Hashim Thaçi, pritet të “kontrabandohet” në Seancën e së premtes!

0
198

Hashim-Thaçi2

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi qysh te premten mund të votohet për president të Kosovës. Burime të Gazetës brenda koalicionit qeverisës PDK- LDK kanë theksuar se mund të ndodh që në seancën e së premtes të futet në rend dite zgjedhja e presidentit.
“Edhe pse nuk është paraparë zgjedhja e Thaçit president në seancën e së premtes, mund të futet si pikë e veçantë e rendit të ditës. Do të provohet që seanca të filloj të mbahet me ato pika të rendit të ditës që janë paraparë sot nga Kryesia e Kuvendit, më saktësisht do të testohet opozita dhe veprimet e mundshme të saja. Por, gjasat janë shumë të mëdha që atë ditë të zgjidhet edhe presidenti”, ka theksuar ky burim.
Sipas këtij burimi, deputetëve të koalicionit u është kërkuar që të jenë të pranishëm në seancën e së premtes, ndonëse nuk u është thënë se do të zgjidhet Thaçi president, për shkak të rrezikut që dekonspirohet nga opozita skenari i zgjedhjes së kreut të PDK-së në krye të shtetit.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit sot ka marrë vendim që seanca e rradhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet të premten duke filluar nga ora 10:00.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se më seancën e së premtes do të shqyrtohen 22 pika të rendit të ditës.
“Në seancën e së premtes do të ketë vendimmarrje që e presin qytetarët. Ka të bëjë me liberalizimin e vizave”, ka potencuar Veseli.
Ndërkohë, partitë opozitare caktimin e kësaj seance e kanë quajtur provokim.
Aida Dërguti nga Vetëvendosje tha se qëndrimi i opozitës është që mos të vazhdohet me mbajtjen e seancave.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së në një intervistë të dhënë për medie ka thënë se ai do të zgjidhet president gjatë muajit shkurt, ndonëse nuk e ka dhënë kohën e saktë. Mirëpo, partitë opozitare kanë paralajmëruar se në çdo formë do të pengojnë zgjedhjen e Thaçit në postin e presidentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu