Hem hajdutë hem arnautë

0
120

A ka një problem serioz në funksionimin e elitave politike dhe intelektuale në Kosovë. A është e mundur që Kosova sot po e paguan çmimin e shkollimit paralel të viteve 90-të dhe të gjithë ata që ato vite kanë bubërruar odave dhe bodrumeve, sot po e shpalosin intelektin e tyre të gjymtë dhe po ia fusin sa për Shkup sa për Shkodër.

Dikush nga majat e politikës pak muaj më parë, duke u përgjigjur se çka pëlqente nga letërsia, thoshte me plot “poetizëm” se gjithmonë e kishte pëlqyer kohën e realizimit, duke besuar se realizimi dhe realizmi (socialist) ishin një!

Përgjigjet e jo pak prej aguridhëve të estradës, se ndër librat e fundit ju kujtohet ta kenë lexuar Kapetanin e ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë, janë shlyer tashmë, sepse njerëz të kupolës së sotme politike, janë të pakrahasueshëm dhe të papërsëritshëm dhe më gagaçë se shurdhët me gojë hapur. Pothuaj janë të rrallë, ose shumë të rrallë, gjithë politikanët e ri të cilët tashmë janë bërë deputetë e drejtorë, ministra e ambasadorë…e që nuk kanë kryer shkolla të larta, tepër të larta dhe të mos jenë PHD kandidatë në universitetet publike ose private të shteteve universitare shqiptare.

Elitat politike dhe intelektuale të Kosovës, janë shndërruar në elita pseudo-politike dhe pseudo-intelektuale që me krejt çfarë bëjnë, ta nxjerrin veten prej hujit.

Po flitet se dija e shumicës së politikanëve në Kosovë, është më e ulët sesa e nivelit të truprojave dhe shoferëve të klasës politike të Tiranës, por që shumë prej politikanëve “made in Kosova” edhe duke mos e lexuar më shumë se “gue gue pici gue”, janë shndërruar në shkrimtarë e publicistë, historianë e opinionistë dhe për pak vite kur do mund të përmbysen nga postet e vjedhura, do të shndërrohen në profesorë që do t’i mësojnë edhe fëmijët tanë.

Nga debatet dhe përplasjet që janë shndërruar në formë lufte në media e në rrjetet sociale, pothuajse nuk ekzistojnë ata që mund t’i kundërshtojë vlerësimet se sot është kohë antivlerash, dhe kjo është një rrjedhë krejt logjike e funksionimit të gjërave. Por, neveritëse është se si “opinionbërësit” në Kosovë janë instrumentalizuar, jo vetëm në përballjen me antivlerat në politikë, por edhe përballë pushtimit banditesk të institucioneve të dijes e të shkencës, nga njerëz që shkollimin e kanë filluar veç dhjetë vjet më parë, e sot janë shndërruar në profesorë e dijetarë.

 

Një strukturë politike duke pretenduar të jetë me revolucionare sesa të gjithë të tjerët, ka vendosur që të mos vërë kollare, sepse revolucionarizmi dhe kollarja, kujtojnë ata, nuk shkojnë bashkë. Një tjetër strukturë ka vendosur, që ta shqipërojë italishten në komunikimin ndër-partiak, ndërkohë që disa të tjerë, nuk e kanë problem gjuhën fare, sepse nuk flasin kurrë.

Parlamenti i Kosovës, i cili do të duhej të ishte pasqyra e politikanit të zgjedhur në strukturë, është shndërruar në arenë, ku oratorët më të famshëm të tij, janë bërë shefat e grupeve parlamentare, pavarësisht nga dija që kanë, dhe kjo ka bërë që profesor Hamiti psh, me dijen arrogante të tij, të shndërrohet në sovranin e Parlamentit.

Njëri prej intelektualëve të njohur të Tiranës, po thoshte se si Shqipëria nuk e pati fatin që të takohej me kosovarët e duhur asnjëherë. Në fillim të viteve 90-të, thoshte ai, erdhën kosovarët që na i përdhunuan motrat me nga një sapun, ndërkaq në fillim të viteve 2000 i shtrënguam duart me politikanët e pashkollë, që titujt, edhe shkencor i blinin me para! Sa keq që përvoja më e reale e lidhjes sonë me Kosovën, ishin një milion kosovarë të përndjekur në vitin 99. Nuk e di sa cili është numri i njerëzve që blen diploma me para në Tiranë ose në Prishtinë, por të gjithë, ama të gjithë ata kanë të shkruar në ballë e me faqe të zezë, se janë hajdutë diplomash.

Nëse sot ka disa njerëz që gjumin nuk e bëjnë rahat, nga frika se mos po iu zbardhën bisedat e përgjuara, disa të tjerë se mos po publikohen listat e spiunëve të shërbimit sekret serb, domosdo duhet të ketë edhe jo pak të tjerë, të frikësuar se mos po ua zbulojnë shkollën e vjedhur. Po a vidhet shkolla o njerëz! Apo ndoshta jeni hem hajdutë hem arnautë!

 

Shkruan: Muharrem Nitaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu