Incidenti i Korfuzit, mbrojtja dhe denoncimet e Shqipërisë në OKB

0
425

Telegramet e Hoxhës në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për shkeljen e ujërave territoriale dhe të hapësirës ajrore të Shqipërisë nga forcat ushtarako-detare dhe ushtarako-ajrore të Britanisë.

Si e mbronte pafajësinë e Shqipërisë dhe denoncimi i përpjekjeve për të pastruar kanalin një muaj pas incidentit. Dhe fjala drejtuar popullit se kishte fakte kundër britanikëve që nuk do të donte t’i publikonte

 

Pas 65 viteve nga incidenti në Kanalin e Korfuzit që penalizoi ashpër Shqipërinë komuniste, dokumentet e deklasifikuara të Marinës Britanike do të konfirmonin atë që Tirana zyrtare kishte mbrojtur me fanatizëm prej tetorit 1946, se nuk kishte gisht në vendosjen e minave, se ishte shkelur sovraniteti i hapësirës ujore të Shqipërisë dhe se vendimi i Gjykatës së Hagës ishte i padrejtë.

Pak muaj më pare, Britania bëri publike dokumentet sekrete ne lidhje me incidentin e Korfuzit në 22 tetor të vitit 1946 ku humben jetën 44 marinarë anglezë, fakte që u publikuan edhe në Shqipëri.

Dokumentet origjinale të Marinës Britanike, të mbyllura në arkivat britanike për rreth 50 vjet treguan se Marina Britanike kishte marrë urdhër për një demostrim force dhe kundërpërgjigje nëse pala shqiptare do të reagonte.

Por këto incidente do të vijonin edhe pas atij të tetorit, siç duket edhe nga korrespondenca që kryeministri shqiptar, Enver Hoxha, bën me sekretarin e përgjithshëm të OKB Trygve Li, një javë pas ngjarjes e më pas.

Telegram Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me anën e të cilit protestohet për shkeljen e ujërave territoriale dhe të hapësirës ajrore të RPSH nga forcat ushtarako-detare dhe ushtarako-ajrore të Anglisë

30 tetor 1946

Shkëlqesës së tij TRYGVE LI, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Nju Jork

Kam nderin t’Ju parashtroj Juve dhe nëpërmjet Jush, Asamblesë së Lartë të Kombeve të Bashkuara

sa vijon: Më datën 22.10.1946 në orën 13,00, katër luftanije angleze, të armatosura me topa, mitraloza dhe ushtarë hynë në ujërat tona territoriale të Sarandës, të Kakomesë dhe të Borshit pa pasur lejen nga qeveria shqiptare.

Njëra prej këtyre luftanijeve, që mbante numrin R. 62 e pasuar nga një luftanije e dytë me Nr. R.41, hynë në gjirin e Sarandës, brenda në ujërat tona, në një largësi , 1,5 pre3 1,a km. prej skelës, kurse dy anijet e tjera lundronin në ujërat tona territoriale përballë Kakomesë dhe Borshit, në veri të portit të Sarandës.

Një vedetë e marines bregdetare shqiptare, shkoi në drejtim të luftanijeve në fjalë, për të kërkuar arsyen e shkeljes së ujërave tona territoriale dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme, se në njërën prej këtyre luftanijeve u duk të delte tym e flakë. Ekuipazhi i luftanijes britanike në fjalë, nuk denjoi t’u jepte asnjë shpjegim marinarëve shqiptarë për këtë shkelje flagrante të integritetit të vendit tonë.

Në orën 0,30′ të mesnatës të katër luftanijet britanike u kthyen në limanin e Korfuzit. Kemi nderin të theksojmë se në një interval jo shumë të gjatë, inkursione të tilla provokuese nga ana e luftanijeve britanike në ujërat tona territoriale janë përsëritur për të dytën herë dhe që të dy herët është tentuar të krijohen incidente, dhe është cënuar integriteti i vendit tonë.

Nga ana tjetër, pas ngjarjes së dates 22.10.1946 dhe pikërisht në datën 23.10.1946, në mëngjez, pa lejën e qeverisë shqiptare, dhe në shenjë frikësimi dhe provokimi, aeroplana britanikë tremotorësh, njëri prej të cilëve mbante numrin PK 4, fluturuan në sektorin që prej Qafës së Muzinës e deri në fshatin Radat.

Në datën 23.10.1946 në qiellin e portit të Sarandës, tri herë rresht, kanë fluturuar shumë ulët dy aeroplanë të tjerë englezë.

Në emër të popullit shqiptar dhe të qeverisë së tij
protestojmë energjikisht, pranë Jush dhe pranë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, për inkursione të tilla provokuese që i bëhen njëra pas tjetrës vendit të një populli heroik që luftoi dhe u sakrifikua për kauzën e përbashkët aleate, dhe që ka vënë gjithë forcat e tijapër ndërtimin e vendit të shkatërruar, për forcimin e një demokracie të vërtetë dhe për mbrojtjen e paqes në botë.

S’mjaftojnë padrejtësitë e njëpasnjëshme që i bëhen popullit tonë në të drejtat e tija ndërkombëtare të fituara me gjak, por tentohet gjithashtu të krijohen incidente, si ato të lartpërmend urat, për të penguar vendin tonë të shkojë në rrugën e përparimit që ai i ka caktuar vetes.

Nga ana tjetër, ne theksojmë se ngjarje të tilla si këto të Sarandës, dhe që kanë për qëllim flagrant cënimin e integritetit të vendit tonë, nuk shërbejnë aspak për rivendosjen e marrëdhënieve miqësore në mes të popujve paqedashës e përparimtarë, po përkundrazi shërbejnë për të dëmtuar paqen dhe miqësinë që duhet të krijohet dhe të forcohet dita-ditës në mes të popujve për të mirën e njerëzimit përparimtar.

Populli shqiptar, është një popull i vogël, por paqedashës që dha prova të mëdha në luftën antifashiste se sa të shtrenjta ishin për të liria, indipendenca, sovraniteti dhe integriteti tokësor i tij.

Për t’i fituar këto ai luftoi me heroizëm të madh dhe do të dijë t’i ruajë përgjithmonë e nuk do të lejojë t’ia
cënojnë të tjerët.

Populli shqiptar, i cili luftoi me abnegacionin më të madh për qëllimet e shenjta që duhet të mbrojë, t’i mbajë gjallë e t’i forcojë Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka besim te kjo organizatë e lartë dhe kërkon prej Jush dhe prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjë dhe t’u jepet fund provokacioneve të tilla që i bëhen vendit tonë.

Këto provokacione dëmtojnë miqësinë e ngushtë dhe të sinqertë që duhet të ekzistojë në mes popujve paqedashës dhe rrezikojnë vendosjen e një paqe të shëndoshë e të vazhdueshme, për të cilën populli shqiptar s’do të mungojë asnjë çast të japë kontributin e tij.
Kryeministri i Republikës Popullore të Shqipërisë
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha

TELEGRAM

Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me anën e të cilit protestohet kundër shkeljes së ujërave territoriale të RPSH në kanalin e Korfuzit nga luftanijet e Britanisë së Madhe dhe kundër hyrjes së luftanijeve të SHBA në Portin e Durrësit pa pëlqimin e qeverisë së RPSH

11 nëntor 1946
Shkëlqesisë së tij TRYGVE LI, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Nju Jork

Qeveria britanike më datën 10 nëntor 1946, me ndërmjetësinë e ambasadës së saj në Beograd i njoftoi qeverisë sonë se më 12 nëntor ka vendosur të pastrojë kanalin e Korfuzit, sipas vendimit të marrë mbi këtë çështje nga Komiteti qendror për pastrimin e minave.

Me një notë më datë 31 tetor, ne i kemi njoftuar qeverisë britanike se, me përjashtim të ujërave territoriale shqiptare, qeveria e Republikës sonë nuk sheh asnjë pengesë që ujërat të pastrohen, po që çdo inkursion anijesh të huaja në ujërat tona territoriale pa lejen e qeverisë sonë do të konsiderohej si një akt jomiqësor dhe do të shkelte sovranitetin e Shqipërisë.

Me notën e mësipërme, qeveria angleze deshi ta vinte Shqipërinë përpara një fakti të kryer, prandaj ne protestojmë energjikisht pranë OKB-së për këtë akt unilateral. Nga ana tjetër, ne nuk e njohim Komitetin qendror për pastrimin e minave që ka uzurpuar të gjitha të drejtat dhe që s’ka denjuar të konsultohet me qeverinë shqiptare për ndërmarrjen e punimeve të pastrimit në kanalin. ku Shqipëria ka të drejta të pamohueshme.

Vetëm një komision i dalë nga OKB-ja, ku të marrë pjesë dhe Shqipëria, mund të caktojë cilat janë ujërat joterritoriale në kanalin e Korfuzit. Në radhë të dytë, ne protestojmë energjikisht pranë OKB-së për insistimin që bën misioni amerikan në Shqipëri duke kërkuar të vijnë në portin e Durrësit dy anije lufte për të marrë këtë mision që do të niset nga Shqipëria.

Ne e kemi autorizuar misionin amerikan që të sjellë në portin tonë një anije civile dhe tregtare dhe, në dashtë, i kemi lejuar të vijnë në aeroportin e Tiranës një ose dy aeroplanë për transportin e personelit të misionit.
Kryetari i Qeverisë së RPSH
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha

TELEGRAM

Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me anën e të cilit protestohet kundër shkeljes së ujërave territoriale të RPSH nga forcat ushtarako-detare të Anglisë

13 nëntor 1946
Shkëlqesisë së tij TRYGVE LI, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Nju Jork

Në lidhje me telegramin e protestës sonë më datën 11 nëntor 1946, kemi nderin t’Ju komunikojmë sa vijon:

Qysh më 12 nëntor në mëngjez një numër i madh anijesh lufte me flamurin anglez përshkuan në të gjitha drejtimet bregun tonë të Jugut të Shqipërisë, që nga Butrintoja gjer në Karaburun. Të gjitha anijet angleze në formacion lufte lundronin në ujërat tona territoriale dhe ekstra-territoriale në shenjë frikësimi dhe provokimi.

Sot, më 13 nëntor 1946, në orën 10 të mëngjezit dhe gjatë gjithë ditës, një numër i madh anijesh lufte dhe dragaminash angleze, numër që ndryshon në çdo orë nga 11 deri 23, hynë në ujërat tona territoriale të Sarandës në një largësi prej 1 500, 1 000, 500 metra nga porti me pretekst se pastronin minat. Nga anijet e luftës angleze, më çdo kohë, shkrehen batare mitralozash në ajër dhe në ujë, duke dashur kështu të krijojnë incidente.

Në emër të popullit shqiptar, paqësor dhe demokrat, në emër të këtij populli të vogël që, më 7 prill të vitit 1939, pa të dilnin në portin e Durrësit anijet e luftës të Musolinit, në emër të këtij populli të vogël që luftoi vjete me radhë me trimëri të pashoqe kundër fashizmit, përkrah aleatëve të mëdhenj dhe që la në fushat e betejave 50 000 të vrarë e të plagosur, i drejtohem Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë akt brutal dhe unilateral nga ana e qeverisë britanike.

Populli shqiptar e konsideron këtë akt si një shkelje të të drejtave të tija më të shenjta, të sovranitetit të tij, për të cilat populli shqiptar është kurdoherë gati të derdhë gjakun e tij.

Nga ana tjetër, kërkoj nga Organizata e Kombeve të Bashkuara
që ta gjykojë këtë akt të qeverisë angleze dhe të jape urdhrin e tërheqjes imediate të anijeve të luftës dhe

të dragaminave angleze nga limanet tona dhe nga ujërat tona territoriale, në interesin e ruajtjes së paqes, për të cilën populli shqiptar vuri të gjitha forcat për ta fituar.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës
Popullore të Shqipërisë

Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu