Gratë jashtë garës për Prishtinën

0
96

Njëri prej tyre nuk e di ende shqiptimin e fjalës infrastrukturë, tjetri në fushatë serioze elektorale përshëndet mamin e babin, ndërsa të tjerët përkujdesen të tregojnë se para 15 viteve kanë vozitur një veturë të tipit 101-sh, ndërsa tash vozisin markën më të re të veturave BMW X6.

Të gjithë janë meshkuj, ndërsa vijnë nga partitë që përkrahin qasjen patriarkale në politikë. E një domen i tillë po përcillet edhe sivjet, në fushatën për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Dy partitë kryesore aktuale në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, me gjithë garimin nëpër shumicën e komunave të Kosovës, nuk kanë kandiduar asnjë figurë femër për kryesuese të komunës.

E para ka nisur me Isa Mustafën, Eqrem Kryeziun, Lufti Hazirin e të tjerë, ndërsa e dyta sivjet synon kryeqytetin me Agim Çekun, më pas Qemajl Mustafën e Ramadan Mujën, konkurrentë në komunat tjera.

Të dyja partitë brenda tyre kanë të përfshirë edhe Forumet e Gruas, të cilat shpesh janë ankuar për përmirësimin e pozitës së gruas në vendimmarrje, në qeverisje lokale si dhe në procesin e emancipimit të gruas në jetën shoqërore në Kosovë.

Disa prej vetë grave të përfshira në politikë thonë se kjo gjini e ka sfidë marrjen e timonit të një komune, ndërsa të tjerat thonë se shpesh janë vetë gratë që margjinalizojnë vetveten dhe nuk janë të gatshme për t’iu futur një gare të tillë mes meshkujsh.

Diskriminimi në baza gjinore ndodh prej “të mëdhenjve”

Kaqusha Jashari, kandidate për kryetare të Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, thotë për “Zërin” se si shoqëri kemi probleme në zbatimin e ligjeve në të gjitha lëmitë, sado që në legjislacionin për barazi gjinore dhe mekanizmat për plotësimin e tyre ne kemi plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas saj, fakti se dy partitë më të mëdha në vend nuk kanë kandiduar as edhe një femër për kryetare të komunës, tregon ngecje në emancipimin e gruas.

“Shikoni spotet publicitare të kandidatëve për kryetarë me liderët e tyre, PDK dhe LDK, nuk është as edhe një femër! A është kjo shoqëri demokrate? Nuk është e vërtetë se ne nuk kemi femra të fuqishme dhe të guximshme, por diskriminimet ekzistojnë në Kosovë e sidomos në lidhje me gratë”, thotë Jashari.

Ajo e ndien veten si përfaqësuese të femrave, me ç’rast edhe do të luftojë ndaj gjinisë tjetër. “Partia ime e cila është e profilizuar, lufton për pushtet, por jo për ta sunduar qytetarin por për të marrë përgjegjësi ndaj tij”, thotë Jashari.

Raporti i fundit i Bashkimit Ndërparlamentar, një organizatë që bashkëpunon me OKB-në dhe e ka qendrën në Gjenevë, thotë se numri i grave të zgjedhura në parlament nëpër botë vitin e kaluar nuk pasqyron ndryshimet dramatike politike në shumë pjesë të botës.

Në raport thuhet se mjeti më efektiv për përfshirje më të madhe të grave në politikë aktualisht janë kuotat, një numër i caktuar paraprakisht për pjesëmarrje në jetën politike të grave. Megjithatë, sivjet, dy partitë kryesore kanë zgjedhur figurën e burrit për figurë kryesore drejt qeverisjes lokale, duke neglizhuar gjininë femërore.

Fidan Kalaja nga lëvizja FOL thotë se një realitet i tillë derivon prej faktit se mendësia e garimit në Kosovë nga ana e partive nuk rregullohet me ligj, edhe pse ligji parasheh barazi gjinore edhe në rastin e kandidimit për kryetar komune.

“Gara politike do të duhej të operonte dhe të rregullohet me zhvillim të brendshëm e demokratik e të cilin e përcjellë demokracia, aty ku vlerat, angazhimi dhe parimet janë kritere për të prezantuar kandidatë për të garuar në zgjedhje” thotë Kalaja.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, pesë parti politike kanë propozuar gjashtë gra të kandidojnë për pozitën e kryetares së komunës; megjithatë, asnjë nga gratë që kanë kandiduar nuk ka fituar, thotë një raport i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, hartuar në korrik të vitit 2010-të.

Sipas këtij raporti, vërehet një rritje e përfaqësimit të grave në asambletë komunale në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku tani 33.9 për qind të të zgjedhurve janë gra.

Gratë, mungesë lidershipi dhe jo të gatshme

Sipas statistikave, nga 288 anëtarë të Kuvendeve Komunale Zgjedhore, 253 janë meshkuj ndërkaq 27 janë femra, që në llogaritje të thjeshtë përbën vetëm 10% të KZZ-ve. Kjo nënkupton që janë pikërisht gratë ato që përfshihen shumë pak në vëzhgimin e procesit zgjedhor që ndodh në Kosovë.

Deputetja Alma Lama thotë se një mungesë e tillë e kandidimit të femrave për kryetare të komunave nga ana e PDK-së dhe LDK-së nënkupton diskriminim por edhe mungesë të lidershipit nga gratë.

“Kjo do të thotë se ne duhet të punojmë shumë më shumë për të krijuar një atmosferë më pozitive dhe të favorshme për kandidimin e grave. Edhe pse ato e kanë ngritur zërin në forumet e partive të tyre, rezultati nuk duhet i kënaqshëm” thotë Lama, duke shtuar se nuk duhet të harrojmë se këtë herë po kandidojnë më shumë gra për kryetare se ndonjëherë më parë, me gjithë numrin e vogël.

Partitë tjera politike megjithatë nuk e kanë zgjedhur rrugën e njëjtë me atë të LDK-së e PDK-së. Mimoza Kusari Lila ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Tregtisë e Industrisë për të provuar fatin për së dyti në komunën e Gjakovës, Donika Kadaj Bujupi sivjet është kandiduar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në komunën e Istogut, ndërsa kandidate femra janë duke provuar qeverisjen në komunën e Skenderajt dhe të Gjilanit.

Lirie Kajtazi, kryetare e Forumit të Gruas brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se këtë vit nuk ka pasur gatishmëri nga ana e grave për të kandiduar për kryetar komune.

“Edhe pse ka pasur propozime në Kryesinë Qendrore kjo gjë nuk ka ndodhur. Janë pesë bartëse të listave nëpër komuna të ndryshme, gjë që është një respekt ndaj gruas”, thotë Kajtazi. Sipas saj, kjo rënie e fuqisë së gruas brenda LDK-së do të rregullohet në të ardhmen, me ç’rast edhe femra do të kandidojnë për kryetare komune nga radhët e kësaj partie.

“Do të punojmë më herët në këtë drejtim që të kemi edhe kryetare të cilat udhëheqin degën, sepse nëse ato sot udhëheqin degën më pas do të jenë shumë të favorizuara që të ndeshen me politika lokale edhe në qeverisje edhe për ta marrë komunën”, thotë Kajtazi për “Zëri”.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ekziston edhe Ligji për Barazi Gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Blerta Deliu – Kodra, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se kjo parti zhvillon gjithmonë një garë të fuqishme dhe mbetet sfidë për femrat të marrin timonin e udhëheqëses, megjithëse kjo gjini drejton dy degë të kësaj partie.

“Unë mendoj që ka shumë femra të zonja brenda PDK-së që kanë mundur të jenë kandidate potenciale për komuna. Por subjekti shumë i madh dhe liderët në fakt shumë të fuqishëm politikisht kanë bërë që kjo të jetë e vështirë për femrat. Ka qenë çështje e konkurrencës sepse subjekti shumë i madh dhe të gjithë ata pjesëtarët meshkuj kanë një të kaluar, një bagazh si politik ashtu edhe kombëtar. Brenda Kryesisë ka me u ristrukturuar gruaja, e kjo lë hapësirë që në zgjedhjet e ardhshme ndoshta me qenë ndonjë kandidate e mirë sepse edhe unë mendoj që nuk po duket mirë gara pa 50 përqindëshin e popullsisë”, vazhdon Deliu-Kodra.

 

Nga, Arbër Selmani & Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu