Hezitimi i ndihmës së britanikëve në Shqipëri dhe pretendimet greke

0
110

Në shkrimin e sotëm të Dossier- it mbi arkivat e S.O.E do të sjellim për lexuesin një ngjarje mjaft interesante, e cila tregon mbi disa nga karakteret e personazheve shqiptarë të përfshirë në bashkëpunimin me Shërbimet Sekrete Britanike, të cilat operonin në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dokumenti i botuar sot dhe ai që do të botohet, nesër flet për një ngjarje mjaft domethënëse, ku personazhi kryesor është diplomati shqiptar Sh.H, apo i njohur ndryshe si A/H 74, i cili bashkëpunonte prej disa kohësh me S.O.E. britanike që operonte nga Stambolli.
Diplomati Sh.H përshkruhet në dokumentet e Shërbimit Britanik si një person mjaft korrekt dhe i besueshëm për komunitetin e Mërgatës Shqiptare në Stamboll.

Dokumenti i botuar sot, në fakt përtej dramës personale të diplomatit shqiptar është një dokument mjaft i rëndësishëm, pasi flet mbi situatën që ndodhej çështja shqiptare në këtë periudhë. Duket mjaft qartë se një prej arsyeve që Sh.H. refuzon të bashkëpunojë me britanikët është fakti se Qeveria angleze nuk ishte shprehur akoma në favor të një lëvizje për Pavarësinë e Shqipërisë ndaj italianëve por edhe mbi fatin e saj të pas Luftës. Një Deklaratë e Qeverisë Britanike pro Shqipërisë do të sillte një lloj garancie edhe mbi kufijtë shqiptarë, të cilët kërcënoheshin tashmë me pretendimin se Shqipëria ishte një vend agresor nga ku ishte sulmuar Greqia. Nga një numër dokumentesh të Dosjeve arkivore del qartë preokupimi mjaft i madh që kishin disa prej personazheve shqiptarë që bashkëpunonin me britanikët për këtë heshtje që Qeveria angleze kishte ndaj Shqipërisë. Sigurisht që mbështetja e disa grupeve anti-italiane që po aktivizoheshin në Shqipëri po bëhej me mbështetjen e plotë të anglezëve.

289/29/25
Për S.O.E Kairo (DPAb) (kopje extra)
Stamboll 12 Gusht 1942
Kopje për S.O.E Londër
Nga D/H 29
A/H 74

Telegrami im i 12 Gushtit No. 342/344 për Advance Cairo dhe i përsëritur për Londrën me numër 449/450.
Më poshtë është një përshkrim më i detajuar i kësaj historie shqetësuese:
Në mbrëmjen e datës 11 Gusht, A/H 74 erdhi të më takonte sipas programit të takimeve të rregullta javore, të cilat i kemi mbajtur edhe pas largimit të D/H 274. Ai e filloi bisedën tonë me fjalët “Nuk mundet më të bëjmë asgjë”, apo diçka të tillë. Unë natyrisht duke parë që ai ishte shumë i shqetësuar, mendova se do të kishte marrë lajme të këqija nga Shqipëria. Më pas ai nxori një letër e cila ishte shoqëruar me Letrën Tuaj 140/273/Alb e 20 Korrikut, të cilën unë ia kisha dhënë në një prej takimeve tona. Këtë letër po e bashkangjis këtu. Siç do ta shikoni, është censuruar mjaft prej Zyrës së Censurës. Nëse do ta kisha parë përpara se t’ia jepja atij, do të kisha hezituar pasi një censurim i tillë do ta prekte shumë një person si A/H 74. Por me sa duket ai e ka marrë këtë censurim më shumë seriozisht se ç’mund të mendohej. I prekur thellë ai më theksoi se ai ishte një përfaqësues zyrtar i vendit të tij, se ai na kishte ndihmuar mjaft për të rekrutuar këta njerëz me shpresën se kjo do të ndihmonte vendin e tij dhe se ai nuk mund ta pranonte këtë lloj trajtimi prej nesh. Unë u mundova që të arsyetoja me të, duke i thënë se letrat e të gjithëve censurohen në kohë lufte, por ai vazhdoi me idenë se ky incident ishte në vazhdim të një numri sjelljesh prej nesh, të cilat tregonin se ne nuk jemi akoma të përgatitur për të përqafuar kauzën e Shqipërisë në mënyrë serioze, por që duam të shfrytëzojmë cilësitë luftarake të njerëzve në Shqipëri për qëllimet tona dhe jo për të mirën e tyre.
Pas kësaj ai më dha një numër zarfesh për të cilat më tha që “t’ia ktheja D/H 274″, duke më thënë se “ajo do ta kuptojë”. Gjithashtu ai më ktheu letrën ofenduese dhe bashkë me të disa dokumente të tjera. Pas kësaj, ai u përgatit të ikte duke më lënë të kuptoja se bashkëpunimi ynë me të kishte mbaruar. Sigurisht që unë nuk mund t’i pranoja pikëpamjet e tij pa një debat të ashpër dhe i kërkova që t’i shpjegonte akuzat më qartë dhe të më tregonte se çfarë donte ai që ne të bënin për këtë gjë. Ai më përsëriti ankesën e vjetër për trupat vullnetare shqiptare në forcat e De Golit, të cilat ishin futur në repartet greke duke shtuar se “natyrisht që grekët janë armiqtë më të hidhur të Shqipërisë”. Po kështu, ai më tha se kishte mbi katër muaj që nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Qemal Butka dhe në përgjithësi planet e Butkës ishin penguar prej nesh. Ai më tha gjithashtu se nga korrespondenca që kishte me këta vullnetarë, dukej qartë se ne i konsideronim këta njerëz si agjentë dhe jo si luftëtarë për lirinë e Shqipërisë. Nuk kishte asnjë kërkesë që ne mund të bënin dhe asgjë nuk do ta bënte atë që të ndryshonte mendimin e tij për ne. Në shtypin turk ishte shkruar se në fakt ne kemi njohur edhe një “Lëvizje Siameze”, por deri më tani asgjë për Shqipërinë. Nuk ka asnjë gjë që unë mund të bëj kundër këtij inati kokëfortë i përzier me nacionalizëm dhe krenari të thyer, në fakt tipari esencial i ballkanizmit.
Humbja e bashkëpunimit të A/H 74 është me të vërtetë shumë e pafavorshme për ne. Unë bashkohem me opinionin e D/H 274 për inteligjencën dhe besnikërinë dhe në fakt, mosbesimin për ne si një “gabim pa të keq”.
Është esenciale tashmë që ne të braktisim skemën mjaft ambicioze të Ramazanit të diskutuar në telegramin tim të 279/29/25 të 5 Gushtit. Pa bashkëpunimin e A/H 74 ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim. A/H 78 e njeh Ramazanin, por nuk ka ndonjë miqësi me të dhe nëse do ta pyeste për këtë çështje, sigurisht që A/H 74 do ta merrte vesh dhe do ta shikonte këtë gjë si një tradhti ndaj tij, prandaj do ta ndalonte Ramazanin që të vepronte më tej. Unë i ktheva të dyja letrat që më kërkoi A/H 74, por zarfin që ai më kërkoi që t’ia dorëzoja D/H 274, nuk po e dërgoj. Njëra prej tyre është mjaft e rëndë dhe duhet që të ketë floririn që D/H 274 i ka dhënë atij. Për këtë arsye unë i hapa këto zarfe dhe gjeta brenda 10 napolona flori dhe 900 Lira turke, të cilat janë të gjitha pagesat që ai ka marrë prej nesh deri më tani. Sigurisht që do të ishte ide jo e mirë që të dërgonin Lira turke në Kairo apo flori. Për këtë arsye unë po i dorëzoj të gjitha këto para tek D/H 102. Në zarf nuk kishte asnjë letër për D/h 274 apo diçka tjetër përveçse parave.
Unë jam i bindur se asgjë më shumë se një deklaratë e Britanikëve për mbështetjen e Pavarësisë Shqiptare nuk do ta kthente A/H 74 përsëri tek ne.

Firmosur
D/H 29
Me shkrim dore është shënimi i mëposhtëm
“Kjo duhet të ketë qenë ……
Ky duket se ka qenë një djalë i ndershëm”

 

Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu