Hileja me tranzitin: Turistët e Ulqinit raportohen si turistë në Shqipëri

0
78

KUKËS: Kosova po i kthehet plazhit tradicionial të Ulqinit, ndërkohë që autoritetet shqiptare i raportojnë si “turistë në Shqipëri” vetëm sepse ata kalojnë në pikën e kalimit kufitar të Morinit.

Por më shumë se gjysma e automjeteve dhe shtetasve nga Kosova që kalojnë pikën e kalimit kufitar të Morinit janë thjesht tranzit nëpër Shqipëri sepse ata kanë si destiancion plazhin e Ulqinit. I bie që ndërtimi i autostradës Milot-Morinë, është më shumë në favorin e Ulqinit sepse Kosova tashmë është shumë më afër plazhit tradicional të para 1999-ës. Një shembull: Ditën e hënë dhe të martë kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 31.884 shtetas me 6.315 automjete dhe nga këta kanë dalë nga Shqipëria 15.764 shtetas me 4.051 automjete (pra më shumë se gjysma) që kalojnë tranzit nëpër Shqipëri me destinacion Ulqinin përmes Shkodrës ose më saktë pikëkalimit Muriqan -Sugobinë. Ndërkohë qeveria e Shqipërisë i raporton në publik të gjithë këta shtetas si turistë që frekuentojnë plazhet shqiptare.

Në pikën e Morinës këtë tashmë e dinë të gjithë. Madje dukuria e kalimit tranzit me destinacion Ulqinin e ka bërë nervoze policinë kufitare dhe zyrtarët e doganës në Morinë, deri në atë pikë ku drejtuesve të këtyre automjeteve u thuhet që u takon të paguajnë një lloj takes. Sipas tyre, automjetet që kalojnë tranzit nuk janë të perjashtuara nga të gjitha llojet e taksave, si ato që kanë destinacion Shqipërinë. Megjithatë, megjithë “xhelozinë” e shprehur, asnjë prej këtyre automjeteve  nuk ka paguar deri tani asnjë taksë megjithëse kanë kaluar tranzit nëpër Shqipëri për në Ulqin të Malit të Zi.

 

31.884

Shtetas kanë hyrë ditën e hënë dhe të martë në Shqipëri nga Kosova me 6.315 automjete. Nga këta kanë dalë në të njëjtin segment kohor nga Shqipëria 15.764 shtetas me 4.051 automjete. Pra më shumë se gjysma kalojnë tranzit nëpër Shqipëri me destinacion Ulqinin përmes Shkodrës ose më saktë pikëkalimit Muriqan -Sugobinë. Ndërkohë qeveria e Shqipërisë i raporton në publik të gjithë këta shtetas si turistë që frekuentojnë plazhet shqiptare.

 

 

Drejtori i ‘TV Prizreni’: E braktisa Durrësin, çmime skandal dhe papastërti

Megjithëse qeveria flet për dyndje, situata në Durrës (i konsideruar si plazhi tradicional i shqiptareve të Kosoves dhe Maqedonisë) tregon tjetër gjë. Ka boshatisje të plazhit nga ana e shtetasve nga Kosova dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Disa besojnë se fajtor është “agjerimi” i Ramazanit, pra përkushtimi ndaj praktikimit të fesë islame nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Por a është realisht kështu?

“Nuk është çështje agjërimi, por çështje çmimi” – thotë Mefail Bytyçi, drejtor i Televizionit Lokal Prizreni. Vetë z.Bytyçi kishte braktisur Durrësin për shkak të pa pastërtive dhe çmimeve të larta. “Një çadër prej kashte me dy shezllonë  kushtonte 6 Euro. Ky është një çmim absurd, ndërkohë që plazhi ishte mbushur nga mbeturina, ujëra të zeza dhe papastërti të çdo lloji” – shprehet në vijim z.Bytyçi.

 

 

Autostrada u bëri nder malazezëve dhe i bëri kosovarët ‘plazhistë ditorë’

Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë i mëshoi “bumit” turistik të radhes, mediat, përfshi edhe ato afër qeverisë që ai drejton, raportojnë nga Durrësi për boshatisje të plazhit.

Vija bregdetare që nga Ura e Dajlanit deri në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes që pas vitit 1999 janë emërtuar ndryshe si “koloni e kosovarëve” tashmë është boshatisur. Pronaret e lokaleve ankohen se po shkojnë drejt falimentimit. Ndërkohë që ndertimi i autostradës veç lehtësimit të tranzitit për Ulqinin, ka bërë edhe një efekt të kundërt nga ato që pritej për Durrësin.

Duke përfituar nga shkurtimi i kohës së udhëtimit, në vend që të vijnë e të ngulen në Shqipëri, si më parë, pushuesit nga Kosova (sidomos ato të rajonit të Dukagjinit dhe Ferizajt) preferojnë të bëjnë plazh ditor në Durres me autobusë dhe të kthehen. Shumë prej tyre vijnë edhe me automjetet private duke marrë të gjitha ushqimet me vehte, deri te perimet dhe lëngjet e frutave.

 

Nga Morina, Bashkim Shala

 

* * *

 

Berisha dje në mbledhjen e qeverisë: “U përmbush profecia… Erdhën 412 mijë turistë më shumë”

Kryeministri Sali Berisha ia ka kushtuar mbledhjen e djeshme të qeverisë turizmit në vend. Berisha tha se ai që parashikoi se Shqipëria do jetë Miss Turizmi sivjet, ishte një profet. Sipas tij, në vend kanë hyrë mbi 411 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më përpara. “Ata që parashikuan Shqipërinë si të parën e turizmit në botë ishin profetikë. Kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se nga 1 janari deri më 8 gusht kanë hyrë 411.972 shtetas të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet magjia e turizmit”.

Kryeministri Sali Berisha përsëriti se në asnjë vend tjetër nuk pushohet si në Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria është vendi për ata njerëz që duan pushime të vërteta.

Dy javë më përpara, Berisha iu kërkoi shqiptarëve tu qepen maleve e kodrave dhe t’i bëjnë ato të begata. Kurse dje ai u kërkoi shqiptarëve që të lëshohen drejt detit.

“Ne duhet të realizojmë qëllimin që ta çojmë kombin drejt detit. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Deti është ushqim, pasuri, mundësi shumë e madhe,” – tha Berisha.

 

 

411.972

shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri në janar-gusht sipas Berishës. Nuk dihet sa nga këta “shtetas të huaj” janë turistë, ndërkohë që trendi i kësaj vere raportohet të jetë tranziti i kosovarëve. Ata futen nga Morina por nuk vijnë në Durrës. Udhëtojnë drejt Ulqinit duke përdorur Shqipërinë tranzit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu