Gjermania: ‘EULEX-i e ka humbur rrugën’ duhet nje EULEX të ri

0
317

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, ka thënë se misioni evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, është “në rrugë të gabuar” dhe duhet të rishikohet komplet. Ai është ankuar se dështimi i këtij misioni po i ngarkon së tepri forcat e NATO-së në Kosovë.

Berlini është shprehur veçanërisht i brengosur për Kosovë, pasi, me 1,330 trupa në KFOR, është vendi me kontributin më të madh në këtë mision, dhe, së bashku me SHBA-të, Italinë dhe Austrinë, bartë barrën më të madhe të punëve paqeruajtëse në nivel të ulët.

“Gjermania nuk është e kënaqur me këtë situatë”, ka thënë de Maiziere para gazetarëve, raporton Reuters.

“Na duhet një nismë e re, një emër i ri, një strukturë e re, njerëz të rinj dhe mandat të ri. Në çdo rast, [EULEX] është në rrugë të gabuar. Na duhet që këtë ta zgjidhim në nivel të BE-së”, ka theksuar ministri i mbrojtjes së Gjermanisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, ka thënë se, për shkak se serbët e veriut nuk e pranojnë EULEX-in si forcë neutrale, rezervistët e NATO-së, në veçanti ata gjermanë, italianë dhe austriakë, janë detyruar të kryejnë punën që është dashur të kryhet nga Policia e Kosovës dhe nga EULEX-i, gjë që, sipas tij, “nuk është e drejtë”.

“Do të propozojë që ne t’i përmbushim detyrat tona atje nën një ‘grup’ të qëndrueshëm pa njësite të përhershme rezervë”, është shprehur De Maiziere teksa hynte në takimin e së mërkurës me ministrat tjerë të mbrojtjes.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Anders Fogh Rasmussen ka thënë të mërkurën se forcat e NATO-s në Kosovë “kanë bërë punë të mrekullueshme në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë popullatën e Kosovës dhe do të vazhdojnë ta kryejnë mandatin e tyre”. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu