Greva midis luftëtarëve‏

0
148

110 veta. 23 ditë. Deri më sot. Kjo nuk është grevë e zakonshme. Nuk është sikurse grevat e tjera të pasluftës. Këta l kanë hyrë në javën e katërt të qëndrimit të tyre në tenda para ndërtesës së qeverisë së Kosovës. Nuk arrijnë të mbrohen nga dielli përvëlues që shkakton zagushi të padurueshme brenda çadrave dhe as nga rrebeshi i shiut që u hyn çadrave nga poshtë. Ato çadra shënjojnë hapësirën e grevistëve pa i strehuar ata.


Nuk janë grevistët ata që po strehohen në çadra por qeveritarët pak metra më tej që strehohen prapa xhamave të errët të rrokaqiellit tekanjoz të qeverisë që grevistëve u rri karshi. Çadrat e fushimit të grevistëve janë fare të ulëta dhe të paqëndrueshme. Ndërtesa e qeveritarëve është shumë e lartë dhe solide. Kontrasti fizik i këtyre dy ngrehinave vazhdon edhe me njerëzit brenda tyre. Në grevë kemi luftëtarë të varfër e me shkallë të ndryshme të invaliditetit, të veshur me rroba të grisura e me mbathje prej këpucësh të vjetra. Ata tanimë janë në rrugë dhe me këtë grevë vetëm sa kanë ndërruar vendqëndrimin. Ata ecin me vështirësi, lëkurën e kanë të regjur nga dielli e era, fytyrën përplot rrudha në shpërputhje me moshën kurse duart me vështirësi i bëjnë grusht meqë u janë plasaritur nga punët e rënda fizike. Lart në qeveri vrapojnë poshtë e lart zyrtarë të pispillosur me kostume të lëmueshme që ndoshta kushtojnë më shtrenjtë se rrogat e tyre. Ata nuk i heqin nga dora celularët e shtrenjtë dhe buzëqeshjen plastike thuajse janë duke xhiruar një reklamë që s’përfundon kurrë sepse ajo është vetë jeta e tyre. Ashtu me të rrallë teksa ua hedhin shikimin luftëtarëve grevistë atë rregullisht e shoqërojnë me tundje koke dhe me komentin kujdestar se kjo pamje atje poshtë gjithsesi e dëmton imazhin e Kosovës.

E, atje poshtë grevistët po kërkojnë miratimin e ligjit për veteranët e UÇK-së dhe përfshirjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe rolit historik të UÇK-së në Kushtetutë. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe elementare. Në njërën anë, ato kanë të bëjnë me mbrojtjen sociale të kësaj kategorie shoqërore që aq shumë kontribuoi për Kosovën, ndërkaq, në anën tjetër, kanë të bëjnë me dinjitetin kombëtar të të gjithë neve. Mirëpo, nga qeveria e Kosovës luftëtarët e UÇK-së po konsiderohen më shumë si pjesë e problemit në Kosovë e fare pak si ata që sakrifikuan për zgjidhje. Ligji për veteranët mbahet i mbyllur në sirtarët e qeverisë dhe nuk lejohet të zbresë në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë. Thuhet se nuk ka mjaft para për veteranët ndërkohë që luksi enorm i qeveritarëve e flet të kundërtën. Pagesat për rrogat e qeveritarëve, qiratë e objekteve qeveritare, shpenzimet e tyre për udhëtime e telekomunikim, si dhe blerja e veturave të shtrenjta e kapërcejnë shumëfish edhe buxhetin që i është ndarë bujqësisë se lëre më koston e këtij ligji. Thuhet edhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është kundër këtij ligji andaj qeveria s’mund ta sjell atë në Kuvend mirëpo si bëhet që po kjo qeveri e Kosovës mu për këtë ligj dëshiron ta respektojë FMN-në ndërkohë që ditë më parë e prishi marrëveshjen me të?! Për më tepër, duket që pikërisht qeverisë nuk i leverdis t’i spastrojë listat e veteranëve prej ‘luftëtarëve të pasluftës’ (ashtu siç paska kërkuar FMN-ja) sepse jo pak prej tyre janë shpërblyer me histori të rrejshme për dëgjueshmëri partiake ose janë edhe miq të afërt të qeverisë. Sido që të jetë, është e qartë që me rastin e kësaj greve po përballen të drejtat themelore të luftëtarëve me interesat e ngushta të qeveritarëve. Edhe kur ndonjëri prej qeveritarëve ndjehet më pak i bezdisur me këtë grevë, gjithnjë bëhet fjalë për pajtim të pjesërishëm të tyre. Si zakonisht, ata i pranojnë qëllimet por jo edhe mjetet e grevistëve, gjersa vetë ata qeveritarë nuk e pranojnë që para kësaj greve patën harruar krejtësisht se ekzistojnë këta luftëtarë.

Qeveritarët nuk i vizitojnë grevistët por vetëm sa iu drejtohen atyre përmes mjeteve të informimit duke iu dhënë premtime se ligji do të miratohet pas disa muajve dhe duke kërkuar që ata ta ndërprejnë grevën. Këta qeveritarë shtiren a thua se bëhet fjalë për pushtetarë që u dashka të vlerësohen për premtimet e tyre më të reja e jo për mospërmbushjen e aq shumë premtimeve të vjetra.

Luftëtarëve grevistë rastis t’iu kërkohet të dalin nga greva edhe prej ish bashkëluftëtarëve të tyre që tash janë deputetë të regjimit. Me trysninë e tyre ata vetëm sa e dëshmojnë se ekzistojnë dy lloje luftëtarësh: aso që pas luftës u bënë qytetarë të zakonshëm sikurse të tjerët në Kosovën e pllakosur nga stagnimi ekonomik e mjerimi social; dhe, aso që u bënë biznesmenë ose agjentë për t’i rrjepur a përgjuar qytetarët e tjerë në Kosovën e privilegjeve dhe pasurimit kriminal.

Ky lloji i dytë i luftëtarëve është në pakicë por ai ka uzurpuar pozitat e rëndësishme në institucionet e sistemit. Ata përpos që kanë braktisur kauzën kombëtare, edhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë e kanë deformuar në bollëk të paligjshëm për veten e tyre. Janë po këta të njëjtit që bënë që institucionet e Kosovës së pavarur të mos e njohin UÇK-në duke mos e përmendur atë as në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e Republikës. Janë po të njëjtit që posteriori aspirojnë ta transformojnë UÇK-në, luftën dhe misionin e saj, në përputhje me nevojat ditore të pushtetit të tyre.

Përderisa për qytetarët liria është pushteti i tyre për këta qeveritarë veçse pushteti është liria e tyre. Njëmend qytetarët nuk kanë pushtet kur mbesin pa liri mirëpo edhe këta qeveritarë njëherë kur do të mbeten pa pushtet shpejt do të mbesin edhe pa liri.

Prishtinë, 14 qershor 2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu