Hydajet Hyseni: Pranvera ‘ 81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve kombëtare dhe pararendëse e epopeve që kulmuan me UÇK-në

0
213

Më lejoni që duke Ju përshëndetur juve të gjithëve, në emër të SHBPK dhe KO  për shënimin e 30 vjetorit të  demonstratave  të vitit  1981, duke përshëndetur  pjesëtarët e familjeve të heronjve dhe  dëshmorëve të kombit, invalidët dhe veteranët e luftës; duke përshëndetur  përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës , me mbështetjen e së cilës organizohet kjo veprimtari; duke përshëndetur përfaqësuesit e institucioneve tjera  të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesit e  segmenteve tona shoqërore, publike, kulturore e qytetare, të përshëndesim, kësaj radhe në mënyrë të veçantë , plejadën studentore të vitit 1981, plejadën nismëtare atdhetare  të lëvizjes që u pagëzua me të drejtë “Pranvera shqiptare 81”, plejadën e cila jo vetëm  luajti një rol të rëndësishëm  në fazat e deritashme çlirimtare dhe dha plejadën e parë të dëshmorëve të lirisë pas Luftës së Dytë Botërore, por vazhdon të jetë edhe sot faktor me përkushtim dhe me  ndikim të pamohueshëm edhe në përpjekjet aktuale  shtetformuese, demokratizuese e integruese. >>>

Në historinë tonë të re, 11 marsi 1981 dhe gjithë pranvera  81, shënojnë një kthesë të rëndësishme historike. Kjo kthesë  erdhi natyrshëm si vazhdimësi dhe rezultantë e përpjekjeve të deriatëhershme çlirimtare  e demokratike dhe bazë e fortë e gjakimeve  të mëpastajme, që kulmuan me epopenë e lavdishme dhe fitimtare të Ushtrisë sonë Çlirimtare dhe lirisë që gëzojmë sot.>>>

Në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar  i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj.

Pa shkuar me larg. Fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë sollën një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Rënia e Rankoviqit, amandamentet kushtetuese, Universiteti, Flamuri kombëtar…etj, përjetoheshin si fillim i lirisë e madje diku-diku, edhe si liria vetë. Nga goja e udhëheqjes së atëhershme politike bashkë me demagogjinë shitej me bollëk edhe eufori boshe…Madje edhe midis atdhetarëve të dëshmuar hasej ngazëllimi: “e fituam!” Të tjerët, zakonisht brezat rinorë që po gufonin mendonin ndryshe: -“Jo, është një ndryshim, një e arritur por nuk e kemi fituar ende, do kohë, punë e përpjekje të reja liria e vërtetë.”

Shovinizmi dhe shërbëtorë e tij nuk jepeshin lehte. Adem Demaçi me shokë, ata që i kishin shtruar e kishin luftuar për këto të drejta e liri, vazhdonin të vuanin burgun serbomadh…

Shpërtheu natyrshëm Nëntori pranveror i gjashtëdhjetetetës: Në rrugë e sheshe me demonstratë, por edhe nëpër auditorë, media e debate intelektuale e akademike, kërkohej Liri e Barazi. Barazia atëherë e kishte emrin Vetëvendosje, Republikë, Kushtetutë… Kërkesës për lirimin e atdhetarëve të burgosur iu dha përgjigjja me burgosje e dënime të reja..Edhe ndonjë ndryshim pozitiv, por edhe shumë premtime e demagogji. Doli edhe një farë propozimi për Republikë. Aty këtu edhe ndonjë porosi nga lart:” kërkoni Republikë! Priten ndryshime kushtetuese…”

U desh të pritej tetë vjet deri sa u miratua Kushtetuta e Re RSFJ-së. Kosova lëvizi pak. Njëfarë  autonomie,  Kushtetutë… Të drejta të reja…. Por jo republikë, Jo barazi. Po, njëfarë elementi konstituiv i Federatës,por serish ne përbërje te Serbisë… Nga lartë tani vinin porosi: “mirë është. Harrojeni republikën. Harrojini të tjerat.. Është autonomia.  Është substanca. Janë kompetencat… Faktikisht jemi Republikë. Shpejt do të jemi edhe formalisht…Vetëm  ta kultivojmë  dhe forcojmë patriotizmin socialist jugosllav…”

Në një anë, sërish entuziazëm e eufori me demagogji e naivitet bashkë.. Në anën tjetër, sërish kryesisht midis të rinjve zhgënjim e zemërim i ri… Kurse Adem Demaçi me dhjetëra shokë ende pa u liruar mirë  burgoset e dënohet  përsëri pa asnjë fakt, në një nga proceset e shumta të kurdisura politike. Një oligarki politike e dehur nga postet, favoret e privilegjet. Një kastë politike, burokratike e pseudo intelektuale që po bëhej copë për pasuri e luks, në kohën kur kriza ngulfatëse ekonomike, politike e sociale mbi Kosovën dhe popullin e saj po rëndonte shumëfish. Varfëria shtohej. Pabarazia me te tjerët thellohej…

Ndërkaq,në qendrat strategjike serbomëdha, në faqet e të ashtuquajturit Libër i Kaltër, po përvijohej strategjia e zezë antishqiptare e rrëmbimit edhe të asaj gjysmë autonomie që i ishte njohur Kosovës. Në periudhën postitoiste që po pritej, zgjidhja gjysmake, as-as, nuk mund të mbahej. Kush nuk vete para, vete pas thotë, fjala. Derisa kreu politik i Kosovës  vazhdonte gjumin dimëror i dehur nga rakia e vetëkënaqësia, nga privilegjet, favoret, luksi e pasuria përrallore, sërish ishte rinia, ishte vegjëlia ajo që lëvizi dhe e lëvizi Kosovën. Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, e cila edhe përkundër goditjeve të rënda e të njëpasnjëshme, edhe përkundër rënieve të njëpasnjëshme, po ringjallej dhe po gufonte sërish. Grupe e organizata të ndryshme, të organizuara, gjysmë të organizuara ose edhe spontane e të vetë organizuara, me emra të ndryshëm e me forma të ndryshme organizimi, por me synim kryesisht të njëjtë e të përafërt, po e ngrinin përsëri flamurin e luftës për liri e barazi. Shqipëria nuk përzihej ne punët e brendshme të të tjerëve, por bënte pune e saj… Mërgata shqiptare po çlirohej nga klubet jugosllave dhe po behej transimision i rëndësishëm  dhe shumedimensional  me boten perëndimore.

Dhe shpërtheu. Shpërtheu siç shpërthen pranvera.  Me lule të mbjella dhe me lule që mbijnë vete, gjithkund ku gjejnë pak kushte e hapësire. Kur  mbushet kupa edhe derdhet. Edhe përmbyset…Vrulloi në mars për të kulmuar në prill. Sërish Barazia e kishte emrin Republikë. Republikë ishin të tjerët përreth. Jo zgjidhja më e mirë e më e drejtë, por zgjidhje kompromis. Republikë e vetëvendosje pa ia lidhur duart së ardhmes. Dhe me mundësi për zgjidhje edhe më të avancuar. Motoja “jemi shqiptare nuk jemi jugosllave”,”Jemi shqiptare dhe asgjë tjetër!” paralajmëronte fundin e filozofisë dhe strategjisë së  patriotizmit jugosllav dhe ingjinjeringut pan(jugo)sllavist dhe strategjisë se krijimit të një identiteti të ri nacional këndej a andej kufirit shqiptaro-shqiptar. Sllogani “Vetëvendosje e Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, paralajmëronte edhe strategjinë e ardhshme, gjithnjë në frymën e porosisë së Sami Frashërit ta kërkojmë më të mirë por edhe pushkën ta kemi plotë. Sërish kërkesë për lirimin e të burgosurve të shumtë politike dhe sërish përgjigja me dhunë e represion, plumba, bomba gaz lotsjellës, tanke e autoblinda, burgosje, tortura shtazarake, dënime drakoniane. Sërish diferencimi, bojkotimi, lufta speciale… UDB-ja e Kumrovci në veprim. Një makineri e rëndë politike, represive e propagandistike. Shovinistë, spiun e skllevër të kënaqur bashkë. Një agresivitet i paparë kolaboracionist me egërsi të skajshme ndaj atdhetarëve e çlirimtarëve që e lë në hije edhe vetë Kuislingun, me synimin për të dëshmuar lojalitetin ndaj qendrës në Beograd, aty këtu edhe me iluzionin se në këtë mënyrë do të fitohej farë kapitali politik a farë kothereje mëshiruese për Kosovën e përdhunuar. Një harangë totale që vetëm popuj me shpirt të pamposhtur patriotik e liridashës dhe vetëm lëvizje të mirëfillta çlirimtare e demokratike mund ta përballonin.

 

Armatën e Nishit         O, djemtë e Kosovës

E kishit në shpinë        Nënat, qysh u qanë?

Përballë U.D.B-në         Kur u mori plumbi,

Në zëmër lirinë            Kush u ndodhej pranë?

 

Kështu shprehej, qysh atëherë, kënga polifonike poshtë në Toskëri.

 

Pranvera 81 i kushtoi shtrenjtë Kosovës dhe popullit të saj, por ajo, bashkë me “Solidarnostin” e Polonisë në fakt ishin dridhjet tektonike që paralajmëronin dhe fillonin procesin e ndryshimeve të thella në këtë pjesë të Evropës. Nëe lëvizje që lëvizi Kosovën, Një lëvizje që lëvizi proceset. Pranvera 81 jo vetëm që e afirmoi dhe e ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur të Kosovës, por edhe e shkundi ,e  pajtoi, e bashkoi , e përgatiti dhe e kaliti shpirtërisht dhe politikisht Kosovën për sfidat e ardhshme që po vinin. Pranvera 81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme kombëtare e demokratike dhe njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me Ushtrinë Çlirimtare dhe luftën e saj fitimtare që pos tjerash i siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veri atlantike.

30 vjet më vonë ,fale sakrificave  dhe privacioneve të shumta e të dhembshme dhe falë mbështetjes së botës  liridashëse, paqedashëse  dhe demokracidashëse, Kosova dhe kauza e saj është  30 shkallë më lartë dhe po aq më afër  cakut të synuar… Ka tre përvjetorë me radhë që  Kosova i pret si  republikë, në pjesën e saj dërrmuese e lirë , e pavarur, sovrane ,në rrugë të  zgjerimit dhe kompletimit të njohjes ndërkombëtare, në rrugë të krijimit të parakushteve për një integrim edhe me te shpejtë  të Kosovës në familjen e evroatlantike. Aktualisht zgjidhja e ka emrin shtet i pavarur dhe sovran, si të tjerët përreth. Dhe sërish është zgjidhje kompromisi. Dihet cila do të ishte zgjidhja më e mirë për një popull të ndarë e të copëtuar pa asnjë të drejtë. Ka lëvizur përpara, por ja sa e si duhet edhe Shkupi, Tetova, Struga e Kërcova, ka lëvizur edhe çështja e shqiptareve në Mal të Zi, ka lëvizur diç, edhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës por mbetet ende plagë e hapur që do shërim.  Gjithandej gjakim për liri e barazi .Gjakim për integrim ndërshqiptar dhe për integrim evroatlantikl. Në kontekstin e globalizimit dhe  proceseve integruese  në Evrope, barazia  mund të marrë edhe emra tjerë më globalë dhe më integrues. Si të tjerët përreth.  Arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat.

Dhe sërish në një anë dehja, eufori e vetëkënaqësi, përzier me prirjen e babëzitur për të zhvatur, grabitur e kollofitur ende në embrion shtetësinë e brishtë të Kosovës së re, në anën tjetër sërish zhgënjim, mllef e zemërim të njerëzve që kanë sakrifikuar e humbur shumë që kanë pritur shumë më shumë edhe për Kosovën dhe çështjen e saj por edhe për vetë dhe familjet e tyre. Parulla Kosova Republike tani tingëllon e vjetër  dhe e tejkaluar, por sloganet:” kushte për punëtorët!”,” kushte për studentet!”,” çmimeve stop!”,” Trepça është jona!”,” Kosova është jona!”, “Kosova kosovarëve!”  “Liri për Preshevën!”…” Jemi shqiptare dhe jo jugosllavë!”, “Jetën e japim , flamurin jo!…”,etj.,etj, tingëllojnë aktuale edhe sot, në Kosovën e pavarur…

Pranvera e vitit 81, ashtu si edhe epopetë çlirimtare para e pas saj kishin edhe një slogan: “Bashkim! Madje edhe kush s’bashkohet është tradhëtar” Sot si edhe 30 vjet me parë, Kosovës i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i ideve, energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme, sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës ‘81 të mos na gjejnë më zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me cfilitje sociale, por të na vijnë gjithmonë pranverë me festë dhe të jenë gjithnjë  e me shume festë

Historia nuk u përsëritet vetëm atyre që  nxjerrin mësime nga ajo.

Rroftë pranvera shqiptare!

Ju faleminderit

 

Kadri Rexha: Demonstratat e vitit 1981 si Refetrendum i shkruar me gjak

Më 11 dhe më 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat nga studentët në Universitetin e Kosovës. Vetëm pas pesë ditësh, më 1 e 2 prill, si edhe gjatë ditëve të tjera të atij muaji, demonstratat e para u pasuan me demonstrata të reja. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm, si deti në baticë, dhe kështu zbrazi pezmin, revoltën dhe urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë serbe. Në demonstrata masive u ngrit Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Besiana, Drenasi, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja, Burimi, Deçani, Gjakova, Kaçaniku, Theranda, Lypjani, Kastrioti dhe pothuajse të gjitha lokalitetet e Kosovës. Në demonstrata morën pjesë studentët, punëtorët, fshatarët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë etj. të cilët kështu formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak. Përveç kërkesave ekonomike, demonstruesit shtruan edhe kërkesa politike, duke kërkuar liri dhe të drejta demokratike. Në kuadër të së drejtës së ligjshme të popujve për vetëvendosje, përmes demonstratave në rrugë, populli i Kosovës kërkoi statusin e republikës në kuadër të federatës jugosllave. >>>

Në vazhdimësinë e përpjekjeve, luftërave dhe qëndresës shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, demonstratat e pranverës së vitit 1981 shënojnë njërën ndër faqet më të ndritura dhe më të rëndësishme të historisë sonë të re. Si ngjarje kthesash të mëdha historike dhe shoqërore, ato shprehin sintezën e vetëdijes dhe virtyteve më të larta morale e patriotike të rinisë shqiptare dhe aspiratat shekullore të popullit tonë të lashtë. Duke ndikuar fuqishëm në faktorin e brendshëm, në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në shkallën më të lartë, si dhe në faktorin e jashtëm, pra, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së Kosovës në veçanti, ato në horizontin mbarëshqiptar e hapën një shpresë të madhe dhe një perspektivë të re.

Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen si protesta mbarëpopullore të shqiptarëve kundër një gjendjeje të padurueshme shtatëdhjetëvjeçare që mbretëronte në Kosovën e ndarë me dhunë nga trungu i atdheut, në Kosovën e pushtuar, në Kosovën e robëruar dhe të terrorizuar nga okupatori serb. Demonstratat ishin rebelim dhe kryengritje e një populli kundër shtypjes kombëtare, kundër diskriminimit social dhe shoqërorë, kundër eksploatimit të egër të pasurive natyrore dhe të trajtimit të Kosovës si burim lëndësh të para, apo thjeshtë, si zonë koloniale serbe… kundër varfërisë dhe mjerimit të skajshëm të popullit, kundër padrejtësive thelbësore politike dhe ekonomike, kundër zbatimit të gjenocidit dhe të papërspektivës kombëtare të popullit shqiptar.

Që të ngrihej në demonstratat e vitit 1981 popullit shqiptar iu dasht të kalojë një rrugë të mundimshme shtatëdhjetëvjeçare, e cila kaloi përmes ferrit dhe golgotës politike dhe ushtarake serbe, përmes masakrave individuale dhe atyre kolektive, përmes varrezave individuale dhe varrezave masive, përmes djegëjeve të katundeve dhe shkretërimit të krahinave të tëra, përmes të ndërrimit të fesë me dhunë dhe të çkombëtarizimit masiv, përmes dëbimit nga vatrat shekullore dhe gjenocidit mbi qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit, përmes masakrave të pashembullta në Drenicë e në Gjilan, në Llap e në Ferizaj, në Tetovë e në Burim, në Pejë e në Gjakovë, në Mitrovicë e në Prizren, në Tivar e në Srem, përmes vrasjes me uri në emër të tepricave, përmes kolektivizimit, përmes aksioneve për mbledhjen e armëve, përmes shpërnguljeve me dhunë, përmes ndalimit të flamurit dhe simboleve kombëtare, përmes ndalimit të gjuhës dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare…

Në këtë rrugë të gjatë dhe të rëndë të qëndresës së paepur, popullin shqiptar e mbajti të papërkulur vetëdija e lartë kombëtare e përkatësisë shqiptare, vetëdija e lartë e një populli të lashtë autokton, vetëdija e një populli që në trojet e veta nuk ishte as ardhës dhe as pushtues, por zot i tyre që nga stërgjyshet Ilirë e këndej, zot legjitim i tyre me bekimin tokësor të Hyjit ilyrian dhe me bekimin hyjnor të Zotit fuqiplotë. Në këtë rrugë vuajtjesh të shumta dhe krajatash të padurueshme popullin shqiptar e mbajti gjallë në jetë ideja e pashuar e lirisë, e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar. Pra, popullin shqiptar e mbajti gjallë e të papërkulur puna dhe veprimi i pandërprerë, shpresa dhe besimi i patundur në fitore të sigurt dhe në një ardhmëri të ndritur. Kështu, deri në muajt e parë të vitit 1981, atëherë kur thika serbe kishte depërtuar deri në ashtin e një populli, atëherë kur durimit të padurueshëm i kishte ardhë fundi, atëherë kur një popull kishte ardhë në përfundimin sublim se liria dhe pavarësia i tejkalon të gjitha vlerat e kësaj bote, se liria dhe pavarësia janë më të shtrenjta se vetë jeta.

Populli shqiptar nëpërmjet demonstratave të vitit 1981, nëpërmjet qëndresës heroike dhe demonstratave të tjera të përgjakshme që do të pasojnë nga viti në vit, deri në epokën e lavdishme të UÇK-së, kur me vendosmëri ia ktheu pushkën Serbisë, bindi mbarë botën liridashëse se pa zgjidhjen definitive të problemit shqiptar në mënyrë pozitive kurrë nuk do të ketë paqe dhe qetësi në rajon e as në Evropë. Duke u bërë ballë në mënyrën më të qytetëruar të gjitha kryqëzatave mesjetare dhe moderne serbe, që qëllim të fundit kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta dhe serbizimin e Kosovës, populli shqiptar fitoi jo vetëm admirimin e njerëzve liridashës, por edhe përkrahjen e pa rezervë të opinionit ndërkombëtar.

Pra, demonstratat e vitit 1981, në qenien, në mendimin dhe në veprimin e popullit shqiptar do të hyjnë si një vit i madh tronditjesh të fuqishme, në vetëdijen e të cilit do të zgjojnë njëherë e përgjithmonë mekanizmin e moçëm të luftës për jetë a vdekje, e që do të drejtohet ndërgjegjshëm drejt sendërtimit të pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Sinonim sublim i të gjithë këtij rezultati është vepra madhështore dhe e pavdekshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi e drejtpërdrejt e idealeve të demonstratave mbarëpopullore të vitit 1981.

 

 

Prezantimi dhe injorimi i  30-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në mediet e Kosovës

 

Edhe pse shënimi i 30-vjetorit të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981 është përvjetor është jubilar dhe tejet i rëndësishëm për historinë tonë më të re, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, qasja ndaj kësaj pjese të historisë së Kosovës vazhdon të jetë e ndryshme, sidomos në mediumet e shkruara dhe elektronike të vendit tonë.  Gazetat dhe portalet  me prejardhje  dhe përmbajtje nga ideologjia titiste jugosllave nuk e kanë shënuar me asnjë fjali këtë përvjetor jubilar, ndërsa disa gazeta dhe portale të tjera i kanë dhënë rëndësi këtij përvjetori dhe kanë paralajmëruar aktivitetet që do të zhvillohen gjatë marsit, prillit dhe majit të këtij viti, në nderim të martirëve të vitit 1981.

 

Portali, Koha net nuk e ka prezantuar fare këtë ngjarje, për më tepër ( Koha net nuk e ka prezantuar as lajmin mbi kritikat që iu kanë bërë Dik Marti nga eurodeputetët, edhe pse ky portal është shumë i shpejtë në afishimin e lajmeve).

Bota sot nuk e ka përmendur fare  11 Marsin e vitit 1981.

Zëri, në një shkrim ankohet dhe i drejton kritika qeverisë për anashkalim të këtij jubileu edhe pse aktivitetet me rastin e 30-vjetorit janë organizuar nën patronatin e Qeverisë.

Ekspressi nuk e ka trajtuar fare.

Portali “telegraf” nuk e ka përmendur fare.

Gazeta Kosova sot nuk e ka prezantuar asnjë rresht.

TV 21 ende nuk ka dhënë  asnjë lajm për këtë përvjetor.

Infosot, asnjë lajm për përvjetorin jubilar të demonstratave të vitit 1981

Kosovapress, nuk ka afishuar lajmin lidhur me aktivitetet që do të zhvillohen sot lidhur me këtë përvjetor.

Portali Zhurnal nuk ka prezantuar lajmin  për aktivitetet me rastin e 30-vjetorit të demonstratave të 11 marsit të vitit 1981.

 

30-vjetori jubilar është prezantuar në mënyrë meritore në portalin e Radios-Kosova e lirë me informata, shkrime dhe vështrime të ndryshme.

Gazeta lajm ka sjellë një shkrim lidhur me këtë përvjetor.

Gazeta Epoka e Re

RTK një lajm të shkurtër

Portali Pashtriku. Com.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu