Hasan Luçi: Që nga Parisi njoftova Kadri Hazbiun se do vritej Enver Hoxha

0
363

Ishte nëntori i vitit 1974. Shqipëria komuniste kishte ditë që priste të festonte me madhështi 30-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Më së shumti ajo atmosferë ndjehej te banorët e kryeqytetit, të cilët prej ditësh mbushnin gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të parë provat e përgatitjes së kuadrateve me ushtarakë që do të demonstronin para Enver Hoxhës në ditën e 29-të të muajit, e cilësuar si dita jubilare e çlirimit. Në vëmendjen kryesore, ku rrinte dhe komisioni i përgatitjes së paradës së madhe, ishte pikërisht tribuna madhështore e ndërtuar prej më se 10 ditësh para hotel “Dajtit’, mbi të cilën në ditën e caktuar do të rrinte triumfalisht vetë Enver Hoxha. Ajo tribunë e kuqe, e cila në parvazet mbështetës qarkohej me fanellatë të bardhë, donte të prezantonte me eufori gjithë shkëlqimin e sistemit komunist që ndërtonte Enver Hoxha.
E ndërsa ishte bërë traditë që të gjithë njerëzit, të cilët, të doktrinuar nga propaganda komuniste për madhështinë e sistemit që u ishte “dhuruar”, prisnin me padurim ditën që do të shikonin udhëheqësin në tribunën e shenjtë, një tjetër histori luhej në mister. Askush nuk mund ta merrte me mend, se pikërisht për të ndenjur para tribunës në atë ditë, ishin nisur që nga Nju Jorku një grup diversiv antikomunist, i kryesuar nga Avdul Banushi. Njerëzit nuk e mësuan dot as në atë moment që përgatitej parada e madhe ushtarake dhe as në momentet kur grupi i Avdul Banushit nga Golemi i Gjirokastrës kishte mbërritur me bomba në xhep te Parku Rinia, madje kishin zënë strehë pikërisht në një apartament në bodrumet e pallateve të Shallvareve.
Askush nuk mendonte se pikërisht Enver Hoxha, i cili konsiderohej si njeriu i “rënë nga qielli” për “fatin” e këtij populli, ishte vënë në shënjestër për t’u goditur me kundërtank, ndërsa do të përshëndeste nga tribuna hijerëndë mbi 10 mijë pjesëmarrës të paradës së madhe të ushtrisë.
Por njerëzit nuk e mësuan atë që pritej të ndodhte, jo vetëm në ato ditë të përgatitjes dhe të atmosferës së jashtëzakonshme të festës, por as mëngjesin e 29 nëntorit, kur tribuna e madhe ishte zhdukur nga ambientet ku prej ditësh bënte “karshillëk” dhe kishte “mbirë” para kryeministrisë ku dhe vijoi të ndërtohej deri në momentet kur vdiq Enver Hoxha, madje që andej ndiqte parakalimet e 1 Maj-eve edhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia.
E pikërisht atë 29 Nëntor të vitit 1974, një grup njerëzish ilegalë të ardhur nga Amerika, të kryesuar nga i arratisuri politik Avdul Banushi, ndiqnin me ankth çdo lëvizje të asaj situate, për të bërë të mundur vdekjen e vetë Enver Hoxhës. Ndërkohë që Sigurimi Komunist dhe vetë Kadri Hazbiu ishin vënë në dijeni të atentatit të shekullit dhe po kërkonin me intensitet të llahtarshëm njerëzit e rrezikshëm. Atë ditë në tribunë nuk doli i pari Enver Hoxha, por Haxhi Lleshi. Vetëm pas shumë minutash si kishte dalë Lleshi, Enveri u shfaq me pompozitet, ndërsa grupi misterioz në pamundësi për të vepruar, po e ndiqte i dëshpëruar që nga Parku Rinia. Megjithatë, ai grup arriti të dilte gjallë nga territori i vendit, megjithëse informacioni i Hasan Luçit i ardhur nga Parisi ishte më se i saktë. Ata do të arrinin të kapeshin pas një ardhjeje tjetër në kufirin shqiptar, vetëm pas një kombinacioni që do të përgatiste pikërisht rezidenti i Sigurimit në Francë, Hasan Luçi. Por çfarë thotë për atë ngjarje shokuese njëkohësisht të çuditshme, vetë Hasan Luçi?

Zoti Luçi, kam dëgjuar për një ngjarje të bujshme që paska ndodhur në nëntorin e vitit 1974, kur pikërisht personi që ju keni cilësuar si autorin e shpërthimeve me eksploziv dhe bombë në ambasadën tonë në Paris dhe Romë, Avdul Banushi, paska ardhur në Tiranë, në krye të një grupi special, për të asgjësuar fizikisht vetë liderin e shtetit komunist, Enver Hoxhën. Madje një gjë të tillë e ka pranuar pak kohë se të vdiste vetë Avdul Banushi në një intervistë të dhënë te “Gazeta Shqiptare” me gazetarin Dashnor Kaloçi, në korrikun e vitit 2002. Ju, si pjesë e sigurimit të atëhershëm të shtetit, e dëshmoni se ka qenë e vërtetë një ngjarje e tillë?
Ka qenë shumë e vërtetë dhe neve e kemi përcjellë me një intensitet dhe ankth të paimagjinuar. Ishin ditët e terrorit tonë psikologjik më të madh, pasi një grup njerëzish të përgatitur dhe të mirëstërvitur, aq më shumë kur ai grup special drejtohej nga një njeri shumë i vendosur dhe shumë aktiv, që zotëronte një zgjuarsi natyrale të habitshme, ishte nisur të bënte jo një atentat dosido, por të vriste direkt kreun e shtetit, i cili ishte shpallur i shenjtë.
Pra, është i vërtetë fakti që ai grup paska funksionuar vërtet dhe se është drejtuar nga Avdul Banushi?
Po pra, është shumë i saktë. Avdul Banushi ishte një njeri i aksionit dhe i veprimit konkret. Një njeri që ishte shumë i vendosur, por më kryesorja ishte që së bashku me grupin e tij kishte bërë përgatitje të madhe fizike me specialistët më të mirë të zbulimit amerikan.
Ku e kishte bërë këtë stërvitje? Pra, e kam fjalën, në cilën shkollë apo në cilën qendër zbulimi ishte përgatitur?
Njerëz të tillë që ishin të veprimit nuk funksiononin në shkolla apo pika stërvitore legale, pasi ata ishin përherë në vëzhgim të sigurimit, pra në vëzhgimin tonë. Ata lëviznin nëpër Europë për të humbur gjurmët. Madje po të them se shkonin për t’u stërvitur jo vetëm në Gjermani, Francë, Itali e gjetkë, por deri në Amazonë, aty ku janë njerëzit e egër. Vetëm për t’i shpëtuar syrit tuaj, pra të sigurimit?
Vetëm për këtë. Ata zotëronin aftësi të jashtëzakonshme të përgatitjes fizike, mendore dhe psikologjike dhe nuk para binin në grackë kollaj. Kështu që nuk është e rastit që u caktuan pikërisht ata të mbërrinin në Shqipëri për të vrarë vetë Enver Hoxhën, megjithëse dihej se shkalla e sigurisë dhe e ruajtjes së tij ishte e një shkalle të paimagjinueshme.
Ju e dinit se ishte nisur ky grup për të mbërritur në Tiranë në misionin që po themi, pra për të vrarë Enver Hoxhën?
Jo, e dija, por unë e kisha në mbikëqyrje prej muajsh. Kuptohet se herë më largohej, pra më humbiste nga “objektivi”, dhe herë më shfaqej, por që gjithsesi ishte në vëmendjen time. Unë dija kur përgatitej për të ardhur në Shqipëri, ashtu siç dija kur u nis për në Tiranë, madje dija edhe ku ishte vendosur në Tiranë, pavarësisht se Sigurimi këtu nuk mundi të bënte dot gjë.
Ku ishit juve në atë kohë dhe çfarë funksioni mbulonit?
Unë, siç e kemi thënë në intervistat e mëparshme edhe në momentin që po flasim, kam qenë në ambasadën shqiptare në Paris si Sekretar i Parë i saj dhe atashe kulturor. Pra ky ishte funksioni zyrtar që prezantoja në organikën e ambasadës, por në të vërtetë unë isha shef i zbulimit tonë në Francë apo ndryshe Rezident i Sigurimit tonë në Francë. Pikërisht në këtë funksion unë kisha arritur të krijoja një rrjet tepër të sofistikuar bashkëpunëtorësh, që mbaja në vrojtim të jashtëzakonshëm të gjithë dinamikën e emigracionit politik jashtë vendit apo siç e quanim zyrtarisht, emigracionin reaksionar në mërgim. Në këtë prizëm, unë mbaja në korent Tiranën për shumë ngjarje enigmatike, siç e vura edhe për rastin e Avdul Banushit, që do të vriste Enver Hoxhën, por që do të mbetesha i shokuar nga veprimet e këtushme.
Pse ishit i pakënaqur?
E mendoja gjatë atë që ndodhi dhe mbeta i befasuar. Kjo për faktin se unë i vura në dijeni me informacion të saktë, se Avdul Banushi në krye të një grupi, kishte mbërritur në Tiranë për të vrarë Enver Hoxhën, që do të dilte në Tribunën e Paradës në datën 29 Nëntor. Madje u kisha thënë autoriteteve më të larta të sigurimit edhe bazën ku kishte bërë strehë ai. U thashë se e keni në një banesë në pallatet e Shallvareve. Por çuditërish askush nuk mundi ta pikaste. Kjo më bënte shumë përshtypje.
Ju e dinit ku ishte?
Unë dija vetëm se kishte zënë konak në një familje që kishte për bazë te pallatet e Shallvareve, vetëm kaq. Emrin e personit se ku kishte bujtur nuk e dija dhe nuk arrita ta mësoja. Atë e mësova vetëm kur Banushi u rikthye pa kryer misionin apo pas viteve ’90, kur neve ishim bërë miq dhe në shumë raste pinim së bashku kafen. Pas kësaj mësova se ai kishte bujtur te banesa e Sami Binerit, i cili e kishte shtëpinë në bodrumet e pallateve të shallvareve. Samiu vetë ishte i arrestuar për çështje qesharake dhe ndodhej në burgun e Burrelit, ndërsa Avdulin e priste nëna e Samiut, që quhej Safo. Ata e kishin pothuajse bashkëfshatar.
Po pse ishit i mërzitur që nuk e kapën dot, kur ju nuk e dinit shtëpinë ku kishte bërë strehë? Si mund ta gjente sigurimi se në çfarë banese ndodhej?
Unë kam njoftuar direkt Kadri Hazbiun, pasi në shumë raste dhe nivelin e hierarkisë që përfaqësoja i mbaja lidhjet direkt me të. Kështu, edhe në këtë rast i kam thënë Hazbiut se ndodhet diversanti Banushi diku në një banesë të pallateve të Shallvareve. Ata pas kësaj duhej të krehnin zonën. Të piketonin shtëpitë me biografi të keqe, që u thonim atëherë, dhe të bënin të pamundurën ta kapnin dhe jo t’u ikte dhe të mbërrinte sërish në Paris dhe Nju Jork.
Po ai është kapur me sa di unë?
Jo atëherë nuk mundën dot. U erdhi në mes të Tiranës, pa dhe paradën ushtarake, madje me bomba në xhep dhe iku pa iu prekur një qime floku.
Ndërsa kur erdhi herën tjetër pak muaj më mbrapa asaj ngjarjeje unë i bëra komplikacionin që ra në duart e sigurimit dhe përfundoi në Burrel ku doli prej andej vetëm kur erdhi demokracia. Madje unë atëhere i kam shkuar në Burrel për ta rekrutuar të bashkëpunonte por nuk pranoi, madje u tregua shumë i vendosur.
Kur ishte kapur thoni?
Po pra. Kur nuk realizoi dot atentatin e Enver Hoxhës, pas pak kohësh ai shkeli sërish kufirin shqiptar, këtë herë të hidhte në erë bustin e Leninit dhe Stalinit. Por kolegu me të cilin ishte stërvitur dhe kaloi kufirin shqiptar ishte bashkëpunëtori ynë, kështu që përfundoi në duart e sigurimit dhe që andej në Burgun e Burrelit. Aty unë i kam shkuar në qeli dhe i thashë se kisha mundësi ta nxirrja nga burgu, pasi ishte tretur dhe mund të mos dilte i gjallë nga të ftohtit dhe sakrificat, por ai më tha se nuk pranonte në asnjë mënyrë të bashkëpunonte. Ishte shumë i betuar dhe i vendosur. Madje më tha se edhe 100 herë të më nxjerrësh unë do të vë minat në Komitetin Qendror. Atëherë unë ika, duke i rënë krahëve se po e kërkuake vetë këtë që po heq. Pasi po të pranonte të bashkëpunonte, unë kisha të drejtë të paraqitja kërkesë për ta liruar, sepse plotësonte kriteret për këtë gjë.
Ju e njihnit?
Si s’e njihja. Unë kisha 15 vjet në Paris, ku pothuajse i kisha kontaktuar të tërë. I njihja dhe më njihnin. Takoheshim dhe përshëndeteshim, por edhe grindeshim dhe provokoheshim apo shaheshim nga ata etj.
Dhe ju thoni se Kadri Hazbiu nuk donte ta kapte vetë?
Nuk e di. Ia kam bërë shumë herë vetes këtë pyetje dhe nuk i kam dhënë dot përgjigje. Të të thonë se e ke aty në mes të Tiranës dhe të të iki, më duket pak si e çuditshme. Por nuk është vetëm ky rast që më ka vënë qysh atëherë në mendime. Kam pasur edhe raste të tjera që unë kam njoftuar saktësisht mbi ngjarje të mprehta dhe nuk janë marrë masa.
Për shembull?
E kam njoftuar Kadri Hazbiun se UDB-ja po përgatiste një revoltë në Spaç. Këtë gjë ia kam thënë dy muaj para se të ndodhte. Por çuditërisht ajo revoltë ndodhi dhe jo vetëm kaq, por humbën shumë jetë njerëzish që UDB-ja i përdori mish për top. Ata edhe mund të kishin dalë kur të mbaronin dënimin. Kadri Hazbiu për atë që ndodhi u shpreh se unë e kisha njoftuar shumë saktë, por pranonte se kishte qenë faji i tij që s’e kishte parandaluar. Por ka qenë edhe një rast tjetër në Pogradec, kur unë mora informacion të saktë nga bashkëpunëtorët e mi në Paris, se nga Pogradeci ishte përgatitur të arratisej një grup i stërmadh prej më se 25 personash. Unë njoftova Kadriun dhe sërish nuk u arriti dot gjë. Grupi u arratis, ashtu siç kisha dhënë unë informacionet. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Avdul Banushi, i betuar dhe i përgatitur, erdhi në Parkun Rinia. U ngjit në tarracën e pallatit ku banoi ato ditë, për të llogaritur hedhjen e predhës apo ku ta di unë çfarë arme kishin planifikuar në rast se do të mendonin të godisnin që andej dhe sërish nuk u kap dot.
Pra, ju thoni se nuk donin ta kapnin?
Nuk mund të them dot asgjë, por unë them atë që më ka ndodhur. Ne na kishte mbërthyer idealizmi dhe mendonim si të punonim me sinqeritet për popullin, ndërsa këta këtu merrnin dekoratat.
Si merrnin dekoratat këta?
Ne sakrifikonim se ishim idealistë, ndërsa këta këtej dekoronin njëri-tjetrin.
Thatë se juve mendonit për popullin?
Po ore, për të mendoja. Unë nuk doja të vinte prapë koha e luftës, që na kishte djegur të gjallë. Unë jam nga Kuçi, ku na kanë djegur gjermanë e italianë. Unë kam shpëtuar kot, se desh jam djegur i gjallë ndërsa isha i vogël, kur gjermanët më kanë djegur disa herë shtëpinë dhe më kanë vrarë njerëz të familjes. Nuk doja terror.
Po ju nuk luftonit kundër gjermanit!?
Luftoja kundër atyre që mbyllnin terror dhe kërkonin pushtet me bomba dhe automatik. Është e çuditshme, se thonë se kemi luftuar kundër Enver Hoxhës. Jo ore jo, se nuk i bënin dot gjë ata Enver Hoxhës, por kanë luftuar kundër popullit. E di ti sa është numri i njerëzve të vrarë nga diversantët, që vinin të kërkonin pushtet me dhunë?.
Sa ishte?
Ka kaluar shifrën e një mijë vetëve. Këta kanë qenë gra, fëmijë, brigadierë, komunistë të thjeshtë, fshatarë, kooperativistë etj. Ja pra pse luftoja unë, por që çuditesha në shumë raste me heshtjen e Tiranës.
Pra, Enver Hoxha kishte të drejtë që u sul mbi Kadriun thoni ju?
Nuk them atë, se nuk mundem ta them për faktin se unë nuk e di se si është ajo e vërtetë, por unë di se Enver Hoxha nuk merrte informacion nga Sigurimi i Shtetit. Ai kishte sigurimin e tij privat të dubluar, që merrte gjithmonë informacionet dhe njihte situatën.
E keni të vërtetuar këtë?
Më së miri. E kam të vërtetuar në rastin e bandës së Xhevdet Mustafës, që ai e mësoi zbritjen e saj në Divjakë para nesh. Ke dëgjuar ti kur ka deklaruar se sigurimi i shtetit nuk ka bërë asnjë zbulim? Ato i ka bërë Partia? Këtu e ka pasur fjalën.
Le të dalim te tema e atentatit që do të bënte Avdul Banushi. Ju e dinit se do të vinte dhe e ndiqnit, apo jo?
Unë e dija dhe informohesha në çdo çast. Dija kur u nis nga Amerika dhe dija kur hyri në Shqipëri. Aty më humbi sinjali. Ai hyri në minoritetin e Sarandës dhe të nesërmen në darkë më erdhi informacioni që hyri në Tiranë. Ka qenë data 27 nëntor kur hyri në Tiranë. Ka ndenjur të nesërmen në 28 nëntor që bëri planin e atentatit mbi tribunën e udhëheqjes dhe ka ikur në 29 nëntor, kur s’kishte mbaruar akoma parada, se e kuptoi se ishte vënë në ndjekje. Pra mësoi se ishte dhënë informacioni se ndodhej aty.
Pra, është e vërtetë se tribuna, që u hoq nga Hotel Dajti dhe u vendos para Kryeministrisë, ku vijoi të ndërtohej rregullisht deri sa vdiq Enver Hoxha ishte ky shkaku?
Por ky veprim ngeli të bëhej atëherë, se nuk kishte zgjidhje tjetër. Si nuk u kap dot Banushi, atëherë gjatë natës zhvendosën tribunën dhe prej atëherë, pra prej 29 Nëntorit të 1974-ës, ajo ndërtohej para godinës së Kryeministrisë, sepse atje i plotësonte më mirë kushtet e sigurisë së udhëheqjes. Madje atëherë kur ka dalë Enveri në tribunë, ndryshe nga herët e tjera ka dalë më parë Haxhi Lleshi dhe pas disa çastesh ka dalë Enver Hoxha. Këtë e tha edhe Avdyli, i cili mundi të shikonte paradën që nga Parku Rinia, por që Enver Hoxhën në atë moment e kishte shumë larg.
Doja të dija saktësisht se si ka ndodhur gjithë historia, sepse deri tani zoti Luçi folëm për situatën e stresuar në të cilën juve u ndodhët kur po ju rrezikohej jeta e Enver Hoxhës, të cilën kishit detyrë ta mbronit, apo jo?
Patjetër. Unë mësova që shumë kohë para se të mbërrinte dita e paradës, për grupin që u caktua të shkonte në Tiranë. Mësova se filluan stërvitjen për atentatin e bujshëm. U çorientova krejt, se derisa merrej një vendim që kishe detyrë ta neutralizoje, edhe mund të mos ia arrije. Por që gjithsesi, vura në lëvizje të gjithë rrjetin dhe ndiqja çdo lëvizje të Avdul Banushit, i cili për të humbur gjurmët, se i ruhej sigurimit dhe ishte një kundërzbulues i zoti, para se të hynte në Shqipëri bënte lëvizje nëpër kryeqytete të Europës, ku rrinte me ditë, pastaj lëvizte diku tjetër. Unë ndërkohë njoftohesha ku rrinte dhe ku lëvizte. Jo në shumë raste më humbte nga shikimi. Ishte i përgatitur, se në Tiranë kishte hyrë dhe dalë shumë herë dhe kishte një sistem bazash të shumta ku mund të bënte konak.
Kështu që, kur kaloi kufirin u vura i tëri për të ndjekur çdo lëvizje të tij.

 

( Vijon në numrin e ardhshëm)

 

Nga, Fatos Veliu

 


 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu