Hoxha: Kemi shumë fakte kundër anglezëve që nuk donim t’i zbulonim

0
125

Deklaratat e kryeministrit komunist dy muaj pas incidentit, duke fajësuar anglo-amerikanët

Në mesazhin e përshëndetjes drejtuar popullit shqiptar, në 31 dhjetor 1946, kryeministri Enver Hoxha i kushton një pjesë të madhe incidentit në kanalin e Korfuzit, duke akuzuar britanikët dhe amerikanët se po mbanin një qëndrim jo të denjë për një popull që ishte çliruar vetë nga pushtimi fashist.

 

Një zhvillim i tillë përparimtar në Republikën Popullore të Shqipërisë ku ekziston një regjim thellësisht demokratik dhe që përfaqëson gjakun dhe sakrificat tona, aspiratat qindravjeçare të popullit tonë të vogël, që ka vuajtur të zezat e ullirit nga shtypësit e huaj dhe të brendshëm, nuk u pëlqen rretheve reaksionare të jashtme dhe disa qeverive të popujve aleatë të Perëndimit në mes të të cilave asaj angleze dhe amerikane:

Kundrejt popullit tonë të vogël, demokrat dhe paqësor që luftoi me heroizëm kundër fashizmit, këto dy qeveri mbajnë një qëndrim jo të denjë për popujt e tyre. Politika e qeverisë amerikane kundrejt vendit tonë ka qenë një politikë notash diplomatike të pareshtura, me frymë kërcënuese, me ton frikësues dhe aspak miqësor: Qëndrimi i saj kundrejt të drejtave legjitime të popullit tone ka qenë kurdoherë negativ dhe aspak i drejtë.

Zyrtarët e saj në Shqipëri jo vetëm që s’kanë treguar një frymë miqësore, por u ka munguar dhe korrektesa kundrejt një populli sovran. Qëndrimi i qeverisë angleze ka qenë veçanërisht fyes dhe jomiqësor.

Frymës miqësore që u është treguar në çdo çast nga ana jonë ata i janë përgjegjur me një sëri notash plot shpifje dhe provokacione, me një sëri aktesh arbitrare, kërcënuese, frikësuese.

Anijet e qeverisë britanike për tri herë rresht, në mënyrë brutale kanë shkelur sovranitetin e vendit tonë, ato kanë krijuar apostafat incidente në det për ta akuzuar popullin tonë për gjëra që ai s’ka as më të voglën përgjegjësi.

Qeveria angleze e akuzon qeverinë shqiptare se gjoja kjo ka vënë mina në kanalin e Korfuzit dhe këtë e bën për t’i krijuar vendit tonë pengesa në të drejtat e tija në lëmin ndërkombëtar, për t’i kërkuar dëmshpërblime e të tjera gjëra të tilla.

Qeveria britanike kanoset se do ta çojë çështjen e incidentit në kanalin e Korfuzit në
Këshillin e Sigurimit. Qeveria shqiptare çështjen e shkeljes së sovranitetit të saj për tri herë rresht nga ana

e anijeve britanike e ka çuar më parë se qeveria angleze.Nnë Këshillin e Sigurimit dhe ne kërkojmë që të shqyrtohet sa më parë kërkesa jonë. Ne jemi gati të shkojmë në Këshillin e Sigurimit pse kemi shumë gjëra për të thënë dhe për t’i treguar botës.

Këto fakte, për hir të miqësisë që na lidh me popullin anglez, ne nuk kemi dashur kurrë t’i zbulojmë, por ju siguroj se bota e përparuar do të çuditet, do të çuditet dhe populli anglez vetë me gjestet dhe veprimtarinë e zyrtarëve të tij kundrejt Shqipërisë.

Nga ana jonë kemi bërë çmos dhe do të vazhdojmë që të arrihen marrëdhënie të përzemërta në mes të popullit tonë dhe popujve miq e demokratë amerikan dhe anglez, me të cilët na lidh një miqësi e vjetër që u përforcua gjatë kohës së luftës së përbashkët.

Populli shqiptar dhe qeveria e tij dëshiron të kenë marrëdhënje të përzemërta me të gjithë shtetet, qofshin këta të largët ose fqinjë. Qeveria shqiptare e frymëzuar nga këto qëllime, me kënaqësi e pranoi vendimin e Këshillit të Sigurimit për dërgimin e një komisioni për hetime në Greqi

(është fjala për Komisionin hetimor që u krijua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 19 dhjetor 1946, për të hetuar gjendjen në Greqi-shënimi i redaksisë), pse ky është vendim i një instituti të lartë ndërkombëtar për të cilin populli ynë ka respekt.

Ne do t’i japim çdo ndihmë që të kërkojë në rast se ai do të vijë në Shqipëri, ne s’kemi asgjë për të fshehur pse punët tona dhe qëndrimi ynë kundrejt Greqisë kanë qenë kurdoherë të qarta dhe shpifjet e akuzat që i bëhen vendit tonë s’kanë asnjë themel.

Nga ditari i anijes flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës

Versioni anglez, minat i vendosën shqiptarët

Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan. Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët.

Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët tanë. Më 10 nëntor 1946 qeveria angleze njoftoi qeverinë shqiptare, ndërsa më 12 nëntor 1946 nisi operacionin për çminimin e bregdetit të Shqipërisë.

Me skuadronin e 15-të të Flotës Angleze, i përbërë nga aeroplanmbajtëse, kryqëzorë, fregata, nëndetëse, minahedhëse, të komanduara nga admirali Konnahan filluan lundrimin nga Butrinti në Karaburun; gjë të cilën e përsëritën edhe me 13 nëntor 1946.

Tytat e të gjitha armëve e gati për zjarr, në mënyrë provokative i kishin i drejtuan drejt bregut tonë. Thanë një herë se në distancën 3 milje gjetën një minë, pastaj dhe 22 të tjera, duke thënë se i hoqën.

Akuzat e anglezëve në Hagë ishin se: Minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë dëmtimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë. Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt. Rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjësinë penale.

Në funksion të fajësimit të Shqipërisë për vendosjen e minave në kanalin e Korfuzit, anglezët kishin përgatitur e sjellë në gjyq dhe një dëshmitar jugosllav, i quajtur Kovaçeviç.

Ai në gjyq dëshmoi se në mbrëmjen e datave 17 tetor 1946 dhe 18 tetor 1946, ai kishte parë dy anije në portin e Shibenikut që ngarkoheshin me mina, udhëtuan drejt jugut, por nuk e dinte destinacionin. Gjykata Ndërkombëtare dërgoi një komision për të verifikuar këtë dëshmi në Shibenik, por arriti në konkluzionin se dëshmia e Kovaçeviçit ishte e rreme.

Gjykata e Hagës pranoi shkeljen e sovranitetit, por fajësoi Shqipërinë

Dy çështjet që diskutoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ishin se a kishte përgjegjësi Shqipëria për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim dhe se a e kishin dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë?

Megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin. Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që do t’iu shpërndahej proporcionalisht shteteve të cilave Gjermania iu kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu