Gjithçka gati, presidentja tashmë e ka zgjidhjen në Xhepë

0
187

atifeti

Tre muaj pas dështimit të liderëve kosovarë për të krijuar institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, ndërkombëtarët sërish janë detyruar të ndërhyjnë.

Me krizën politike në Kosovë tani po merret edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ashtu siç patëm paralajmëruar para dy ditës, presidentja Atifete Jahjaga ka takuar sot ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland.

Nga ky takim besohet se e para e Kosovës ka marrë përfundimisht instruksionet amerikane se si të procedojë pasi të kthehet javën e ardhshme në Prishtinë.

Ndihmëssekretarja Nuland e siguroi presidenten Jahjaga se ajo e ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vazhdimin e një marrëdhënieje të afërt me Kosovën e përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, dialogut me Serbinë dhe të ardhmes euroatlantike, thuhej në komunikatën pas takimit Jahjaga-Nuland.

Departamenti Amerikan i Shtetit tanimë i ka të njohura qëndrimet e dy blloqeve politike në Kosovë, pasi që ndihmëssekretarja Nuland ka qëndruar në Kosovë në muajin korrik ku një muaj pas zgjedhjeve kishte dëshmuar atmosferën e krijuar.

Po ashtu, disa nga liderët e Bllokut pas zgjedhor tanimë kanë takuar ditëve të fundit disa ambasadorë të vendeve të Quintit, ku kanë diskutuar për krizën politike.

Zyrtarë të lartë të subjekteve politike nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për këto zhvillime, por kanë pohuar se tanimë kanë marrë instruksione nga miqtë ndërkombëtarë, që mos të synojnë të ndërmarrin hapa të njëanshëm, pa marrë një përgjigje nga ndërkombëtarët.

Ndërkohë, kryesuesja e seancës konstituive Flora Brovina, ka konfirmuar se këtë javë nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive.

Ajo ka deklaruar se vazhdimi i seancës do të ndodhë në fund të javës së ardhshme, më 2 tetor.

Presidentja Atifete Jahjaga pritet që menjëherë pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të thërras në takime të ndara secilin kryetar të partive parlamentare, për t’ua treguar mesazhin amerikan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu