I dënuari përjetë në SHBA: Më spiunuan shokët shqiptarë

0
109

Gazeta Shqiptare” nis sot ciklinme shkrime nga shtypi amerikan, kushtuar krimit të organizuar me origjinë nga vendi ynë, që ka vepruar dhe vepron ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht, në SHBA po zhvillohen gjyqe të bujshme të grupeve të akuzuara për vrasje, trafik droge e një serë krimesh të tjera, ndërkohë që shumë anëtarë të bandave tashmë kanë marrë dënimin, shumica me burgim të përjetshëm dhe po e vuajnë atë në burgjet amerikane. Kush janë personazhet më të spikatura të rrjeteve kriminale shqiptare përtej Atlantikut? Çfarë tregojnë ata për jetën dhe veprimtarinë e tyre? Gazetarët amerikanë shkruajnë me hollësi për disa prej këtyre personazheve, madje edhe duke organizuar takime e intervista në burg. Sa më poshtë, është pjesa e parë e intervistës që Kevin Heldman ka realizuar këto ditë me një prej këtyre personazheve, Ketjol Manokun, me pseudonimin “Keti”. Shkrimi është publikuar para katër ditëve në shtypin e SHBA-së.
* * * * *
Për të kuptuar historikun e krimit të organizuar shqiptar në Nju Jork, ku po zhvillohen këto ditë gjyqe për të akuzuar lidhur me vrasje e trafik të drogës, të tillë si vëllezërit Krasniqi e bashkëpunëtorët e tyre, tepër të dhunshëm m’u desh të shkoja në Miçigan. Pesë orë rresht, në një burg pranë kufirit me Kanadanë, u ula në një tryezë përballë Ketjol Manokut. Ai mbahet brenda për vrasje: dhjetë shkelje të akteve ligjore. Apeli i fundit, i bërë prej tij, u hodh poshtë një ditë para se ta takoja. Ai është një djalë më se 100 kile dhe rreth 1. 80m i gjatë, me kokë të rruar dhe me mjekër vikinge. I thashë se më dukej mjaft i fuqishëm. M’u përgjigj se kishte qenë më i fuqishëm dhe më i fortë, por, pas një aksidenti me makinë, disa kohë më parë, nuk kishte më mundësi të ushtrohej si më parë. E vetmja gjë, që mungonte tek ai, ndryshe nga profili klasik, ishte tatuazhi. Sipas dosjes së burgut, ai nuk ka asnjë të tillë në trup. Por, gjatë intervistës, ai ngriti mëngën dhe më tregoi diçka që, me sa duket, ishte bërë në burg: një shqiponjë dykrenore, rreth 20 cm e gjatë, në pjesën e sipërme të krahut, që i bën të njohur shqiptarët kudo që janë.


Shqipëria
30-vjeçari “Keti” Manoku kishte jetuar në përputhje me kodin ushtarak, që kur kishte qenë ushtar në Ballkan. Më vonë, ai sërish ishte ushtar, por në rrugët e Amerikës. Shtatë vitet e fundit, ai ka qenë i mbyllur në burg dhe duket se këtu do ta mbyllë edhe jetën e tij. Më tha se, në fakt, burgu është tepër i lehtë. Është si të bësh shkollën e lartë. Në Shqipëri, tha e kishin rrahur një herë policët, deri sa këmisha bojë gri ishte skuqur fare nga gjaku, aq sa policët i kishin hequr nga detyra një ditë më pas dhe atë e kishin lënë të lirë. Kishte qëlluar për herë të parë me armë kur ishte 11 vjeç, me një pistoletë ruse. Dikur, ai dhe një shoku i tij kishin parë dy njerëz të qëlluar pranë tyre. Njeri vdiq menjëherë, ndërsa tjetri ishte plagosur për vdekje. Shoku i Manokut i kishte hequr nga koka kapelen e të vdekurit dhe e kishte vënë në kokën e tij. “Robo, ktheja kapelen të vdekurit!”, – i kishte thënë Keti shokut.
Një numër shokësh të tij nuk janë më gjallë. Ishte adoleshent në Shqipëri në vitin 1997, kur ai vend u marros. Pas skemave piramidale, vendi u shkatërrua, një parti politike e opozitës hapi burgjet dhe i la të dilnin të burgosurit. Të gjitha llojet e armëve dhe municioneve të policisë, të ushtrisë, madje edhe artileria e rëndë u braktisën dhe mund t’i merrje lirisht dhe njerëzit i morën. Një ditë, kur po qëndronte me shokët mbi disa gurë para një servisi makinash, erdhi një automjet, nga i cili dolën disa vetë, njeri prej të cilëve, me një kallashnikov në dorë, iu drejtua njërit prej shokëve të Manokut “Çfarë i keni bërë makinës sime?” Automatiku iu drejtua djalit në gjoks dhe ai u ngrit në këmbë. Më pas, disa krisma dhe shoku i Ketit u qëllua disa herë. Manoku hyri brenda të marrë armën, mekaniku e mori atë dhe e hodhi përtej gardhit, ndërkohë që vrasësi me të tjerët u larguan. Asnjë nuk u arrestua. Manoku nuk e kishte qejf shkollën dhe e la kur ishte 16 a 17 vjeç. Në moshën 19-vjeçare, ai bëri një vit ushtri, në reparte të ngjashme me forcat speciale, siç shpjegon në mënyrë të paqartë. Nuk tregon shumë gjëra lidhur me stërvitjen që ka bërë, vetëm thotë se u mësua të imponohej duke u treguar i dhunshëm. Shkoi në Greqi, u ngatërrua edhe aty me disa krime, duke përfshirë falsifikimin e parave dhe e kthyen sërish në Shqipëri. Ai kishte pesë pasaporta të ndryshme.
Erdhi në Amerikë në vitin 2001, duke kërkuar një jetë të re. Kaloi nga Meksika, pa ditur asnjë fjalë anglisht.
Amerika
Familjen e kishte në shtetin e Miçiganit (kontetë Makomb dhe Okland). Punoi në restorante dhe fillimisht banoi në zona getosh. Ai dhe një shok i tij një herë u ndaluan nga dy zezakë adoleshentë me motorë, por që dukej që nuk ishin fort esëll. Keti bashkë me shokun e tij i sulmuan, u morën armët, motorët dhe i përzunë. Ai i shiti pistoletat më pas. Nga restorantet, kaloi në punë të tjera. Punoi si agjent sigurie, bashkëpunoi në organizimin e koncerteve të këngëtarëve shqiptarë në Miçigan dhe krijoi edhe një firmë të vogël pastrimi. U përfshi edhe në veprime force, duke detyruar të tjerë që të paguanin borxhe, që u kishin marrë kriminelëve. Konkretisht: një shqiptar mund të kthehet në rrugë joligjore në amerikan, duke paguar një tarifë prej 12 mijë dollarësh; ai ka paguar 8 mijë dhe me të mbërritur në Amerikës, nuk do të paguaj pjesën e mbetur. Manoku ishte personi që kishte detyrë ta bindte që të shlyente detyrimit.
Më thotë se dikur zbuloi që kishte rreth e rrotull disa bashkëpunëtorë shqiptarë të FBI-së dhe se FBI-ja i ishte vënë pas. Kur ishte një herë në një kafe me vëllezërit Krasniqi dy gangsterët shqiptarë të Nju Jorkut të kalibrit të lartë, gjyqi i të cilëve sapo ka nisur, një vajzë që pretendonte të ishte artiste kolegji, erdhi disa herë, duke kërkuar ta lejonin të bënte një portret të njërit prej tyre për një detyrë klase. Manoku thotë se, një herë që ajo shkoi në banjë, ai i hapi portofolin dhe pa se aty kishte portrete të detajuara të të gjithë atyre. Ai i zhduku skicat dhe ajo nuk u duk më, po ashtu u zhduk edhe një furgon i mbyllur, që disa herë ishte parë të parkohej para kafenesë. Flet për një shok të ngushtë, që kishte pasur, një shqiptar, të cilin e kishin vrarë në një koncert në Miçigan, tregon si shkonte në Nju Jork për të takuar Krasniqët apo për të ruajtur vilën e gangsterit, Pol Kastelano. Më tej, rreth dy shqiptarëve, shokë të tij, të cilët kishin ardhur në Çikago për një pazar droge me amerikano-latinë, por që i kishin vrarë dhe u kishin djegur trupat. Ai kishte shkuar për të mësuar se ç’kishte ngjarë, por për këtë nuk u krye asnjë arrestim.
Një herë i theu dhëmbin dikujt dhe e futën në burgun e kontesë. Frekuentonte kafenetë në zonën e Detroitit dhe aty takoi Krasniqët. Kishte qenë një gangster tjetër nga Shqipëria, Elton “Toni” Sejdari, që i kishte prezantuar.
Keti nuk vishte kostume të shtrenjta, nuk i mbante flokët me stil të modës dhe nuk kishte “Kadillak”, siç parapëlqenin Krasniqët, të cilët, sipas një burimi tjetër, konsideroheshin si “gangsterë xhentëlmenë”. Manoku nuk ka asnjë lloj stili. Nuk mban as rroba hip-hopi dhe as xhingla, i urren gjëra të tilla. (“Ata kanë parë shumë filma”, – shton për gangsterët e stilit hip-hop). Nuk vishte rroba të bukura as më përpara. As kishte qenë i pasur dhe as nuk donte të bëhej i pasur, – thotë.
Krasniqët i kam miq, deklaron. Disa herë ata kanë përkthyer për të. Sejdarin, i cili është vetëdeklaruar fajtor në gjyqin e Nju Jorkut dhe po bashkëpunon me drejtësinë, natyrisht nuk e ka shok. E cilëson si një frikacak dhe thotë se gjithnjë ka qenë pika më e dobët e rrjetit të tij. Ka ankesa edhe ndaj Florjon Çarçanit, i cili, për të shpëtuar vetëm me tetë vjet burgim, negocioi me prokurorët dhe dëshmoi kundër tij dhe dy të bashkë akuzuarve me të Edmond Zoica, dënuar me burgim të përjetshëm dhe Oliger Merko, dënuar me burgim të përjetshëm. Manoku thotë se Çarçani ja ka shkatërruar jetën, pasi gënjeu për të lehtësuar dënimin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu