Ilir Ikonomi: Ismail Qemali, austriakët e shihnin si kameleon

0
293

Një libër që hedh dritë mbi udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Pavarësisë do të botohet këto ditë në Tiranë. Ai mban autorësinë e Ilir Ikonomit dhe hedh dritë mbi anët e panjohura të këtij në rrugëtimin e shekullit. Në libër flitet, për shembull, mbi projektet e tjera për shpalljen e pavarësisë, krahas atij të Ismail Qemalit. Shpjegohen dyshimet që kishin austriakët tek Ismaili dhe hidhet dritë se përse ata, ndonëse e donin pavarësinë e Shqipërisë, nuk i zinin besë Ismail bej Vlorës dhe druheshin se mos ai i braktiste një ditë, për shkak të natyrës së tij rebele, të panënshtruar. Rivali kryesor i Ismailit ishte kushëriri i tij i parë, Syrja bej Vlora, një njeri mjaft karizmatik dhe i pasur, që kishte një pallat buzë Marmarasë. Ishte edhe i biri i Syrjait, Eqrem bej Vlora. Eqrem beu ka shkruar qindra faqe kujtime, ku mes të tjerash flet edhe për këtë rivalitet me Ismailin. Ilir Ikonomi, në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” u jep përgjigje disa pyetje si: “Kur e shqiptoi ai për herë të parë fjalën pavarësi me gazetarët e huaj në Vjenë, që vinin për t’i marrë intervista në hotel? Si zbarkoi Ismail Qemali në Durrës? Në ç’gjendje psikologjike ishin shqiptarët në nëntorin e vitit 1912?”. Duke folur për Esat Pashë Toptanin, Ikonomi thotë se kjo pjesë e historisë është relativisht e errët dhe meriton studime të bazuara në fakte, sepse thjesht të thuash që aksh individ ishte tradhtar, ky nuk përbën fakt historik dhe nuk na ndihmon ta njohim historinë.
Zoti Ikonomi, ju përgatiteni të botoni librin “PAVARËSIA – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”. A mund të na thoni shkurtimisht se përse bëhet fjalë?
Libri, që do të botohet së shpejti nga ‘UET Press’, përshkruan në rreth 300 faqe udhëtimin e Ismail Qemalit nga Stambolli në Vlorë në nëntor të vitit 1912 për të shpallur pavarësinë. Këtë udhëtim, që zgjati pak më shumë se tre javë, do ta quaja pa frikë udhëtimi i shekullit për botën shqiptare, për nga rëndësia që ai pati në krijimin e shtetit të ri. Ky libër është përpjekja e parë për të përshkruar me hollësi dhe kryesisht në trajtë rrëfimi udhëtimin e Ismail Qemalit. Një pjesë e këtij udhëtimi ka qenë mbuluar nga misteri: Çfarë kishte në mendje Ismail bej Vlora më 2 nëntor 1912 kur u nis nga Stambolli me anijen Regele Carol? Kur e shqiptoi ai për herë të parë fjalën pavarësi me gazetarët e huaj në Vjenë, që vinin për t’i marrë intervista në hotel? Si zbarkoi Ismail Qemali në Durrës? Në ç’gjendje psikologjike ishin shqiptarët në nëntorin e vitit 1912? Libri shpjegon në detaje dhe në një kontekst të vetëm e të kuptueshëm të gjithë udhëtimin e Ismail beut nga Stambolli në Vlorë. Ai e ndihmon lexuesin të krijojë tablonë e plotë të asaj që ne e quajmë shpallje e pavarësisë. Libri lexohet lehtë, sepse nuk jepet në formën e një teksti historie, megjithëse çdo detaj që do të gjeni aty bazohet në fakte dhe dokumente historike.
Cilat janë pjesët më interesante të këtij udhëtimi të Ismail Vlorës?
Në një farë kuptimi, i tërë udhëtimi i ngjan një legjende dhe brenda tij ka plot të papritura që e bëjnë interesant. Në libër flitet, për shembull, mbi projektet e tjera për shpalljen e pavarësisë, krahas atij të Ismail Qemalit. Shpjegohen dyshimet që kishin austriakët tek Ismaili dhe hidhet dritë se përse ata, ndonëse e donin pavarësinë e Shqipërisë, nuk i zinin besë Ismail bej Vlorës dhe druheshin se mos ai i braktiste një ditë, për shkak të natyrës së tij rebele, të panënshtruar. Mendoj se tek lexuesi do të ngjallë kërshëri krejt mozaiku i interesave që shtetet e ndryshme kishin ndaj Shqipërisë. Si autor, i kam analizuar këto interesa me ftohtësi dhe paanshmëri, duke u distancuar nga shpjegimi subjektiv i historisë, i cili i bën dëm lexuesit.
Është folur e shkruar shumë mbi Ismail bej Vlorën, këtë figurë kyçe të historisë shqiptare. Cila është risia që sillni ju?
Për herë të parë në këtë libër jepet një përshkrim shterrues i karakterit të Ismail Vlorës, i njeriut dhe i diplomatit, i zyrtarit të Perandorisë Osmane që fliste pa frikë me Sulltanin dhe i Kryeministrit të Qeverisë së Vlorës që ndonëse dukej i qetë nga jashtë, përbrenda ishte herë-herë idhnak dhe plot impulse. Mbi të gjitha, zbulohen motivet e sinqerta të Ismailit kur vinte puna për atdheun e tij, Shqipërinë, në emër të së cilës ai nuk ngurronte të sillej si oportunist dhe si pragmatist. Për këtë arsye disa nuk e pëlqenin. Për italianët ai ishte i diskredituar. Austriakët e quanin kameleon dhe njeri me besueshmëri të ulët. Francezët thoshin se ishte politikan i shumë flamurëve. Të tjerë e akuzonin se merrte para nga grekët. Ismail bej Vlora është dhënë në libër pa zbukurime, pa mburrje dhe pa idealizime. Nuk është heroi që di vetëm të bëjë deklarata, por është njeriu prej mishi dhe prej gjaku, që punon herë hapur e herë tinëzisht për vendin e tij të të parëve.
Mbi ç’dokumente jeni bazuar për ta shkruar këtë libër?
Libri bazohet tërësisht mbi fakte historike dhe në këtë pikë nuk kam bërë lëshime. Asgjë nuk është e fantazuar. Për shembull, për të ndërtuar portretin e Ismail Vlorës dhe karakterin e tij, jam bazuar në një numër përshkrimesh të bashkëkohësve, burime që tregohen qartë dhe me transparencë në shënimet në fund të faqeve. Kryesisht jam bazuar në arkivin e Ministrisë së Jashtme austriake, të cilin e kam shfrytëzuar në origjinalin gjermanisht. Austriakët raportonin shumë për Ismail bej Vlorën, më shumë se kushdo tjetër, prandaj ky arkiv ishte një burim i paçmuar për mua.
Kërkime të pjesshme janë bërë edhe në Arkivin Qendror në Tiranë si dhe në atë të Londrës. Një tjetër burim me rëndësi ka qenë shtypi i kohës. Kam gjetur origjinalin e intervistave që Ismail Vlora jepte në gazetën austriake “Neue Freie Presse”, të cilat më ndihmuan të kuptoj thelbin e ideve të tij. Në koleksionet e Akademisë së Shkencave të Rumanisë kam gjetur intervistat e Ismail Vlorës për gazetat “Universul”, “Dimineata” dhe “Romanul”. Natyrisht, kërkimi i gazetave të vjetra është plot të papritura të këndshme. Në një gazetë italiane, për shembull, gjeta intervistën e rrallë të Isa Boletinit pas arritjes së tij në Vlorë, ku si përkthyes shërbente Luigj Gurakuqi. Them e rrallë, sepse kjo ishte e para dhe ndoshta e fundit intervistë që ai jepte në jetën e tij. Janë shfrytëzuar gjithashtu gazetat hungareze të kohës që flisnin për Ismail Vlorën kur ai ndodhej në Budapest. Një miku im i kërkoi dhe me shumë mundim i gjeti në Bibliotekën e Budapestit. Përveç arkivave dhe shtypit, kam rrëmuar në disa biblioteka për të gjetur çdo libër që drejtpërdrejt ose tërthorazi flet për udhëtimin e Ismail Qemalit. Si rrjedhojë, grumbullova në fondin tim mbi 200 libra në shumë gjuhë, kryesisht libra të vjetër. Kjo ndihmoi për të dhënë një pasqyrë besnike të ngjarjeve. Për shembull, marshimi i kolonave serbe drejt Adriatikut, ku ato arritën pikërisht më 28 nëntor 1912, është dhënë përmes fjalëve të vetë oficerëve serbë, siç i kanë thënë në kujtimet e tyre. Këta dhjetëra libra, që më shërbyen për të rindërtuar udhëtimin e Ismail Qemalit, u gjetën në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekat e Shkodrës. Miq të mi në Londër, Milano, Bukuresht dhe Tiranë ndihmuan që asnjë libër i botuar e që lidhej me Ismail Vlorën të mos i shpëtonte syrit tim.
Titujt e kapitujve të librit tuaj janë intrigues: “Në Shkodrën e rrethuar”, “Sekreti i kontit”, “Dashuria e harruar”, “Një Shqipëri e vogël”, për të përmendur vetëm disa. A mund të na flisni shkurt për ndonjërin prej tyre?
Po sjell vetëm një shembull. Në kapitullin “Sekreti i kontit”, flitet për takimin që Ismail beu pati me Ministrin e Jashtëm austro-hungarez, Kontin Leopold Berchtold në Budapest, në javën e dytë të nëntorit. Ky ishte një takim mjaft i rëndësishëm, sepse Ismaili kërkonte mbështetjen e ministrit. Ai kërkonte që Qeveria austriake t’i vinte në dispozicion një anije për ta çuar në Shqipëri. Konti Berchtold, ndonëse ia dha anijen Ismailit, nuk e përmendi kurrë këtë takim, madje as me vartësit e tij në ministri. Ai e mbante sekret. Edhe gazetat folën fare tërthorazi për këtë takim, që u bë në rrethana të çuditshme. Më e habitshmja ishte se vetë Ismaili në intervistat me gazetarët e mohonte se ishte takuar me Berchtoldin. Për herë të parë ai e përshkroi takimin në një artikull në formë kujtimesh që botoi disa vjet më vonë, më 1917. Në libër unë jap arsyet se përse Berchtoldi nuk fliste për takimin me Ismailin. Libri është i shkruar me një stil që unë besoj se do të jetë tërheqës edhe për lexuesin që nuk interesohet shumë për historinë. Dëshira ime është që, si të rinjtë, të cilët nuk e njohin mirë këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, ashtu edhe të tjerët që mund të kenë lexuar episode të veçanta, të krijojnë një ide të plotë dhe të pashkëputur se si u shpall pavarësia dhe ç’mund të kishte ndodhur nëse ajo nuk do të ishte shpallur.
Cilët ishin rivalët e Ismail bej Vlorës, e kam fjalën nga shqiptarët “bashkëvëllezër”?
Çuditërisht, ndër “bashkëvëllezërit” që përmendni ju, rivali kryesor i Ismailit ishte kushëriri i tij i parë, Syrja bej Vlora, një njeri mjaft karizmatik dhe i pasur, që kishte një pallat buzë Marmarasë. Ishte edhe i biri i Syrjait, Eqrem bej Vlora. Eqrem beu ka shkruar qindra faqe kujtime, ku mes të tjerash flet edhe për këtë rivalitet me Ismailin. Por në librin tim, unë kam përfshirë detaje të reja për të cilat nuk është folur ndonjëherë, që e bëjnë më interesante të gjithë këtë garë se kush do ta shpallte i pari pavarësinë. Disa intervista të Syrja bej Vlorës, që i kam zbuluar në gazetat austriake dhe rumune, botohen për herë të parë. Syrjai dhe Eqremi ishin miq të besuar të austriakëve. Por plani i tyre dështoi, sepse ngjalli dyshime te bejlerët e Shqipë-risë, të cilët mendonin se ata ishin agjentë të austriakëve. Për-kundrazi, Isma-ili u tregua më diplomat. Ai shfrytëzoi çdo rast në favor të tij dhe arriti që, me inteligjencën dhe autoritetin që kishte në popull, ta mbledhë pa-rinë e viseve shqiptare në Vlorë, me gjithë dallimet e tyre krahinore, fetare dhe gjuhësore. Vlen të përmendet se, me gjithë rivalitetin, Ismaili, Syrjai dhe Eqremi e donin njëlloj vendin e të parëve. Ata i përkisnin së njëjtës familje të madhe të Vlorajve dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk i mbajtën mëri njëri-tjetrit, por u sollën si xhentëlmenë të vërtetë.
Cili qe roli i Esat Pashë Toptanit në këtë kohë?
Në kohën kur Ismail Qemali bënte udhëtimin e tij historik nga Stambolli në Vlorë, Esat pashë Toptani luftonte për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Garnizoni turko-shqiptar i komanduar nga turku Hasan Riza Pasha, ku Esat Pasha ishte nënkomandant, ishte një nga xhepat e pakët të qëndresës që ushtria turke bënte në Ballkan. Dhe është e çuditshme se sa gjatë rezistuan ata në Shkodër derisa kapitulluan në prill të vitit 1913. Trillet e historisë janë ndonjëherë të pabesueshme, po ashtu edhe motivet e njerëzve. Esat Pasha, i cili luftoi me malazezët për muaj me radhë, më vonë do t’i kundërvihej Qeverisë së Ismail Qemalit, duke u përpjekur të krijonte një Qeveri paralele në Durrës. Kjo pjesë e historisë është relativisht e errët dhe meriton studime të bazuara në fakte, sepse thjesht të thuash që aksh individ ishte tradhtar, ky nuk përbën fakt historik dhe nuk na ndihmon ta njohim historinë. Ky kapitull i historisë shqiptare gjithsesi nuk është objekt i librit tim, i cili, siç thashë, përshkruan kryesisht udhëtimin e Ismail Qemalit nga Stambolli në Vlorë për të shpallur pavarësinë.

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu