Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka

0
94

(Mendime rreth librit me të njëjtin titull, i autorit Ylli Polovina)

Debati për të kaluarën ka filluar të zhvillohet në Shqipëri këto tre dekadat e fundit në shumë mënyra, veçanërisht për Luftën Nacional-Çlirimtare prej autorëve që janë të angazhuar shpirtërisht me të, ku prej shumë prej botimeve historke rreth saj, përpiqen ta bindin lexuesin se kemi të bëjmë me një fushë ndarjesh tragjike, ku numurohen dhe varret. Ky pasqyrim i vuajtjeve dhe shpresave në të kaluarën tregon se ka një domethënie dhe një rëndësi jetike për aktualitetin. Sa më mirë që ta njohim të kaluarën tonë, aq më shumë do të mësojmë për të kuptuar veten. Një prej këtyre botimeve me karakter historik është edhe libri i fundit i z.Ylli Polovina, i titulluar “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”.

Porsa gazeta “Dita” botoi reçencën e z.Zylyftar Hoxha për këtë libër, menjëherë shumë komentues reaguan me kritika e sulme kundër autorit të librit, duke e akuzuar atë madje dhe për tradhëti kombëtare. Botimi i asaj reçence dhe komentet për të, lexuara në portalin e gazetës, më nxitën të kontaktoja autorin për të gjetur librin, pasi ende nuk ishte hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese”Botart”. Prej autorit mësova se kishte pasur përveç kritikave edhe kërcënime përmes disa telefonatave deri edhe në fyerje, edhe pse nuk e kishin lexuar ende librin.

Arsyeja e këtyre reagimeve ndoshta duhet kërkuar te titulli i vet librit, ngaqë përmendet Butka, emër që ngacmon në histori. Fabula vazhdon ngaqë ky emër të kujton veprimtarinë e eksponentit të lartë të Ballit Kombëtar gjatë LANÇ-it, Safet Butkën, por edhe të djalit të tij Uran Butka, i cili, me botimet dhe intervistat e shumta nëpër mediat televizive është bërë një nga propaganduesit më ekstremë për shtrembërimin e karakterit të LANÇ-it, duke e quajtur atë “luftë civle”.

Sikundër shprehet historini Kristo Frashëri, letërsia botërore njeh dy lloj vepash letrare me tematikë historke: vepra letrare që vërtiten rreth një personaliteti të njohur historik, e në rastin tonë kemi veprën e Sabri Godos “Plaku i Butkës”; dhe e dyta, vepra letrare që trajtonë një trill me taban historik.

Vepra lerare “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”, është një vepër letrare me taban historik, ku autori Ylli Polovina, duke u mbështetur në burime të njohura e të panjohura më parë, trajton personalitete të veçanta historike, si Enver Hoxha, Sali, Safet, Muharrem, Qemal e Fetah Butka (ky i fundit ka qenë edhe pjesmarrës në Konferencën e Pezës), si dhe Koçi Xoxe, Arkimandriti Pashko Vodica, Beqir Balluku, Andrea Varfi etj., një trajtesë kjo përmes ngjarjeve historike, duke iu përshtatur ambientit historik, traditave dhe mentaliteteve deri te ngjarje të kohës së sotme.

Një prej problemeve që trajtohet nga z.Polovina në këtë vepër të tij letrare është edhe çështja e “luftës civile” gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesv nazi-fashitë. Kjo tezë ka filluar të trajtohet menjëherë pas ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri. Me këtë debat janë angazhuar shumë historianë, të vjetër e të rinj, por edhe shumë intelektualë të profesioneve të ndryshme që janë dashuruar me atë histori, ku një pjesë jo e pakët e tyre mbështeten kryesishtë në fakte gojore. Mirëpo, këto botime dhe intervista televizive të shpeshta kanë arritur të krijonë në opinionin e vendit tonë bindjen se ajo luftë, nuk na paska qenë luftë çlirimtare, por luftë civile.

Ndoshta e gjithë kjo propagandë do të ketë bërë efektin e vet edhe te autori Ylli Polovina, prandaj edhe ai një nëntitull të lbrit e titullun: “Luftë civle” apo “vëllavrasje”?, duke iu referuar “Historisë së Shqipërisë”, ku thuhet se “forcat e Ballit Kombëtar nuk përbënin një front më vete, por ishin vegla të pushtuesve hitlerianë dhe vepronin sipas urdhërave të tyre… Në këtë kuptim,

sipas PKSH, fironte edhe themeli i arsyetimit se pati ndodhur luftë civile… Nëpërmjet këtij sofizmi ky falsifikim historik u mbaj gjallë gjysëmshekulli të diktaturës “së proletariatit”. Duke iu shmangur faktit kokëfortë: ajo pati ekzistuar, edhe pse në kufijtë minimalë”.

Me këtë përkufizim autori kërkon të na thotë se të dy palët janë përgjegjëse për vëllavrasjen, e cila u afrohej kufijve minimalë të një lufte civile, pavarësishtë se cila prej tyre e nisi atë luftë.

Në “Historinë e Shqipërisë”, të cilën e citon autori, theksohet se “Forcat e armatosura të Ballit dhe Legalitetit nuk përbënin një front më vete, por ishin vegla të pushtuesve hitlerianë dhe vepronin sipas urdhërave të tyre.”, që do të thotë se historiografia shqiptare 50-vjeçare gjatë sistemit monist nuk e pranon që ajo luftë ishte luftë civle.

Mirëpo, çfarë kuptohet me luftë civile? Nëse do t’i referohemi Fjalorit të Shqipes së Sotme, atje thuhet: “luftë civile (qytetare) luftë e armatosur që bëhet ndërmjet forcave të klasave kundërshtare brenda një shteti”.

Ylli Polovina përkufizimin e Historisë së Shqipërisë: “Balli dhe Legaliteti nuk përbënin një front më vete”, e kundërshton, duke na thënë “do të thotë se nuk përfaqësonin nodonjë pjesë të popullit, se nuk qenë parti apo lëvizje kombëtare dhe për rrjedhojë nuk ishin gjymtirë të natyrshme të shoqërisë shqiptare dhe të vetë pluralizmit.”

Që edhe forcat e Ballit dhe Legalitetit ishin shqiptarë, këtë askush nuk e mohon, por edhe faktin që deri në shtatorin e vitit 1943 forcat e Ballit dhe ato të Nacionalçlirimtares kanë luftuar së bashku, të cilën autori me të drejtë e quan “pranverë njëvjeçare komunsto-balliste”, dhe këtë nuk mundet kush ta mohojë.

Por, sikundër theksohet edhe në Historinë e Shqipërisë, lufta me armë kundër forcave të Ballit dhe Legalitetit filloi kur këto të fundit u bashkuan me hitlerianët, në shtatorin e vitit 1943, dhe jo më parë. Nëse forcat e Ballit dhe Legalitetit do të ishin front më vete, kundër hitlerianëve por dhe kundër partizanëve, atëherë do të kishim të drejtë që luftën midis dy forcave shqiptare ta quanim “luftë civile”, pasi do të kishim luftë për pushtet, ngaqë lufta midis tyre nuk do të kishte lidhje me hitlerianët pushtues. Ndërsa, derisa forcat e Ballit dhe Legalitetit u bashkuan me forcat hitleriane, forcat e Ballit dhe të Legalitetit nuk luftonin për të marrë pushtetin vetë, por për t’ia lënë pushtetin pushtuesit të huaj. Për këtë u goditën ato organizata politike nga Nacional-Çlirimtaria, u goditën si palë e të huajve.

LANÇ-i do të ishte luftë civile nëse forcat e Ballit dhe të Legalitetit, edhe pse ishin organzata politike dhe jo parti politike (shih “Hasan Dosti për çështjen shqiptare”, 2008,f.168), do të kishin qëllime dhe karakteristika të njëta me ato të Nacional-Çlirimtares, gjë që nuk ngjasonin sepse ato nuk luftonin kundër hitlerianëve pushtues; Do të ishte luftë civile nëse autoritetet civile të Ballit dhe Legalitetit do të ushtronin de facto, autoritet mbi popullatën brënda një pjese të përcaktuar të territorit kombëtar shqiptar, gjë që nuk rezulton ashtu; Do të kishim luftë civile nëse njëra nga këto dy palët e armatosura shqiptare, Nacional-Çlirimatria apo Balli, do të kishte pushtetin, atëherë Qeveria e saj do ta kishte pranuar dhe njohur si ndërluftues palën tjetër; Do të kishim luftë civile nëse lufta e Frontit Nacional-Çlirimtar nuk do të kishte karakter ndërkombëtar; Do të kishim luftë civile nëse njëra nga këto dy palët shqiptare do të ishte përfaqësuese e shtetit shqiptar, gjë që asnjëra prej tyre nuk e kishte atë atribut etj.

Dhe, ajo që i vë vulën faktit se LANÇ-i nuk ishte luftë civile, është ngjarja që Fronti Nacional-Çlirimtar, pavarësishtë se kush qëndronte pas tij, u përfshi në koalicionin anti-fashist ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA, Anglia dhe BRSS, duke zbatuar të gjtha kërkesat e atij koalicini. Kjo bëhet edhe më e qartë po të kemi parasysh se Nacional-Çlirmtaria pat

përfaqësuesit e saj në Komandën Aleate të Mesdheut, gjë që Balli dhe Legaliteti nuk e patën këtë element tepër domethënës.

Në mbështetje të autorit se LANÇ-i nuk ishte luftë civile por që pati element të vëllavrasjes në kuftë eminimalë për t’iu afruar luftës civile, po sjellim edhe disa deklarata të pjesëmarësve me përgjegjësi të larta komanduese në atë luftë, nga të dy palët.

Ja se si e shpjegon Heroi i Popullit Gjeneral Rrahman Parllaku, i dënuar politik nga PPSH: “Kur bëhet fjalë për luftë civle, duhet të kemi parasysh se çfarë e dallon një luftë civile nga një luftë çlirimtare. Dhe për periudhën 1939-1943, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, nuk bëhet fjalë për terma të tilla…Pra, deri në këtë periudhë nuk janë shënuar luftime në front të partizanëve kundër ballistëve apo anasjelltas. Por, për hir të së vërtetës, ka pasur disa raste sporadike… Pas ardhjes së gjermanëve ndryshoi situata. Tani fillojnë përpjekjet midis forcave balliste të rreshtuara në krah të gjermanëve dhe forcave partizane. Pra, në thelb, lufta është bërë për çlirimin e vendit. Nuk kemi një divizion, një brigadë, në njësi të Ballit Kombëtar apo të Legalitetit që të luftonte kundër partizanëve… këto ishin të inkuadruara në forcat gjermane” (“Rr.Parllaku-një legendë”, Tiranë 2014, f.252-254).

Edhe veterani, teoricieni dhe historiani ushtarak Elami Hado, edhe ky i dënuar politik nga PPSH, në librin e tij “Vlerat e LANÇ dhe shkaqet e disfatës së nacionalistëve shqiptarë”, (Tiranë,2005,f.21-23), nuk e pranon që ato “rastet sporadike” të quhen luftë civile, sikundër pohon edhe gjenerali veteran Rrahman Parllaku, por si aspekte të luftës vëllavrasëse: “Dihet që ndeshja e parë me armë midis forcave partizane dhe atyre balliste, dhe që në fakt shënon fillimin e luftës vëllavrasëse, është bërë në fshatin Blush të Kolonjës, më 24 Gusht 1943. Ka pasur edhe më parë provokime, vrasje aktivistësh etj…, por luftë e mirëfilltë ka qenë ajo e Blushit. Fshati Blush ishte bazë e forcave partizane… Ballistët sulmuan bazën partizane… Pati të vrarë e të plagosur nga të dy anët… Më vonë, pas vrases së Safet Butkës, punët ranë në duar aventurierësh e ekstremistësh, bashkëpintorë të gjermanëve, nga ana e ballistëve u përsërit e njëjta gjë në fshatin Blush, me pasoja më tragjike, dhe pas kësaj, vëllavrasja u fut në rrugën e saj të njohur.”

Dhe më tej, në f.26-27, Elami shpjegon: “”Luftë civile” nga pikëpamja e formës së zhvillimit të saj është luftë vëllavrasëse, sepse luftojnë dy palët kundërshtare nga rradhët e të nëjtit popull, d.m.th. luftojnë vëllezërit kundër njeri-tjetërit. Por nga pikëpamja e motivit për të cilin bëhet ajo, ndryshon nga luftrat e tjera vëllavrasëse. “Lufta vëllavrasëse” bëhet për motive të ndryshme, por jo çdo luftë vëllavrasëse është luftë civile. Lufta civle ka vetëm motivin politik të marrjes ose të mbajtjes së pushtetit. Ata që e kanë pushtetin luftojnë për ta mbajtur kundër ayre që duan t’ua marrin. Ndërsa ata që duan ta marrin pushtetin luftojnë kundër atyre që e kanë dhe duan ta mbajnë. Në një vend të pushtuar ku pushteti është në duart e të huajt që ka pushtuar vendin, nuk ka si të bëhet luftë civle midis palëve kundërshtare të popullit të atij vendi. Kjo për arsye se pushtetin nuk e ka as njera as tjetra palë. Pushtetin e ka i huaji. Lufta kundër të huajit për t’i marrë pushtetin nuk quhet luftë civile, ajo është “luftë çlirimtare” e popullit kundër pushtuesit, për t’i marrë pushtetin e për të çliruar vendin.”

Dhe në f.29 Elami vijon: “Duke i shërbyer okupatorit ata (Balli dhe Legaliteti, D.G.) nuk kanë qenë nacionalistë e patriotë, por kanë qenë armiq e tradhëtarë të atdheut…Kur personaliteti shkencor dhe intelektual vihet në shërbim të pushtuesit, ai është një tradhëta më i rrezkshëm se një tradhëtar i thjeshtë.”

Duke qenë se forcat e Ballit Kombëtar u bënë pjesë integrale e hitlerianëve, të cilën na e pohon vetë Sekretari i Përgjithshëm i Ballit, koloneli Faik Quku, detyrë që e mbajti deri në janar 1944, i cili në vëll. II të librt të tij: “Qëndreda shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, (Tiranë, 2006, f.367-368) shkruan: “Kah mesi i tetorit të vitit 1943, avokat Hiqmet Meçaj u thotë

eksponentëve të Ballit të Fierit se me armët dhe materialet e pakta që kishim ishte vështirë me i bë ballë komunistave dhe u propozon me i marrë nga gjermanët. Ai vetë shkon e takohet me gjeneral Uzzin, komandant i divizionit gjerman në atë zonë. Mbas tij shkon e takohet edhe Bektash Cakrani. Mblidhen rreth 10-15 eksponenta të Ballit të Fierit dhe vendosin me marrë armë e materiale prej gjermanëve për me luftue kundër komunistave. Kadri Cakrani dhe Eqrem Peshkëpia shkuan te gjeneral Uzzi dhe morrën prej tij gjithçka që kërkuan: 10 mijë armë, 500 mitraloza e dy autoblinda. Ky material u muer me mshehtësi natën, u depozitue në depot e Ballit dhe u dërgue në destinacionet përkatëse. Pesëqind armë iu dhanë Mehmet Alltunit, i cili formoi një baon (battalion) ballist në Kavajë, disa qindra armë iu dhanë Xhafer Balit dhe rreth 2 mijë forcave të Fierit, Mallakastrës, Lushnjës dhe Elbasanit. Gjatë këtyre ditëve, Kadri Cakrani dhe Qazim Shehu erdhën në Tiranë, te Komitet Qëndror, u takuen me Mid’hatin, Hasanin dhe mue dhe na njoftuen se për me i ba ballë rrezikut komunst kanë qenë të detyruem me marrë armë prej gjermanëve…Me heshtjen tonë e dhamë aprovimin, por edhe i porositëm me mbajt mshehtësinë ma të madhe. Asht për t’u shënue se Vlona e Mallakastra kanë qenë krahinat më ekstremiste të Ballit dhe pikërisht këto dy krahina kanë qenë të parat që kanë hy nën mbrojtjen gjermane dhe kanë bashkëpunue me gjermanët. Simbas një statistike, gjermanët kanë dhënë këto armë: Kadri Cakranit: 10 mijë armë (Fier); Jusuf Luzës, 2 mijë armë (Vlonë); Enver Risilisë, 300 armë (Vlonë); Ismail Golemit, 400 armë (Gjinokastër), Ibrahim Biçakut, 1 mijë armë (Elbasan); Azis Biçakut, 300 armë(nëpërmjet Ibrahim Biçakut, Zgozhdë-Çermenikë); Alush Leshanjakut, 800 armë (Krrabë-Elbasan).”

Që lufta për çlirim gjatë Luftës së dytë Botërore nuk ishte luftë civile, por thjeshtë luftë çlirimtare me elementë të vëllavrasjes, sikundër na e shpjegoi më lartë historiani Elami Hado, këtë e pranon edhe vetë udhehqja kryesore e Ballit në thirrjen e tyre: “Thirrje Nacionalçlirimtares”, të datës 26 tetor 1943, ku midis të tjerave thuhet: “Mjerisht Nacional-Çlirimtarja nuk ka dashtë t’u përgjigjet ndjenjave t’ona dhe sot realiteti i hidhun asht se vëllavrasja jo ka me fillue, vëllavrasja jo po fillon, porse vëllavrasja ka fillue.” Madje edhe Faik Quku, vëllimin e katërt të tij (tek libri i dytë) e ka titulluar: “Vëllavrasja”, f. 309.

Edhe Hasan Dosti, shoku i parë i Mid’hat Frashërit dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Ballit, në shënimet bigrafike që ai bën për Mid’hat Frashërin, në vitin 1951, thekson se lufta midis Ballit dhe Nacionalçlirimtare kishte karakter vëllavrasës dhe jo luftë civile, ku thotë: “Por mjerisht ndërhyn një faktor tjetër i madh: lëvizja komuniste. Kjo trubullon gjendjen, ndryshon gjerat dhe jep shkak në vëllavrase.”(Hasan Dosti,2008,f.158). Dhe po në atë libër të tij me kujtime, ai tregon të vërtetën se pse Balli iu bashkua hitlerianëve dhe jo Frontit Nacional-Çlirimtar: “Komunistët i propozuan BK bashkimin e forcave, ose së paku një marrëveshje për bashkërendim të operacineve ushtarake. Propozimi u bë shumë herë, dhe u bënë apele të vazhdueshme tue ndërhyrë pranë një numuri të madh miqsh tanë. Hezitimi i BK për marrëveshje mbështetej në kundërshtimin e Mid’hat Frashërit, ma i vendosuri kundër çdo marrëveshjeje me komunistët.”, (po aty, f.82).

Kësaj i thonë: “I zoti e jep, tellalli s’e shet”. Vetë udhëheqja e Ballit thotë: “luftë vëllavrasëse”, ndërsa pretenduesit e “luftës civile” na thonë: “Jo, e kanë gabim ata që luftuan, ajo ishte luftë civile”. Eja pastaj dhe besoi këta kapso historianë.

Sikundër dihet manipulimet për ta shtrembëruar karakterin çlirimtar të Luftës Nacional-Çlirimtare filluan kur në Shqipëri ndryshoi sistemi shoqëror, nga socializëm në kapitalizëm. Dhe ata përfituan nga fakti, se sjellja e qenieve njerëzore përcaktohet nga kushtet ku jetojmë, dhe me ndryshimin e këtyre kushteve, manipuluesit e historisë së asaj lufte janë përpjekur dhe po përpiqen të ndryshojnë edhe bindjet, edhe mendimet dhe veprimet e popullit për atë luftë, pasi

kanë marrë jo vetëm pushtetin, por edhe financa të jashtëzakonshme nga brenda e jashtë Shqipërisë. Qenia justifikon ndërgjen. Mjedisi është ai që përcakton njeriun, madje edhe atëhere kur ai e ndërron atë.

Dhe e gjithë kategoria e atyre që kanë dëshirë ta karakterzojnë luftën çlirimtare në luftë civile e dinë fare mirë këtë gjë, ndaj dhe kanë botuar me mijëra libra për ta shtrembëruar karakterin e vërtetë çlirimtar të asaj lufte çlirimtare, e që për fatin tonë të keq u bëjnë iso edhe shumë intelektualë ish-komunistë që deri dje na përbetoheshin për të kundërtën e asaj që shkruajnë e thonë sot. Pinjollët e ish-kolaboracionistave, duke qenë të mirëpaguar nga reaksioni i dikurshëm aleatë të Boshtit Romë-Berlin-Tokio, argumentat e tyre se gjoja LANÇ-i ishte luftë civile, është një shpikje për të justifikuar tradhëtinë e Ballit Kombatar e të Legalitetit, për të qëndruar në pushtet pushtuesi i huaj se vetëm në këtë mënyrë këto dy organizata politike nuk do t’i humbisnin privilegjet e tyre antipopullore. Dhe për ta mbuluar tradhëtinë e tyre, bënin patriotin, se gjoja Fronti Nacional-Çlirimtar nuk e donte Kosovën.

Por që ajo vëllavrasje u vijua edhe pasi u çlirua Shqipëria nga të huajt, nën parrullën-program: “lufta e klasave”, të cilës PPSH-ja iu rikthye ashpërsishtë në vitin 1966, në Kongresin V të saj, në vend që të bënte të kundërtën. Ai vendim ishte një faj fatal për vendin. Ishte fatal për vetë faktin se në atë periudhë kishte marrë hov zhvillimi i shoqërisë sonë në të gjtha fushat e jetës dhe, në vend që PPSH t’i përshtatej atij zhvillimi që e përgatiti vetë, me luftën e klasave që e rinisi nga e para, u shndërrua në pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, u shndërrua në dogmë, duke mos e kuptuar Marksin, i cili, qysh në fillimet e teorisë komuniste, në Manifestin Komunst, thoshte se Partia Komuniste nuk është e vetmia përfaqësuese e klasës punëtore. Pra, PPSH-ja, duke e mbajtur sistemin monist nëpërmjet përdorimit të forcës, “luftës së klasave”, dështoi në qëllimin e saj për zhvillim. Këtu filloi pakënaqësia e popullit që të rritej gradualishtë sepse u ndalua konkurenca në ide, në mendime, në pronë dhe ekonomi, pasi e tillë ishte politika moniste, e mohonte konkurimin në çdo lloj fushe progresiste.

Them se lufta e klasave ishte një faj fatal për vendin dhe një absurditet, edhe për faktin tjetër se të gjithë ata politikanë të Ballit, Legalitetit dhe të organizatave të tjera politike që u bashkuan me hitlerianët dhe që mund të tentonin të merrnin pushtetin pas lufte, ishin larguar bashkë me gjermanët. Kështu që, ç’pati PPSH-ja me ushtarët dhe simpatizantët e theshtë të tyre?!, pasi ata as që ia kërkonin dhe as që mund t’ia merrnin pushtetin PPSH.

* * *

Veç të tjerave, ajo që të tërheq vemendjen, si në asnjë vepër të mëhershme të kësaj gjinie letrare, është edhe dalja në pah, si me gjysëm zëri, se, si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e në vijimësi ka ekzistuar, por edhe ekziston një lloj lufte e heshtur fetare, midis ritit fetar ortodoks e atij bektashi në trevën e Kolonjës, të cilët janë përafërsishtë të barabartë në numur, por jo vetëm në Kolonë por edhe në gjithë jugun e Shqipërisë. Hera-herës ajo luftë ka nxjerrë kokë në forma të ndryshme, si psh: manipulimi dhe mospërmendia nga historia zyrtare e flamurmbajtësit dhe plagosja e rëndë e tij në krah të Koçi Bakos, e komunistit bektashi Muharrem Butka, (vëllai i Safet Butkës), në demonstratën e 8 nëntorit 1941 në Korçë; mohimi i prezencës në Konferencën e Pezës të përfaqësuesit të Kolonjës, Fetah Butka; apo të kënduarit prej tyre të këngës “O Safet vrave veten në halet”, kur Fetahu iu përgjegj thirrjes së Beqir Ballukut e Vasil Konomit dhe shkoi në Dardhë për të bashkuar forcat me brigadën e dytë partizane në luftë kundër gjermanëve në vjeshtën e vitit 1944; arrestmi në 29 Nëntor 1944 dhe dënimi fillimisht me pushkatim e më pas me burgim 25 vjet i Fetah Butkës nga Koçi Xoxe, vetëm pse i kishte thënë Ymer Dëshnicës një vit më herët: “Po këtë Koçi Xoxen si e keni ngritur kaq sipër? Kur grekët hynë në Korçë

babai i tij ka firmosur në një listë për bshkimin e Shqipërisë me Greqinë”; rrafshimi nga ortodoksët e Shtikës të gjithë shtëpive të Butkajve edhe pse ishte një fis patriotik denbabaden; apo pengimi i Fetah Butkës prej sekretarit ortodoks kolonjar të Enver Hoxhas për të mos e takuar atë, në vtin 1975, edhe pse Enveri kishte pranuar të vinte ta takonte, duke i thënë: “Kë të takoi shoku Enver? Butkën e Ballit, Butkën e Zjarrit” etj.

Këtë lloj lufte fetare historianët tanë nuk kanë guxuar deri sot ta trajtojnë, pasi është një patate e nxehtë, ku politika mashtron duke thënë se ekzistenca e shumë riteve fetare në Shqipëri ka qenë dhe është faktor uniteti, pavarësishtë se ajo luftë vijon të zhvillohet edhe sot në politikë e në pushtet. Gjë që do të thotë se e vërteta përkufizohet nga pikëpamja e forcës, ngaqë forca është parim mashkullor. Si rrjedhojë, përkufizimet zyrtare për të vërtetën e këtij “faktor uniteti” mbizotërohen nga përkufizimet individuale të të fuqishmëve politikë, edhe pse mënyra se si e shohin ata të vërtetën e këtij uniteti bie ndesh me mënyrën se si e shohin atë të tjerët. Ndoshta do të tingëlloi si imagjinare, por lufta fetare sot në Shqipëri midis katër riteve tona fetare përfaqësohet nga tre partitë kryesore, pavarësishtë se maskohet nga propaganda e mediave të tyre. Këtë nuk duan ta pranojnë vetëm militantët profiterë të tyre. Vetëm rreziku i jashtëm i ka bashkuar shqiptarët në të shumtën e rasteve, ngaqë e kanë të qartë se nëse nuk gjejnë në këto raste një gjuhë të përbashkët, do të përfundojnë në një varr të përbashkët.

* * *

Përfundimisht mund të themi, se kjo vepër letrare e Ylli Polovinës është tërësishtë një trajtesë historike e mbështetur kryesishtë në burime të reja, natyrisht edhe me interpretime të reja.

Përmes kësaj vepre letrare mësohet drama e gjatë e fisit Butka nga ky fshat shumë i vogël i kazasë së Kolonjës, me 12 shtëpi, në të cilën kemi të bëjmë me një fushë ngjarjesh tragjike, ku shënohet dëndësia më e madhe e historisë së kësaj krahine, e cila tregon se jo vetëm krahinat e mëdha e të vogla të Shqipërisë lëngojnë nga tepëria e historisë, por bëjnë edhe bujë duke na u shfaqur të mëdhenj në një drejtim të caktuar; ndërkohë që popujt e tjerë të Ballkanit bëjnë paqe konform interesave të tyre e në dëm të kombit tonë.

Kur mbaron së lëxuari këtë vepër letrare të lindin një sërë pyetjesh: Nga rrjedh kjo nevojë për ta shqyrtuar vazhdimisht të kaluarën tonë? Pse historia e jonë shkruhet herë pas here nga e para? Cilat janë arsyet ideore dhe ideologjike për rishkrimin dhe ritrajtimin e ngjarjeve që kanë ndodhur?

Dhe, Ylli Polovina, përmes kësaj vepre na krijon mundsinë që duke ia drejtuar këto pyetje të kaluarës së gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, lexuesi të marrë përgjigje për të tashmen. E për këtë qëllim, ai ka bërë një regjistrim të atyre ngjarjeve të rëndësishme që lidhen me fisin Butka por edhe me gjithë Kolonjën – bën pasqyrimin e vuatjeve dhe të shpresave të tre brezave të atij fisi historik – në të kaluarën njëqindvjeçare, duke na thënë se ato kanë një domethënie dhe një rëndësi jetike për gjithë aktualitetin tonë. Autori, përmes këtij libri, kërkon të na thotë, se sa më mirë që ta njohim të kaluarën tonë, aq më e madhe bëhet sasia e përvojës sonë, e kështu edhe mundësitë për vendime, pra, mundësitë për një zhvillim më racional e më njerëzor.

Tiranë, 26 maj 201

Shkruan: Dilaver Goxhaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu