Historianët britanikë: Sali Berisha kishte plan krijimin e një ushtrie paralele me ndihmën e serbëve

0
281

Salo

Të tjera informacione dhe fakte dalin në dritë për tentativat e Sali Berishës, për të marrë me dhunë pushtetin në vitin 1998. Dy historianët britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, në librin “Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit” (The Albanian Question: Reshaping the Balkans), kanë rrëfyer planet e ish-Presidentit për të ndërtuar një ushtri në Veri të vendit me qëllim goditjen më pas të qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano.

Sipas tyre, plani për rrëzimin e qeverisë kishte nisur nga Shkodra, ku ishte duke u ngritur një ushtri me rreth 500 persona. “Burimet e Shërbimit Informativ kishin marrë njoftime se aktualisht ishte duke u përgatitur një lloj grusht shteti për të rrëzuar qeverinë. Kishte gjithashtu njoftime për ekzistencën e një të ashtuquajture “Ushtria Çlirimtare Antikomuniste” në Shkodër, e cila ishte duke rekrutuar dhe stërvitur një forcë pro demokratëve me rreth 500 njerëz në përgatitje për një mësymje ndaj Tiranës”, theksohet në librin e dy historianëve britanikë. Më tej ata kanë bërë publik dhe planin që ishte hartuar në atë kohë për të goditur qeverinë. Sipas burimeve të shërbimit të zbulimit, veprimet e armatosura pritej të fillonin nga mesi i shtatorit. Skenari i parashikuar ishte që disa qindra njerëz të armatosur do të niseshin nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Ata do të bashkoheshin me forcat e tjera, kryesisht nga rrethet e Tropojës, Kurbinit, Krujës dhe me mbështetësit e PD të vendosur rishtaz në periferi të Tiranës.

Shteti paralel në Lazarat

Teksa Sali Berisha ishte duke planifikuar goditjen e qeverisë me grupe të armatosura nga Veriu, i druhej një reagimi nga Jugu i vendit, të cilët sollën dhe trazirat e vitit 1997 dhe për pasojë rrëzimin e tij nga pushteti. Megjithatë “Asi” në mëngë i tij ishte Komuna e Lazaratit, banorët e së cilës ishin jashtëzakonisht mbështetës ndaj PD. “Me qëllim parandalimin e ndonjë reagimi nga jugu, forca të tjera duhej vënë në lëvizje në Kavajë, në bastionin e PD, në jugperëndim të Tiranës, ndërkohë që rrugët kryesore që të çonin në Greqi duhej të bllokoheshin nga fshati rebel dhe vendosmërisht pro-Berishës, Lazarati në periferi të Gjirokastrës. Lazarati nuk u vu asnjëherë nën kontrollin e qeverisë që nga marsi 1997 dhe funksiononte në trajtën e një minishteti të armatosur dhe të mirëorganizuar të PD në Jug të Gjirokastrës”, vijohet më tej në libër. Sipas historianëve britanikë, qëllimi i vetëm i të tilla grupimeve ishte pushtimi i institucioneve të larta të shtetit dhe përmbysja e qeverisë së Fatos Nanos. Veprimet e armatosura do të kulmonin më pas me një tubim madhështor në sheshin “Skënderbej në Tiranë.

Reagimi i Neritan Cekës 

James Pettifer dhe Miranda Vickers kanë deklaruar se qëllimi i Sali Berishës dhe turmave pro tij ishte të krijonin përshtypje pozitive te vëzhguesit ndërkombëtarë se do të bëhej një kryengritje popullore kundër rrezikut të një diktature neokomuniste. Por shkrimtarët kanë përshkruar në libër dhe një deklaratë të Neritan Cekës, i cili dyshohet se raportoi te ndërkombëtarët. “Ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, tha se nuk kishte prova të plota që pas këtij plani qëndronte shërbimi i fshehtë jugosllav, pavarësisht se nuk mund të thuhet që ishte një skenar jorealist. Mund të kishin lidhje me këtë plan masat e rrepta ushtarake dhe policore në Kosovë gjatë pranverës dhe fillimit të verës”, janë shprehur dy historianët. Më pas ata kanë treguar dhe bashkëpunimet e Sali Berishës me Kosovën për të përmbysur qeverinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu