Hilet dhe shantazhimet e BE-së ndaj Kosovës

0
191

BE

Pasaporta e re e Kosovës, që u lëshua për herë të parë nga Qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2008, është aktualisht një prej dokumenteve të udhëtimit më së paku të dobishme që është prodhuar ndonjëherë. Pronarët e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë në vetëm 5 vende pa vizë, tek fqinjët: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, Turqia dhe Haiti.

Në maj të vitit 2008, Bashkimi Evropian filloi procesin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor me kriteret e saj. Sado pak këto ngjarje sollën një fije shprese për qytetarët e Kosovës se një ditë e afërt do të shpërblehej me liberalizimin e vizave. Megjithatë, deri tash, këto shpresa nuk janë realizuar. Qytetarët e Kosovës janë më të izoluar tani, në kuptimin e kushteve për viza, sesa në cilëndo periudhë të gjysmë-shekullit të fundit. Kosova mbetet një prej vendeve më të izoluara në botë.

E për të gjitha këto zhvillimet edhe zyrtarët institucional vendor mendojnë që Bashkimi Evropian është duke vërë standarde të dyfisha kundrejt qytetarëve të Kosovës për liberalizim.

Zv.ministri për integrime Evropiane, Ramadan Ilazi për Zërin ka thënë se përkundër angazhimit të institucioneve vendore për plotësimin e kritereve, qytetarët e Kosovës nuk mundin të lëvizin lirshëm në vendet evropiane.

“ Që nga fillimi i dialogut për liberalizim të vizave në Janar të vitit 2012, institucionet dhe administrata publike në përgjithësi kanë bërë një punë të madhe në plotësimin e kritereve që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave. Përkundër angazhimit, përkushtimit dhe progresit të arritur në adresimin e kërkesave që dalin nga të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, fatkeqësisht qytetarët tanë ende nuk munden të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Shengen dhe ballafaqohen me procedura të tepërta dhe burokratike për tu pajisur me viza Shengen” ka thënë Ilazi.

Ilazi:  Nuk kërkojmë vendim të mëshirës por vendim me meritë

Sipas Ilazit, Kosovës nuk po i duhet vendim për mëshirë, por një vendim i merituar dhe se qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës, pa ndonjë kufizim të caktuar. Ai thotë që Institucionet e vendit, deri në Qershor do t’i dërgojnë raportin Komisionit Evropian mbi përmbushjen e rekomandimeve të dhëna.

“ Qytetarët e Kosovës mbesin populli i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen dhe kjo nuk është e drejtë dhe ky izolim nuk mund të vazhdoj. Shoqëria e hapur çfarë Bashkimi Evropian kërkon të ndërtojmë në Kosovë, kërkon kufij të hapur. Mirëpo, ne nuk po kërkojmë një vendim të mëshirës por një vendim të bazuar në meritë. Raportet e fundit nga institucionet përgjegjëse tregojnë se jemi në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Si hap i fundit në kuadër të dialogut për liberalizim të vizave Komision Evropian pret nga ne që t’u dërgojmë deri në Qershor një raport mbi përmbushjen e rekomandimeve të fundit që ata na i kanë dhënë verës së vitit të kaluar” ka deklaruar Ilazi.

Ilazi: BE-ja po bënë hile me Kosovën

Sipas Ilzait Kosovën iu kanë vërë kushte të veçanta krahasuar me vendet e rajonit. Ai thotë që reformat e ndërmarra në kuadër të liberalizimit të vizave do të ndikojnë në përforcimin e drejtësisë dhe skemën ndërkombëtare.

“ Përderisa në rastin e Kosovës kemi pas kritere dhe kushte që nuk iu janë kërkuar vendeve të rajonit, jemi të vetëdijshëm që reformat e ndërmarra në kuadër të dialogut për liberalizim të vizave do të ndikojnë edhe në përpjekjet tona për forcimin e sundimit të ligjit, përforcimin e pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe një hap përpara në agjendën Evropiane të Kosovës dhe në veçanti në fazën e ardhshme të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë” ka thënë Ilazi duke shtuar se perspektiva Evropiane për Kosovën duhet të filloj të konkretizohet, ndryshe do të rrezikohet kredibiliteti i Qeverisë në sy të qytetarëve.

Krasniqi: Kosova po shantazhohet

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën dhe ish – kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka thënë se edhe vendet e rajonit vuajnë shumë fenomene njejt si Kosova, sipas tij Kosova nuk dueht të mos ketë liberalizimin e vizave. Madje, Krasniqi shprehet se Kosova është duke u shantazhuar nën mashtrimin e madh të krimeve të prentenduara dhe se po bëhet presion në ndërtimin e një Gjykate Speciale.

“ Krahasuar me vendet e rajonit Kosova në shumë drejtime ka avancime, por në ndonjë çështje ka edhe ngecje, për të cilat nuk mund të themi se kemi ndonjë arsye. E them me përgjegjësi se edhe vendet e tjera të rajonit vuajnë nga po të njëjtat fenomene dhe nuk ka ndonjë arsye tjetër që Kosova të mos ketë liberalizimin e vizave përveç atyre politike. Kosova vazhdon të mos njihet nga pesë vende të BE-së. Rreziku i shantazhimit ka qenë prej fillimit dhe është duke vazhduar. Edhe bisedimet e fundit janë duke u zhvilluar në këtë frymë. Shantazhimet e fundit janë duke u zhvilluar nën shantazhimin e një mashtrimi të madh, të “krimeve të pretenduara” të senatorit Dick Marti. Që tani kanë ardhur me presionin ndërkombëtar për krijimin e Gjykatës Speciale” ka deklaruar Krasniiqi, transmeton Zëri.info

Ndërkaq analisti politik Imer Mushkolaj për zerin thotë që ka munguar vullneti politik gjë që do ti shtyente ndërkombëtarët përpara me agjenden Evropiane.

“ Kosova është bërë vonë shtet, krahasuar me shtetet tjera në rajon, kështu që kjo situatë është rezultat edhe i kësaj, por edhe i qasjes problematike të disa shteteve të BE-së karshi shtetit të ri. Por, shkak tjetër është mungesa e vullnetit politik për të punuar seriozisht në fusha të rëndësishme, që do ta shtynin përpara agjendën evropiane” ka thënë Mushkolaj duke shtuar se BE ka bërë gabime në të kaluarën me shtete të tjera, sipas tij, Kosova është eksperiment dhe viktimë e gabimeve të BE-së.

Ndër të tjera Mushkolaj ka deklaruar se shantazhet janë duke ndodhur dhe presionet nuk mungojnë nga faktori ndërkombëtar. Ai thotë që qytetarët janë duke pësuar me këtë ngecje ndaj liberalizimit dhe se një pritja e gjatë do të mund ti frustonin qytetarët.

“ Po shantazhohen politikanët, e shkaku i tyre edhe Kosova. Qytetarët nuk kanë faj pse udhëhiqen nga politikanë të papërgjegjeshëm, të cilët në vend se të shohin interesin e qytetarëve e shohin veç interesin dhe xhepin e vet. Pra, qytetarët po vuajnë shkaku i politikanëve. Është koha e fundit që BE të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të përfundimit të izolimit të Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh muajt e ardhshëm, frustrimi do të rritet dhe me këtë edhe rreziku për ndonjë situatë të pakëndshme” ka thënë Mushkolaj.

 

Nga: Berat Kostanica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu