Gjykata Speciale dëshmoi për pafuqinë e Kadri Veselit si Kryetar i PDK -Së

0
115

Kadri Veseli braktisi qëndrimin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por disa deputetë të Partisë Demokratike nuk ndërruan qëndrimin e tyre për shfuqizimin e Speciales. Kjo shpërfillje e deputetëve ndaj qëndrimit të Veselit, vë në pah për herë të parë pafuqinë e tij në PDK.

Kadri Veseli braktisi në fillim të muajit janar qëndrimin e tij për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Ligji për Gjykatën Speciale, pasi e quajti “naive” iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, për rrëzimin e Gjykatës Speciale kishte dështuar pavarësisht dy tentimeve të deputetëve dhe qëndrimit të unifikuar të liderëve institucionalë të Kosovës, presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një shkrim autorial të publikuar më 8 janar, kryetari i Kuvendit të Kosovës u shpreh se kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e inicuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, ishte joreale dhe me pritje entuziaste për rrëzimin e Gjykatës Speciales. 

Kadri Veseli, në atë shkrim autorial, shprehte qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës kundër rrëzimit të Gjykatës Speciale.

Por, edhe pasi Veseli braktisi qëndrimin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, disa deputetë të Partisë Demokratike nuk ndërruan qëndrimin e tyre për shfuqizimin e Speciales.

Iniciatori i Ligjit për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, disa ditë pas qëndrimit të Veselit kundër rrëzimit të Speciales, tha se kërkesa e 43 deputetëve nënshkrues të iniciativës për rrëzimin e Gjykatës mbetet ende.

“Kërkesa e deputetëve, me 43 nënshkrues, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë, drejtuar Kuvendit të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Prokurorinë e Specializuar”, deklaroi Hasani, disa ditë pas shprehjes së qëndrimit të kreut të PDK-së kundër Ligjit për Shfuqizimin e Speciales.

Përveç Hasanit, edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka shprehur qëndrim pro Ligjit për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale pavarësisht qëndrimit kundër të Kadri Veselit.

Insajderi ka pyetur edhe sot deputeten Musliu rreth qëndrimit të saj për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ajo nuk ka pohuar të jetë tërhequr nga iniciativa e saj për shfuqizimin e Gjykatës. Ka thënë se nuk ka çfarë të shtoi rreth kësaj teme, pasi ende është në procedura në Qeverinë e Kosovës.

“Tanimë kjo çështje është ne procedurë në Qeveri. Deri sa të mbaroj procedurat Qeveria s’kemi çka të shtojmë rreth asaj çështje”, tha Musliu për Insajderin.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, që po ashtu kishte nënshkruar iniciativën kundër Speciales, deklaroi sot për Insajderin se është tërhequr nga kjo iniciativë. Haxhiu tha se “kjo temë ka mbaruar”, pas tërheqjes së tre zyrtarëve të lartë institucional: presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

E kjo shpërfillje e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës ndaj qëndrimit të Veselit, vë në pah për herë të parë pafuqinë e Kadri Veselit brenda partisë së vet, që prej ardhjes së tij në krye të PDK-së.

Veseli nuk arriti të mbajë në një qëndrim deputetët e partisë së tij për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për dallim nga ish-kreu i PDK-së Hashim Thaçi, i cili në vitin 2015 kishte ndikuar me qëndrimin e tij për të votuar Ligjin për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale tek deputetët e partisë së vet, asokohe.

Pas qëndrimit të Kadri Veselit kundër Ligjit për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale, edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj braktisën qëndrimet e tyre për shfuqizimin e kësaj gjykate.

Në një konferencë për media të enjtën, Thaçi deklaroi se ligji që mundëson funksionimin e Gjykatës Speciale ishte i padrejtë, por s’mund të revokohet, pavarësisht përpjekjeve nga deputetet nga koalicioni qeverisës.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi dje se është tërhequr nga iniciativa për rrëzimin e Gjykatës Speciale.

Iniciativa e 22 dhjetorit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte nxitur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve perëndimore. Disa prej tyre e cilësuan si “thikë pas shpine”, por edhe si “natën më të rrezikshme për Kosovën që nga lufta”.

Shtetet e Quint-it i kishin paralajmëruar drejtuesit institucionalë të Kosovës se vendi mund të përballet me pasoja në rast të shfuqizimit të Gjykatës Speciale. /Insajderi.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu