Hasan Luçi: Ahmet Zogut i gatuante agjenti ynë i sigurimit

0
327

Hasan Luçi mbërrin në një etapë të re të dëshmisë së tij disa ditore, dhënë ekskluzivisht për “Gazetën Shqiptare”. Pikërisht shefi i sigurimit komunist në Francë, sjell për publikun detaje interesante që kanë të bëjnë me funksionimin e rrjetit agjenturor komunist, që ai vetë projektoi në vendin ku ushtroi funksionet zbuluese.
Konkretisht, për herë të parë ai tregon emra të veçantë, të cilët kanë bashkëpunuar me përkushtim në çështjen që Tirana zyrtare i kishte ngarkuar Hasan Luçit. Këta emra ishin njerëzit më të afërt të Ahmet dhe Leka Zogut, madje edhe oborrtarë të tij. Konkretisht, ai flet për Kryetarin e Partisë së Legalitetit të Belgjikës, ashtu siç flet për kuzhinierin apo bodigardin e vetë Mbretit Leka. E ndërsa tregon emrat dhe mënyrat e rekrutimit të tyre, Hasan Luçi rrëfen për opinionin se sigurimi komunist i ka menaxhuar këta njerëz deri dhe në varrimin e Mbretit Ahmet Zog, ku kanë mbajtur fjalime duke përdorur qepë djegëse në sy për të shkaktuar lotim të sforcuar.
Gjithsesi, lexuesi i Gazetës, do të mësojë më tepër në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Luçi, ku në numrin e sotëm ai flet pikërisht për ish-bashkëpunëtorin e tij Andon Konomin, i cili ishte Kryetar i Degës së Legalitetit të Belgjikës dhe ministër i Oborrit Mbretëror.

(Vijon nga numri i kaluar)

Për të kaluar në këtë intervistë të shtatë tuajën zoti Luçi, do të doja të kujtonim fare pak episodet e luftës së dyanshme që juve, sigurimi komunist, që paraqiteshit me detyrat diplomatike të ambasadës, zhvillonit me emigracionin politik në mërgim, që ju e quanit “emigracioni reaksionar”. Më identifikon dot nga kush përfaqësoheshin ata që ju i konsideronit më aktivët kundër jush?
Së pari, jam i detyruar t’jua përsëris për të disatën herë të kësaj interviste disaditore, se ne përfaqësonim rrjetin agjenturor që kishim ndërtuar dhe e sofistikonim përditë në emigracion, vetëm për të siguruar mbrojtjen tonë. Nuk kishim dhe s’kemi tentuar asnjë herë të bëjmë qoftë edhe incidentin më të vogël ndaj tyre. Ne rekrutonim njerëz, vetëm për të mësuar se çfarë kurdisnin të tjerët ndaj nesh dhe jo të sulmonim apo të sabotonim ata. Ishte detyrë e tyre, ajo që merrnin çdo ditë vendime për të na hedhur bomba apo të na shanin në rrugë, ashtu si arrinin të ngacmonin dhe familjarët tanë, madje duke u rrëmbyer edhe grave tona çantat e dorës. Ishin të jashtëzakonshëm. Unë po të them se në radhët e tyre ka pasur kriminelë të lindur. Nuk e di si mund t’jua vije emrin, por ne kishim kokëçarje të madhe nga ata.
Mund t’i kujtosh sot?
Të thashë se jo, të gjithë kanë qenë të tillë. Në radhët e tyre kishte intelektualë, sepse kishin qenë kuadro të lartë në kohë të luftës. Por unë them se kishte njerëz që nuk jetonin dot pa skandale. Ata e kanë diskredituar Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, më shumë se armiqtë më të mëdhenj të këtij vendi.
Kush ishin këta grupe që ju përmendni?
Këta ishin kryesisht Legalistët e Leka Zogut.
Doja të dija kush ishin ekzemplarët që ju krijonin kokëçarje, se ishin aktivë ndaj jush?
Do të kujtoj për shembull familjen më aktive, që ishte familja e Nezir Spahisë, i cili së bashku me djalin e tij, Ylli Spahinë ishin të kudondodhur. Këtu ka një të veçantë, se vëllai i tyre, Pëllumb Spahia dhe motra e tyre, nuk ishin aspak dakord me veprimet e Nezirit dhe të Yllit. Të tjerë kanë qenë Ramadan e Mitat Tota nga Kukësi. Madje më kujtohet se u informuam se Mitat Tota edhe u aksidentua, duke bërë prova me parashutë. Ka qenë pastaj Sabaudin Haznedari, i cili bashkëpunonte me ta që nga Italia. Kujtoj se Haznedari është personi që ka ardhur me bandën e Xhevdet Mustafës, që u vra në Rrogozhinë. Po kështu, shumë aktiv në veprime agresive ishte Pjetër Gjon Markaj, i cili mburrej vazhdimisht se kishte vrarë Cucat e Maleve. Po ashtu ka qenë Gjon Gjini etj.
Këta kishin takim, ku mblidheshin dhe inkurajonin njëri-tjetrin?
Kjo ka një detaj të veçantë, se të gjithë rrinin në një vend. Kur them të gjithë, kam parasysh se ishin edhe ata reaksionarët, pra të arratisurit, edhe kosovarët që quheshin komunistët. Të gjithë mblidheshin në kafet e parkut që quhej “Luksemburg”.
Në një kafe rrinin të dy krahët politikë?
Ka qenë një vend në krahë të parkut që ishte si qafë. Aty ishin dy kafe përballë njëra – tjetrës. Në njërën rrinin të arratisurit, ndërsa në tjetrën rrinin kosovarët. Prandaj edhe i thonin kafe e ballistëve dhe kafe e komunistëve.
Dhe të arratisurit thatë se drejtoheshin nga Leka Zogu?
Të gjitha veprimet e tyre që ndërmerreshin në Shqipëri e kishin origjinën te familja mbretërore. Ata të gjithë ishin rreth Leka Zogut. Por ne nuk na shqetësonin shumë ato çka bënin ndaj nesh në Paris apo gjetkë, që nuk na linin një ditë rehat, por na shqetësonin që përgatisnin grupe dhe i hidhnin për terror në Shqipëri. Këtu, po diku binin në prita e diku vrisnin e prisnin njerëz të thjeshtë, ashtu siç edhe hidhnin në erë uzina e fabrika që ndërtoheshin me gjak nga ky popull i shumëvuajtur. Pra, neve me rrjetin agjenturor do të mbronim me patjetër vendin tonë. Nuk mund të linim Lekën të na vriste se s’e kishte qejf pushtetin. Prandaj edhe ndaj nesh u mblodhën shumë bashkëpunëtorë, që punonin pa u kursyer për të dhënë informacione nga rrethi ku vegjetonin. Ata na akuzojnë ne si terroristë dhe vrasës, por unë po të them se po të ishim të tillë, shumë prej tyre e kishin bërë hak me kohë.
Leka Zogun e arrinit dot?
Mos kujton ti se ne Leka Zogun nuk e kishim në dorë? I futeshim deri në tavolinën e ngrënies. Por asnjë e keqe s’i ka ardhur nga ne, megjithëse kemi pasur një rrjet nga më të sofistikuarit në botë, aq sa kemi lozur edhe me CIA-n amerikane dhe zbulimin anglez, se ti duhet t’i kesh parasysh radiolojat “Liqeni i Vajkalit” dhe “Bredhi i Gjelbër”. Po duhet të të kujtohet se vetë Toni Bler ka pranuar dështimin e sigurimit të vendit të vet ndaj atij të Enver Hoxhës.
Pra, je duke thënë se e keni pasur në dorë jetën e Leka Zogut?
Ku e diskutonim ne Leka Zogun, në qoftë se do të donim ta eliminonim. Jo vetëm atë, por këdo. Nuk e kemi bërë, se nuk ka qenë platforma e detyrës sonë në Paris ky veprim. Ne, përveç të tjerash, i kemi pas rekrutuar atij të gjithë personelin e shërbimit në shtëpi.
Thatë dje, se kuadrin kryesor të partisë së Mbretit, Andon Konomin e keni pas rekrutuar. Tani thoni se keni pas rekrutuar edhe të tjerë. Mund ta di?
Meqenëse të thashë për familjen e Leka Zogut, po të them se vetë kuzhinieri i Zogut ka qenë bashkëpunëtori ynë. Por unë po të them akoma, se unë personalisht kam rekrutuar dhe vetë bodigardin e Lekës, i cili ka qenë pranë tij qysh kur lindi dhe deri sa Leka erdhi në Shqipëri. Me këto fakte që po të them unë, si mendon ti, se nuk e kemi pasur në dorë ta bënim në qoftë se donim të ishim terroristë?!
Nga takimet që kam pasur këto ditë me krerët e Legalitetit, të cilët kanë qenë njerëzit më të afërt të Mbretit Leka, më janë shprehur se të gjithë bashkëpunëtorët tuaj kanë qenë identifikuar nga Mbreti që ju informonin juve, por nuk i kanë ngacmuar, por iu kanë dhënë informacione të kundërta.
E kam dëgjuar shpesh këtë bllof të tyre, por unë do të thoja se është qesharak. Nuk e di nëse mund ta besoj kush, se unë në rast se e di që njeriu që punon në shtëpi është njeri i sigurimit dhe ndërkohë e lejoj të më shërbejë, madje të më hartojë dhe të më mbajë djalin. Këto janë blofe. Është mirë të mos i përmendin këto lloj aludimesh, se nuk është mirë për ta.
Thatë se paskan rekrutuar kuzhinierin e Ahmet Zogut?
Po ore. Vetë kuzhinierin që u gatuante ushqimin.
Kush ishte ky?
Ai quhej Zenel Çami. Ka qenë nga Filati i Çamërisë. Ai kishte ardhur në Gjirokastër që para luftës. Kishte qenë mik i afërt i babait të Enver Hoxhës. Gjatë kohës së luftës kishte bashkëpunuar me komunistët gjirokastritë, si me Muzo Asqerin, me Fato Berberin etj.
Me çfarë pseudonimi funksiononte si agjent?
Ai quhej “SYRI”. Kjo kishte të bënte me filozofinë, se ai ishte syri ynë në familjen mbretërore, pra të Leka Zogut.
Po si arriti të shkonte deri te Zogu një njeri i kësaj prerjeje politike?
Në kohën e luftës atij i kishte ndodhur një incident, që desh i kishte marrë jetën. Ishte ngatërruar me një spiun dhe iu bë një atentat nga Legalistët komunistë të Gjirokastrës. E kanë plagosur në bark. Fati i tij që mbeti i plagosur. Pas kësaj, italianët kur panë se ishte plagosur nga guerilasit, e konsideruan njeri të tyre dhe morën dhe i dhanë ndihmën e menjëhershme. Pastaj e çuan në Itali, ku e shëruan plotësisht. Që atëherë nuk erdhi më në Shqipëri, por rasti e çoi të përfundonte në Paris. Fakti se ishte plagosur gjatë luftës nga Guerilasit partizanë të Gjirokastrës kishte marrë dhenë në radhët e emigrantëve politikë, të cilët e vlerësonin. Kjo bëri që një ditë prej ditësh, duke influencuar shumë dhe rrethet shoqërore dhe momentet e rastësisë, ai të fillonte punë në oborrin e mbretit, madje direkt në pozicionin më të besuar të tij, siç ishte ai i kuzhinierit. Tani ky Zenel Çami ishte bashkëpunëtori ynë i drejtpërdrejtë dhe ai i merrte urdhrat nga unë, ndërsa Legalistët thonë se ata e dinin që ishte me komunistët e Enver Hoxhës dhe e linin. Po ç’thua ore. Kush të falte.
Ju nuk besoni në asnjë përqindje, se ata mund të kenë pasur dijeni?
Nuk ndodhte kurrë të kishin dijeni. Madje po të them se po të kishin pak dyshim, jo vetëm e kishin vrarë, por e kishin therur.
Për kuzhinierin Zenel Çami mendon se nuk kishin asnjë dyshim?
Absolutisht aspak. Madje Leka Zogu e dëgjonte shumë si njeri besnik. Në këtë mënyrë ne i sugjeronim çfarë t’i thoshte në formë sugjerimi Lekës dhe ai i përcillte. E kishim vënë re që ishte i dëgjuar. Madje në këtë fakt do të të tregoj edhe një moment interesant, kur Leka Zogu ka pyetur për mua se ka dashur të merrte ndaj meje.
Ka pyetur për juve?
Po. Ka qenë një bisedë që ka hapur me të Leka Zogu, ku e ka pyetur për mua.
Si i ka thënë?
I kishte thënë: Kam dëgjuar se ky Hasan Luçi i ambasadës është shumë aktiv këtu. E ke konstatuar ti këtë fakt?
Ai ia kishte kthyer: Edhe unë e kam dëgjuar këtë gjë nga Neziri, (këtu e kishte fjalën për Nezir Spahinë), por s’bën dot gjë me të lartmadhnia, se ai është diplomat.
E si kishte reaguar?
Ai ishte inatosur dukshëm, por pa e shprehur. Kish atë natyrën e tij, që kapërdinte inatin. Siç dukej, ka pasur në mendje të bënte ndonjë veprim, por fakti që Zeneli i kishte kujtuar se isha diplomat, i kishte rrëzuar të gjitha idetë. Kështu që kishte shfryrë me brengë dhe inat…Prandaj të thashë që Zenel Çamin e kishin të besuar dhe ia dëgjonin sugjerimet dhe këto ne i kuptonim. Atij as i shkonte mendja që Zeneli do të vinte te unë, një orë më mbrapa se të bëhej ajo bisedë.
Pra, ju keni qenë në shënjestër?
Patjetër. Unë mendoja që në çdo çast edhe mund të vdisja. E kisha qefinin mbi kokë. Atje përdoreshin edhe njerëz që kishin bërë shumë krime dhe s’e kishin për gjë t’i ndërseje kur të doje. Se ata që ishin intelektualë nuk binin kollaj në këto ujëra, se udhëhiqeshin nga arsyeja. Prandaj edhe agjenturat dhe Leka Zogu dërgonte në Shqipëri grupe diversioniste të përbërë nga njerëz që e ndanin kollaj mendjen.
Kam parasysh që Andon Konomin e konsideronit bashkëpunëtor të leverdishëm për fakt të lidhjeve të shumta që kishte. Po ky Zenel Çami, veç familjes mbretë-rore a kishte rreth të njohurish në radhët e legalitetit, të cilët ishin objekt i vëzhgimit tuaj?
Ky kishte miqësi kryesisht me besnikët dhe miqtë më të afërt të Zogut, të cilët detyrimisht ishin në eficencën e mbikëqyrjes sonë. Kështu ai kishte miqësi me familjen Spahiu, e cila siç të thashë ishte shumë aktive kundër nesh. Por duke qenë i moshuar dhe i brendshëm i familjes së Mbretit, ai ishte në epiqendër të të gjithë legalistëve.
Dhe ju mbanit kontakt të rregullt me të?
Pothuajse një herë në dy tre ditë unë e takoja në mënyrën më ilegale.
Ku e takonit?
E takoja në shtëpinë e vet. Unë gjithnjë i shkoja pas mesnate, se nuk duhej ta pikaste njeri që takohej me mua. Në rast se e mësonte kush se ai më takonte, atëherë po të them se vdekjen e kishte të padiskutueshme, për faktin se e dinin shumë mirë që unë bëja punën e sigurimit aty. Por nga ana tjetër nuk doja që edhe shteti francez të kishte fakte të më akuzonte për veprimtari spiunazhi dhe të më dërgonte Pullë Postare në Shqipëri.
Pra, ju i shkonit në shtëpi?
Po, po, në shtëpinë e tij. Madje një herë ka pasur një moment kritik, ku ndërsa unë isha në shtëpinë e tij, desh më kapën legalistët Nezir Spahia me të birin Yllin, që i shkuan për vizitë.
Si ndodhi?
Zeneli ishte sëmurë. Kishte dy-tre ditë shtrirë. Nuk mbaj mend, por duhet të ketë qenë me grip. Unë kur pashë një orë të përshtatshme të orëve shumë të vona, shkova në shtëpi me komposto ta vizitoja. Kishte kaluar rreth 20 minuta që kur kisha shkuar unë, ku ndërsa bisedonim për punët tona të sigurimit dhe mbi informacionet që ai duhej të më siguronte, dëgjojmë të trokitur në derë. Nga zëri kuptuam që ishte Neziri. Ta shpjegova që Neziri dhe i biri i tij Ylli, ishin nga më ekstremistët dhe më të vendosurit për të vepruar kundër nesh.
E çfarë bëtë pas kësaj?
U kujtuam se Zeneli kishte një dhomë apo kthinë të vogël gjumi, sepse ishte shtrirë në sallon. Kështu që mora çelësin dhe u futa menjëherë në dhomën e tij të gjumit dhe e mbylla nga brenda. Pas kësaj, Zeneli hapi dalëngadalë derën dhe në dhomë hynë siç të thashë Nezir dhe Ylli Spahia. Ata e dinin se ishin te njeriu i besuar dhe konfidencial i Zogut, sepse nuk mund të konsiderohej ndryshe kuzhinieri personal i tij. Unë ndenja në dhomë dhe dëgjoja muhabetet e tyre, që ndenjën 40-50 minuta, pastaj si u larguan, ika edhe unë me urgjencë.
Thatë se Zenel Çami, edhe pse ishte kuzhinier i Zogut, kishte një kthinë ku flinte. Pse, nuk e kishte gjendjen e mirë?
Të gjithë emigrantët shqiptarë ishin në gjendje mizerabël nga ana ekonomike. Vetëm vonë, kur u bënë fëmijët e tyre, disa familje të pakta mundën të përmirësohen disi, ndërsa ata e kishin mendjen te politika dhe nuk shikonin të ndryshonin. Hanin nga një vezë të skuqur në vakt dhe e shtynin kohën kot fare. Unë i kam parë shumë mirë, se kam qenë i njohur nga afër me ta dhe më të shumtëve u dija edhe banesat ku rrinin.
Si e rekrutuat Zenel Çamin, të cilin e koduat “SYRI”?
Për të kisha të dhëna për aktivitetin e tij gjatë luftës. Kur ishte sulmuar posta e policisë fashiste në Kuç më 10 nëntor të vitit 1942, Zeneli kishte qenë Komandant i Xhandarmërisë, i cili kishte në organikë më se 60 -70 xhandarë. Kur u bë sulmi, ky meqenëse ishte mik kuçiot, nuk veproi, por qëndroi neutral. Kështu, drejtuesit politikë Mustafa Matohiti e Memo Meto i lanë të lirë xhandarët të iknin. Madje as i çarmatosën. Ata ikën në Himarë. Pra, këtë fakt unë e dija mirë, ashtu siç dija mirë pjesën e biografisë tjetër që të përshkrova në fillim të kësaj interviste. Kështu vendosa ta takoja.
Zoti Luçi. Deri tani më keni folur shumë konkretisht. Këtu flitet për njerëz dhe vende konkrete. Unë doja të dija se ku saktësisht e takuat për herë të parë?
Ai banonte në një konvikt rreth 50 kilometra larg Parisit. Meqenëse kërkon saktësi më të madhe, ju them se shtëpia e tij binte tamam aty ku është nënshkruar armëpushimi me gjermanët në Luftën e parë Botërore. Pra, ku ka qenë ai vagoni i famshëm që ka pas irrituar tërë jetën Hitlerin, që e konsideroi nënshtrim të Gjermanisë.
Ju kuptova. Si e takuat?
Një të diel, në orët shumë të vona të natës shkova drejt e në shtëpi të tij. I kam trokitur në derë dhe i thashë që nga jashtë se kush isha. Ai hapi derën dhe më ftoi brenda. Ishte shumë thjesht. Jetonte me vështirësi, në një jetë që nuk ia vlente ta admiroje.
Ju pyeti pse shkuat?
Ajo merrej me mend menjëherë. Unë i tregova se isha nga Kuçi, ku ai kishte qenë mik dhe na dinte për nder që nuk e prekëm kur sulmuam xhandarmërinë etj.
Pati hezitim për të bashkëpunuar?
Si e sqarova, nuk më lodhi fare. Më tha se nuk do të më mungonte ndihma e tij, po të ishte fjala për atdheun.
Nuk kuptoj fare zoti Luçi. Po a ishte te mbreti ai?
Ai ishte aq i inatosur në vetvete, sa nuk thuhej. Në radhë të parë, ishte i inatosur se mbreti i kishte mbajtur të lidhur pas vetes, ku vetëm kishin ngrënë ushqim dhe shpresonin të merrnin poste kur të ktheheshin. Por tani që kjo punë e kthimit vazhdoi gjatë dhe ata po plakeshin, ndjenin se jeta u kishte ikur kot. Madje po të them se shumë prej tyre tashmë kishin fëmijët e rritur, që nuk donin të dinin për Shqipërinë, kur kishin Parisin. Kështu dhe Zeneli ishte shumë i pakënaqur, madje shante ndër dhëmbë me mllef që e kishin mbajtur dhe tashmë po hidhej në rrugë, pa ditur se ku do të jetonte dhe çfarë do të bënte. Pastaj ai nuk ishte fare dakord me vrasje e presje. Me shpërthime e luftëra që zinin në gojë natë e ditë njerëzit të cilët e rrethonin.
E çfarë nderi i premtuat ju?
Ne do ta ndihmonim të riatdhesohej dhe t’i njihnim kontributin..
E riatdhesuat?
Nuk arritëm, se ai vdiq. E kapi gangrenë në këmbë dhe nuk mundi të mbijetonte. Gjithsesi, ne mundëm që në Gjirokastër ku jetonin njerëzit e tij e shpallëm “hero”, ndërkohë që deri atëherë ata i njihnin si njerëz të një të arratisuri. Tashmë, u mësua se ai ishte njeri që kishte kontribuar.

 

(Vijon nesër)

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu