Hesht Naiti

0
407

Nait Hasani nuk ka dashur ta thotë asnjë fjalë se pse PDK nuk e kandidoi për Kryetar të Prizrenit dhe për Kryetar të Degës së Partisë.

“Nuk jam i interesuar të flas”, ka thënë Hasani, për Gazetën Express.

Ndryshe, Kryetar i Degës së PDK’së në Prizren është zgjedhur Minir Krasniqi, ndërsa për kandidat për Kryetar të kësaj komune është emëruar Kryetarit aktual Ramadan Muja.

Më herët, Hasani pati nisur një fushatë për t’u ngjitur në pozitën e Kryetarit të PDK’së në Prizren dhe për t’u bërë pastaj kandidat për Kryetar të këtij qyteti.

“Po unë jam kandidati Kryesor për Kryetar të PDK’së dhe për Kryetar të Prizrenit. Besoj se do ta fitoj garën në Prizren edhe me mbështetjen e PDK-së”, kishte thënë Hasani, para një muaji për Express.

Veç kësaj, Hasani besonte se e ka përkahjen edhe të Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi.

“Jemi në kontakt me Kryetarin. Në momentin që do të zyrtarizohet kandidatura ime do ta kem edhe përkrahjen e z. Thaçi”, kishte thënë ai.

Por, nuk ka ndodhur kështu, pasi Thaçi ka nominuar përsëri Mujën, pavarësisht se ai është duke u përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për korrupsion.

Sido që të jetë, Hasani duket se është pajtuar në heshtje me vendimin e PDK’së.

 

Kurse në Gjilan, PDK zezat Zenunin

Zenun Pajaziti ishte rendur në krye të listës në votimet për Këshillin e Përgjithshëm të PDK’së. Me lehtësi arriti të zgjidhej edhe Kryetar i Degës së Gjilanit. Por udhëheqësit e partisë nuk e nominuan atë Kryetar të Gjilanit; post që Pajaziti duket ta ketë lakmuar shumë. Në një intervistë për Gazetën Express, ai tregon se ka dhënë dorëheqje nga postet në degën e Gjilanit dhe se tash e tutje do t’i përkushtohet pozitës së deputetit, edhe pse ka oferta për të marrë vende drejtuese në Qeveri.

Express: z. Pajaziti çfarë ka ndodhur mbrëmë, pse nuk u nominuat ju për Kryetar të Komunës së Gjilanit? Shpesh është përfolur që ju do të jeni kandidat për këto zgjedhje ?

Z. Pajaziti: Ka qenë një vendim i partisë për t’i kandiduar kryetarët që kanë qenë më herët. Ky është një vendim që është marrë nga Qendra në Prishtinë, me i vendos kandidatët që kanë qenë kryetarë. Nuk është përmendur vetëm emri im për këtë pozitë. Janë përfolur shumë emra. Unë kam qenë një i mundshëm për t’u dominuar.

Express: A vazhdoni ta mbani postin e Kryetarit të partisë në Gjilan?

Z. Pajaziti: Të gjitha përgjegjësitë e zgjedhjeve do t’ua lë Degës atje. Unë do të vazhdojë angazhimet e mia në Kryesinë e Partisë Demokratike dhe angazhimet që më presin si deputet.

Express: A do të thotë kjo që ju keni dhënë dorëheqje prej Kryetarit të PDK’së në Gjilan?

Z. Pajaziti: Unë kam pas oferta edhe për angazhime tjera në Qeveri. Por, do të mbetem me angazhimin tim si deputet. Natyrisht prej pozicionit tim si anëtar i Kryesisë së PDK’së do ta ndihmoi Gjilanin në çdo aspekt.

Express: Për çfarë angazhime tjera po flisni?

Z. Pajaziti: Angazhime politike si deputet, si veprimtar, edhe nga ana partiake edhe nga përgjegjësia institucionale.

Express: A ju është ofruar ndonjë pozitë në ndonjë Ministri?

Z. Pajaziti: Më është ofruar që të kem angazhime qeveritare, por unë do të ndihem i mjaftueshëm me postin tim si deputet. Unë do të vazhdoj të jem në Qendër. Nuk kam hy në asnjë aranzhman për asnjë pozitë. Angazhimin tim në Gjilan nuk e shndërroi në asnjë biznes politik. Është vendos që në Gjilan të jetë një tjetër kandidat dhe kjo nuk do të ndikojë që unë të mos e vazhdojë angazhimin tim këtu në Prishtinë, në Kryesinë Qendrore.

Express: Kjo do të thotë që do ta refuzoni çdo ofertë që ju bëhet?

Z. Pajaziti: Unë nuk po them që do ta refuzoi ndonjë post, pasi nuk ka ende diçka konkrete, po them që moskandidimi im kushtëzohet me ndonjë post. Do të vazhdoj të punoj si deputet dhe si anëtar i kryesisë së PDK’së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu