Munih.

“Ne supozojmë se nuk ka mundur të tërhiqet këmbëza (në mes të tjerash përmes një telefonate nga Kosova), për ta çuar dëshmitarin drejt vetëvrasjes”, thuhet nga raporti i përpiluar nga kryeinspektori i policisë kriminale në Duisburg.

Se Agim Zogaj ka bërë vetëvrasje dhe se askush nuk ka ndikuar në marrjen e jetës së tij, sipas tij, e tregon edhe hapja e kufomës e cila është bërë në Gjermani përkatësisht në Institutin Forenzik në Duisburg.

“Në anën e pasme të qafës si dhe në pjesët mbështetëse të krahëve dhe këmbëve, shihen qartë shenja të formuara me ngjyrë të kuqe të hapur…”, thuhet në raport në lidhje me autopsinë e viktimës që kishte pasur 62 kilogramë e gjatësi 164 centimetra.

“Hapja e kufomës nuk ka rezultuar në asnjë provë të ndonjë akti dhune të huaj, të jashtme apo mekanike përmes të cilit ndonjë person i tretë ka shkaktuar vdekjen”, thuhet në raport.

Ky raport do të diskutohet në një seancë në mes të janarit që është seancë procedurale kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Për vlefshmërinë e dëshmisë së dëshmitarit X, i cili është vetëvrarë muaj më parë në Gjermani, ndërkaq, do të diskutohet në seancën kryesore e cila është caktuar të mbahet më 30 janar.

Ndryshe, dëshmia e Agim Zogajt është dëshmia kryesore në aktakuzën kundër ish-ushtarëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

 

Shkruan: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu